“Po”-ja e Füles/ Gjermanët kundër: Vullneti s’është kriter për statusin, Shqipëria me probleme

0
161

Gëzim Saliu

euroskeptiku gjerman.. Gualand: Vendi ka shumë probleme rajonale, që presin një zgjidhje përfundimtare

 Euroskeptikët gjermanë kundërshtojnë “Po”-në e raportit të Komisionit Evropian të bërë publik nga komisioneri Stefan Füle për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Zv.kryetari i Alternativës për Gjermaninë, që mori shtatë eurodeputetë në zgjedhjet e fundit, Alexander Gualand, iu përgjigj deklaratës së komisionerit për Zgjerimin, Stefan Füle, se Shqipëria ka treguar vullnet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Vetëm me vullnet të mirë nuk bëhet asgjë dhe ky nuk është një kriter për pranimin si vend kandidat”, – tha ai duke shtuar se Shqipëria është ende larg plotësimit të kritereve minimale për pranim. Më tej, ai bëri të ditur në deklaratën e tij në blogun “Presen Mitelunge” se “vendi ka shumë probleme rajonale, që presin një zgjidhje përfundimtare përpara se të propozohet statusi i kandidatit”. Sipas tij, edhe pa Shqipërinë, BE ka plot probleme brenda saj.

 

Statusi

Dy ditë më parë, Komisioni Evropian publikoi raportin për Shqipërinë, ku konfirmoi rekomandimin drejtuar Këshillit të Evropës për t’i dhënë vendit statusin kandidat. Sipas raportit, Shqipëria ka vazhduar të zbatojë dhe të konsolidojë masat e saj për sa u përket reformave që lidhen me BE-në, veçanërisht ato që lidhen me statusin kandidat. Por krahas hapave pozitivë të regjistruar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në drejtësi, Komisioni, bashkë me sugjerime të tjera, vuri theksin në raport në nevojën për dialog politik dhe kompromis të konsoliduar mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërkaq, pavarësisht nga raporti pozitiv i KE-së, vendimi përfundimtar për statusin kandidat do të merret nga vendet anëtare të BE-së, fillimisht në mbledhjen e 23 qershorit të ministrave të Jashtëm dhe më pas do t’u kalojë kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare në 26 dhe 27 qershor. Në kohën kur vendimi për statusin kandidat merret në formë unanime – ku edhe në rast se një vend anëtar voton kundër, Shqipëria nuk do të mund të marrë atë – janë ende disa vende me peshë në BE që nuk kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre. Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Holanda dhe Danimarka ishin 5 vendet të cilat u shprehën skeptike në dhjetor për t’i dhënë statusin Shqipërisë, ku edhe sot, krahas dy prej tyre, ende nuk dihet qëndrimi që do të mbajnë në mbledhjen e fundqershorit. Ndërkohë, sipas analizave të mediave ndërkombëtare, për situatën në Bashkimin Evropian pas dyfishimit të rezultatit nga esktremistët në zgjedhjet në PE, theksohet se raporti pozitiv dhe pritshmëritë e mira për marrjen e statusit do të ngjallë reagimin e partive populliste anti-BE. Po ashtu flitet se Franca dhe Britani, dy ndër vendet ku ekstremistët morën rezultate të larta, do të jenë ndër pikëpyetjet kryesore për vendimin ndaj Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat, ku nuk mund të lihen jashtë konsideratës edhe lëkundshmëritë e Holandës e Gjermanisë. Pas publikimit të raportit të KE-së, deputeti gjerman i CDU, Roderich Kiesewetter, deklaroi se Berlini nuk ka ende një vendim në lidhje me dhënien e statusit kandidat, duke theksuar se aktualisht në Bruksel ekziston gatishmëria që Shqipërisë t’i jepet statusi, por ka dhe disa detyra, që, sipas tij, duhet të kryhen.

 

Ministrja e Integrimit/ Gjosha: Tur lobimi për statusin në Londër e Paris. Statusi, meritë edhe e qeverisë së kaluar

Pas marrjes së përgjigjes pozitive nga raporti i Komisionit Evropian, qeveria shqiptare ka vetëm 20 ditë kohë për të ndryshuar mendjen e skeptikëve dhe të marrë statusin e kandidatit për në BE. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, bëri të ditur dje nisjen e një turi lobimi që do të ketë dy stacione të rëndësishme, Londrën dhe Parisin, ndërsa Kryeministri Rama do të zhvillojë një vizitë në Francë në datën 11 qershor, ku do të takohet me Presidentin francez Hollande. ollHolla“Me këto vende është punuar shumë që nga shtatori 2013 deri tani. Ende nuk ka mbaruar axhenda jonë e udhëtimeve. Shumë shpejt do jem në Londër dhe në Hagë për të informuar këto vende anëtare për të informuar mbi progres-raportin që e kanë marrë por që ndonjëherë është më mirë për të krijuar një imazh më të mirë për vendin. Janë kryer vizita të shumta, do të kemi sërish Kryeministrin në Francë, Kryetari i Kuvendit ishte në Danimarkë, ministri i Jashtëm ka vizituar të gjitha vendet jo vetëm skeptike, por edhe ato që hynë në grupin e vendeve të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë”, – tha ministrja pas një bashkëbisedimi me nxënës të shkollës “Hasan Prishtina”. Por pavarësisht nga shpresa për marrjen e statusit, Gjosha theksoi se marrja e një përgjigjeje tjetër pozitive gjatë qershorit do të varet edhe nga politikat e brendshme dhe situata e krijuar në Parlamentin Evropian. “Kjo nuk më takon mua, puna ime ka konkluduar dje për statusin. Është punë që ka filluar ndër vite, nuk është vetëm e kësaj qeverie, por edhe kjo qeveri ka meritat e saj, pasi ka punuar intensivisht për të rikonfirmuar vullnetin që kemi për të çuar përpara kërkesat që ka vendosur BE. Pjesa tjetër u takon vendeve anëtare, vota e fundit apo ajo PO e madhe do t’u takojë vendeve anëtare. Kjo do të varet edhe nga politikat e tyre të brendshme dhe situata e krijuar edhe në Parlamentin Evropian”, – theksoi ministrja e integrimit.

 

Reforma në drejtësi/ Halimi: Opozita merr pjesë, por duhet të monitorohet nga BE-ja

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, deklaroi dje gatishmërinë e opozitës për të marrë pjesë në reformën e paralajmëruar nga mazhoranca në drejtësi, por, sipas tij, më parë duhet të sigurohet monitorimi nga Bashkimi Evropian. “Opozita do të marrë pjesë në reformën për drejtësinë, kur ajo të fillojë, por me kusht që kjo reformë të monitorohet nga BE-ja”, – tha Halimi në një intervistë për “Ora News”. Më tej, ligjvënësi demokrat bëri të ditur detaje të diskutimit të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-KE, ku tha se ajo çka u prek ishte reforma në drejtësi. “Komisioneri kërkoi që opozita dhe mazhoranca të bashkëpunojnë dhe reforma të jetë gjithëpërfshirëse. Kryeministrit iu kërkua një draft për reformën në drejtësi, por që Kryeministri nuk e kishte gati këtë draft. Qëndrimi i opozitës ishte që ne do të marrim pjesë në reformën e drejtësisë, por ne kërkuam që kjo reformë të monitorohet nga Brukseli dhe Bashkimi Evropian. Kjo, për faktin se këndvështrimi i Kryeministrit për reformën në drejtësi nuk është në rrugën e duhur. Për Kryeministrin, reforma në drejtësi kuptohet si një kapje politike e sistemit të drejtësisë”, – deklaroi Halimi, i cili theksoi se që të funksionojë drejtësia, duhet që drejtësinë ta bëjnë institucionet, jo ta bëjë politika. “Nuk mund ta vendosë drejtësinë Kryeministri. Drejtësia ka probleme dhe këtë e dimë, ka probleme me efiçencën. Problemi kryesor është që gjyqësori duhet të jetë i pavarur. Drejtësia duhet të jetë e pavarur politikisht”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency