Katar 2022 mund të anullohet

0
123

katarVendi i cili pritet të realizojë botërorin në 2022 duket se tashmë është në rrezik serioz për mos të zhvilluar evenimentin më të madh sportiv pas skandalit për korrupsion

 Skandale të mëdha kanë përfshirë kohët e fundit botërorin dhe Fifan. Kjo pasi Vetëm pak ditë para startit të Botërorit Brazil 2014, në drejtim të FIFA-s shpërthejnë akuza të forta, që po e tronditin qeverinë botërore të futbollit. Britanikja “Sunday Times” tashmë zotëron mijëra e-mail dhe dokumenta të tjera. Letra të cilat do të paraqiten si prova për të vërtetuar prapaskenat dhe intrigat në gjirin e FIFA-s të vëna në jetë nga Mohamed bin Hammam, në mënyrë që Katari të fitonte të drejtën për zhvillimin e Botërorit të vitit 2022. Ky personazh, i cili nga viti 2001 mbante postin e presidentit të Konfederatës së Azisë, më 22 korrik të 2011 u pezullua përjetë nga FIFA për korrupsion. Gazeta britanike ka rindëruar skenarin e shpalljes fituese të kandidaturës së Katarit për organizimin e Botërorit të vitit 2022, me Mohamed bin Hammam që ka arritur të blejë votat e nevojshme duke përdorur një rrjet klientelist të ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Fushata e Hamman nisi në një mbledhje të Konfederatës së Futbollit të Azisë në vitin 2008, ku i ka dorëzuar delegatit të Katarit, Mohamed Meshadi një zarf me 100 mijë Dollarë. Ndërsa në 2009-n, Hamman, bëri një punë intensive lobuese pranë Konfederatës së Futbollit Afrikan, për të kulmuar me pagesën e 450 mijë Dollarëve para votimit për llogari të zëvendëspresidentit të FIFA-s, Jack Ëarner, njëkohësisht edhe president CONCACAF. Në vitin 2011, pas pezullimit nga FIFA, Hamman transferoi në llogaritë bankare të Ëarner 1.2 milionë Dollar. Nga dokumentat e publikuara nga “Sunday Times”, zbulohet gjithashtu se Hamman ka shpenzuar gjithsej 5 milionë Dollarë për blerë votat e nevojshme pro kandidaturës së Katarit. Mësohet se presidentëve të federatave afrikabe të futbollit u është dhënë secilit 200 mijë Euro, ndërsa Jack Ëarner i CONCACAF, ka përfituar 1.6 milionë Dollarë.I menjëhershëm ishte edhe reagimi zëvendëspresidentit të FIFA-s, Jim Bojsi cili u shpreh se do të kërkonte rivotim për ç’aktivimin e vendit organizator të Botërorit 2022. Kjo nëse vërtetohen akuzat për blerje të votave për Kandidaturën e Katarit nga Hamman. Në prononcimet e fundit edhe presidenti i FIFA-s Sep Blatter e ka pranuar se vendimi për zhvillimin e Botërorit të vitit 2022 në Katar ishte një gabim, ç’ka lë të kuptohet se mund të kemi të tjera zhvillime të rëndësishme për këtë çështje. Dhe nëse këto vërtetohen mund të çojnë deri në heqjen e të drejtës së vendit arabik për zhvillimin e Botërorit.

 

Botërori i “pasur” me 400 viktima

Skllevër në vitin 2014 mund të shihen edhe në ndërtimet e një kompeticoni si Kupa e Botës dhe kjo gjë vërtetohet në Katar

Probleme të mëdha në një botëror që është i kripur në para. Kështu, historia e suksesshme e vendeve arabe duket se nuk është aq e bukur sa kujtojmë. “Për atë që po ndodh në Katar në ndërtimin e stadiumeve për Botërorin e futbollit të vitit 2022 po përgatisim së bashku me FIFA-n një dokument për të përmirësuar një situatë që ka shifra lufte. Shpresojmë që të mos bëhet fjalë vetëm për premtime, sepse qindra punëtorë, pjesa më e madhe nga Nepali, kanë vdekur gjatë ngritjeve të stadiumeve”. Këto janë fjalët e zëvendëspresidentit të Federatës Botërore të Ndërtimit, Pierre Cuppens, në kuadër të fushatës “Karton i kuq për FIFA-n”, duke i thënë “jo” një botërori pa të drejtat e punëtorëve. Sipas disa përllogaritjeve të fundit, numri i personave që kanë humbur deri tani jetën në Katar është 400, por me ritmin aktual kjo shifër mund të arrijë në 4000 në vitin 2022. Cuppens zbulon se nga Katari drejt Nepalit nisen avionë me punëtorë të vdekur, për t’u kthyer të mbushur plot me punëtorë të tjerë që i pret i njëjti fund. Ata trajtohen si kafshë, me pagë minimale, në kushte të mjerueshme dhe pa siguri në punë, madje është rritur numri i punëtorëve në moshë të re që vdesin nga infarkti, për shkak të qëndrimit me orë të tëra në diell në temperatura shumë të larta. Për situatën e krijuar palët ia hedhin topin njëra-tjetrës. Autoritetet në Katar thonë se përgjegjësitë janë të firmave të ndërtimit, që nga ana e tyre mbrohen me faktin që është administrata qendrore në Katar që u ka lënë dorë të lirë në organizimin e punës. Ndërsa FIFA është shfajësuar që në krye të herës, duke deklaruar se nuk ka kompetenca për të kontrolluar atë që ndodh në këtë vend.

 

Punëtorët në kushte shumë të vështira

Sikur të mos mjaftonin polemikat për zhvillimin e botërorit në verë apo në dimër, del në pah edhe një akuzë jashtëzakonisht e rëndë për shfrytëzimin e emigrantëve nepalezë që janë impenjuar në ndërtimin e infrastrukturës, një projekt prej 100 miliardë dollarësh që përfshin dhe ndërtimin e stadiumit 90 mijë vendesh për finalen, rrugë të reja e rrjete hekurudhore, që komplikon përgatitjet për botërorin e vitit 2022 në Katar. Skandali nxirret në dritë nga një raport i “The Guardian”, që flet për emigrantë të cilët trajtohen si skllevër dhe të shndërruar në klandestinë duke u marrë pasaportat dhe pa i paguar e mbi të gjitha të jenë pa ujë në mes të shkretëtirës pavarësisht temperaturave që arrijnë 50 gradë celsius në hije. Ndërsa punëtoret tregojnë se duan të largohen, por shoqëria për të cilën punojnë nuk i lejon dhe i detyron të punojnë me barkun bosh dhe të flenë nga 12 persona në një dhomë. Komiteti organizativ i botërorit komunikoi se është thellësisht i shqetësuar për akuzat, duke lajmëruar se autoritetet qeveritare po bëjnë një hetim në lidhje me çështjen. Kompania që ka përfunduar në shënjestër ia hodhi fajin personelit të saj drejtues, duke këmbëngulur se do t’i marrë të gjitha masat për të ndëshkuar ata që do të gjykohen fajtorë se kanë shkelur ligjin dhe kontratat e punës. Por ndërkohë, makina e botërorit vazhdon të ecë dhe, edhe pse të vetmet polemika që u jepet hapësirë mediatike janë ato për zhvillimin e eventit në dimër apo verë, injorohet fakti se për të ndërtuar stadiumet shumë emigrantë punojnë në turne që zgjasin tetë herë më tepër se një ndeshje futbolli.

 

Ish drejtuesi i FIFA-s: Gabim zgjedhja e Katarit

Ish-drejtuesi i FIFA-s, kiliani Harold Mayne-Nicholls, pranoi për “Daily Telegraph” se zgjedhja e Katarit si vend pritës të botërorit të vitit 2022 ishte një gabim i rëndë dhe një bast “shumë i rrezikshëm” i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit. Sipas tij, është bërë e domosdoshme që të rishikohen edhe një ofertë ofertat, për të caktuar një vend tjetër organizator, nëse emirati i vogël i Gjirit Persik nuk do të plotësojë kushtet për pritjen e këtij aktiviteti. “Duhet të ndryshojmë mënyrën se si votohet dhe përzgjidhet një vend fitues”, – deklaroi ish-drejtuesi i FIFA-s. “Ky sistem ka shumë probleme dhe nuk është më i pranueshëm”. Sipas Mayne-Nicholls, “përzgjedhja e Katarit tregon fuqinë e parave. Ata ishin shumë ambiciozë dhe investuan shumë për këtë. Megjithatë, Katari aplikoi këtë metodë edhe për Lojërat Olimpike, ata studiuan ofertën teknike dhe i thanë jo. Këtë duhet të kishte bërë FIFA”. i pyetur direkt për spekulimet se drejtues të FIFA-s pranuan ryshfete të majme për të votuar në favor të Katarit, Mayne-Nicholls nuk deshi të përfshihej në spekulime, duke thënë se “nuk ka asnjë mënyrë për të vërtetuar këtë”.

 

De Gea: Junaitid i duhet Iniesta

Portieri i djajve të kuq De Gea i ka lejuar vetës që të këshillojë teknikun e tij të ardhshëm. Gjatë një interviste për tabloidin britanik “The Sun”, David De Gea pohoi se për mesfushën e “Djajve të Kuq” duhej një bashkëkombas i tij. “Po të kisha unë gjë në dorë, do të sillja në Mançester Andres iniestën. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë për rolin që kryen”, u shpreh 23-vjeçari. Përveç të tjerash, ish-portieri i Atletiko Madrid pranoi që të prononcohej edhe mbi situatën e Juan Matas. “Po të isha në vend të drejtuesve, nuk do ta shisja Juan Matan. Ai është një lojtar i madh, duhet të qëndrojë këtu”, ishte komenti i De Geas mbi një tjetër argument delikat të merkatos.

 

Real interesohet për Vidal

Vidal vijon të mbetet lojtari i preferuar i Real Madrid. Mesazhet që vijnë nga Madridi për Juventusin janë të qartë dhe seriozë dhe “Zonja e Vjetër” po i mendon seriozisht edhe pse pëlqen shumë Alvaro Moratan. Kiliani ka një vlerë merkatoje prej 50 milionë eurosh dhe shkëmbimi kokë më kokë me sulmuesin spanjoll nuk do të përmbushte shifrën e Vidalit. Diferenca prej 30 milionë eurosh mes kilianit dhe spanjollit mund të sjellë një tjetër top-player në Torino. Ëndrra në sirtar është Angel Di Maria, por kjo duket pothuajse e pamundur pas paraqitjes në finalen e Champions League. Dhe pas tij duket se është ilkay Gundogan i Borussia Dortmund. Duhet të shihen zhvillimet që do të ndodhin në javës në vijim por nëse Juve do të realizonte këto dy shkëmbime do të kthehej më të vërtet në një skuadër të frikshme.

 

Barcelona refuzon ofertat për Sançez

Kulbi katanas ka refuzuar ofertat e bëra nga Mançester Junaitid dhe Liverpul për kilianin Sançez. Sipas gazetës “Sport” klubet angleze dhe Paris Saint-Germaini kishin bërë oferta për kilianin, mirëpo ato nuk janë pranuar nga klubi i tij. Spekulohet se Aleksis do të largohet nga Kamp Nou, edhe pse presidenti i Barcës ditë më parë deklaroi se sulmuesi nuk është në shtije. Juventusi është klubi me gjasat më të mëdha për transferimin e 25-vjeçarit, me të cilin thuhet se ka marrëveshje. Sanchez do ta udhëheqë sulmin e Kilit në Kampionatin Botëror në Brazil dhe nëse performanca e tij do të jetë pozitive atëhere çmimi i tij pritet të rritet.

 

Lacio interesohet për Azemin

Ilir Azemi, mund të transferohet të Lazio në Serie A sezonin e ardhshëm, por mund të bëhet pjesë edhe e përfaqësueses kuqezi nëse arrihet marrëveshja midis dy federatave. Sipas mediave italiane, 22-vjeçari i cili është pjesë e Greuther Furth në Bundesligën e 2 gjermane, pëlqehet shumë nga Drejtori Sportiv i lacialëve igli Tare. ish lojtari kombëtares është nisur drejt Gjermanisë për të hyrë në tratativa për transferimin e lojtarit në kryeqytetin italian. Vlera e ilir Azemit në merkato është rreth 500 mijë euro, por kjo shifër mund të ulet ndjeshëm për faktin se kontrata e tij me skuadrën gjermane skadon pas një viti. Sulmuesi i lindur në Prishtinë përfiton vetëm 200 mijë euro në sezon, ndaj një ofertë më e lartë e Lazios do ta bindte për ta transferuar në kryeqytetin italian.

 

Frederer eliminohet nga French Open

Roger Federer është larguar nga turneu French Open që në raundin e katërt, pasi u eliminua nga Ernests Gulbis. Tenisti letonez mposhti zviceranin me rezultat 3-2 në sete (6-7, 7-6, 6-2, 4-6, 6-3) dhe siguroi kualifikimin në çerekfinale të Roland Garros. Fituesi i 17 turneve ‘Grand Slam’ e filloi mirë përballjen duke fituar setin e parë, mirëpo i humbi dy të radhës.Ai u kthye për ta fituar setin e katërt, mirëpo Gulbis rezultoi më i suksesshëm në atë të fundit.Në raundin tjetër, Ernests Gulbis do të ndeshet me Tomas Berdyç.

 

Remi pranë transferimit te Arsenal

Mediat britanike raportojnë se Arsenali ka arritur marrëveshje personale me sulmuesin e QPR-së, Loic Remy. 27-vjeçari ka qenë edhe në radarin e Liverpul dhe Totenhem mirëpo londinezët kanë arritur që të sigurojnë të parët marrëveshjen me francezin. Megjithatë, para se të ndodhë transferimi duhet të arrihet marrëveshja rreth çmimit të lojtarit. Sipas Daily Star Sunday, Arsenali duhet të paguajë rreth 10 milionë paund për të siguruar shërbimet e Remi. Sulmuesi i QPR-së në sezonin e kaluar luajti si i huazuar te Njukastëll ku shënoi 14 gola në 26 paraqitje.

 

Bento: Portugalia mbështetet te Ronaldo

Tekniku i portugezve Paulo Bento, ka pranuar se ekipi i tij mbështetet te ylli kryesor, Kristiano Ronaldo. Portugezët luajtën pa gola në një ndeshje miqësore kundër Greqisë, në të cilën nuk u paraqit anësori i Real Madridit. 29-vjeçari ka pasur probleme me lëndime në javët e fundit të sezonit 2013/2014 dhe ende nuk mund të stërvitet plotësisht me përfaqësuesen.“Këdo që e kemi në skuadër do të jemi konkurrues”. “Ekipi kombëtar, Real Madridi ose Mançester Junaitid gjithmonë kanë qenë më të fortë kur e kanë pasur në dispozicion një lojtar si Kristiano Ronaldo”. “Nëse skuadrat që stërviten çdo ditë varen nga ai, pse ne të frikësohemi për të thënë se ai ka ndikim të madh në ekipin tonë?”. “Megjithatë, nuk guxojmë të humbim kapacitetin e punës kur ai nuk mund të luajë për përfaqësuesen”, u ka thënë Bento gazetarëve.

 

Imobile: Sezonin tjetër te Dormtunf

Sulmuesi i Torinos, Çiro imobile, kë bërë të ditur se në sezonin e ardhshëm do të mbrojë ngjyrat e Borussia Dortmundit. 24-vjeçari ishte golashënuesi më i mirë në Serie A për sezonin që lamë pas dhe Jurgen Klopp menjëherë është angazhuar për transferimin e tij. “Jemi marrë vesh, ju kam thënë edhe më herët”, ka deklaruar italiani për RAI Sport. “Tashmë jam duke pritur që të vë nënshkrimin tim në kontratë”, ka shtuar ai. imobile është në bashkëpronësi ndërmjet Torinos dhe Juventusit, por të dy klubet janë marrë vesh për shitjen e tij. Në Signal iduna Park, italiani pritet të zë vendin e Robert Levandovskit, i cili do të luajë për Bajern Mynih.

 

Runi: Kjo është Anglia më e fortë

Runi është shprehur se kjo është skuadra më e mirë kombëtare me të cilën ka luajtur ndonjëherë. Në ekipin prej 23 lojtarësh, Roi Hoxhson ka përfshirë edhe lojtarë pa përvojë, si Luke Shau, Ros Barkley dhe Adam Lallana. “Kjo është skuadra më e mirë e Anglisë në të cilën kam qenë ndonjëherë i përfshirë. Dobësia e vetme është se kemi lojtarë, të cilët nuk kanë përvojë të vërtetë në këtë turne futbolli”.“Nuk mendoj se dikush mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë me Anglinë në Brazil. Nuk e kam idenë se si do të luajmë”. “Mund të kemi ndikim të madh në turne, të shkojmë deri në finale dhe t’i befasojmë të gjithë”, ka deklaruar sulmuesi tre luanëve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency