Statusi në BE/ Dora dhe shuplaka e Evropës

0
123

Nga Artan Fuga

artan-fuga Unë nuk e di nëse Komisioni Evropian do ta japë rekomandimin për ta pranuar Shqipërinë si vend kandidat për anëtarësim. Ka mundësi edhe ta japë përderisa këtë propozim e ka bërë edhe herë tjetër më parë.

Unë nuk e di nëse vendimmarrësit e mëtejshëm politikë të Bashkimit Evropian do ta pranojnë apo jo këtë propozim. Sipas meje, është shumë e vështirë dhe mbase e pamundur tani, edhe për shkak të gjendjes të demokracisë shqiptare, por edhe për faktin se Evropa duket hëpërhë e lodhur nga zgjerimi dhe nga kriza, por edhe se ka prani grupesh që nuk e dëshirojnë këtë zgjerim.

Unë nuk jam fallxhor. Por çfarë di?

Di që qytetarët shqiptarë e meritojnë integrimin evropian, di që Shqipërisë i duhet shumë, por di që edhe shteti dhe demokracia shqiptare, të drejtat e njeriut, mirëqenia sociale, drejtësia, respekti ndaj qytetarit, administrata, mjedisi social janë me mijëra kilometra larg atyre të modelit evropian.

Kjo është gjëja e parë që di.

E dyta gjë që di është se Evropa flet me një gojë dhe me një mendje, dhe jo me njëqind apo me dy nivele. Komisioni Evropian, edhe kur e jep, edhe kur nuk e jep propozimin e vet, nuk është asnjëherë në kundërshtim me vendimmarrësit politikë të Evropës, pra me Parlamentin Evropian ose me Këshillin e Evropës.

Kur Komisioni Evropian e jep propozimin për të qenë vend kandidat dhe Parlamenti ta zëmë e refuzon, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se shërbyesi, pra Komisioni, e jep dhe padroni, Parlamenti, nuk e jep. Kurrë nuk ndodh që midis shërbyesit në kuptimin e mirë të fjalës dhe padronit, pra bartësit të legjitimitetit, të ketë kontradikta. As bëhet fjalë. Evropa ka një vullnet dhe flet me një zë institucionalisht. Debatet brenda institucioneve pastaj janë gjë tjetër.

Por mund të ketë dhe ka ndarje rolesh. Me një dorë Evropa na ofron dhe me një dorë tjetër na jep shuplakën e fortë, bash ashtu sikurse e meritojmë.

Komisionin e jep pozitivisht propozimin, pra na e jep dorën, por ai e di mirë se Parlamenti Evropian do të na japë shuplakën, pauuuu! – ashtu sikurse e meritojmë…

Dhe jo vetëm qeverisë, por të gjithë klasës politike. Nuk kanë faj as gjyqtarët, as prokurorët, as nëpunësit, askush. Mos pranojmë alibira, ka vetëm një përgjegjësi: klasa politike. Ajo na ka vonuar 25 vjet. Sa u desh për ndërtimin e bazave ekonomike të socializmit me eshtrat e të persekutuarve, sa u desh Skënderbeut për të përballuar sulltanin.

Italia, Greqia dhe ku e di unë kush, hajde po them Bullgaria, ca vende fqinje për mirëkuptim, shprehen pozitive që ta marrim statusin e kandidatit, çfarë talljeje!!!, pra na japin dorën e Evropës, sepse e dinë që dardha e ka bishtin prapa, pastaj vjen Franca, Gjermania, Anglia, Holanda e ku e di unë kush, Shtetet e Bashkuara, që na thonë: Ikni more andej, u bëtë ju, neve do të na e hidhni!

– Na japin shuplakën, bash ashtu sikurse e meritojmë.

E meritojnë politikanët në fakt.

Asnjë media evropiane nuk parasheh ndonjë perspektivë zgjerimi, kandidatura edhe mbase…

Unë di edhe një gjë tjetër: nuk u besohet fjalëve.

Vetëm naivët u besojnë fjalëve.

Të gjithë përdëllehen për integrimin, por po ta shohim paksa me kujdes se çfarë bëjnë, do të shohim se ne jemi të penguar, prodhohen çdo çast pengesa për integrimin shqiptar në Evropë.

Jemi në zonë sizmike gjeopolitike. Po nuk kuptuam këtë dhe nuk vepruam në përputhje me këtë, kot e kemi… Do endemi si qorra nëpër pyll.

Një avion që vjen e thyen rrotën në Divjakë – a nuk është një fjalim kundër Shqipërisë evropiane?

Një prift serb që vjen dhe i hedh benzinë zjarrit në Tiranë dhe mediat riprodhojnë sherrin me qeveritarët shqiptarë – a nuk na vë rrota të thyera në makinën e integrimit?

Dosjet që shkojnë në Prokurori dhe pas tyre ka ligjërime politike dhe nuk trajtohen thjesht juridikisht, a nuk janë shenja kundër integrimit?

Sherret me nënë dhe me babë në Kuvendin shqiptar, a nuk janë vullnet mosintegrimi?

Mbushur bulevardi me çadra njerëzish në greva urie: dhe ju doni integrim evropian!!!

Jo fjalët, por shenjat – veprim besohen, ato lexohen, objektet dhe veprimet flasin, jo fjalët, fjalët janë bërë thjesht për të gënjyer tjetrin dhe bindur naivët…

Shenjat flasin…

Ja pra gjërat që nuk di dhe gjërat që di, e di që Evropa flet me një gjuhë, jo me dy, ka një kokë, jo dy, mos ngatërrojmë kokën me pëllëmbët.

Njeriu ka një kokë, por ka dy pëllëmba. Me një zgjat dorën dhe na tërheq pranë vetes, sepse na do dhe i duhemi, me tjetrën na jep shuplakën sikurse e meritojmë, sepse ndërsa me gojë duam integrim, me veprime tregojmë se nuk e dëshirojmë.

Gjithsesi, duhet të presim fundin e procesit për të parë nëse do të jemi apo jo kandidatë për integrim, por si po, si jo, në fund, do të shohim se Evropa flet me një kokë, por ka së paku dy duar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency