Gëzim Saliu
Kreu i PD-së në takimin me zyrtarin suedez: Mbështesni Shqipërinë për statusin kandidat
Pas Bashës, Arvizu takoi edhe kreun e shtetit, diskutohen edhe përplasjet me mazhorancën
Opozita me mbështetjen e qytetarëve shqiptarë nuk do të ndalë aksionin e saj kundër trafikut të drogës dhe kërkesës për mbajtjen e përgjegjësive nga ana e Kryeministrit Rama për situatën alarmante. Ky ishte qëndrimi që shprehu dje kreu i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeopozitar i vendit, Lulzim Basha, në takimin me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, duke theksuar se opozita do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. “Është papërgjegjshmëria e kësaj mazhorance dhe e Kryeministrit Rama, arsyeja për degradimin e situatës së drogës në këto nivele. Partia Demokratike nuk do të reshtë për asnjë çast aksionin e saj kundër shndërrimit të Shqipërisë në një oaz të drogës dhe krimit, por do të vijojë këtë betejë vendimtare me të gjitha mjetet ligjore e demokratike”, – tha Basha. Nga ana tjetër, kreu i demokratëvei shprehu ambasadorit Arvizu shqetësimin e PD-së dhe të opozitës për agresionin e deputetëve të mazhorancës, shfaqur dy ditë më parë në Parlament ndaj deputetit Strazimiri. Ndërkaq, Arvizu i shprehu kryetarit Basha mirënjohjen e SHBA-së për mbështetjen që qeveria e Partisë Demokratike dhe sot opozita shqiptare i jep SHBA-së në përpjekjen për konsolidimin e sigurisë rajonale e globale. Në këtë kontekst, Basha theksoi: “Partia Demokratike do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e pakursyer ndaj partnerit strategjik të kombit tonë, SHBA, në veçanti në çështjet e rëndësishme të lidhura me sigurinë e rajonit e më gjerë”. Në përfundim të takimit, ambasadori i SHBA-së theksoi se në qendër të tij ishte situata politike në vend dhe se nuk u fol specifikisht për protestat e opozitës. Pas kësaj vizite, ambasadori amerikan zhvilloi një tjetër takim në selinë e Presidencës me kreun e shtetit, Bujar Nishani, ku mësohet se në qendër të bisedës ishin zhvillimet e fundit politike në vend. Po ashtu mësohet se temë e bisedës kanë qenë edhe përplasjet e shumta mes mazhorancës së majtë dhe Presidentit të vendit, si për rastin e ILDKP-së, dekretimit të ambasadorëve, apo edhe heqjes së kompetencave në ligjin e ri të Ushtrisë.
Takimi me zyrtarin suedez
Ndërkohë, në një tjetër takim, kreu i PD-së priti drejtorin e Përgjithshëm për Çështjet Politike në Ministrinë e Jashtme suedeze, Torbjörn Sohlström, të cilit i kërkoi të mbështesë Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Basha tha se “Shqipëria i plotësoi kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian dhe ato janë certifikuar ndaj statusi i vendit kandidat është i merituar dhe nuk ka arsye të mos jepet”. Duke u ndalur në zhvillimet në vend, ai pohoi se Partia Demokratike dhe opozita jo vetëm e mbështesin pa asnjë kushtëzim integrimin evropian të vendit, por po i shërbejnë të ardhmes evropiane të Shqipërisë, duke denoncuar me fakte shkeljet e ligjit nga qeveria, përfshirjen e elementëve të inkriminuar në Policinë e Shtetit dhe në poste kyçe të administratës, çka ka sjellë, sipas tij, rritjen e frikshme të trafikut të drogës drejt vendeve të BE-së. Më tej, kreu i demokratëve i shprehu zyrtarit suedez shqetësimin që ka krijuar në vend, shkarkimi masiv i nëpunësve të administratës pa motive ligjore, shkelja e përsëritur e konsensusit politik nga mazhoranca si edhe moszbatimi i vendimit të gjykatave nga qeveria. Gjithashtu, Basha u ndal në këtë takim edhe në aktet e rënda sipas tij të qeverisë në kapjen e institucioneve, duke përmendur marrjen e kompetencave të Presidentit, futjen nën kontroll të ILDKP-së dhe AMA-s. Në përfundim të takimit, kryeopozitari kërkoi nga Sohlström, mbështetjen e Suedisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në mbledhjen e qershorit.
Jep dorëheqjen pas denoncimit/ PD: Drejtori i Personelit në Prefekturën e Tiranës, i dënuar me 10 vite burg për trafik droge
Partia Demokratike denoncoi dje emërimin e radhës në administratën e qeverisjes së majtë, duke pohuar përmes zëdhënëses Laura Vorpsi se në Prefekturën e Tiranës është punësuar një i dënuar për trafik droge.“Kryeministri Edi Rama ia ka besuar shërbimet dhe personelin e Prefekturës së Tiranës, më e madhja në vend, një të dënuari me 10 vite burg për trafik drogë në shtetin grek. Gehard Gjashta është dënuar fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Greqi me 16 vite burg, më pas Gjykata e Apelit në Greqi në 2004 ka vendosur dënimin me 10 vite burg me akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, – u shpreh Vorpsi, duke treguar vendimin e Gjykatës që vërtetonte, sipas saj, dënimin e Gjashtës. “Me këtë vepër penale që ka kryer dhe me dënimin e marrë nga drejtësia greke, Gehard Gjashta plotëson kriteret e Edi Ramës për të marrë një detyrë të rëndësishme, një post kyç në Prefekturën e kryeqytetit. Rilindja e Edi Ramës po rezulton çdo ditë një parajsë për bosët e drogës, të cilët jo vetëm kanë riaktivizuar aktivitetin e tyre dhe kanalin e trafikimit duke arritur kulmin e aktivitetit kriminal, por kanë kapur postet dhe zyrat më të rëndësishme të shtetit”, – tha Vorpsi.Pas akuzave të Partisë Demokratike, përgjegjësi i sektorit të Shërbimeve të Brendshme në Prefekturën e Tiranës, Gehard Gjashta, dha dorëheqjen. Në reagimin e saj lidhur me këtë çështje Prefektura e Tiranës bëri të ditur: “Prefekti i Qarkut Tiranë bën me dije se përgjegjësi i sektorit të Shërbimit Mbështetës, nisur në presionin politik, ka kërkuar ditën e sotme (të djeshme) dorëheqjen, e cila është pranuar nga prefekti. Nga ana tjetër, Gjashta i qëndron vendimit të tij të përcjellë më parë për të paditur Partinë Demokratike me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit të shpifjes së radhës dhe më pas t’i drejtohet Strasburgut për të përfunduar procesin e pafajësisë”, – thuhej në deklaratë.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, PD: Vërteton se Gjashta është dënuar
“Kjo është një fotokopje e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, që dëshmon se Gehard Gjashta, i emëruar drejtor i Shërbimeve në Prefekturën e Tiranës, është dënuar në Greqi, nga Gjykata e Faktit me 16 vite burg, nga Apeli më pas me 10 vite burg. I dënuari Gjashta ka hedhur në Strasburg, në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, shtetin grek, për shkak se ia kanë vonuar apelin për disa vite. Pra ka hedhur në gjyq afatin nga vendimi i Gjykatës së Faktit tek ai i Apelit. Kjo vërteton fare qartë se Gjashta është dënuar, edhe me vendim të Apelit në Greqi, me 10 vite burg, vendim që ka marrë formë të prerë”.