Sot prezantimi/ Zbardhet raporti i KE-së: Rekomandohet dhënia e statusit për Shqipërinë  

0
101

Gëzim Saliu

Vjenë, Füle: Shpresojmë që Shqipëria të marrë statusin. Italia e Greqia: Do të nxiten reformat

tryeza e dialogut.. edi rama stefan fule klada gjosha (1) bregu halimi bushati Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë që do të prezantohet sot në Tiranë nga eurokomisioneri Stefan Füle, do të jetë pozitiv. Në kuadër të kërkesës së vendeve anëtare skeptike, që në dhjetor shtynë vendimin për statusin e Shqipërisë për 6 muaj më pas, KE ka gati raportin e ri, mbi bazën e të cilit do të vendosin më 23 qershor ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Mësohet se raporti i KE-së që do të publikohet nga Füle në takimin e sotëm të raundit të tretë të dialogut të nivelit të lartë me autoritetet shqiptare do të vlerësojë pozitivisht reformat e ndërmarra deri më tani nga qeveria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Rekomandohet dhënia e statusit për Shqipërinë”, – mësohet të jetë fjalia në raportin e KE-së përmes së cilës u kërkohet vendeve anëtare të BE-së që të vendosin pozitivisht ndaj Shqipërisë në mbledhjet e fundqershorit. Por pavarësisht raportit të KE-së, vendimi përfundimtar për statusin kandidat do të merret nga vendet anëtare të BE-së, fillimisht në mbledhjen e 23 qershorit të ministrave të Jashtëm dhe më pas do t’u kalojë kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare në 26 dhe 27 qershor. Vendimi për statusin kandidat merret në formë unanime, ku edhe në rast se një vend anëtar voton kundër, Shqipëria nuk do të mund të marrë atë. Edhe dhjetorin e kaluar, Komisioni Evropian rekomandoi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, por më pas vendet e BE-së vendosën për shtyrjen e tij, duke kërkuar rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Gjermania, Anglia, Franca, Holanda dhe Danimarka ishin 5 vendet të cilat u shprehën skeptike në dhjetor për ti dhënë statusin Shqipërisë, ku edhe sot, krahas dy prej tyre, ende nuk dihet qëndrimi që do të mbajnë në mbledhjen e fundqershorit.

 

Takimi në Vjenë

Një ditë para publikimit të raportit të KE-së, u miratua dje në Vjenë deklarata e përbashkët e 18 vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore, ku u mirëpritet dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Kjo deklaratë ka mbyllur punimet e konferencës së vendeve anëtare të CEI-it, kryesimin e së cilës e mban Austria, vend anëtar i BE-së që kohët e fundit është shfaqur aktiv pro statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. “Mirëpresim vendimin pozitiv të Këshillit në muajin qershor për statusin e vendit kandidat Shqipërisë”, – thuhej në deklaratën e 18 ministrave të Jashtme të CEI-t, duke theksuar gjithashtu mbështetjen për vijimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrës në këtë takim, eurokomisioneri Füle ka deklaruar se shpreson që Shqipëria të marrë statusin kandidat. “Nuk flas thjesht për reforma, por për reforma të besueshme, që u sjellin përfitime popujve të këtyre vendeve në gjithë procesin e pranimit dhe jo vetëm në përfundim të tij”, – tha ai. Në të njëjtën linjë, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos, ka deklaruar se dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë është diçka shumë e rëndësishme për Athinën. “Greqia ka qenë pozitive dhe inkurajuese që në fillim, që në dhjetorin e kaluar, për dhënien e statusit të kandidatit, Shqipërisë dhe ne shpresojmë që në mbledhjen e ardhshme, këtë muaj, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendosë t’i japë statusin e vendit kandidat”. Po ashtu, edhe Ministrja e Jashtme e Italisë, Federika Mogherini ka deklaruar se dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë do të njihte reformat që ka bërë vendi dhe angazhimin për të ecur përpara me reforma shtesë. “Shpresojmë që në qershor Këshilli i Evropës të vendosë pro Shqipërisë për dhënien e statusit kandidat. Do të ishte njohja e duhur e reformave dhe vullnetit politik të qeverisë për të shkuar përpara me bindje në rrugën e reformave. Përpara këtij vullneti do të duhet një besueshmëri e BE-së, që të pranojë hapat përpara që po bëhen dhe t’i inkurajojë ato”, – deklaroi ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini.

 

 Kreu i PD-së/ Basha, vizitë dyditore në Berlin, mbështetje për statusin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të niset sot në Berlin, në kuadër të një vizite dyditore me ftesë të fondacionit “Konrad Adenauer”. Gjatë kësaj vizite, kryedemokrati do të takohet me drejtues të lartë të Unionit Kristian-Demokrat, CDU, dhe përfaqësues të saj në Bundestag. Në fokus të takimeve pritet të jetë forcimi dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy partive simotra, Partisë Demokratike dhe kristiandemokratëve gjermanë. Ndërkohë, në njoftimin e zyrës së PD-së theksohet se kryetari i opozitës do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të kërkuar mbështetjen e CDU-së si partia e shumicës qeverisëse ne Gjermani për marrjen e një vendimi pozitiv për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Evropian në qershor.

 

 Ministrja e Integrimit/ Gjosha: Presim përgjigje pozitive në 23 qershor për statusin

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, deklaroi dje se mazhoranca pret një përgjigje pozitive për marrjen e statusit të vendit kandidat më 23 qershor. Duke bërë të ditur se takimi i nivelit të lartë mes delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë do të jetë gjithëpërfshirës, ministrja tha se shpreson që komisionari Füle të bëjë sot një prezantim të raportit të progresit. “Pavarësisht se pak a shumë ne dimë linjat kryesore të progres-raportit, duke qenë se inputin më kryesor e kanë dhënë institucionet shqiptare, për arritjet që kanë pasur nga shtatori i vitit 2013 deri në këto momente që ne flasim”, – tha Gjosha për “News 24”. Ndërkohë, ministrja bëri me dije se vazhdon lobimi në vendet skeptike, të cilat i dhanë një përgjigje jo pozitive Shqipërisë në muajin dhjetor. “Puna jonë me të gjitha vendet anëtare nuk ka reshtur në asnjë moment, duke filluar që me marrjen në dorë të qeverisë së re në shtator të vitit të shkuar dhe do të vazhdojë jo vetëm me vendimmarrjen e statusit të vendit kandidat, por gjatë gjithë kohës. Për ne është shumë e rëndësishme intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale me të gjitha këto vende dhe sidomos me ato vende që vota e tyre ka një peshë të rëndësishme”, – deklaroi Gjosha.

 

Raporti i KE-së dhe vendimi i dhjetorit i BE-së

16 tetor 2013 – KE rekomandoi dhënien e statusit për Shqipërinë, ku bëri publike edhe 5 rekomandime të reja në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësim: vazhdimi për zbatimin e reformës në administratën publike; veprime për pavarësinë, efikasitetin e gjyqësorit; vendosmëri në luftën kundër korrupsionit; më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar si edhe masa për të forcuar të drejtat e njeriut e komunitetit rom dhe pronave

17 dhjetor 2013 – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka kërkuan në mbledhjen e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së shtyrjen e vendimit për statusin në qershor. Sipas tyre, ishin të domosdoshme rezultate të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency