Eurokracia evropiane

0

Brikena Bogdo

brikena bogdoEurokracia (pushteti i euros) ende është mbizotërues mbi demokracinë (pushtetin e demosit). Masat shtrënguese për stabilitet ekonomik dhe stabilitetin e euros do të jenë mbizotëruese edhe në katër vitet e ardhshme, me gjithë zemërimin e votuesve evropianë. Por, me zgjedhjet e fundit, evropianët dhanë një sinjal të fortë: duan më shumë demokraci. Eurokraci v.s. demokraci do të jetë divergjenca thelbësore në katër vitet në vijim.

Ekzistonte frika nëse këto protesta do të ishin për ndryshim apo për përmbysje. Ekstremistët e majtë p.sh. në Francë, kanë hapur probleme serioze, por jo aq, sa për të tronditur vendin. Protestat, në të vërtetë, ishin radikale, shpesh mbi çështje shumë të diskutueshme, por e rëndësishme është që ruajtën koperturën demokratike në mënyrë të jashtëzakonshme. Nëse qeveritë mendojnë se mund të vazhdojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur, kjo mund të shndërrohet në një bumerang dhe ajo valë mund të shndërrohet në përmbysëse.

Ato çka sjellin përmbysjet e mëdha, janë krizat e mëdha apo ndërgjegjësimet masive për ndryshime rrënjësore. Ndërgjegjësimi masiv është tejet i vështirë dhe ndodh sigurisht më rrallë, ndërsa krizat ekonomike kanë qenë më të shpeshta. Janë këto kriza ekonomike, që polarizojnë ambientin politik apo që spostojnë drejt poleve ekstreme, elektoratin. Kështu ndodhi në vitet 1929-1933, kur kriza botërore çoi në krijimin e ambienteve ekstreme politike.

Gjithsesi, evropianët kanë dhënë një sinjal të fortë, që duan ndryshim ecurish, largim nga bizneset e konsoliduara, por mbi të gjitha emra të rinj. Duke filluar nga popullorët (Juncker), tek socialistët (Martin Schulz), liberalët (Guy Verhofstadt), të gjithë pjesë e eurokracisë së Brukselit, duke u konsideruar nga elektorati si sinjalet e para për ndryshim. Kjo e ashtuquajtur “protestë e përgjithshme” kërkon një politikë më të afërt, sigurisht brenda evropianizmit. “Business as usual” nuk është më një opsion. Do të prevalojnë ende politikat ekonomike mbi politikat demokratizuese? Kjo do të përbëjë një nga kontradiktat kryesore në vitet në vijim.

Politikat shtrënguese do të vazhdojnë. Pra, konkluzioni është se nuk diskutohen më reformat, por ajo që u mbetet qytetarëve të kërkojnë është t’u jepet fuqi atyre reformave, që mund të rikthejnë demokracinë në qendër të Evropës.

Evropianët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të konsiderohet nga Brukseli. Mbi të gjitha, ata po kërkojnë që vendimet të merren pranë tyre, jo në pallate të largëta, nga disa politikanë të panjohur dhe jo të licencuar, nga armët e demokracisë. Kjo tendencë ka qenë mbizotëruese në të gjithë Evropën. Ata janë përqendruar në fjalën kyç të një demokracie të vërtetë, “Ndryshim”. Në Itali, konsensi i fortë dhënë Mateo Renzit është pjesë e premtimit për ndryshim.

Më shumë sesa një prirje drejt ekstremiteteve, disa analistë e përkthejnë një votë kundër establishmentit të vjetër. Kërkohet që vendimet të marra deri më tani, në pallatet e Brukselit, të kthehen më afër qytetarëve, në nivel kombëtar e lokal dhe të rikthehet demokracia në qendër të Evropës. Ajo që po i frikësohen më shumë evropianët, është që po humbet nocioni real i demokracisë. Në fakt, shumë nga këto kërkesa, që janë konsideruar populiste, me tendencë përmbysjeje, në të vërtetë vetëm kanë hapur probleme politike.

Ndërkohë, kërkohet që të ecet me reformat nacionale, për të rikthyer kontinentin e vjetër më konkurrues, për ta nxitur drejt një rritjeje më të madhe ekonomike, për të hapur tregjet, ende të mbyllura, për të rritur prodhimin, për të bërë më efiçentë sektorët publikë, ato çka nuk mund të bëjë Brukseli. Pikërisht, kjo do të përbëjë një tjetër divergjencë në katër vitet e ardhshme. Do të prevalojë centralizimi i BE-së apo një pavarësi më e madhe e shteteve anëtare? Kjo nuk është më vetëm një divergjencë, midis krahëve kundërshtare, të majtë apo të djathtë, por edhe brenda krahëve politikë.

Kërkohet pavarësi më e madhe (apo deri referendum për shkëputje nga BE-ja) nga Farage apo Marinne le Penn. Ndërkohë që, fitorja e Renzit në Itali është një sinjal i elektoratit që vërtet nuk është për shkatërrim të Evropës, por për reformat e thella. Edhe Tsipras, në Greqi, i cili në fillim ishte për shkëputje nga BE-ja, sot artikulon më së shumti përmirësim të reformave. Edhe vetë brenda forcave të majta apo ekstremiste ende ka qëndrime të dyzuara.

Kjo tregon se nuk është çështje ideologjish, por traditash nacionale dhe çështje dominimi shtetesh të fuqishme. E gjithë kontradikta qëndron në një Evropë tashmë të gjermanizuar apo diktati ekonomik që vendos një shtet i suksesshëm. Por, në fakt, mbetet ende e fortë prirja centralizuese e BE-se, me kandidatin për ta kryesuar atë, Junker, ish-kryeministër i Luksemburgut, i cili kërkon më shumë kompetenca centralizuese për Komisionin e ri Evropian. Kjo është krejt e kundërta e asaj çfarë kërkon Britania e Madhe apo më saktë Farage dhe partia e tij ose Le Penn. Ky centralizim ka sjellë kundërshti edhe nga vende të tjera. Kjo do të jetë kontradikta kryesore, që do të vazhdojë të shoqërojë BE-në në vazhdim, centralizim apo më shumë pavarësi të shteteve anëtare.

Ka sinjale se më e keqja ka kaluar, por Evropa është në një normalitet të ri, ende të rëndë. Ajo që vihet në diskutim, është se me çfarë politikash do të përballen evropianët pas zgjedhjeve. Kjo, pasi, gjithsesi, politikat e ndjekura për të bërë një Eurozonë më të qëndrueshme, janë konsideruar një sukses, me gjithë kontradiktat dhe vuajtjet sociale që e kanë shoqëruar. Pra, politikat ekonomike nuk do të ndryshojnë.

Ndërkohë, kane qenë pikërisht këto politika ekonomike, me sukses apo dështim, që kanë pasur ndikim në zgjedhje. Po rezultatet e zgjedhjeve, a do të kenë ndikim në politikat monetare në të ardhmen? “Qëllimet e Bankës Botërore, për të arritur objektivat e politikave monetare, janë të tjera dhe nuk do të ndryshojnë me zgjedhjet evropiane”, – shpjegon Franco Bruni, profesor i politikave monetare në Universitetin Bocconi.

Në diskursin politik, shpesh është konsideruar si një politikë ndëshkuese ajo që Angela Merkel u ka imponuar vendeve që kanë “mëkatuar” me bilancet publike. Por, vendet e prekura nga kriza po japin shenja të lehta përmirësimi dhe fuqizimi ekonomik, duke i konsideruar të suksesshme reformat shtrënguese. Pas zgjedhjeve, me gjithë protestat e forta që i karakterizuan, do të vazhdojë ky arsyetim. Nga jashtë, do të krijohet një ide, që qeveritë e vendeve duhet të braktisin politikat shtrënguese, që kanë penguar zhvillimin. Në realitet, këto politika do të jenë në një pjesë minimale më fleksibël, në fakt, pjesa tjetër do të ndryshojë shumë pak.

Ata që mendojnë se, tani mund të rriten shpenzimet publike, gabojnë. Një pjesë e mirë e vendeve nordike i qëndron idesë se rritja ekonomike nuk mund të vijë nga një rritje e shpenzimeve publike por, nga reforma strukturale nacionale, për t’i bërë ekonomitë, më konkurruese. Pra, kjo do të jetë dilema tjetër. Reforma shtrënguese, apo rritje ekonomike? Ajo çka po rëndon mbi zgjedhësit, pra nuk do të ndryshojë.

Zgjedhjet parlamentare evropiane treguan disa tendenca: tkurrjen e partive jetëgjata tradicionale, të majta e të djathta, ose grup-elitat e stërzgjatura, të mbyllura tarifore, të forcuara nëpërmjet biznesit. Format demokratike, tashmë po imponohen nga elektorati. P.sh., Farage deklaroi se do të zbatojë formën më demokratike, atë referendare, për të ulur zemërimin e votuesve përpara zgjedhjeve, për qëndrim, ose jo të Britanisë, në Union. Po kalohet nga faza e parë, kriza, në fazën e dytë, ndërgjegjësimin masiv (rrjedhojë e zemërimit masiv). Këto janë shenja që tregojnë se Evropa po tenton ndryshimet rrënjësore. Nëse do të vazhdojë kriza dhe reformat shtrënguese do të rëndojnë mbi vendet e tjera të Evropës, ky ndërgjegjësim masiv do të përhapet edhe në vendet e tjera të Unionit. Zemërim masiv, mund përkthehet ndërgjegjësim masiv, potencial për ndryshime rrënjësore.

Ndërkohë, këto zgjedhje po reflektojnë edhe bashkëpunim dhe ekuilibrim të detyruar forcash kundërshtare politike. Do të ketë koalicion të detyruar të grupimeve Kristian-Demokrat, Socialist dhe Liberal-Demokrat, grupet më të mëdha në euro-parlament. Por, gjithsesi, këto forca nuk përfaqësojnë të gjithë elektoratin. Italia ishte vendi me pjesëmarrjen më të lartë, me gati 60%, ndërkohë që pati edhe vende të tjera të Evropës, ku pjesëmarrja ishte tejet e ulët, deri me 40%, duke treguar, se sa e lartë është pjesa gri e elektoratit, apo e papërfaqësuar. Ata përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit, gati 50%. Kjo pjesë e elektoratit është pjesa më e pakënaqur, por me një potencial të konsiderueshëm, nëse grupohet në shoqërinë civile.

Kriza ka sjellë edhe ndërgjegjësime për ndryshime rrënjësore përfaqësimi. Figura të pushtetit të stërzgjatur, që marrin dy, apo tre mandate, që krijojnë ekipet e mbyllura, që kanë rezultuar super të lodhshme për elektoratin, në pjesën më të madhe u ndëshkuan, ndërsa kanë dale në skenë emra dhe figura partiake të reja, ende në provë për t’u analizuar.