Universitetet në bllok/ Gjuhët e Huaja dhe Artet, kundër draftit, të mos rriten tarifat dhe të ruhen studimet Part-Time  

0
137

filo“Në draft parashikohet rritje e tarifave të studimit. Shteti është i detyruar të vendosë një tarifë tavan. Cila është kjo tarifë tavan dhe në fakt ky studim duhej bërë para se të sugjerohej rritja e tarifës së studimit”

 Pas Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, atij të Shkencave të Natyrës, të Drejtësisë ditën e djeshme drafti për reformën në arsimin e lartë është kundërshtuar edhe nga Gjuhët e Huaja dhe nga Universiteti i Arteve. Këshilli Pedagogjik i Gjuhëve të Huaja ka kërkuar që studimet Part-Time, të mos hiqen dhe të kihet kujdes me rritjen e tarifave, pasi do të rrezikohen studentët. Kreditë, sipas Gjuhëve të Huaja, janë një rrezik, pasi asnjë student nuk është i sigurt nëse do të punësohet pas tri viteve dhe kjo do të sjellë një kosto të lartë për shtetin, por edhe për studentin, i cili nuk do të ketë mundësi të paguajë kredinë.

 

Sugjerimet e plota të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja

Reforma në arsim është një domosdoshmëri dhe duke u nisur nga rëndësia e saj, jemi mbledhur dhe kemi diskutuar disa herë për këtë. Nga diskutimet dhe propozimet e drejtpërdrejta të stafit pedagogjik të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në lidhje me draftin për reformën e arsimit të lartë po shprehim sugjerimet tona:

 

1. Jemi të mendimit se kjo reformë duhet të përfshijë fillimisht në mënyrë rrënjësore arsimin parauniversitar dhe me pas arsimin e lartë. Në këtë mënyrë sigurohet një vijueshmëri cilësore në të gjithë sistemin arsimor shqiptar.

2. Duke u nisur nga fakti që në boshtin e një reforme për arsimin e lartë duhet të jetë aspekti pedagogjik-shkencor, theksojmë se për çdo element të këtij aspekti duhet bërë një analizë e mirëmenduar si për shembull në lidhje me përcaktimin e mesatares për pranimin në shkollën e lartë, kuotat e studentëve, tarifat e shkollimit etj. Një analizëe cilësore do të bëjë të mundur që kjo reformë të vendosë universitetin në funksion të studentit.

3. Drafti duhet të parashikojë mbështetjen e studimit dhe të kërkimit, sepse vetëm kështu sigurohet cilësia. Në material duhet të parashikohet që të jenë vetë njësitë akademike që të rregullojnë e të bëjnë transparente nxitjen dhe financimin e nismave në këtë drejtim.

4. Jemi dhe mbështesim fort mendimin se sistemi Part-Time duhet të qëndrojë dhe të rikonceptohet në thelb sipas modeleve evropiane.

5. Drafti lë të kuptosh se universitetet publike dhe ato private nuk trajtohen njëlloj, pasi universiteti publik ngarkohet me rregulla e përgjegjësi të panumërta, ndërsa universiteti privat nuk ka asnjë nga këto përgjegjësi, duke filluar nga mënyra e zgjedhjes së stafit drejtues deri tek mundësitë për shpenzimet e të ardhurave.

6. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, arsimi është e mirë dhe e drejtë publike. Mirëpo në paragrafin e financimit të draftit thuhet se shteti aktualisht ka një fond rreth 38 milionë eurosh për të mbështetur studentët në universitetet shtetërore, ndërkohë për skemën e re të financimit thuhet që: “3 do jenë grantet sipas % përkatëse (Granti i inovacionit/zhvillimit, Granti i punës kërkimore/shkencore, Granti i mësimdhënies), të cilat do to shpërndahen nga agjencitë e krijuara dhe do jenë në varësi të Ministrisë së Arsimit. Në draft nuk parashikohet se sa do jetë niveli i % së PBB-se e cila do të financohet për arsimin në vitet e ardhshme.

Aktualisht, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja financohet në masën e rreth 58% si grant i pakushtëzuar dhe 42% nga të ardhurat e kushtëzuara ku pjesën dërrmuese e përbejnë tarifat e shkollimit të studenteve, të ardhurat nga mbrojtjet e gjuhëve të huaja etj. Pra, shteti aktualisht financon jo plotësisht pjesën e pagave, sigurimeve shoqërore për punonjësit akademikë dhe administrativë me kontratë pune të plotë (për vitin 2014 ka një mungese fondi pagash rreth 3 muaj) dhe të gjitha shpenzimet e tjera si shpenzime operative, investime, pagat për punonjësit me kontratë përballohen nga të ardhurat dytësore. Në vitet e fundit është ndier një rënie e zërit “investime” si shkak i mosplotësimit të grantit të pakushtëzuar nga buxheti i shtetit dhe një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave dytësore është përdorur për përballimin e pagave.

7. Te pjesa e burimeve të financimit përmendet se një nga burimet do jenë të ardhurat si aktivitet ekonomik. Deri më sot, kuadri ligjor në Shqipëri nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Nëse ne do mendojmë që kjo reformë do fillojë aplikimin e saj në vitin e ri akademik 2014-2015 a do jetë gati edhe kuadri ligjor që lidhet me krijimin e një njësie ekonomike fitimprurëse brenda fakultetit?

8. Në draft parashikohet rritje e tarifave të studimit. Shteti është i detyruar të vendosë një tarifë tavan. Cila është kjo tarifë tavan dhe në fakt ky studim duhej

bërë para se të sugjerohej rritja e tarifës së studimit(?). (Aktualisht në koston e përllogaritur të shkollimit për 1 student në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë e cila është 92.500 lekë/student/vit, tarifa e shkollimit është 17.930 lekë/student/vit. Pra do jetë shumë e vështirë të afrohet tarifa e studimit me koston reale të shkollimit).

9. Në draftin në fjalë thuhet se shteti në kuadrin e politikave publike duhet të financojë dhe mbështesë: a) një pjesë të studentëve me të ardhura të pakta (bursat sociale) dhe studentët e talentuar (bursat e ekselencës). Pra, nuk parashikohet asgjë në lidhje me kategoritë përjashtuese siç janë invalidët, ish-të përndjekurit politikë, të verbër etj. Nga një përllogaritje e këtyre kategorive kosto për vitin 2014 shkon rreth 4.800.000 lekë të cilat përballohen nga të ardhurat dytësore të fakultetit.

10. Thuhet se skema do parashikojë përfshirjen e skemës së kredive për studentin. Kreditë studentore duhet të jenë të hapura për të gjithë ata të cilët janë regjistruar në sistemin “Bachelor” në universitetet publike dhe private. Shteti duhet të shërbejë si garant në banka në mënyrë që kreditë të jenë me interes 0 dhe të paguhen kur studenti të fillojë punë. Mirëpo, së pari: duket e parealizueshme në kushtet e kreditimit që bankat e nivelit të dytë tek ne ofrojnë, sepse kredia do jetë me një risk të lartë kur studenti nuk e ka të sigurt vendin e punës pas 3 vitesh.

Së dyti: thuhet se shteti duhet të dalë garantor për studentët në universitetet private, të cilat janë veprimtari private fitimprurëse, dhe si të tilla shprehim bindjen se duhet të jenë vetë universitetet private të cilat duhet të dalin garant për studentët e vet.

11. Duke qenë se deri më tani në Shqipëri nuk ka një traditë filantropike të përhapur ku biznesmenë të suksesshëm ofrojnë donacione të konsiderueshme për universitetet në mënyrë që këta të fundit të funksionojnë pa u përballur me kufizimet buxhetore të shtetit, përpos situatës kritike ekonomike në vend dhe rajon, mënyra e financimit me donatorë duket gati fare e pamundur.

14. Pika në lidhje me provimin e gjuhës së huaj: Provimi i gjuhëve të huaja që zhvillohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ka nisur që në vitin 1962 dhe jo pas viteve ‘90, siç nënvizohet në draft. Dëshmia që lëshon Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është dëshmi për nivelin e njohjes së gjuhëve të huaja. Në tregun shqiptar ka mjaft qendra të gjuhëve të huaja që lëshojnë dëshmi të tilla, të licencuara apo të palicencuara. Jemi të mendimit se për këto shërbime, siç është shërbimi që aktualisht kryen FGJH, nuk duhet të bëhen pjesë të këtyre drafteve dhe aq më shumë pjesë e ligjit, pasi institucionet e arsimit të lartë kanë autonomi akademike dhe përzgjedhin vetë llojet e shërbimeve që duan të kryejnë, në shërbim të tregut dhe të qytetareve.

15. Krijimi i bordeve dhe komiteteve të ndryshme do të fryjë aparatin e menaxhimit me kosto financiare shtesë, të cilat do të përballohen nga vete IAL-të në kushte të pamundësisë financiare.

16. Në tërësi konstatojmë probleme të thella në konceptimin dhe implementimin e kësaj projekt-reforme.

 

Artet, Malaj: Të mos krijohen dy struktura paralele, sjell konflikt

Drejtuesit dhe pedagogët e Universitetit të Arteve janë shprehur kundër draftit të ri për arsimin e lartë. Pedagogët janë shprehur kundër edhe ndërhyrjes së bordeve në menaxhimin e fondeve. Sipas tyre, nuk duhet të krijohen struktura paralele. ”Duhet pasur kujdes fakti që të mos krijohen dy autoritete paralele, të cilat nesër në një konflikt të mundshëm mund të çojnë në paralelizim të institucionit”, – tha Petrit Malaj, rektor i Universitetit të Arteve. Gjatë diskutimeve, pedagogë të këtij Universiteti u shprehën edhe kundër sistemit aktual të pranimeve. Ata thanë se ky sistem ka sjellë studentë të dobët në Universitetin e Arteve. Përballë kësaj situate, anëtarët e komisionit deklaruan se e vetmja zgjidhje do të jetë që kriteret e pranimeve do t’i vendosin vetë universitetet. “Të paktën për 3-vjeçarin e parë është 100% eksplicite, në mënyrë absolute financimi nga buxheti i shtetit është një akt vetëm për institucionet publike”, – tha Ervin Demo, anëtar i Komisionit të Reformës së Arsimit të Lartë. ”Pranimin dhe kriteret e pranimit i keni tashmë ju. Në qoftë se nuk do të pranoni se nuk do të jetë nota mesatare, por në institucion jeni të lirë t’i pranoni ato që ju mendoni, nuk do të ndërhyjë më ministria në pranime”, – tha Aleksandër Xhuvani, anëtar i Komisionit.

 

Pezullohet drejtoresha e Zyrës Arsimore të Tiranës

Pezullohet nga detyra Mimoza Kuqi, drejtoresha e Zyrës Arsimore në Tiranë. Vendimi për pezullim nga detyra Mimoza Kuqit i është dhënë nga sekretari i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca. Emërimi i drejtoreshës së Arsimit në Tiranë ka hedhur hije dyshimi lidhur me konkurset që zhvilloi Ministria e Arsimit për 12 drejtorët. Ky dyshim erdhi pas zbulimit se Mimoza Kuqi dhe një sërë drejtorësh të tjerë në vend ishin përzgjedhur falë njohjeve apo kontributit që kishin dhënë gjatë fushatës elektorale për Partinë Socialiste.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency