Basha: Arbitrariteti qeveritar ka sjellë ekonomi në rënie dhe pasiguri

0
109

Kryetari i Partisë Demokratike pret delegacionin e Bankës Botërore

Spastrimet në administratë, kreu i PD-së, Basha: Rreth 8 mijë burra dhe gra, specialistë e profesionistë që mbeten pa punë

 

lulzim basha ne takim me banka boterore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në selinë e PD-së një delegacion të Bankës Botërore të kryesuar nga zëvendëspresidentja për Evropën dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck. Në këtë takim Basha ndau shqetësimin e opozitës për përkeqësimin e treguesve ekonomikë e fiskalë, për mungesën e transparencës dhe pasigurinë që ka krijuar në vend mossundimi i ligjit.

Duke analizuar zhvillimet në ekonomi të këtyre 9 muajve, Basha tha se rritja e nivelit të borxhit publik, rritja e pasigurisë, ndalja e investimeve publike dhe intimidimi i investimeve private përmes arbitraritetit qeveritar dhe shkeljes së ligjit kanë kontribuar në rënien e rritjes ekonomike dhe shtimin e papunësisë.

Me gjithë rritjen e taksave dhe akcizave, Basha tha se qeveria ka dështuar në objektivat e shpallura të mbledhjes së të ardhurave. Duke iu referuar vetë buxhetit dhe planit të ekzekutivit, që parashikon mbledhjen e 40 miliardë lekëve, faktet tregojnë se me ecurinë e derisotme nuk arrihet as gjysma e kësaj shifre.

Duke iu referuar raporteve të institucioneve financiare të cilat konstatojnë në vijimësi se ka rënie të kreditimit, konsumit dhe punësimit, kryetari i opozitës theksoi domosdoshmërinë e përballjes me realitetin dhe jo përhumbjen në propagandë apo falsifikim të të dhënave siç po bën aktualisht qeveria për konsum mediatik. Në të kundërt, pasojat do të bëhen gjithmonë e më të rënda dhe të papërballueshme për qytetarët dhe vendin, theksoi Basha.

Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, kryetari i opozitës Basha, e cilësoi si shumë shqetësuese edhe mungesën e transparencës nga ana e qeverisë për sa i përket vendimmarrjes në tërësi dhe prokurimeve publike në veçanti, çka dëshmon për rritje të informalitetit dhe korrupsionit.

“Z. Basha informoi delegacionin e Bankës Botërore për shqetësimin që ka krijuar në vend shkelja e ligjit nga ana e qeverisë, dhe moszbatimi i vendimit të gjykatave.

Duke u ndalur tek shkelja e Kushtetutës, në rastin e moszbatimit të ligjit për nëpunësin civil, Basha tha se pasojat ishin dramatike për vendin pasi mundësuan një spastrim masiv në administratë çka solli rreth 8 mijë burra dhe gra, specialistë e profesionistë që mbeten pa punë.

Delegacioni i lartë i Bankës Botërore u njoh edhe me një tjetër zhvillim negativ për demokracinë në vend, që ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për kapjen e institucioneve të pavarura.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore e vlerësuan shkëmbimin e informacionit dhe pikëpamjeve me opozitën e vendit dhe u shprehën të gatshëm për të mbajtur një dialog të vazhdueshëm me Partinë Demokratike”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Partisë Demokratike.

 

 

Deputeti i PS-së

 Situata politike, Blushi: Shqipëria po qeveriset nga paaftësia

 “Vakuumi i shtetit po mbushet nga feja”

 

Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi hodhi akuza të ashpra një ditë më parë ndaj qeverisjes aktuale. Gjatë prezantimit të librit “Hëna e Shqipërisë”, në qytetin e Elbasanit, Blushi u shpreh se Shqipëria po qeveriset nga paaftësia. Duke folur për realitetin politik dhe shoqëror, Blushi theksoi se Shqipëria është një vend ku nuk zbatohet ligji dhe është më e pabarabartë se 5 vite më parë. Ndërsa për sa i përket çështjes së fesë ai u shpreh se vakuumi i lënë nga shteti po mbushte nga feja. “Nuk kam asnjë paragjykim për fetë. Në disa zona shteti nuk ekziston. Vakuumi i lënë nga shteti po mbushet nga feja. Duhet që shkalla e fetarizimit të mos rritet, nuk është mirë. Ky fenomen po ndodh në Turqi dhe Arabi. Ne jemi për demokraci dhe jo për teokraci”, – është shprehur Blushi. Më herët Blushi ka kritikuar qeverinë për trafikun e drogës dhe për mosndërhyrjen në Lazarat.

Në deklaratat e bëra disa ditë më parë deputeti socialist ka kritikuar Kryeministrin Rama për këtë çështje, ndërsa ka thënë se nga njohja e tij personale e di që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është i gatshëm të ndërhyjë në Lazarat për çështjen e drogës, por sipas tij ministri ka një punë tjetër më të vështirë, atë për të bindur kreun e ekzekutivit, Edi Rama.

“Ministrin e Brendshëm unë e kam mik, e di që nuk ka frikë të hyjë në Lazarat. Është shumë trim sepse e njoh, por ka një problem, duhet të bindi kryeministrin e vet që të hyjë në Lazarat, sepse vetëm s’mund të hyjë. Dhe tani duhet të presim që ministri i Brendshëm që është shumë trim të bindi kryeministrin që të hyjë në Lazarat. Pyetja që unë kam është pse nuk hyn në Lazarat? Për sa kohë që ne e dimë ku është krimi, kush e bën, kush e nxjerr, kush e prodhon, kush e mbjell, pse nuk ndërhyjmë atëherë? Pse shtetit pranon kapitullimin e tij?! Unë nuk e pranoj këtë gjë, refuzoj! Shteti e di ku është krimi dhe thonë: unë do hyj kur të bëhem gati. Po pse kur të bëhet gati? S’kemi ushtri, s’kemi polici, s’kemi opinion publik krejtësisht kundër Lazaratit? Opinioni publik është krejtësisht kundër” – ka thënë Blushi. Ndërkohë, pak javë më parë Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive, ka thënë se qeveria do të ndërhyjë në Lazarat kur të jetë momenti.

Në deklaratat e tij Blushi ka thënë se opozita po bën të njëjtat gabime që ka bërë e majta kur nuk ishte në qeverisje. Deputetit socialist pranon aksionet e dikurshme opozitare si të gabuara për interesat e vendit, duke theksuar se ato po përsëriten edhe tani në prag të shqyrtimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në Bruksel në muajin qershor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency