Duro: Tani te Partizani vendos unë

0
98

shpetim_duroTrajneri i të kuqve është shprehur gjatë prezantimit se ai do të drejtojë gjithçka te skuadra e kuqe ku tashmë do të ketë edhe rolin e menaxherit. Ai njoftoi se disa prej lojtarëve aktualë nuk do të jenë më pjesë e skuadrës, pasi nuk i përshtaten mënyrës se si ai punon

 Tashmë gjithçka ndryshon te Partizani. Kjo, pasi gjithçka do të përqendrohet në duart e Duros. Trajneri i ri u prezantua dje bashkë me blerjen e re, Idriz Batha. Nga fjalët e teknikut tashmë gjithçka duket se do të ndryshojë fytyrë te ekipi. Ndryshe nga Sampajo, Duro do të jetë “bosi” i klubit të kuq. Kjo, pasi me kompetencat e marra do të ketë gjithçka në dorë, duke pasur parasysh këtu edhe fatet e lojtarëve. Një drejtim që shikohet shumë në Premier Ligën angleze, aty ku menaxherët kanë gjithçka në dorë. Drejtimi i mirë i skuadrës së Shkëndijës duke arritur ta çojë në zonën Europa Ligë duket se e ka arritur shumë statusin e trajnerit. Kjo, për arsye se pas Hasit është një ndër teknikët e pakët shqiptarë që ka arritur të marrë rezultate jashtë Shqipërisë. Presidenti Gazmend Demi gjatë prezantimit të trajnerit të ri zbuloi para mediave se Duro do të ketë edhe rolin e menaxherit, pra do të jetë fuqiplotë në vendimmarrje. Kjo, në funksion të ndërtimit të një skuadre që do të pretendojë trofetë madhorë, Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, sezonin e ardhshëm. Numri një i klubit dhe ish-trajneri i Shkëndijës së Tetovës firmosën kontratën 3-vjeçare në prani të mediave dhe një numri të konsiderueshëm tifozësh të kuq, që nuk e fshehën entuziazmin në momentin e shtrëngimit të duarve. “Shpëtim Duro do të jetë menaxher-trajner. Klubi e ka konceptuar në mënyrë të tillë rolin e tij, pasi Duro do të ketë dorë të lirë për të vendosur mbi lojtarët që do të bëhen pjesë e Partizanit”. Në fjalën e tij Duro theksoi se po merrte një përgjegjësi të madhe mbi supe, pasi nga ky moment do të jetë ai “Gaz Demi” i Partizanit. “Nga ky moment, në mënyrë figurative do të jem unë Gaz Demi i Partizanit. Është një përgjegjësi e madhe, pasi duhet të ndërtojmë një ekip pretendent, që do të kërkojë të fitojë Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë”. Para se të rikthente Duron në shtëpi, Partizani rikonfirmoi 10 futbollistë të sezonit të kaluar, por trajneri i të kuqve paralajmëroi largime. Kjo, pasi te grupi aktual ka ende lojtarë që nuk u përshtaten ideve të tij. “Kam parë që klubi ka rikonfirmuar një pjesë të mirë të lojtarëve që mbyllën sezonin, por për mua nuk është rikonfirmuar asgjë. Ka lojtarë që nuk u përshtaten ideve të mia, ndaj është më mirë që ata të luajnë në një ekip tjetër”. Për sa u përket përforcimeve apo zërave për afrimin e mundshëm të Prognit, Muzakës dhe Karabecit, 54-vjeçari sqaroi: “Këta lojtarë janë të njohur në futbollin shqiptar, por unë nuk konfirmoj bisedimet me asnjë prej tyre. Tani që ata e kanë marrë vesh që unë jam trajner i Partizanit, nëse kanë interes, mund të vijnë të bisedojnë. Partizani nuk do të marrë lojtarë që na lusin, por elementë që ne i mendojnë të vlefshëm dhe që i lusim ne”. Me këtë rast Partizani prezantoi edhe blerjen më të re, mesfushorin Idriz Batha, i cili do të mbajë veshur fanellën më numër 10, ndërsa Arbnor Fejzullahu nuk ishte i pranishëm për arsye objektive. “Unë kam qenë edhe më parë pjesë e Partizanit, por tani është ndryshe. Kam ardhur këtu për një Partizan kampion”. Kështu, Partizani pritet që të jetë një ndër pretendentët kryesor për fitimin e titullit.

 

“Marcana”, ende i papërfunduar

Edhe pse jemi 16 ditë larg fillimit të Kupës së Botës “Brazil 2014” infrastruktura nuk duket ende gati dhe për më tepër stadiumi mitik “Maracana” që do të presë edhe finalen e madhe të 13 korrikut. 19 ditë nga ndeshja e parë, Argjentinë-Bosnjë, fusha e mitikut të Rio de Zhanejros është në një gjendje tronditëse, çka i ka bërë jo me pak dhembje koke organizatorët dhe FIFA-n. “Maracana” ka pritur 37 ndeshje nga 19 janari deri më 18 maj në një periudhë prej 17 javësh. Ndërkohë që “Emirates Stadium” i Arsenalit ka pritur 29 ndeshje, ndërsa “Old Trafford” 26.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency