“Crown Agents” shpall fushatën më të madhe të kontrollit të akcizës

0

kufiri-doganaDrejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe “Crown Agents” njoftojnë fillimin e fushatës më të gjerë që është ndërmarrë deri më sot në lidhje me kontrollin e prodhuesve, importuesve, shpërndarësve dhe shitësve me pakicë të alkoolit, cigareve, pijeve energjike dhe kafes – produkte të cilat janë subjekt akcize.

Loading...

Produktet e akcizës kanë qenë përherë burim evazioni jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kjo fushatë ndërmerret për të parandaluar një evazion të mundshëm dhe njëkohësisht për të sensibilizuar operatorët ekonomikë që të kryejnë veprimtarinë e tyre duke zbatuar ligjet në fuqi.

Synimi i fushatës është të sigurojë që të gjitha subjektet e përfshira në tregtimin e mallrave të akcizës të zbatojnë detyrimet e parashikuara me ligj si dhe të paguajnë detyrimet përkatëse. Në rastet kur do të zbulohen subjekte të cilat qëllimisht ose për shkak neglizhence kanë shmangur detyrimet e tyre kundrejt shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të jetë e palëkundur në ndërmarrjen e masave të nevojshme, sipas ligjit.

Kjo fushatë do të përfshijë një sërë aksionesh të cilat do të synojnë:

–          Përforcimin e zbatimit të ligjit nga ana e subjekteve të regjistruara të akcizës;

–          Identifikimin e prodhuesve dhe furnizuesve, të cilët tregtojnë mallra akcize në mënyrë informale;

–          Zbulimin dhe parandalimin e importeve të jashtëligjshme të mallrave të akcizës;

–          Identifikimin dhe eliminimin e linjave të furnizimit të jashtëligjshëm;

 

Fushata nuk limitohet vetëm në synimet e lartpërmendura, por gjithashtu do të targetojë tregtinë e paligjshme, luftën kundër kontrabandës ndërkufitare, identifikimin e subjekteve të paregjistruara që tregtojnë me shumicë ose pakicë. Këto objektiva do të realizohen përmes grupeve operative, të cilat do të shtrijnë veprimtarinë e tyre në pikat doganore kufitare, në magazinat fiskale të furnitorëve si dhe në ambientet ku mallrat e akcizës tregtohen me pakicë.

Grupet operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe të “Crown Agents” do të vizitojnë një numër të madh subjektesh akcize. Ky hap i parë shërben për t’u siguruar që subjektet e regjistruara të akcizës janë në dijeni të detyrimeve të tyre. Njëkohësisht, Grupet operative do t’i pajisin këto subjekte me një dokument informues.

 

Pajtueshmëria ligjore

Në javët në vazhdim kontrollet e ndërmarra nga grupet e përbashkëta operative do të vijnë duke u intensifikuar si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë operativ. Mënyra dhe strukturimi i operimit dhe kontrolleve do të jenë fleksibël në varësi të gjetjeve dhe rezultateve të konstatuara nga grupet operative.

Disa nga rezultatet e pritshme të fushatës do të jenë identifikimi i shkeljeve të mundshme, identifikimi i subjekteve që veprojnë në kundërshtim me ligjin si dhe mbledhja cilësore e informacionit për të ndërtuar profile sa më të sakta risku. Një nga objektivat kryesorë të kësaj fushate mbetet përçimi i një mesazhi të qartë për të gjitha subjektet e akcizës që të rregullojnë veprimtarinë e tyre sipas ligjeve në fuqi, duke u kthyer kështu në partner të besuar.

 

Loading...