…takim në kohë!                         

0
143

Stefan Taçi

Autosave-File vom d-lab2/3 der AgfaPhoto GmbHPiktori Stefan Taçi, më 6-13 qershor, hap ekspozitën personale “…takim në kohë”

Kur flasim për kohën (pa harruar Hronosin mitologjik), shpesh e përcaktojmë si koncept filozofik, fenomen kozmik, nocion abstrakt apo spiritual, por për ekzistencën njerëzore ajo është thjesht kohë biologjike, e ndarë në sekonda, orë, muaj apo vite, e nëse flasim për një histori konkrete gjithmonë ka një fillim. Ideja e kësaj ekspozite merr shkas nga dy personazhe që kanë lindur më 1929 e 1939. Janë dy jetë njerëzore mbi gjysmë shekulli bashkë, janë prindërit e mi, por siç thonë, çdo individ lind i vetëm dhe i vetëm shkon nga kjo botë. Ngjarje të tilla personale sigurisht ka në çdo familje, ku ditëlindjet familjare apo përvjetorët thjesht janë data kalendarike për disa e gëzim apo trishtim për dikë tjetër. Duke lënë mënjanë egon, kapriçon apo eksperimentet artistike, zgjodha të jem në kohën e duhur për këtë motiv, sepse koha (o hronos), bën të vetën. Ndaj edhe ekspozita personale e këtij viti (shpresoj në mirëkuptimin e publikut), synon të sjell vizualisht udhëtimin kohor të dy prindërve të mi, duke filluar nga viti kur ata u bënë për herë të parë subjekt artistik për mua e deri më sot. Natyrisht këtu është vetëm një pjesë e përzgjedhur e punimeve (në mbështetje të idesë primare), të cilat synojnë të japin evolucionin sa biologjik të subjektit përkatës por deri diku edhe atë artistik në vite të kësaj pjese të krijimtarisë sime, që shpesh i referohet modeleve familjare siç besoj kanë bërë e bëjnë pjesa më e madhe e artistëve dje dhe sot.

Njihet thënia se prindërit nuk i zgjedhim ne, janë ata në fakt që vendosin për ardhjen tonë në jetë, e vetëm për këtë ata meritojnë respekt e nderim, pa folur pastaj për sakrificat e tyre në vazhdimësi, në varësi të kohës e vendit ku jetuan apo mundësive të tyre. Ndaj shpresoj se në këtë ekspozitë, pa lënë mënjanë edhe mesazhin estetik, gjithkush mund të shoh përtej personave konkretë, mund të rigjej apo ritakoj prindët e tij, sepse një nga mesazhet e kësaj ekspozite është pikërisht vëmendja, kujtesa e kujdesi ndaj kësaj kategorie sociale. Prindërit e mi janë njerëz të thjeshtë, siç janë mijëra prindër të tjerë, që pa bujë e zhurmë u përballën ndershmërisht me jetën. Ndërkohë ata si kushdo tjetër përreth, ishin pjesë e skicimeve kohë pas kohe, edhe kur pozonin me dëshirë po edhe kur mezi pranonin pasi ktheheshin të lodhur nga punët, edhe kur nuk e kishin mendjen, kur lexonin apo punonin mbi diçka, madje edhe kur dremitnin nga pak, e nga ky proces kam mësuar jo pak. Me këtë rast i falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan duke pozuar, familjarë, të njohur e të panjohur, me dashje apo pa dashjen e tyre, e ka ndodhur jo pak herë që atyre t’ju kem dhuruar punimet ku ata ishin subjekt. Në rastin e prindërve kjo nuk ndodhte, ndaj vetë ekspozita në thelbin e saj është një dedikim e gjest mirënjohje për ta, pavarësisht faktit se ndoshta ata preferonin një udhë tjetër për mua, një rrugë më të sigurt se arti. Ndoshta është rastësi por vizatimi i parë i këtij cikli punimesh fillon me nënën që po gatuan me një furnelë vajguri (1977), një moment i vogël rutinor në dukje e po aq universal si akt dashurie e sakrifice ndaj familjes. Disa gjëra duhen gdhendur në trupin e kohës, ndryshe ato harrohen, humbasin, deformohen e më pas edhe zhbëhen apo zhduken, sepse koha (o hronos) gëlltit gjithçka.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency