Basha i përgjigjet Ramës: Stil stalinist me urdhra politikë, kërkon të frikësosh Prokurorinë

0
130

Gëzim Saliu

basha duke fol “Qeveria të nisë menjëherë dialogun me dy grevat, Rama të reflektojë konform ligjit”

Pas deklaratave të Kryeministrit Rama se mazhoranca ka gati një sërë dosjesh për ish-ministra e ish-zyrtarë të qeverisë së kaluar, që do t’i depozitojë së shpejti në Prokurori, reagoi dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar këtë qëndrim si hakmarrje dhe ndëshkim politik me stil stalinist. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Basha e nisi fjalën e tij pikërisht me këtë çështje, ku theksoi se qeveria dhe Kryeministri, në vend të përmbushin reformat e domosdoshme për marrjen e statusit, japin urdhra politikë për të frikësuar Prokurorinë në punën e saj. “Në prag të vendimit të shumëpritur të Bashkimit Evropian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Edi Rama, i rrëzuar moralisht nga e vërteta tronditëse e narkotrafikut me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje qeveritare, po demonstron me goditje të përqendruar konceptet e tij staliniste për drejtësinë, për ligjin, për kundërshtimin, për protestat dhe për grevat e qytetarëve të lirë. Po demonstron se e di drejtësinë hakmarrje politike dhe ndëshkim politik për armikun, domethënë për opozitën. Në vend të reformave të rekomanduara nga Bashkimi Evropian, për të cilat ka nevojë drejtësia shqiptare për të forcuar pavarësinë, profesionalizmin dhe integritetin e saj, Edi Rama vazhdon t’u përqaset institucioneve të drejtësisë me direktiva politike, me kërkesa dhe urdhra politikë, me presione politike dhe me shkopinj nën rrota për të intimiduar e penguar sa të jetë e mundur punën normale të Prokurorisë dhe organeve të tjera të drejtësisë”, – tha kreu i PD-së. Më tej, ai theksoi se të gjitha këto deklarata janë shoqëruar nga një retorikë populiste dhe propagandë e stampës së vjetër pa lidhje me konceptet moderne për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. “Nga ana tjetër, urojmë që shpërthimi me goditje të përqendruar i koncepteve staliniste të Kryeministrit të mos ndikojë në marrjen e statusit të vendit kandidat, të cilin Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë dhe duhet t’u jepet si një arritje e tyre pikësëpari”, – pohoi Basha.

 

Grevat

Një tjetër diskutim i kryedemokratit në mbledhjen e grupit kuvendor ishin edhe dy grevat që po mbahen në kryeqytet, ajo e të larguarave nga puna pranë Piramidës, si edhe ajo e ish-të përndjekurve politikë, që po zhvillohet para ndërtesës së Parlamentit. Duke theksuar se Kryeministri dhe qeverisa po injorojnë grevat, Basha theksoi se duhet të dialogohet së më parë me ta për të zgjidhur çështjet sipas ligjit. “I bëj thirrje sërish qeverisë të vendosë menjëherë dialogun me të dyja grevat, të shqyrtojë pa vonesë dhe me realizëm natyrën e kërkesave të punonjësve të larguar nga puna dhe të reflektojë konform ligjit ndaj tyre, të përballet me të përndjekurit politikë, të shpjegohet me ta për premtimet e dhëna me zë e figurë dhe të shpjegohet për mosmbajtjen e tyre”, – pohoi ai. Sipas Bashës, deri më tani kreu i qeverisë ka treguar papërgjegjshmëri dhe cinizëm lidhur me këto greva, duke krijuar alibi të ndryshme për të mos u marrë me problematikën e madhe dhe problemet e shumta, sa individuale aq edhe shoqërore, ligjore dhe njerëzore të grevës së të larguarve nga puna. “Me të njëjtin cinizëm të pashpirt vazhdojnë t’i bëjnë bisht përballjes me premtimet e tyre elektorale për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe provokimin e tyre në valëvitjen e simbolit të diktatorit, duke shkaktuar grevën e tyre me zotimin për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency