Furnizimi me energji para kërcënimit akut?

0
128

Sa e varur është Europa nga gazi rus dhe si mund të ndryshojë kjo gjendje? Tema si politika energjitike, siguria e energjisë, furnizimi me energji janë ngjitur lart në axhendën politike pas krizës në Ukrainë

 

gazi_natyror_per_ekonomine_lirKur bie fjala për gazin natyror, si rregull pason menjëherë një fjalë tjetër – revolucion. SHBA janë model për këtë, ato e kanë bërë revolucion së fundmi, duke zbuluar metodën “fracking” dhe janë duke u pavarësuar gjithnjë e më shumë nga importet e gazit. Vende të tjera po ndjekin shembullin e tyre. Australia, Kina apo Polonia – mundësia për të mbërritur tek rezervat e gazit, të paarritshme deri më tani, ka çuar në shumë vende në një zhvillim të tillë, që të kujton ethet e naftës pas Luftës së Parë Botërore.

Gazi në Europë është shumë më i shtrenjtë se në SHBA. Ndërkohë që debatit të viteve të fundit në Europë për çmimet e energjisë dhe avantazhet e konkurrencës i është shtuar pas krizës në Ukrainë edhe një aspekt i ri: Siguria e furnizimit me energji.

“Ka disa javë që siguria e energjisë nuk është më një temë afatmesme apo afatgjatë, por brenda një afati të shkurtër u bë aktuale”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier në “Samitin për Sigurinë e Energjisë 2014”, i organizuar nga Konferenca e Sigurisë në Mynih dhe Forumi i Frankfurter Allgemeine. “Kriza e Ukrainës e ka sjellë këtë temë në fokusin e politikës aktualisht.”

Steinmeier në Konferencë ndërkombëtare për sigurinë e furnizimit me energji, 28.05.2014

Për ministrin e Jashtëm gjerman Steinmeier, furnizimi me energji është temë qendrore e politikës së jashtme dhe sigurisë.

 

BE është e pavarur nga Rusia

Sipas informacioneve të institucionit të BE-së për statistikat, Eurostat, në tërësi Rusia mbuloi në vitin 2010 rreth 35% të naftës bruto, 32% të gazit natyror dhe 27% të importeve të qymyrgurit të të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Gjermania i blen 38% të importeve të gazit tek Rusia, dhe rreth 35% të importeve të naftës. Ndërsa tre shtete balltike, Sllovakia, Finlanda dhe Bullgaria, pra gjashtë vende anëtare të BE-së varen 100% nga importimi i gazit rus. Edhe në Çeki është gati po e njëjta situatë.

Steinmeier që gjatë mandatit të parë si ministër i jashtëm në vitin 2006 është shprehur se politika energjitike “pa vonesë duhet të bëhet pjesë themeltare e politikës së jashtme dhe sigurisë. Asokohe kjo shkaktoi tundje koke dhe ngritje supesh, por sot përmes krizës së Ukrainës është dukshëm e prekshme.”

 

Rusia kërcënon dhe do të jetë fuqi botërore

Ndërkohë që krizat e mëparshme të gazit të viti 2006 dhe 2009 ishin secila kriza të mëvetësishme dhe të zgjidhshme, kriza aktuale është pjesë e një përballjeje më të madhe politike. Se sa akute është ajo, del qartë nga një shprehje e kryetarit të Komisionit Rus për Energjinë në Dumën ruse, Ivan Gratshov: “Rusia dhe Europa po vijnë në një pikë, ku mjafton një devijim i vogël nga rregullat e bashkëpunimit dhe e gjitha përfundon në një katastrofë”, u shpreh ai në samitin për energjinë. Por e mundur është që të “arrijmë edhe në një gjë të madhe”, shtoi ai.

Tek kompromiset arrihet përmes dialogut. Gratshov i hodhi poshtë akuzat, se Rusia i keqpërdor eksportet e energjisë në BE si instrument politik. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, Rusia i ka përmbushur gjithmonë marrëveshjet. Ky vend ka rezervat më të mëdha të gazit në botë, në Siberinë perëndimore gazi nxirret në sasi të mëdha, dhe përmes një rrjeti gazsjellësish në Ukrainë dhe Bjellorus vjen në Europë, tha politikani rus. Nga viti 2011 është vendosur në punë edhe gazsjellësi i Veriut në Detin Balltik.

Janë pikërisht rezervat e gazit që e bëjnë Rusinë të ngrejë pretendimin, siç u shpreh Gratshov: “Rusia do të mbetet një fuqi botërore energjitike.”

Energjia është një moment kyç, dhe planet për uljen e përdorimit të energjjisë janë utopike, si fizikant jam i sigurtë për këtë, u shpreh Gratshov. “Progresi dhe përdorimi i energjisë janë të pandashëm, Rusia mund të japë kontributin e vet për të shuar etjen për energji.”

BE kërkon pavarësimin

 

Transporti i gazit të lëngshëm është i shtrenjtë

Planet e europianëve për t’u pavarësuar nga gazi rus, e bëjnë Rusinë skeptike. BE kërkon rrugë alternative për gazsjellësit, dhe ka gjetur disa furnizues. Një rezultat konkret: Varësia nga gazi rus është ulur nga 45% që ishte në vitin 2003.

Komisioneri i BE-së për energjinë, Günther Oettinger propozon që të përmirësohet infrastruktura energjitike në vetë vendet anëtare të BE-së. Ai kërkon edhe përdorimin sa më efiçient të energjisë, si dhe shfrytëzim sa më të mirë të resurseve europiane. BE synon të zgjerojë terminalet për gazin e lëngshëm. Në këto stacione mund të transformohet gazi natyror, i cili nga vendet e Gjirit mund të vijë me anijë drejt Europës. Por këto plane i përkasin së ardhmes. Këtë e bën të qartë edhe ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier.

“Askush nuk duhet të mendojë se këtë problem mund ta zgjidhim kaq shpejt, për shembull me anije me gaz të lëngshëm nga Teksasi, Ohajo, apo Katari. Kërcënimi akut për sigurinë energjitike as nuk do të jetë më i vogël, dhe as situata nuk do të çtensionohet. Zhvillimi i nevojshëm teknologjik dhe rregullator, i nevojshëm për këtë, nuk do të bëhet brenda 14 ditësh, dhe as brenda dy vitesh.”

 

BE dhe Rusia duhet të gjejnë rrugë bashkëpunimi

Pavarësisht planeve për më shumë diversitet energjitik dhe më shumë furnizime me gaz, Europa nuk ka rrugë tjetër veç asaj të arranzhimit me Rusinë. Steinmeier apelon: Madje edhe në kohën e Luftës së Ftohtë ne ia kemi dalë për shumë vjet t’i mbajmë furnizimet me energji jashtë konflikteve politike të sistemeve.” Shkatërrimi i furnizimit me energji sjell dëme për të gjitha palët. “Besoj se vetë Rusia thjesht për arsye ekonomike, nuk ka ndonjë interes për këtë, që të mos verë në pikëpyetje besueshmërinë e saj ekonomike dhe energjiko-ekonomike”, tha Steinmeier.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency