Litari financiar në fytin e arsimit universitar  

0
117

Artan Fuga

artan-fuga Për universitetet publike parashikohen që ato duhet të gjejnë fonde pranë bizneseve shqiptare ose pranë pushteteve lokale. Parimisht është një mundësi që ngjan me ato që ndodhin sot në botën e teknologjive të avancuara, ndodh në Angli, pse jo në Gjermani, me ndonjë universitet edhe në Itali, Francë a gjetiu, me universitete të rëndësishme në Perëndim. Por, të mos harrojmë se universitetet shkencore dhe teknike te ne janë të rrudhura, pikërisht sepse kemi një shoqëri shërbimesh ku shpesh mjafton tabela e shumëzimit dhe jo kërkimet shkencore të avancuara. Cilës sipërmarrje të madhe do t’i shërbente sot arsimi universitar shqiptar me kërkimet e tij shkencore, ku edhe të financojë??? Dyqaneve kioska, ndërmarrjeve të rojeve private, agjencive të autobusëve apo do të kishte mundësi t’i shërbente industrisë të avionëve, kërkimeve për materialet, zbulimeve në naftë apo gjetiu???

Duhet menduar një strukturë tjetër ekonomie që ne nuk e kemi për të menduar një mundësi financimi nga biznesi për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor universitar. Ja të shohim: A ka ndonjë universitet privat që sot financohet nga biznesi privat shqiptar? Në çfarë mase? Apo mbetën në dyert e fondacioneve dhe zyrave të huaja publike për të lypur ndonjë lek???

Në të gjitha strukturat universitare publike, si edhe në mes grupesh studentësh aktivë, prej disa javësh po debatohet për disa ide që ka hedhur një komision i vetëshpallur si i pavarur, në fakt i emëruar, çka anëtarët e tij duhet ta pranojnë duke qenë të nderuar prej këtij fakti, lidhur me reformën universitare në Shqipëri.

Reforma duhet, por të jetë reforma e duhur.

Padyshim që në arsimin universitar publik dhe sidomos atë privat janë akumuluar një sërë problemesh dhe jo vetëm financiare. Por këtu nuk do të prekim veçse atë financiar.

Aktualisht gjendja paraqitet urgjente dhe katastrofike në disa plane, ku më të rëndat janë si më poshtë:

Më së pari, universitet publike sot menaxhohen sipas një modeli krejtësisht të tejkaluar dhe që sikur është imponuar për t’ju marrë frymën atyre. Tendera, tendera, tendera, mungesë iniciative në planin ligjor për të përdorur disa mekanizma të ekonomisë të tregut, si huaja, kredia, qiraja etj. Po ashtu asnjë autonomi për departamentet në planin financiar gjë që po u merr atyre frymën.

Financiarisht, universitetet publike janë asfiksuar, pastaj u kërkohet atyre të jenë efikase. Rrogat e pedagogëve kanë mbetur qesharake, stimuli në punë i ulët, ndërkohë që nuk financohen më as botime, as kërkime shkencor dhe asgjë që ka të bëjë me inovacionin.

Më së dyti, universitetet private ndonëse një pjesë e tyre me tarifa qiellore, grataçielore, të thithura nga familjet shqiptare që kanë iluzionin e arsimimit të fëmijëve të tyre, as kanë krijuar një model të ri dijesh, por kanë futur garën për studentë duke luajtur kartën e masivitetit, që gjoja jep fitime më të mëdha, duke krijuar papunësi të përbindshme intelektuale. Në këtë mënyrë kapitalet kombëtare dhe kursimet e familjeve shqiptare po shkojnë masivisht dëm sepse paguhet për të nxjerrë një jurist dhe në fakt nxirret një i papunë me diplomë juridiku që bëhet e shumta kamerier…

Bazuar nga këto, komisioni i emëruar që duhet ta ketë për nder emërimin, por vetëquhet i pavarur, na propozon një reformë financiare që duke u bërë sipas influencave lobuese të ndonjë operatori privat, e përkeqëson edhe më tej situatën duke e futur në rrezikun e një përmbytjeje financiare, e një katastrofe financiare, që nuk rrezikon vetëm kulturën kombëtare, por edhe anë të tjera të jetës shoqërore shqiptare.

Pak a shumë propozohet, për t’i rënë shkurt, që universitetet private, tani ose pas dy vitesh a tre vitesh, çfarë rëndësie ka!!!, do të përfitojnë nga fondet publike për arsim duke i thërrmuar këto fonde edhe më shumë. Me një fjalë fitimi do të jetë privat, kurse ngarkesa financiare, kostoja do të jetë publike. Jo, do të thotë dikush, kjo nuk ndodh në tre vitet e para, do të ndodhë më vonë… Çfarë arsyetimi i bukur! Është njësoj sikur dikush të deklarojë se do të presë gjithë pemët e rrugëve, por mos u shqetësoni, kjo do të ndodhë jo tani, por pas tre vitesh… Sot për sot mos e bëni qejfin qeder meqë vetëm sa po i numërojnë pemët që do të jenë për të prerë…

Po thuhet se universitetet private nuk do të jenë institucione fitimprurëse… Mirëpo fitimi është thelbi, kurse forma e fitimit mund të jetë e shprehur në modele të ndryshme. Ta zëmë një rrogë administratori mund të mos konsiderohet fitim, por mund të jetë edhe ta zëmë gjysmë milioni euro në vit. Rrogë është, nuk është fitim!!! Dhe mos guxoni të kërkoni të bëhen transparente këto llogari, sepse na qenkan sekret komercial, a thua se kudo rrogat e menaxherëve, apo fitimet e sipërmarrjeve nuk janë të konsultueshme lirisht në linjë kundrejt një pagese minimale. Në botën anglosaksone mund të ndodhë kjo transparencë, kurse në Shqipëri jo…

Për universitetet publike parashikohen që ato duhet të gjejnë fonde pranë bizneseve shqiptare ose pranë pushteteve lokale. Parimisht është një mundësi që ngjan me ato që ndodhin sot në botën e teknologjive të avancuara, ndodh në Angli, pse jo në Gjermani, me ndonjë universitet edhe në Itali, Francë a gjetiu, me universitete të rëndësishme në Perëndim. Por, mos harrojmë se universitetet shkencore dhe teknike te ne janë të rrudhura, pikërisht sepse kemi një shoqëri shërbimesh ku shpesh mjafton tabela e shumëzimit dhe jo kërkimet shkencore të avancuara. Kujt sipërmarrjeje të madhe do t’i shërbente sot arsimi universitar shqiptar me kërkimet e tija shkencore ku edhe të financojë??? Dyqaneve kioska, ndërmarrjeve të rojeve private, agjencive të autobusëve apo do të kishte mundësi t’i shërbente industrisë të avionëve, kërkimeve për materialet, zbulimeve në naftë, apo gjetiu???

Duhet menduar një strukturë tjetër ekonomie që ne nuk e kemi për të menduar një mundësi financimi nga biznesi për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor universitar. Ja të shohim: A ka ndonjë universitet privat që sot financohet nga biznesi privat shqiptar? Në çfarë mase? Apo mbetën në dyert e fondacioneve dhe zyrave të huaja publike për të lyp ndonjë lek???

Aq më pak mund ta bëjnë këtë universitetet e shkencave shoqërore dhe dihet se ne jo më kot këto lloj studimesh kemi më të zgjeruara, për të keqen tonë.

Po pushteti lokal a ka financuar ndonjë universitet në ndonjë rreth, po ndonjë universitet publik? Çfarë buxhetesh kanë pushtetet lokale sot te ne, kur edhe skemat e mbajtjes me bukë të familjeve të varfra janë në gjendje katastrofike.

Paratë, na thonë të pavarurit që e kanë për turp të quhen të emëruar, nxirrini nga studentët. Të cilët t’i gjejnë duke marrë hua që t’i shlyejnë me punë kur të përfundojnë studimet.

Hua për banesat, hua për studimet e kryera, hua për konsumin e disa mallrave, blej televizor, frigorifer etj.? Po a nuk do të zhytet i riu shqiptar në pafundësi borxhesh??? Si do t’i shlyejë borxhet e studimeve universitare kur universiteti përgatit të papunë të diplomuar pikërisht për shkak të faktit që duke u kthyer në biznes, do të dojë që të prodhojë pa fund të diplomuar në profile sa më të gjëra, pra të klonojë diploma??? Universitetet sot prodhojnë papunësi intelektuale që nesër do të bëhet shkak që studentët të mos paguajnë dot borxhet e marra për të ndjekur pikërisht studimet që i kthejnë ata në të papunë, pra në borxhlinj të falimentuar. Gjarpëri kështu kafshon bishtin e vet, sikurse thotë një fjalë e urtë e huaj. Cikli mbyllet në një rrethrrotullim pa kuptim duke u bërë një rreth vicioz. Nga kjo nuk e pësojnë vetëm universitetet, vetëm familjet e studentëve, por edhe vetë ekonomia kombëtare.

Çfarë mundësish teorike kanë universitet publike shqiptare nëse i kthehen një skeme financimi që i bën ata të jenë si sipërmarrje biznesi?

E para mundësi do të ishte që çdo universitet të shtonte pa fund numrin e studentëve të pranuar pavarësisht cilësisë së tyre dhe nevojave të shoqërisë në mënyrë që shtimi i tyre të shtonte sasinë e të ardhurave nga pagesat e tarifave të studimit. Universiteti në një farë mënyre do t’ia dilte, por duke prodhuar të diplomuar pa hesap do të shtonte papunësinë, pra do ta bënte sipërmarrjen ndofta të mbijetueshme financiarisht, por pa sjellë asnjë shërbim social efektiv, pra pa përfitim për studentët dhe ekonominë kombëtare në dalje. Sistemi do t’i ngjante një makine që prodhon produkte pa vlerë në treg.

E dyta mundësi do të ishte atëherë kur çdo universitet do të vetëpërmbahej, çka është praktikisht e pamundur, dhe do të pranonte pak studentë, por duke kërkuar tarifa shumë të larta studimore, me një fjalë do të ishte një universitet për të pasurit. Kjo do të sillte shkurtime drastike në numrin e pedagogëve, si edhe në numrin e studentëve, pra një arsimim për të pasur dhe për të varfër, të cilët do të mbeteshin të paarsimuar dhe me mundësi të bllokuara për të bërë studime universitare. Duke qenë se popullsia shqiptare është e varfër, këto universitete të pasura janë të pamundur praktikisht. Shihni sot se çfarë heqin universitetet private kur përpiqen të ngrejnë tarifat e studimeve për të përmirësuar sadopak cilësinë. Mbeten pa studentë.

E treta mundësi do të ishte kur universitetet do të mbanin një numër mesatar studentësh me tarifa mesatare. Në këtë rast, duke vuajtur për fonde do të bënin pikërisht atë që bëjnë sot disa universitete private dhe publike nga nevojat për të mbijetuar financiarisht. Do të ulnin artificialisht shpenzimet e procesit të studimeve duke kursyer në pedagogë, mjete laboratorike, kërkim shkencor, etj. Studimet universitare do të përqendroheshin në profile gjeneraliste për të kursyer mjetet financiare duke i bashkuar studentët në auditorë të përbashkët gjithnjë e më të mëdhenj. Më keq sesa sot do të kishim mediokritet dhe diplomat do të ishin pa kurrfarë vlere.

Ja tre litarët financiarë në fytin e arsimit universitar shqiptar.

Gjendja e tyre financiare nuk realizohet thjesht duke shpërndarë buxhetin publik te privatët çka jo vetëm është e padrejtë dhe prish parimet e tregut të lirë të kapitaleve, por mbetet edhe e dëmshme sepse thërrmon buxhetet universitare. As duke i kthyer universitetet publike në sipërmarrje me funksionim privat, çka mbetet e dështuar në rrethanat shqiptare e më gjerë, një përvojë aventureske që askush nuk ka guxuar ta ndëmarrë ndër fqinjët. Por, duke ndërtuar një model të ri të universitetit publik që të funksionojë si sipërmarrje publike, efikase, me kontribut kulturor.

Një reformë e vërtetë në këtë plan është krejtësisht e mundur, mund të propozohet në bashkëpunim me aktorët legjitimë të ndërtimit të universiteteve publike, jo nga konkurrentët e tyre privatë, por më parë duhet hequr dorë nga skema e dështuar dhe shumë e rrezikshme që na propozojnë disa nga të pavarurit që nuk pranojnë se janë të emëruar dhe që duhet ta kishin për nder që janë emëruar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency