Flet Albana Vokshi/ “Zgjedhjet në PD, “ushtarët politikë” të drogës dhe strategjia e PS për manipulimin e 2015-ës”

0
131

Intervistoi: Gëzim Saliu

albana vokshi ne parlament“Provat për trafikun u bënë pelegrinazh i turistëve dhe atyre që i “pickojnë” mushkonjat”

Vokshi: Lazarati po tentohet të përdoret si histori që “këpucën” e ka tek politika

“PD duhet të jetë vigjilente, për të mos rënë pre e thashethemeve për kontribute dhe fajësi”

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi analizon në një intervistë për “standard” zhvillimet e fundit politike në vend, çështjen e “nxehtë” mes palëve politike të trafikut të drogës përmes ajrit, reformën administrative territoriale si edhe mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat. Po ashtu kryetarja e Forumit të Gruas të PD-sëkomenton edhe situatën brenda forcës më të madhe opozitare, analizën e humbjes së elektoraleve të 23 qershorit si edhe procesin e brendshëm të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, kryetarja  e Komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë diskuton edhe lidhur me 9 muajt e parë të qeverisë “Rama”, ku flet për rendin, legalizimet, shëndetësisë falas si edhe për grevën e ish- të përndjekurve politikë dhe të të larguarve nga puna.

 

Nje ndër çështjet primare në axhendën e opozitës në këtë kohë është beteja me mazhorancën qeverisëse për situatën e trafikut të drogës. Opozita akuzon kreun e qeverisë Rama si përgjegjësin kryesor të asaj që cilësohet si gjendje alarmante e narkotrafikut. Si e gjykoni ju këtë çështje?

Refuzimi nga ana e maxhorancës i kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e fakteve dhe rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës përfshirë edhe përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët rëndon direkt mbi Kryeministrin. Ky refuzim na kthen në një realitet të trishtë parlamentar që izolon opozitën në të drejtën e saj kushtetuese, në një rikthim të frikshëm të pushtetit absolut, që e con Shqipërinë shumë larg vendeve me demokraci parlamentare. Shkelja e kushtetutës, shkelja e ligjeve, abuzimi me pushtetin, si në cdo vend me demokraci perëndimore është një problem i madh. Por, pyetja që ne të gjithë duhet ti bëjmë vetes është: Pse maxhoranca duke shkelur cdo të drejtë kushtetuese, po e refuzon këtë komision hetimor? Cfarë nuk duhet parë apo dëgjuar këtë herë? Përse nuk janë respektuar procedurat standarte në pikat kufitare? Cili është roli i kupolës drejtuese në disa institucione shtetërore në këtë skandal përmasat e të cilit po mundohen ti fshehin? Pse këta kanë frikë nga e vërteta?

Këto dhe shumë pyetje të tjera duhet të shqetësojnë cdo qytetar shqiptar. Hetimi për trafikun ajror të drogës ka prova konkrete të cilat sigurisht që nuk mund të hetohen nga “ushtarë politikë” që e kanë përzëmër tematikën e narkotrafikut, sic bën krimineli kur kthehet në vendgjarje.  Provat për trafikun ajror të drogës “nën shkëlqimin dhe rënien” e qeverisë Rama, u bënë pelegrinazh , jo vetëm për turistët e Divjakës, por edhe për ata që i “pickojnë” mushkonjat. Kryeministri ka përgjegjësinë e pakundërshtueshme në tentativën për të fshehur provat, duke pikturuar skenare komplotistësh. Dezinfektimi i vendit nga Edi Rama është aksioni, dhe jo vetëm i opozitës.

 

A mendoni se kryeministri Rama është përgjegjës në këtë çështje për shkak se nuk ka marrë masat e duhura apo edhe siç shpesh po deklarohet edhe nga përfaqësues të lartë të opozitës, se është i pëfshirë në të?

Në cilëndo pozicion apo rrethanë, i implikuar direkt apo indirekt, Kryeministri është përgjegjës kryesor direkt pasi jo vetëm nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e rendit e sigurisë në vend, por përkundrazi, të gjitha levizjet që ai ka bërë të shtyjnë në dyshime të mëdha që kanë qenë të qëllimshme, pikërisht për lehtësimin e lëvizjes dhe trafikimit të drogës brenda dhe jashtë vendit. Heqja e moratoriumit te mjeteve lundruese, shkarkimi i 650 efektivëve të policisë, shkarkimi në një ditë i 12 krerëve të policisë në 12 qarqe, emërimet e njerëzve të tij të afërt në drejtoritë që kontrollojnë trafikun ajror, në doganat, pikat kufitare etj. Tashmë toka, ajri, deti, cdo pikë hyrëse apo dalëse nga Shqipëria kontrollohen plotësisht, dhe jo nga profesionistë . . . e as nga militantë sic mund të pretendohet, por nga njerëz të afërt më kupolën që do zbatonin me besnikëri kodin e territ. Në fare pak muaj, Rama e ka shndërruar Shqipërinë në autostradën e drogës për Evropën.  PD ka denoncuar pushtimin e aerodromeve nga droga si paktin parazgjedhor me krimin e organizuar që vetë Rama e vlerëson më të fortë se vetë Evropa e Bashkuar. Kjo është deklarata fëminore, e njohur si sindroma e sinqeritetit duke vetvërtetuar se Rama nuk e do Shqipërinë në Evropë.

 

Cili është mendimi juaj për Lazaratin? Është folur shpesh për këtë zonë si një ndër më të mëdhatë e kultivimit të marijuanës. A besoni se duhet të ndërhyhet me forcë në Lazarat apo duhen marrë masa të vazhdueshme në kohë për të krijuar një mundësi zgjidhjeje të çështjes?

Lazarati po tentohet të përdoret si histori që “këpucën” e ka tek politika. Parcelat e mbjella me lëndë narkotike edhe në vendlindjen e Ministrit Tahiri japin më shumë përgjigje se Rama nuk e kontrolloi më pas shtatorit,  territorin e gjëlbëruar nga gjethet e marijuanës, se ishte i zënë me jeshillëkun që mbiu  në lulishtet e mbjella “falas”, rreth e rrotull zyrës qeveritare.  Në raportimet e Prokurorëve të Rajonit u tha qartë se u riaktivizuan kanalet e trafikantëve dhe se droga e sekuestruar në Itali është shumë e vogël, krahasuar me sasinë që ka hyrë, jo vetëm më tregjet e vendit fqinj, por në të gjithë Evropën Veriore. Mendoj që duhet të ndërhyhet në Lazarat, por paraprakisht Qeveria duhet të jetë e përgatitur e gatshme për të implementuar programe alternative punësimi për sigurimin e mirëqeniejes në mënyrë që Lazaratasit të mos rikthehen më te rritja dhe kultivimi i hashashit.

 

Në thuajse 9 muaj të pushtetit të mazhorancës së majtë, cili do të ishte opinioni juaj për ecurinë e qeverisë, duke u mbështetur kryesisht në çështjet kryesore si ato të rendit, legalizimeve,  shëndetësisë falas apo edhe për të përndjekurit politikë e ish-pronarët?

Qeveria ka rënë moralisht dhe është vënë me shpatulla nga muri, me faktet e pakundërshtueshme për kthimin e Shqipërisë në aerodrome droge. Qeveria ka rënë me të dhënat e raportuara nga institucionet financiare që flasin për përkeqësim të aktivitetit ekonomik, uljen e konsumit, presione inflacioniste nga rritja e cmimit të produkteve ushqimore, mos shfrytëzim të kapaciteteve prodhuese,e  pasuar me  uljen e nivelit të punësimit në vend. Ndërsa raportohet pasiguria e agjentëve ekonomikë, dhe frika e bizneseve për të investuar. Shëndetësia jo vetëm që s’u bë falas, përkundrazi është bërë më e shtrenjtë dhe shërbimet më pak cilësore ndërkohë që Ministri me ndërhyrjet e tij flagrante në kundërshtim me ligjin, po prish edhe ato gjëra të mira që janë bërë në këto 20 vjet në shëndetësi. Rekorde të frikshme ka qeveria edhe me kallëpët e tritolit. Pak ditë më parë nga shembja e një ndërtese në Shkëmbin e Kavajës, u dëmtuan bizneset dhe banesat për rreth dhe asnjë zë nuk u dëgjua nga qeveria për dëmshpërblim. Procesi i legalizimeve një farsë,  por një tentativë e qëllimshme për të diskriminuar “ të ardhurit” e Berishës . Certefikatat e pronësisë, më parë kalojnë tek klientët e qeverisë dhe legalizimet falas, futen në thesin e mashtrimeve elektorale të “Rilindasve”‎. Grevat e urisë të nënpunësve të administratës shtetërore dhe të ish të përndjekurve politikë janë dëshmi ë qartë e dështimit të kësaj Qeverie që alternativë të vetme ka largimin sa më parë.

 

Në më pak se dy javë do të merret vendimi nga Bashkimi Evropian për statusin kandidat. Besoni se Shqipëria do të marrë këtë vit statusin?

Statusi i Shqipërisë në BE, është më shumë se emergjencë për vendin. Nëse Tirana do të kontrollohet nga Brukseli, apo dhe nga Berlini ekonomik, Rama do të jepte dorëheqje vetë. Dhe për këtë do të fajësonte padyshim opozitën, se nuk e la të ndërtonte Shqipërinë për trafikantët.

 

Si do ti përgjigjeshit akuzave të mazhorancës se me protestat dhe përdorimin sipas tyre politik të grevës së urisë po tentohet të bllokohet statusi?

Partia Demokratike është në krye të lobimit të vërtetë për statusin. Shëtitjet “selfie” të Kryeministrit për statusin, janë një mashtrim i radhës pasi në cdo deklaratë të tij, Rama përpiqet të vërë në lojë politikanë me peshë në vendim-marrjen europiane, por që njohin edhe historitë banale të “diplomacisë së të fortit” që po kërkon të servirë Rama si alibi, nëse e vërteta do i përplaset në fytyrë.  Protestat dhe grevat e urisë, janë vullnet i lirë i qytetarëvë të këtij vendi, që po tregojnë edhe njeherë se Shqipëria në BE, do të mbrojë vendin nga kthimi i regjimeve dikatoriale. Provokimet me simbolet e komunizmit, janë kritike se tregojnë hapur dëshirën për të izoluar Shqipërinë nga Evropa.

 

 Mazhorança ka përfunduar e vetme përzgjedhjen e varianteve për reformën administrative territoriale, duke bërë të ditur se në korrik do të mbyllet edhe i gjithë proçesi. Çili do të jetë qëndrimi i mëtejshëm i PD-së lidhur me këtë çështje?

Reforma territoriale është projekti i maxhorancës për të manipuluar zgjedhjet e pritshme lokale të 2015. Paketa e mashtrimeve të qershorit, nuk mund të mbulohet më nëse nuk funskionon skema e shkatërrimit të rajoneve. Strategët e vjedhjes së votave në PS, janë tashmë më shumë të shqetësuar se si të gjejnë formulën e manipulimit të zgjedhjeve të rradhës. Dhe të gjithë e kanë parë se edhe vetë socialistët janë me dy mendje, kur deklarojnë dy Shqipëri, njërën me 39 rajone dhe tjetrën me 47.

 

PD ka nisur proçesin e analizës së humbjes së elektoraleve të 23 qershorit si edhe zgjedhjeve të brendshme në parti. Si e komentoni këtë proçes?

Analiza e zgjedhjeve është një proces i filluar që me fushatën për zgjedhjen e Kryetarit të PD-së, pas dorëheqjes se Zotit Berisha, në korrik. PD është duke zhvilluar një proces ristrukturimi dhe zgjedhjesh në të gjitha degët e saj dhe debati elektoral padyshim që prek dhe bërthamën e garës. Kush fitoi dhe kush humbi, janë teza që forcojnë konkurrencën dhe stimulojnë zgjedhjen e kandidaturës më të mirë. Megjithatë, ky është një proces shumë i rëndësishëm zgjedhor dhe PD duhet të jetë vigjilente për të mos rënë pre e thashethemeve për kontribute dhe fajësi, ndërkohë që duhet të bazohet tek libërthi që ka shënuar të gjithë historinë e demokratëve në PD, pra te Statuti i PD.  Ndodh që nganjëherë fitojnë ata që kanalizohen mes reklamës së pamerituar.

 

A besoni se vonesa e këtij proçesi është e justifikuar apo duhej të ishte vepruari më shpejt në këtë aspekt?

Mund të ishte vepruar më shpejt, megjithëse ka një justifikim real që është arena politike ekstreme në vend dhe rrezikimi i demokracisë në Shqipëri. Mbështetja e Partisë Demokratike është rritur. Sondazhet e publikuara pak ditë më parë e vërtetojnë këtë. Megjithëse ka tendenca nga kampi kundërshtar për të provokuar debat se pyetësori ka qënë i porositur. E vetmja porosi që është bërë në Shqipëri, i takon Edi Ramës. 1 milionë votat që tregon në publik, janë 1 milionë arsye për t’u larguar nga godina tek “dëshmorët e kombit”.

 

Si kryetare e LDGSH-së keni folur për një lobim në kuadër të rritjes së kandidimit të grave në postet drejtuese në të gjitha degët e PD-së.  Pse mendoni se rritja e përfaqësimit të grave në poste vendimarrëse do të ndikojë pozitivisht në forcën më të madhe opozitare?

Mos mendoni se është tezë provokuese. Rritja e përfaqësimit të grave në vendim-marjen politike është një energji positive që i mungon politikës së burrave. Edhe pse, mendoj që në PD, gratë dhe vajzat janë promovuar. Por shpesh gratë janë gjendur perballë një barriere burrërore, shpesh herë të pakapërcyeshme.  Dhe disa herë janë shënjestruar për promovime rastësore, duke mos i lidhur qëllimisht me bërthamën e strukturave, aty ku është jeta reale , e një partie politike.  Ju siguroj, që unë do të këmbëngul me të gjitha kredencialet e mia për një lobim pro kandidaturave të grave në zgjedhjet për strukturat drejtuese  në degët e Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë‎.

 

Reagimi i PS/ PD: Rama është rrëzuar nga droga, nuk mund të ngrihet nga gënjeshtra

PS: Berisha dhe Imami të japin llogari për avionët e ulur në Gjadër në 2012-ën

“Ramës i mbetet të vendosë orën e largimit, ndryshe do t’ia caktojë populli”

Partia Demorkatike ka kërkuar dje nga kryeministri Rama që të marrë sa më parë përgjegjesitë e tij dhe qeverisë që ai drejton për situatën e trafikut të drogës, pasi në të kundërt, sipas opozitës, do të jetë populli që do të caktojë largimin e tij. Nëpërmjet një deklarata nga selia e PD-së, përmes zëdhënëses Laura Vorpsi, forca më e madhe opozitare theksoi se kreu i qeverisë nuk jep dot llogari për sasitë e mëdha të drogës që qarkullojnë në vend dhe akuzon opozitën. “As festa e fëmijëve dhe as konsakrimi i Katedrales nuk e pengojnë Edi Ramën të zhytet thellë e më thellë në llumin e rrenave dhe mashtrimeve. Edhe sot ai dëshmoi që ka vendosur, si çdo ditë, të mos mbajë asnjë lloj përgjegjësie pavarësisht se është në krye të vendit të mbuluar nga droga dhe trafiqet. Nuk jep llogari për mijëra kilogramë drogë që qarkullojnë çdo ditë në Shqipëri dhe më tej në vendet fqinjë, nga toka, deti dhe ajri, por sulmon opozitën”, deklaroi ajo. Më tej, Vorpsi duke shprehur qëndrimin e PD-së lidhur me hetimin e kryeer nga komisioni parlamentar me vetëm anëtarët e mazhorancës për trafikun e drogës, theksoi se,:  “ai mendon se me gojët e pengjeve të drogës të njohura botërisht si Felaj e Balla mund t’i ikë përgjegjësisë.  Nuk mundet. E verteta e ka rrëzuar. Mbetet vetëm të caktojë orën e largimit. Përndryshe do tja caktojë populli”.

 

PS

Ndërkohë që përfundimet  e komisionit hetimor për përfshirjen e infrastrukturës ushtarake në trafik drogë të prezantuara dy ditë më parë nga deputetja socialiste Felaj janë cilësuar nga PS si fakte që bëjnë përgjegjës për trafikun e drogës përmes ajrit ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Në një reagim nga selia e purpurt, nënkryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kërkoi shpjegim nëse Berisha dhe Imami kanë informacion për avionët e paautorizuar që uleshin në aeroportin e Gjadrit. “Gjithçka ka ndodhur në tetor 2012 deri në mars 2013 kur kryeminister ishte berisha dhe Arben Imami. Meqënëse këta prej javësh kanë hedhur akzua në drejtim të FA a mund të na përgjigjën këta se a kanë pasur informacion mbi këtë avionë që fluturonin pe lejë kohën e qeverisjes së tyre duke abuzuar me strukturat e ushtrisë dhe duke përdorur emrin e institucioneve të inteligjencës”, deklaroi Balla. Ndërkohë në një tjetër reagim lidhur me këtë ccështje, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se tani i takon prokurorisë të merret me këtë çështje. “Tani pas punës së komisionit hetimor i takon prokurorisë që të merret me këtë çështje. I takon institucioneve investiguese si të merren me këtë gjë.FA nuk janë pjesë e asnjë pretendimi të tillë absurd keqdashës dhe provokativ të disa elementëve të opozitës se FA se bazat e saj janë pjesë e trafiqeve”.

 

Bylykbashi: Komisioni i mickonjës Anofelaj, një parodi e turpshme

Në një reagim lidhur me përfundimet e dala nga komisioni hetimor i përbërë vetëm nga anëtarët e mazhorancës për hetimint e trafikut të drogës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi me nota ironie theksoi se mazhoranca kishte “harruar” avionin e rrëzuar në Divjakë. Sipas t6ij i gjithi hetimi ishte thjesht një parodi. “Një dorë mickonjash anofele, u mblodh me urdhër dhe i provoi botës se nuk ka patur malarje në kohën e Kryeministrit Ramses i Parë. Fabrikuan një provë me një dëshmitar për të thënë se fajin e ka Saliu. Këta të gajasin për atë zot. Po avionin me drogë të Riformatos ku e cove mi shoqe? po ata dhjetëra dëshmitarë okulare?Apo i zhduke me urdhër të Ridrogatos? Cfarë parodie e turpshme!”, shkruante Bylykbashi në rrjetin social FB.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency