Kosovë/ Shpërthen KEK, 2 të vdekur dhe 13 të plagosur

0

largea_kek-madhe1402065881Presidentja Jahjaga: Moment i vështirë. Partitë politike ndërpresin fushatën zgjedhore. Politika në Shqipëri shpreh ngushëllime

Loading...

 Dy persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i fuqishëm i një depozite me hidrogjen në termocentralin “Kosova A” në Obiliq. Përmes një njoftimi zyrtar Korporata Elektroenergjetike e Kosovës bëri të ditur se është konfirmuar vetëm një viktimë, ndërsa dy punëtorët që dyshoheshin të vdekur, janë gjetur të gjallë nën rrënoja. Shpërthimi ndodhi rreth orës 11:15 minuta në Obiliq. Zhurma e këtij shpërthimi ka qenë tepër e fuqishme sa është dëgjuar edhe në disa pjesë të Prishtinës. Nga shpërthimi i madh që ka ndodhur janë dëmtuar madje edhe xhamat e shtëpive përreth. Dyshohet se shkak i shpërthimit në termocentral ka qenë hidrogjeni. Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës, ka thënë se shpërthimi ka ndodhur në repartin e elektrolizës në termocentralin “Kosova A”. Dyshohet se shkak është bërë hidrogjeni gjatë përzierjes së disa kimikateve të cilat bëjnë zbutjen e ujit. Dy prej tre personave që dyshohej se kishin humbur jetën në fatkeqësinë e KEK-ut, janë gjetur të gjallë. Sipas mediave kosovare, vetëm njëri prej punëtorëve, Latif Jashari, ka humbur jetën në këtë fatkeqësi.Ndërkaq, punëtori Tefik Bela është nxjerrë nga rrënojat dhe është duke u dërguar në spital për trajtim të specializuar.Këtë informacion e ka konfirmuar edhe KEK-u, përmes një komunikate për media. “Në këtë moment mund të konfirmojmë se kemi identifikuar vetëm një viktimë përderisa njësitë e specializuara janë të kërkim të dy personave të humbur të cilët pretendohet që kanë qenë në atë zonë në momentin e aksidentit”, – thuhet në njoftimin e KEK-ut.

 

Ndërpritet fushata zgjedhore

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndërprerë menjëherë fushatën dhe është nisur drejt KEK-ut, për të parë nga afër pasojat e këtij shpërthimi. “Nuk ka kaluar ende rreziku, por është izoluar zona e rrezikshme. Të gjitha strukturat e specializuara janë në gjendje gatishmërie. Janë duke u larguar të gjithë punëtorët nga vendi i punës, për shkak se ende nuk ka kaluar rreziku. Jam me punëtorë, ministrin Ismaili, të gjithë, me qëllim për të shpëtuar njerëzit”, – u shpreh Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

 

Jahjaga: Solidarizohemi me familjarët
Presidentja kosovare Atifete Jahjaga ka shprehur dhembjen e thellë për tragjedinë që goditi punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. Në një reagim të saj, Presidentja thotë: “Në këto momente të vështira të solidarizohen në dhembje me familjarët dhe të afërmit e atyre që u prekën nga kjo fatkeqësi e rëndë dhe të bashkohen në lutje për fatin e punëtorëve të KEK-ut dhe shërimin e tyre të shpejtë”.

 

Dëmtohen shtëpitë

Pas shpërthimit i cili ka ndodhur në termocentralin “Kosova A”, janë dëmtuar 12 shtëpi, 4 biznese si dhe janë evakuuar banoret nga vendi i shpërthimit dhe afërsia e tij, kështu ka thënë kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, për “Kosovapress”. Dy nga 12 shtëpitë, sipas Gashit, janë dëmtuar shumë rëndë, ku shtabi i emergjencës është duke e rregulluar qëndrimin e familjeve, kurse për të identifikuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi është duke u marrë shtabi nga Komuna e Obiliqit. Edhe Policia e Kosovës, kishin bllokuar rrugën për të mos kaluar as makinat, as njerëzit nga ajo rrugë. “12 shtëpi, 4 biznese, dy shtëpi janë shumë të dëmtuara dhe shtabi i emergjencës po e rregullon qëndrimin e tyre. Janë dy shtabe emergjente njëri është nga QKMF shtab profesional mjekësor, dhe një shtab nga komuna e po merret me identifikimin e dëmeve që janë shkaktuar”, – ka theksuar Gashi. Banorët të cilët e kanë pasur afër këtë shpërthim, kanë treguar për “Kosovapress”, se janë shqetësuar shumë nga shpërthimi, duke mos e ditur se çfarë ka ndodhur. Njëri nga ta është Rushit Isufi, nga fshati Mazgit, ku shtëpia e tij ndodhet rreth një kilometër e gjysmë larg termocentralit “Kosova A”. Ai ka treguar se në momentin e shpërthimit është dëgjuar zhurmë aq e madhe dhe kanë parë shumë tym të zi. Isufi, ka thënë se nga ky shpërthim i madh nuk janë bërë dëme në shtëpinë e tij, megjithatë janë hapur plasat në mure të shtëpisë. “Po jam dal në atë moment thash u rrëzuar edhe shpija, krejt mundeni me pa qe e ka kris vene vene, nuk dita mo qa u bo hiq, e kemi pa këtu afër tym i zi shkojke, dej vonë e morëm vesh që ka shpërthyer diçka. Unë hala nuk e di, qitu jemi qe s’di sa, as NATO as nuk kom ni qasi krisme. Edhe dritaret i ka livrit. Kjo nganjëherë lëshon një far ushtime por, sikur sot kurrë jo”, – ka thënë Isufi. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, është shprehur se rreziku ka kaluar dhe është shprehur se gjithë banorët e evakuuar mund të kthehen në shtëpitë e tyre përveç dy shtëpive të cilat janë dëmtuar shumë rëndë.

 

Basha: I bashkohemi dhimbjes, solidaritetit me familjet e viktimave

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave. “Shpërthimi tragjik në Obiliq është një lajm i hidhur dhe tronditës për të gjithë shqiptarët. Në këtë orë fatkeqësie që shkaktoi humbje të jetëve njerëzore dhe dhjetëra të plagosur, së bashku me cdo qytetar shqiptar i bashkohem dhimbjes dhe solidaritetit me familjet e viktimave dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës. Ju uroj shërim të shpejtë të plagosurve dhe lutem që pasojat e shpërthimit të mos rriten më tej”, – tha në mesazhin e tij Basha.

 

Berisha: Shërim të shpejtë të plagosurve

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka uruar shërim të shpejt të plagosurve nga shpërthimi dhe ka shprehur ngushëllime për familjet. “Aksident tragjik ne Kosove, nje shperthim ne Obeliq ne termocentral ka shkatuar disa te vdekur dhe te plagosur. Duke ju uruar sherim te shpejte te plagosurve, shpreh ngushellimet e mia me te sinqerta familjeve te viktimave dhe lutem se bashku me to qe shpirti i njerezve tyre te dashur te gjeje paqen e merituar. Ngushellime!”, – u shpreh Berisha në një postim në rrjetin social “Facebook”.

 

Rama: Lajm tronditës

“Lajm trondites nga Kosova,dhimbje e solidaritet per familjaret,le te lutemi qe numri i te vdekurve dhe te demtuarve te mos rritet me tutje. Sapo fola me KM Thaci per pasojat e shperthimit tragjik dhe i shpreha ngushellimet e solidaritetin tone.KM ishte i lenduar e falenderues”, – u shpreh Kryeministri Edi Rama në një postim në “Facebook”.

 

Emrat e të plagosurve

 

1-Naim Hajrizi 1978 Prishtinë

2-Bashkim Kutllovci 1950 Prishtinë

3-Bashkim Tanaj 1968 Obiliq

4-Nyredin Dardhishta 1985 Kaqanik

5-Izet Dedinca 1969 Lajthisht-Obiliq

6-Mentor Avdyli 1979 Dobroshevc Drenas

7-Besim Elezi 1977 Mihhaliq – Obiliq

8-Elmza Hoxha 1956 Miradi e ulet – Fushë Kosovë

9-Shemsi Klinaku 1975 Obiliq

10-Besim Krasniqi 1974 Obiliq

11-Rrahman Alshiqi 1953 Obiliq

12-Hamdi Kutllovci

13-Ali kutllovci

 

Loading...