Trafiku me avion/ Pretendimi i mbrojtjes: Saimir Bajrami, jo stabël mendërisht  

0
157

Anxhela Tato

saimir bajrami dhe avioni Apeli i Krimeve të Rënda lë në qeli korrierin, pranoi transportin e drogës dhe marrëveshjen me pilotin italian

 Prokuroria provoi takimet e dy korrierëve, për avokatin dëshmia është dhënë nën kushtet e presionit psikologjik

 Strategjia e mbrojtjes së të pandehurit Saimir Bajrami, “letra” e çrregullimeve të personalitetit. Sipas avokatit rrëfimi i korrierit është dhënë në kushtet e presionit psikologjik, duke bërë që të thotë fakte aspak të vërteta. Por ky pretendim nuk ka qenë bindës për trupën gjykuese të Apelit të Krimeve të Rënda, të cilët kanë lënë sërish në fuqi masën e arrestit me burg për 38-vjeçarit. Në të njëjtën linjë qëndron edhe organi i akuzës, të cilët kanë arritur të provojnë nga dëshmia e Saimir Bajramit vetëm vendin ku është gjetur lënda narkotike si dhe itinerarin e udhëtimit të pilotit italian dhe takimin në një hotel në afërsi të Prokurorisë së Përgjithshme. Pra mesa duket dëshmia e të pandehurit nuk është aq sajim, bazuar kjo në provat materiale të mbledhura nga prokuroria dhe sigurimi i pamjeve filmike të hotelit ku janë takuat piloti Riformato dhe Saimir Bajrami. Për Apelin arrestimi i të pandehurit është i bazuar në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nuk ka elementë që të kërkohet ndryshimi i masës së sigurisë. Në fjalën e tij avokati mbrojtës i Bajramit pretendoi lehtësim të dënimit të klientit të tij, pasi sipas tij ka prova konkrete se “ai ka qenë i rënduar psikologjikisht kur ka bërë deklaratat”. Avokati ka kërkuar një ekspertizë psikike ndaj Bajramit pasi ka prova të mjaftueshme për problemet e tij psikike. Sipas avokatit të të pandehurit, Bajrami ishte nën trysni kur bëri deklarata në polici. “Ne do japim pretendime të reja sepse nuk diskutohet që ato deklarime janë dhënë në kushte të rënduara të momentit të gjendjes së tij emocionale. Ato nuk qëndrojnë. Ne për sa i përket pjesës së personalitetit të tij e vëmë shumë në dyshim”, – deklaroi avokati Rumano. Megjithatë, Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Bajramit, duke rikonfirmuar kërkesën e Prokurorisë për masën arrest me burg. Ndërkohë që, në fillim të javës tjetër, pritet që të dalë para Apelit edhe piloti Riformato, për të cilin sërish avokatët do të kërkojnë lirinë e tij.

 

Dëshmia

Saimir Bajrami ka qenë i pari që dha fakte të rëndësishme për akuzën duke pranuar trafikun e drogës me avion. Para oficerëve të policisë gjyqësore 38-vjeçari shpjegoi me detaje udhëtimet e Riformatos në Shqipëri, takimin në hotel dhe bisedën për përzgjedhjen e zonës se ku do të ulej avioni që do të merrte marijuanë. Por në dëshmi ka dy elementë, të cilat nuk përputhen me faktet, çka ka bërë prokurorët të provojnë sesa i sinqertë ka qenë në thëniet e tij Bajrami. Rrëfimi i tij është vendosur në pikëpyetje, menjëherë sapo ekspertët e Kriminalistikës zbuluan 11 gjurmë gishtash në pakot e drogës, e cila përkundër deklaratës së Bajramit nuk rezulton të jetë paketuar në Krujë, por në Lushnjë, pasi në mbështjelljet e natribanit u gjetën gjurmët papilare të pesë personave nga Lushnja, njëri prej të cilëve, Aurel Pupe, u arrestua pa bujë, duke u mbajtur sekret. Madje shoqërimi e më pas ndalimi i tij është bërë në bazë të një përgjigjeje të kthyer nga Laboratori i Kriminalistikës, ku sipas akt-ekspertimit të policisë shkencore, në pakot e mbështjella me natriban, 3 nga 11 gjurmët papilare të evidentuara në vendngjarje, i përkasin 24-vjeçarit nga Lushnja. Por ndërsa arrestimi i të riut nga Lushnja gjatë këtyre pesë ditëve është mbajtur sekret si nga policia ashtu edhe nga prokuroria, e njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë masës së sigurisë të shpallur nga gjykata. Pupe mësohet të ketë deklaruar se ka marrë pjesë në paketimin e drogës, por nuk ka hedhur dritë mbi njohjet e tij me dy të akuzuarit e tjerë. Ajo që dihet jozyrtarisht është se tashmë në kërkim për shkak të gjurmëve papilare janë edhe disa shtetas të tjerë nga qyteti i Lushnjës, identiteti i të cilëve nuk mund të bëhet i ditur derisa Policia e Shtetit të finalizojë arrestimin e tyre tashmë që rezultojnë që nga data 20 maj si të kërkuar.

 

 KLD/ Rrëzon ministrin e Drejtësisë, gjyqtarët “shpëtojnë” me vërejtje

 Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar kërkesën e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për masë disiplinore ndaj 4 gjyqtarëve, duke vendosur për masën e vërejtjes vetëm 2 prej tyre. Në mbledhjen e së mërkurës së KLD-së, e cila ka zgjatur rreth 16 orë, është vendosur për masë disiplinore vërejtje për gjyqtarët Kaçe Agollin dhe Lindita Hoxhën, ndërsa për gjyqtarët Ibrahim Hoxha, ndaj të cilit është kërkuar edhe shkarkim nga Naço dhe Valbona Duraj nuk është dhënë asnjë masë disiplinore. Burime bëjnë të ditur se ka pasur debate të shumta për mosmarrjen e masës disiplinore veçanërisht për gjyqtarin Ibrahim Hoxha, ndaj të cilit është kërkuar shkarkim, madje është aluduar edhe për përkrahje klienteliste nga disa prej anëtarëve të KLD në vendimmarrjen ndaj këtij gjyqtari. Mbledhja nisi me debate në lidhje me projektligjin e ri për “Vlerësimin e gjyqtarëve”, ku ministri i Drejtësisë Naço u sulmua se synon të krijojë një KLD paralele. Sipas disa anëtarëve të KLD, Naço kërkon ta bëjë këtë duke ngritur një komision të posaçëm që do vlerësojë gjyqtarët, gjë e cila sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, dhe se dublon punën e vetë këshillit. Po ashtu gjatë mbledhjes u miratua kandidatura e gjyqtarit Sandër Simonit, në krye të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Isuf Shehu si kryetar të Gjykatës së Kukësit dhe Alltun Çela si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Ndërkohë mësohet gjithashtu se gjatë mbledhjes anëtari i KLD-së Gjin Gjoni, i akuzuar nga ILDKP për fshehje të pasurisë në vlerën e 2 milionë eurove, ka ripërsëritur kërkesën e tij për pezullim nga detyra deri në përfundim të procesit hetimor të nisur ndaj tij. Mbledhja e djeshme e KLD, e cila filloi në orën 10:00 dhe përfundoi rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, erdhi si rezultat i kërkesës së ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për masë disiplinore ndaj 4 gjyqtarëve.

 

Padia e Ina Ramës/ Gjykata rrëzon kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit

 Vendimin e dhënë nga Gjykata duke rrëzuar kërkesën e prokurores Ina Rama për përjashtimin e gjyqtarit nga procesi që znj. Rama ka hapur me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, avokati i saj mbrojtës Fatmir Brraka e quan drejtësi me dy standarde. Ai argumenton se të njëjtën kërkesë kur e bëri KLD-ja, gjykata e pranoi, ndërsa kur e bëri znj. Rama, Gjykata e rrëzoi dhe kjo është e qartë se KLD-ja ndikon në vendimet e gjykatësve. Brraka deklaron se gjykata, të njëjtën kërkesë që bën KLD-ja për përjashtim gjyqtari e pranon dhe të njëjtën kërkesë të znj. Rama për përjashtimin e gjyqtarit Emiljano Ruli, të emëruar nga Nishani dhe KLD, e rrëzon. Ish-numri një i akuzës, Ina Rama, prej më shumë se dy muajsh është në një përballje ligjore me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku ky institucion prej më shumë se dy vjetësh i mohon asaj të drejtën për t’u rikthyer në detyrë si gjykatëse, siç parashikon ligji. Znj. Rama ka kërkuar të rikthehet si gjykatëse në Apelin Civil të kryeqytetit, ndërsa kjo kërkesë është rrëzuar nga KLD-ja, duke argumentuar se Ina Rama nuk mund të bëhet gjyqtare pa konkurrim. Ndërsa ligji e thotë qartë se Prokurori i Përgjithshëm, pas largimit nga puna, ka të drejtë të rikthehet në detyrën që ka mbajtur më parë e znj. Rama ka qenë gjykatëse në Apelin Civil të Tiranës para emërimit si kreu i akuzës.

 

Vlorë/ I bie guri në kokë, vdes punëtori

 Një 36-vjeçar ka humbur jetën pasditen e djeshme në fshatin Velçë të Vlorës, teksa punonte në një gurore. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se 36-vjeçarit Leonidha Balili i ka rënë në kokë një gur. Përpjekjet për ta transportuar në spital kanë qenë të kota, pasi goditja ka qenë fatale për 36-vjeçarin, i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Mësohet se 36-vjeçari Leonidha Balili ishte babai i dy fëmijëve të mitur.

 

Mat/ Aksidentohet gjatë punës, humb jetën minatori

 Aksidentohet në minierë, humb jetën një minator në Mat. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në minierën e një subjekti privat në Ceruj të Matit, kur është njoftuar se Shkëlqim Pisli ka mbetur i plagosur rëndë. Menjëherë është kërkuar ndihma e helikopterit për transportimin e tij në spitalin e traumës, por rrugës 35-vjeçari ka humbur jetën. Ndërkaq vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, teksa paraprakisht dyshohet se shkak ka qene shpërthimi i një motori kompresor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency