Ndryshime në ligj, si merren lejet për fshatrat turistikë

0
183

Ervin Kaduku

­fshat turistik– Leja ishte dhënë dikur për objekte me përparësi turizmin, por ndërtesat janë shitur si shtëpi banimi, vila apo apartamente, duke shkelur kërkesat e ligjit të viteve ‘90

 Një projektligj i depozituar në Kuvend, tashmë në proces shqyrtimi nga komisionet kuvendore, përpiqet t’i japë zgjidhje problematikës së pronësisë dhe ndërtimeve në zonat me përparësi turizmi, apo siç njihen ndryshe në “fshatrat turistike”. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mori dje në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10186, dt. 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar”.

Ligji nr. 10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar, rregullon marrëdhëniet e pronësisë mbi truallin dhe objektet e ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin, që janë dhënë për realizimin e veprimtarive të stimuluara, bazuar në ligjin nr. 7665, datë 21.1.1993, “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.

Ndryshimet e propozuara në këtë ligj kanë ardhur si rezultat i problemeve që ALUIZNI ka hasur gjatë veprimtarisë së tij në zonat me përparësi turizmin. Vihet re se përkufizimi i personit të stimuluar në ligjin aktual tashmë ka ndryshuar totalisht. Për rrjedhojë, ALUIZNI është i detyruar të operojë në zonat me përparësi turizmin të dhëna për kryerjen e veprimtarisë së stimuluar vetëm nga persona të stimuluar që kanë lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me MTKRS-në. ALUIZNI gjatë këtij procesi ka vënë re se numri i personave të stimuluar dhe subjekteve të interesuara, që nuk përfshihen në këtë proces, është i konsiderueshëm.

Ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë dhënien e pronësisë për ata që kanë ndërtuar në zonat bregdetare me leje ndërtimi, por që nuk kanë kontratë qiraje sipas ligjit. Ky rregullim ligjor vjen në një kohë që problematika e pronësisë me tokat turistike është komplikuar së tepërmi.

Fillimisht këto toka janë dhënë për zhvillimin e zonave turistike ndërsa paralelisht, për shkak të burokracisë nuk janë nënshkruar marrëveshjet e qerasë apo edhe u janë kthyer pronarëve, duke komplikuar edhe më tej situatën. Por edhe zgjidhja e këtij ngërçi rrezikon të sjellë një problematikë të re. Pas dhënies së pronësisë për tokat shtetërore me përparësi turizmin, ata që kanë ndërtuar duke mos respektuar lejet e ndërtimit, do t’i nënshtrohen ligjit tjetër, atij për legalizimin e ndërtimeve informale.

E për sa u përket pronarëve, ndryshe nga ligji ekzistues, ata nuk do të përfitojnë nga tokat e lira që janë në këto zona. Qëllimi i ligjit të aplikuar që para viteve 2000 ishte ai i nxitjes së zhvillimit të zonave turistike, duke ofruar tokën shtetërore falas, me kushtin që të bëheshin investime për zhvillimin. Tashmë, rezulton se synimi i nismës nuk ka funksionuar, e madje ka degraduar edhe më tej, duke sjellë bllokimin e këtyre zonave dhe jo zhvillimin e tyre.

Pas diskutimeve në parim dhe nen për nen, Komisioni e miratoi edhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe u shpreh dakord për kalimin e tij në seancë plenare

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency