INSTAT: Ulen ritmet e rritjes së eksportit, nga 16% më 2013, në 11% në janar-prill 2014  

0
147

Ervin Kaduku

eksport maune– Rritja e importeve ka thelluar deficitin tregtar të vendit, që për katërmujorin ishte 78 miliardë lekë, në rritje me 7% krahasuar me vitin e kaluar

 Eksportet u rritën përsëri në prill për të tretin muaj radhazi. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet u rritën me 10.3% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Për gjithë katërmujorin, eksportet shqiptare prekën vlerën e 82.2 miliardë lekëve, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e eksporteve këtë vit po udhëhiqet nga sektori i fasoneve. Eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” u rritën me afro 31% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, vazhdon të zërë peshën kryesore në eksporte, me 35% të totalit, por pa regjistruar rritje në vlerë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importet vazhduan edhe në Prill rimëkëmbjen, me një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2013. Për katër muajt e parë të vitit, importet prekën vlerën e 160 miliardë lekëve, në rritje 9% me bazë vjetore.

 

Rënia e ritmit

Eksportet u rritën me 11.2% si 4-mujor për periudhën janar-prill 2014, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, duke përshpejtuar lehtë ritmet në raport me tremujorin, kur rritja ishte 11%. Tekstilet dhe këpucët janë grupmalli që kanë ndikuar në 81% të rritjes, ndërkohë që grupmalli i mineraleve, lëndës djegëse e energjisë, shënoi rritje në prill, pas një rënieje në tre muajt e vitit, duke ndalur rënien si katërmujor.

Në raport me vitin e kaluar, kur eksportet u zgjeruan me 16%, më 2014, po konstatohet një ngadalësim i ritmeve të rritjes, pikërisht për shkak të performancës së dobët të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë.

Sipas statistikave, eksportet e “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 29 miliardë lekë për periudhën janar-prill, pothuajse në të njëjtin nivel me katërmujorin e vitit të kaluar, si rrjedhojë e performancës së mirë të prillit. Për tremujorin eksportet e këtij grupi ishin tkurrur me 3.5%, teksa deri në fund të 2013-ës ky tregues ishte me rritje dyshifrore.

Gjithsesi, sipas të dhënave nga kompanitë, pritet që eksportet e lëndëve djegëse të gjallërohen në muajt në vijim, duke ndjekur tendencë pozitive të prillit. Eksportet e këtij grupmalli në tre vitet fundit ka qenë udhëheqësi kryesor i zgjerimit të ndjeshëm të eksporteve shqiptare.

Fasoni vijoi rritjen e lartë u zgjeruar ndjeshëm me 30% me bazë vjetore për katër muajt e parë të vitit, për të arritur në 29 miliardë lekë, duke ndarë vendin e parë me “Mineralet, lëndët djegëse dhe energjinë”, të cilat për shkak të ecurisë së mirë të prillit e rifituan sërish pozicionin kryesor në totalin e eksporteve shqiptare, me 35% të totalit.

Sipërmarrjet vendase të tekstileve e këpucëve po i gëzohen së fundmi shtimit të porosive nga partnerët italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së Mesme.

Eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 10.7 miliardë lekë, duke iu rikthyer rënies. Si katërmujor, eksportet e këtij grupi janë tkurrur me rreth 7%. Grupmallrat e tjerë, ndonëse me një peshë të vogël në totalin eksporteve, kanë shfaqur ecuri pozitive, ku veçohen ushqimet, pijet dhe duhani, shitjet e të cilave jashtë vendit u rritën me 24%, lekë dhe ato të “Prodhime druri dhe letre”, që u zgjeruan me 55%, apo rreth 880 milionë lekë.

 

Importi

Rritja e importeve ka thelluar deficitin tregtar të vendit, që për katërmujorin ishte 78 miliardë lekë, në rritje me 7% krahasuar me vitin e kaluar. Sipas INSTAT-it, importet u rritën me 9% me bazë vjetore për katërmujorin e parë të vitit, në 160 miliardë lekë, duke ngadalësuar lehtë ritmet, në raport me tre mujorin, kur rritja ishte 10.1%, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i.

Pothuajse të gjitha grupmallrat kryesore shënuan rritje. Importet e mineraleve, lëndëve djegëse u zgjeruan me 10.4%, në 29 miliardë lekë. Importet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit u shtuan me rreth 3.75% në 28.5 miliardë lekë. Importet e tekstileve e këpucëve u zgjeruan me 25.66%, një reflektim direkt i rritjes së ndjeshme prej 30% të eksporteve të këtij grupmalli gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 19% në 20.8 miliardë lekë.

 

Rrugët, 60% e segmenteve në Shqipëri vlerësohen nën standard

Rrugët shqiptare ashtu si dhe hotelet do të vlerësohen me yje. Cilësia, siguria, sinjalistika dhe trafiku i një rruge do të llogariten në këtë vlerësim. Nëpërmjet projekti të BE-së ”Sensor”, për vitet 2011-2020 do të bëhet një evidentim dhe vlerësim i rrugëve shqiptare, sipas standardeve të BE-së. Në Tiranë u prezantuan dje rezultatet paraprake të vlerësimit të sigurisë së rrugëve në Shqipëri të realizuar nga projekti “Sensor”. Ky aktivitet u organizua nga Automobil Club Albania.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, tha se projekti “Sensor” përbën një instrument shumë të vlefshëm si në duart e politikëbërësve ashtu dhe të atyre që merren me zbatimin e ligjit në rrugë.
Gjendja

Rreth 60 për qind e rrugëve në Shqipëri, kryesisht ato që lidhin vendin me fqinjët në 600 km rrjet rrugor janë nën standardin mesatar të sigurisë rrugore, ku klasifikohen me 1-2 yje, nga 5 që është maksimalja.

Këto janë rezultatet e projektit evropian “Sensor”, që bën matjen e 40 parametrave të sigurisë rrugore në shtete evropiane. Pikërisht për rritjen e sigurisë rrugore në vend qeveria ka miratuar para pak muajsh një paketë prej 60 masash, që fokusohen në përmirësimin e elementëve të ndryshëm. Projekti “Sensor” përfundon në shtator dhe rezultatet e bëra publike janë paraprake. Skanimi i rrugëve është kryer me anë të kamerave. Nga të dhënat bëhet me dije se në 10 vitet e fundit janë regjistruar 100 mijë vdekje në rrugët e Evropës dhe në çdo orë vdes një person.

Projekti në fjalë kërkon të rrisë sigurinë rrugore në vendet e Evropës Juglindore, pasi në këto vende llogaritet një numër i lartë aksidentesh me pasojë vdekjen. Ministri Haxhinasto bëri të ditur se siguria në rrugë do të rritet duke investuar në rrugë të reja, në mirëmbajtje, por edhe në disiplinimin e trafikut dhe kontrollin e rreptë të automjeteve dhe certifikimin e tyre.
“Aktualisht situata është mjaftë kaotike dhe nuk ka absolutisht asnjë sens për përcaktimin e itinerareve dhe linjave të ndryshme të atyre që operojnë. Kemi një shpenzim mbi 40% të panevojshëm nga operatorët si rezultat i linjave që ekzistojnë sot dhe kemi trashëguar plot shumë të vjetër të automjeteve që ofrojnë shërbimin ndërqytetës. Këto sjellin një kosto dhe një mungesë shërbimi cilësor”, – tha Haxhinasto.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency