Banka Botërore paralajmëron/ Ekspertët: Cfarë rreziqesh do të ketë ekonomia shqiptare

0
133

Ervin Kaduku

fabrike kepuceshKriza shqiptare dhe rreziqet sipas Bankës Botërore

 –          Çfarë konstatuan ekspertët e Bankës Botërore javën e kaluar në ekonominë e vendit?

–          Rreziqet dhe mënyra e përballimit të tyre sipas ekspertëve

 Edhe disa vite pas 2008-ës, kur kriza globale bënte kërdinë, ne nuk po na prekte dhe ekonomia jonë po ecte më mirë se shumë të tjera. Më pas, faktet treguan se “dhimbja” do të fillonte thjesht pak më vonë. E kjo, jo për imunitetin e lartë të ekonomisë sonë, porse ekonomia ishte më pak e integruar në tregun ndërkombëtar dhe u desh që dy partnerët tanë më të rëndësishëm në tregti, Italia dhe Greqia, të binin në recesion, për të ndier hapat mbrapa të ekonomisë së dobët shqiptare. E në këtë dobësim, vitin e kaluar, la shenja të dukshme negative edhe një faktor i brendshëm, ai i shpenzimeve për zgjedhjet, tranzicioni i pushteteve nga e djathta në të majtë dhe mbi të gjitha, paraliza e administratës shtetërore për të paktën tre muajt e verës.

Të gjitha këto bënë që ekonomia jonë të rritet as një gjysmë pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, ndërsa ekonomitë fqinje ishin më të fuqishme, duke u rritur jo pak, por mbi 5 herë më shumë.

 

Papunësia

Raporti i fundit i Bankës Botërore “Rritje e brishtë” prezantuar javës së kaluar në Tiranë, vë në dukje se kjo rritje e dobët është shoqëruar mbi të gjitha me një përkeqësim të ndjeshëm të tregut të punës. Sipas Hilda Shijakut, eksperte e Bankës Botërore për Shqipërinë, papunësia në vend vlerësohet të ketë shënuar rritjen më të lartë gjatë vitit të kaluar, duke arritur në 16%. Krahasuar me fqinjët në rajonin e Ballkanit, ky është niveli më i ulët, por Banka Botërore kujton se vlerësimet e fundit të INSTAT-it flasin për një nivel më të lartë të papunësisë.

E kjo është vetëm maja e ajsbergut të problemeve sociale që mund të vijnë nga papunësia. Banka vëren se në Shqipëri, është rritur papunësia afatgjatë dhe ajo tek të rinjtë. Raporti nxjerr në pah faktin se të varfrit e kanë gjithnjë e më të pamundur të gjejnë një punë. Sipas ekspertëve, ky është një fenomen shqetësues, pasi problemet sociale vënë në rrezik rritjen e ekonomisë.

 

Problemet

“Fytyra e zbehtë” e ekonomisë shqiptare del në pah më qartë po të krahasohet me ekonomitë e vendeve të rajonit. Sipas këtij raporti, krahas rritjes më të ulët të ekonomisë, Shqipëria kryeson në disa tregues negativë, si borxhi publik, kreditë me probleme apo edhe deficiti fiskal. Për këtë të fundit Shqipëria vjen pas Serbisë.

Ndërsa në 6 vendet e rajonit, borxhi publik mesatar (duke përjashtuar garancitë) u rrit nga gati 42% në 2012 në 44.7% vitin e kaluar, në Shqipëri, borxhi publik pa llogaritur garancitë e formalizimin e borxhit, i kaloi 60% të PBB-së. Nga të dhënat krahasuese, këtij niveli po i afrohet Mali i Zi dhe Serbia. “Duke reflektuar rimëkëmbjen e vogël të rritjes dhe konsolidimin e vonuar fiskal, borxhi publik vijoi të rritej në vitin 2013 dhe parashikohet të rritet më tej në vitin 2014”, – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Ekspertët e bankës vërejnë se vendeve iu desh të merrnin hua për të financuar deficitet fiskale dhe duke përjashtuar garancitë, ndryshe nga vendi ynë, që është futur në një program asistence me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe që parashikon t’u vërë fre zhvillimeve negative (duke shtrënguar rripin deri diku për individët e bizneset shqiptare), borxhi publik parashikohet të rritet më tej këtë vit në rajon, në përputhje me rritjen e deficiteve fiskale. Kërkimet e fundit të ekspertëve të ekonomisë, vënë në dukje se një borxh i rritur shpejt ka po aq të ngjarë të ngadalësojë rritjen ekonomike sa edhe borxhi i lartë. E kjo vlerësohet të ketë ndodhur vitin e kaluar në Shqipëri, ku borxhi përfshirë edhe zyrtarizimin e detyrimeve të prapambetura, i kaloi 70% të PPB-së.

E në pasqyrën krahasuese, Shqipëria rezulton më e dobët edhe për problemet me kredinë. Sipas raportit ajo zë vendin e parë në rajon për kreditë e këqija, me një nivel që vitin e kaluar i kaloi 24% të totalit të kredive. Raporti vëren se në 6 vendet e rajonit të Ballkanit, niveli i kredive me probleme u rrit vitin e kaluar duke arritur nivelet më të larta historike në fund të vitit 2013. “Huatë e këqija u rritën me më shumë se tri herë nga mesatarja prej 5% në periudhën para krizës deri në 16% në fund të 2013-ës. Shqipëria dhe Serbia kanë shënuar nivelin më të lartë të huave të këqija në fund të vitit 2013, ose duke arritur kulmin e tyre historik, ose duke iu afruar shumë këtij kulmi”, – thuhet në raportin e BB.

 

Kërkesat

Porosia e ekspertëve të Bankës Botërore për ekonominë shqiptare përsëritet tashmë prej vitesh. Nga një qeverisje në tjetrën, ministrave u kanë mbërritur të njëjtat kërkesa. “Plagët” e ekonomisë shqiptare që duhen kuruar me urgjencë sipas ekspertëve janë të thella e duan një angazhim serioz: flitet për reformën në pensione, në fushën e energjisë dhe konsolidimin fiskal. Përsëritja e këtyre kërkesave edhe në konferencën e fundit të lë të kuptosh se është bërë pak ose aspak në këtë drejtim, ndonëse ekspertët e huaj i kanë përsëritur vazhdimisht ato. Por, përfaqësuesja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Tahseen Sayed, saktësoi se janë bërë disa hapa, si në reformën me pensione, plani i së cilës pritet të përfundojë në fund të këtij viti, edhe në sistemin financiar. Energjia duket se vazhdon të mbetet ende mbrapa. E kërkesa për reformat në këtë sektor renditet e para për Bankën Botërore, si kusht që ekonomia shqiptare të shënojë rritje.

 

BB: Evropa Juglindore del me ngadalë nga recesioni

Ekonomia e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore – Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Serbi – filloi të rimëkëmbej nga recesioni i 2012-ës, duke u rritur mesatarisht me 2.2% në vitin 2013, sipas të Rregullit Ekonomik për Evropën Juglindore të Bankës Botërore. Lidhur me situatën në të ardhmen, raporti shprehet se rajoni parashikohet të rritet me 1.9% këtë vit dhe me 2.6% në vitin e ardhshëm. Faktor për këtë është rritja e kërkesës së jashtme, por Banka vëren se ky parashikim zbehet nga rreziqe domethënëse që lidhen me përmbytjet e fundit në rajon. Për Shqipërinë, raporti parashikon një rritje prej 2.1% në 2014, për t’u gjallëruar në 3.3% në 2015-ën. Kjo është ecuria më e mirë, në rast se nuk shfaqet asnjë problem emergjent, si ai i përmbytjeve në vendet fqinje, të cilat vënë në pikëpyetje parashikimet për rritjen. Përmbytjet e rënda, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi, shkaktuan krizë humanitare, me dhjetëra persona të vdekur dhe me miliona të tjerë të shpërngulur, dhe ndërpreu furnizimin me ujë ose energji elektrike. Dëme ekonomike janë shënuar në banesa, por edhe në të mbjella.

 

Përse erdhi rritja…

Në vitin 2013, secili nga të gjashtë shtetet e Evropës Juglindore shënoi ritme pozitive rritjeje. Rritje në nivelin 3% u shënua në Kosovë, edhe më e lartë ishte rritja në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Viti i mbarë bujqësor dhe rritja e industrisë kanë mbështetur aktivitetin ekonomik të rajonit në të gjitha shtetet. “Në vitin 2013, Evropa Juglindore filloi të rimëkëmbej nga recesioni” thekson znj. Ellen Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, duke vlerësuar se “rritja ekonomike u bë e mundur falë kërkesës në rritje për eksportet e rajonit nga shtetet me të ardhura të larta, veçanërisht nga shtetet e Bashkimit Europian. Përmbytjet shkatërruese në mes të majit janë një fatkeqësi humanitare për disa vende të Evropës Juglindore dhe do të kenë ndikime në rimëkëmbjen ekonomike për disa vite në vijim”. Sipas raportit, eksportet janë rritur me afro 17% në vitin 2013, të kryesuara nga një rritje e shpejtë në eksportet serbe. Rritja kryesore në vitin 2013 ka ardhur nga eksportimi i makinerive dhe i pajisjeve të transportit, kryesisht nga Serbia dhe nga Maqedonia. Për vendin tonë dhe Malin e Zi, eksporti i lëndës djegëse ishte domethënës, ndërsa metalet bazë zunë rreth çerekun e eksporteve nga Kosova në vitin 2013.

Në kontrast, kërkesa e brendshme e rajonit u tkurr në vitin 2013. Duke komentuar këtë tregues, znj. Goldstein thekson: “Ne do të donim t’i nxisnim vendet e Ballkanit Perëndimor për të kaluar nga rritja e nxitur nga kërkesa e brendshme drejt një rritjeje që vjen nga rritja e eksporteve, e cila çon drejt një integrimi më të madh me tregun evropian dhe ato botërore”. Sipas saj, paralelisht me rimëkëmbjen, ka ardhur koha që vëmendja të përqendrohet në krijimin e një klime investimesh nxitëse të rritjes së mbështetur në eksporte dhe ndërlidhjes”. Kërkesa e brendshme është vënë më shumë nën trysni nga ulja e remitancave në rajon në vitit 2013, duke reflektuar rimëkëmbje ekonomike ende të plogësht dhe mbizotërim të papunësisë së lartë në shtetet e BE-së. Me pak vende të reja pune të hapura, ulje të remitancave dhe kreditim të kufizuar në ekonomi, të ardhurat e familjeve dhe fitimet e kompanive nuk ishin në gjendje të nxisnin konsumin e brendshëm ose investimet në rajon.

 

Analiza

Për ish-zv.ministrin e Financave, Sherefedin Shehu, mospërputhja e tendencave të rritjes ekonomike midis vendeve të rajonit tonë është e pranueshme, sepse ekonomitë e këtyre vendeve nuk janë të integruara dhe për rrjedhojë ato nuk e ndjekin dhe ndikojnë njëra-tjetrën. Rritja ekonomike e secilit vend varet nga faktorët e brendshëm specifikë dhe zhvillimet në ekonomitë me të cilat ata janë më të integruara. Kjo përforcohet edhe nga konkluzioni i Bankës Botërore, sipas të cilës rritja ekonomike e këtyre vendeve ka ardhur kryesisht nga kërkesa e jashtme, dhe për shkak të integrimit të pakët kjo kërkesë ka qenë përtej kufijve të rajonit.

Së dyti, mospërputhja në tendencat e rritjes ekonomike midis vendeve të rajonit e ka bazën në vitet 2012-2013. Nga analiza e të dhënave del se kjo mospërputhje ka shkaqe objektive por është thelluar nga deformimi i qëllimshëm që qeveria shqiptare u ka bërë treguesve të rritjes ekonomike në vitin 2013 (pasi treguesit e raportit për vitin 2013 janë vlerësime të përafërta dhe jo tregues të përllogaritur nga Banka Botërore). Po të kemi parasysh se në vitin 2013 kërkesa e jashtme ka qenë burimi i rritjes ekonomike për Shqipërinë dhe rajonin, si edhe faktin se në vitin 2012 Shqipëria kishte rritje ekonomike 1,3% ndërsa vendet e rajonit, përveç Kosovës, recesion nga -0,4% deri në -2,5%, atëherë rritja ekonomike e Shqipërisë mund të mos ishte e njëjtë, por duhet të kishte të njëjtën tendencë me atë të rajonit. Në të kundërt në vitin 2013 rritja e ekonomisë shqiptare bie në 0,4%, ndërsa ekonomitë e rajonit rriten me 1,8% -3,5%. Kjo nuk argumentohet as me përdorimin si shkak në disa raste të vitit zgjedhor për Shqipërinë, pasi kërkesa agregate në këto periudha rritet dhe as me strukturën ekonomike, pasi të gjitha vendet e rajonit kanë një strukturë ekonomike të paqëndrueshme.

Së treti, diferencat në parashikimet e vitit 2014 e kanë bazën në zhvillimet reale dhe në deformimet e treguesve të rritjes ekonomike të vitit 2013 për Shqipërinë, të përshkruara më sipër. Vendet e rajonit pas një kërcimi në rritjen ekonomike nga viti 2012 në vitin 2013 parashikohet të kenë një qëndrueshmëri këtë vit, përveç Serbisë e cila parashikohet të ketë ulje të ndjeshme. Serbia ndikon ndjeshëm ndryshimin e tendencës rajonale pasi përfaqëson ekonominë më të madhe dhe sipas Bankës Botërore fatkeqësitë natyrore të ndodhura atje do të ndikojnë ndjeshëm negativisht. Përsa i përket Shqipërisë, rritja ekonomike e saj prej 2,1% është shumë afër rritjes mesatare të rajonit prej 1,9% dhe po të veçohet ndikimi i Serbisë ajo është më e ulët se mesatarja e rajonit. Ndërsa perceptimi i rritjes shumë optimiste për Shqipërinë është rrjedhojë e manipulimit të treguesit të rritjes ekonomike për vitin 2013, i cili uli ndjeshëm bazën e krahasimit për efekt të rritjes ekonomike të vitit 2014. Për këtë shkak, megjithëse ekonomia shqiptare nuk ra në recesion dhe vazhdimisht është rritur më shumë se ato rajonale, duket sikur kërcimin e vitit 2013 të ekonomive rajonale ajo do ta ketë në vitin 2014.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency