Projektligji i ri/ Shtohen kategoritë e përfituesve për ish-të përndjekurit politikë

0
144

ligji te perndjekuritPrioritetin e parë e kanë ish-të dënuarat politike femra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji

 Qeveria ka miratuar dje ndryshime në projektligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, ndryshimet do të sjellin dëmshpërblim më të shpejtë për disa kategori. “Qeveria ka marrë një vendim që sjell disa ndryshime në ligjin për të përndjekurit politikë, kryesisht për kompensimin e tyre. Ligji do të shkojë në Parlament gjatë kësaj legjislature. Është përpiluar në kohë rekord, duke marrë parasysh të gjitha opinionet e shoqatave të të përndjekurve, ata që realisht janë të përndjekur dhe që realisht kanë bërë vite burg”, – tha gjatë fjalës së tij Veliaj gjatë një konference për shtyp.“Baza kryesore e ndryshimeve në ligj ka të bëjë me ndryshimin e rendit të pagesave për të përndjekurit. Ju e dini fare mirë që ligji parashikon ndarjen në 8 këste, por 8 këste ndaheshin sipas dosjeve dhe jo detyrimisht sipas individëve, çka nënkupton që rreth 80% e dosjeve u jepeshin pagesa njerëzve që nuk jetojnë më, që do të thotë se pagesat bëheshin për trashëgimtarët e tyre. Ligji e përmbys këtë raport, 70% e pagesave do të bëhet për ata persona të cilët janë vetë gjallë dhe vetë kanë bërë burgu, ose kanë status të përndjekuri dhe vetëm 30% e pagesave vjetore, nga buxheti vjetor, do të bëhet për ata që janë familjarë, ose ndryshe quhen trashëgimtarë”, – theksoi Veliaj.

 

Përfituesit që do të dëmshpërblehen të parët:
– Prioritetin e parë e kanë ish të dënuarat politike femra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji

– Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji

– Ish të dënuarit politikë të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm

– Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht moshës kanë pasardhës të radhës së parë, fëmijë, në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji

– Ish të dënuar politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji

– Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë edhe nën 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji

 

Fatmir Hoxha: Nuk duam kacidhet e Erion Velisë

“Ne jemi të vendosur për ta vazhduar më tej grevën e urisë, nuk kemi hyrë në greve urie për kacidhet e Erion Velisë”. Ky ishte reagimi i kreut të grevës së ish-të përndjekurve politikë, Fatmir Hoxha, pas miratimit të projektligjit të ri për dëmshpërblimin e kësaj shtrese. Kërkesat tona janë: të kryhet dëmshpërblimi i të gjitha kësteve brenda dy viteve, të njihet dhe respektohet statusi ish-të përndjekurve, të kthehen në punë ish-të përndjekurit e larguar nga administrata, si dhe të dënohet figura e Enver Hoxhës. Qeveria ka një urrejtje ndaj nesh, pasi ata janë bijtë e etërve të tyre. Gjatë fjalimit të tij sot, Rama theksoi këto fjalë: “Jeni ju, pa jemi ne”, gjë që të kujtonte edhe një herë figurën e Enver Hoxhës, gjatë fjalimeve të tij. Unë do te negocioj me qeverinë, mes këtyre burrave që jemi këtu”, – u shpreh Fatmir Hoxha gjatë një dalje për mediat. Greva e ish-të përndjekurve politikë, ndryshe nga greva e ish-punonjësve po përballet me vështirës të mëdha. Në ditën e tetë disa ish-të përndjekur politikë janë ndier keq dhe gjatë gjithë ditës dhe një mjek ishte në shërbimin e tyre për të dhënë ndihmë dhe shërbim mjekësor.
 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency