Kostoja politike, dy artistë dhe faturë e kripur në Bienalen e Venecias  

0
125

ardian paci dhe edi hilaDy artistë shqiptarë prezantojnë “arkitekturën” e Shqipërisë në Bienalen e Venecias. Edi Hila me “Penthouse” (Shtesat), një seri pikturash dhe Adrian Paci me video/instalacionin “The column” (kolona). Buja e këtij lajmi qëndron më shumë në kuratorët e saj, Beyond Entropy, fitues i “Luanit të Artë” në Bienalen e Artit, Venecia 2013, që marrin përsipër kurimin e pavijonit shqiptar, si duket me një kosto të lartë financiare

 Dy artistë shqiptarë prezantojnë “arkitekturën” e Shqipërisë në Bienalen e Venecias. Edi Hila me “Penthouse” (Shtesat), një seri pikturash dhe Adrian Paci me video/instalacionin “The column” (kolona). Buja e këtij lajmi qëndron më shumë në kuratorët e saj, Beyond Entropy, fitues i “Luanit të Artë” në Bienalen e Artit, Venecia 2013, që marrin përsipër kurimin e pavijonit shqiptar, si duket me një kosto të lartë financiare.

Beyond Entropy Europe propozoi që Shqipëria të përfaqësohej me dy artistë, dhe jo arkitektë, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia – duke u konsideruar një interpretim i gjetur i temës së kësaj ekspozite përcaktuar nga kuratori i saj, Rem Koolhaas, “Absorbing Modernity: 1914 – 2014” (“Absorbimi i Modernitetit: 1914 – 2014”), i cili ishte shprehur se: “Fundamentals” (titulli i ekspozitës që do të kurohet prej tij) do të jetë një bienale që do t’i kushtohej arkitekturës dhe jo arkitektëve.”

Për artistët shqiptarë dje është bërë prezantimi para mediave në Ministrinë e Kulturës, mbështetësja e saj si dhe Këshilli i Ministrave me një fond prej 65 mijë euro! Duket si një “nxitje” e blerë për promovim meqë në qershor pritet dhe vendimi për statusin e kandidatit të Shqipërisë në BE. Ky është edicioni i 14-të i Bienales e cila hapet më 7 qershor deri më 23 nëntor. Megjithëse nuk është hera e parë e dy artistëve në Bienale, ata janë shprehur se kjo është ngjarje e rëndësishme për artin shqiptar.

“Në mendjen time filloi të merrte formë imazhi i një skulpture mermeri, gdhendur gjatë një udhëtimi në oqean. Kështu vendosa ta kthej këtë imazh në realitet”, ka thënë artisti, Adrian Paci. Duke përjetuar më shumë transformimin e urbanizimit shqiptar, duke ndërhyrë me ndjeshmërinë e tij Hila është shprehur se vepra e tij buron nga një realitet shumë kompleks, politik e social. “Nuk do të isha i vërtetë jashtë këtij konteksti. Shoqëria shqiptare po kalon momente të vështira tranzicioni, e për këtë arsye është një burim pafund problemesh, situatash që zhvillohen në një sfond tepër ekspresiv, me ngarkesa të forta emocionale”.

Ndërsa prania shqiptare në ngjarjen e Venecias për ministren Kumbaro në kontekstin politik merr “rëndësi jo vetëm kulturore, por edhe kombëtare”. Këtë pritshmëri e lidh me përpjekjen politike për t’u bërë pjesë e BE-së. Për këtë kontekst duket se janë hedhur paratë e bërë rrugën e imazhit më tepër, pasi vazhdimësia mbetet gjithmonë evazive nëse brenda saj nuk ka përfitime politike. Si ky rast, që më shumë i ngjan përdorimit të artistit se sa ndjeshmërisë për kulturën ballafaquese të qëndrueshme, atë që nuk e vret ky realitet.

Megjithatë kemi përballë saj, hulumtimin artistik të Edi Hilës dhe Adrian Pacit, të cilët ofrojnë një mënyrë të re për të lexuar shtigjet e ndërprera të modernitetit në Shqipëri. Pavijoni shqiptar eksploron se si është përthithur arkitektura falë një reflektimi mbi dinamikën socio-kulturore të modernizmit, element thelbësor ky në punën e të dy artistëve. Ardhmëritë e parealizuara janë premtimet e modernitetit, pjesërisht të realizuara, por asnjëherë të përfunduara. Artistët ftojnë vizitorët të ndërthurin referenca reale dhe referenca të ndërtuara, të kaluara dhe të sotme, tregime imagjinare dhe lexime formale të qytetit përtej gjuhës tradicionale të përfaqësimit arkitektonik. Duke ndalur vështrimin në hapësirat e mbetura, në proceset e ndërtimit dhe të elementeve të papërfunduara, ata ndryshojnë këndvështrimin e arkitekturës tradicionale. Planet e fragmentuar dhe të parealizuar, janë kushtet bazë të një hapësire të re, bazuar në konceptin e vlerës potenciale si qëllim ruajtjeje dhe jo vetëm si një fazë përgatitore e të sotmes. Qëllimi i kësaj ekspozeje është që të zhvillojë një pikë të re të mendimit për sa i përket arkitekturës urbane në qytetet shqiptare.

Adrian Paci prezanton video-instalacionin “Kolona”, një përrallë vizionare që flet për delokalizimin e punës, transformimin e traditave dhe ballafaqimin mes kulturave, një metaforë vizuale dhe enigmatike.

Edi Hila prezanton “Penthouse” (Shtesat) – cikli i tablove që sjellin një vështrim në urbanistikën “postmoderne” shqiptare. Në veprat e Hilës tregohen pallate të larta, nga ato që kanë mbirë kudo në Tiranë, mbi tarracat e të cilëve janë ndërtuar apartamente shtesë.

Edi Hila është marrë pikërisht me këto “ndërtime të paligjshme”, sipas terminologjisë lokale, për t’i sjellë në tablo si krijesa që tregojnë një aspekt dominues të problematikës sociale dhe arkitekturore me të cilën janë përballur qytetet tona këto vite.

Në këtë rast dje u tha se Ministria e kulturës do jetë pjesë e vazhdueshme e mbështetjes që Shqipëria të përfaqësohet çdo vit në Venecia. Ky pavijoni hapet në një nga pallatet më të rëndësishëm të Bienales, siç është Arsenale, që ka numrin më të lartë të vizitorëve.

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, mes të cilave Bienale e Venecias (1999), “After the Wall” në Muzeun Modern Stokholm (1999), në muzeun Hamburger Bahnhof të Berlinit, në muzeun Ludwig të Budapestit (2000), “Blood and Honey – Future’s in the Balkans” në muzeun Essl të Vienës (2003), dhe në Bienalen e Liverpulit (2010). Veprat e tij bëjnë pjesë në koleksione të Qendrës Pompidou, Ville de Paris, René Block dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë.

Adrian Paci ka lindur në Shkodër, Shqipëri në vitin 1969. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare. Disa nga ekspozitat e tij personale më të rëndësishme mund të përmendim:

“Adrian Paci” PS1, MOMA, New York (2005); “Motion Picture(s)”, Kunsthaus Zurich (2010); “Lives in transit”, Jeu de Paume, Paris (2013); MAC, Musée d’art contemporain de Montréal, Montréal (2014). Ekspozita kolektive: Bienale e Venecias (2005); “Street and studio in urban history of photography”; Tate Modern, Londër (2008); “Unfinished Journeys”, National Museum of Arts, Oslo (2012); dhe “Neighbours”, Istanbul Museum of Modern Art, Istanbul (2014). Kuratorët që mbështesin pavijonin shqiptar “Beyond Entropy” është një agjenci kërkimi në arkitekturë, urbanizëm dhe në fushën e analizave kulturore, që përdor konceptin e energjisë si një mjet për të hartuar forma të reja të arkitekturës përtej retorikës së qëndrueshmërisë.

 Re. Ku.

 

Bukuria e natyrës së Tashos

Natyra shqiptare nëpërmjet fotografisë është ekspozita që hapet të martën ne Ericeira-mafra një nga pikat më turistike të Portugalisë e fotografit Roland Tasho.

Sipas ambasadorit tonë në Portugali, z. Edmond Trako, Galeria është në qendër të Lisbonës, një nga ndërtesat më të bukura të qendrës. Mbas çeljeve të ekspozitave të njëpasnjëshme turistike për promovimin e turizmit në Moskë e San Petërburg dhe Selanik (viti 2013) radha është Portugalia e vlerësuar për turizmin e saj. Tasho vjen me këtë ekspozitë me natyrën e bukur shqiptare, arkeologjinë, arkitekturën e qyteteve tona si p.sh. Berat, Gjirokastër, Krujë etj., Bregdetin e mrekullueshëm dhe njëkohësisht Alpet tona. Është hera e parë që hapet një ekspozitë me një tematikë të tillë nga një fotograf shqiptar. E njëjta ekspozitë do të rihapet në një vend tjetër, në një pikë tjetër turistike, siç është Palacio Fox, Praça dos Restauradores, Lisbonë. Kjo do të hapet në datën 30 maj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency