Vrasja e Julian Çunit/ Familjarët: Të zhgënjyer dhe të tronditur nga vendimi i Gjykatës  

0
135

Anxhela Tato

julian cuniBilal Çuni: Nëse Klodjan Morina do të ishte i çmendur, siç pretendon avokati, pse tentoi t’i fshihej policisë

 Rrëfimi i babait të faturinos: Dënimi i Gjykatës me 22 vjet burg në total qesharak, jeta e njeriut u shumëzua me 0

 Dy vjet nga vrasja e faturinos Julian Çuni dhe aspak qetësi për familjen e 17-vjeçarit, të cilët kanë mbetur të tronditur nga strategjia që po përdor avokati i autorit kryesor, sipas së cilit Klodjan Morina është me probleme mendore. Bilal Çuni, babai i viktimës, zgjedh të flasë duke bërë me dije përjetimet dhe perceptimin e tij për mënyrën se si kjo çështje po trajtohet nga organet e drejtësisë. Ai shprehet shumë i irrituar dhe i tensionuar për faktin sesi mund ta quash të sëmurë mendor një person, i cili tentoi t’i fshihej policisë dhe në momentin e arrestimit kishte armë me vete. “Është jo logjike sesi mundet që një person me probleme psikike të kërkoj të arratiset, pasi ai nuk është i përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm për çka kryen. Pra nëse Klodjan Morina do ishte i çmendur pse do tentonte të kalonte kufirin për tu mos u arrestuar nga policia. Për më tepër kur në seancën gjyqësore të masës së sigurisë ai ka folur duke mohuar të ketë bërë krim. Nëse Klodjan Morina do të ishte me probleme, atëherë ai nuk do të ishte i aftë që të pohonte apo mohonte autorësinë e krimit. Më duket e pabesueshme sesi po përdoret ky version nga avokati, që autori kryesor i krimit të shpëtojë dhe të mos dënohet. Provat filmike janë faktet që tregojnë se kush ka qëlluar i pari djalin dhe i ka dhënë goditjen finale. Për mua është e rëndë që ta rikujtoj atë skenë, por jam i detyruar për sa kohë dëgjoj këto padrejtësi dhe gjëra të pështira. Organet e drejtësisë duhet të kuptojnë se u vra një i ri, i cili po punonte për të nxjerrë bukën e gojës, një djalë që nuk u konfliktua me askënd”, – shprehet Bilal Çuni.

 

Vendimi i Gjykatës

Familjarët janë të zhgënjyer nga masa e dënimit që kanë dhënë togat e zeza me vetëm 24 vjet heqje lirie. Për ta ky vendim është shumë qesharak dhe tallës me një fatkeqësi dhe plagë që nuk do të mbyllet kurrë. “Mua më vranë djalin për 150 lekë që nuk donin t’i paguanin. Gjykata i dënon me nga 10 vjet dhe 7 vjet heqje lirie. Nuk e di por për mua kjo është një tallje dhe ofendim, mbi të gjitha për djalin tim që po prehet në dhe. Nuk e kuptoj se si për dikë që gjendet me drogë ka dënime nga 15 vjet burg, ndërsa për vrasësit ulen gjithnjë e më shumë vitet e burgut, dhe ajo çka ndodh është hasmëria. Askush nuk mund ta fal gjakun e njeriut të dashur, kur është vetë drejtësia ajo që detyron kalimin në vetëgjyqësi. Madje i bëj thirrje gjykatës që më mirë t’i lërë të lirë, sepse për mua 10 vjet burg është pa vlerë, është e barasvlershëm me 0 dhe me ofendim. Organi i akuzës ka sjellë dëshminë e shoferit, i cili ka shpjeguar me detaje sesi iu morr jeta djalit nga disa persona që nuk donin të paguanin biletën. Pra djali im as nuk kishte konflikte dhe as probleme me ta, e vranë sepse nuk donin të jepnin lekët. Ka edhe dëshmi të disa grave dhe madje janë pamjet filmike. Edhe pse gjithë këto prova, jepet një masë dënimi e turpshme, pra jeta e njeriut është e pavlerë, duke qenë se vetë dënimi është i tillë. Ajo që dua të them është se gjaku i djalit nuk mbetet pa u shlyer. Ky dënim është një vrasje e dytë për ne dhe thellim i asaj plage që kam në zemër, por asgjë nuk harrohet”, – përfundon fjalinë e tij babai i Julian Çunit.

 

Vrasja për 150 lekë

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 25 nëntorit 2012, në Rrugën e Durrësit. Policia thotë se në vrasje kanë marrë pjesë 4 anëtarë të familjes Morina. Motivi i sherrit mes Sulejman, Klodian, Hasan e Behar Morinës nga njëra anë dhe Jualian Çunit nga ana tjetër, ka ndodhur për shkak të një bilete prej 150 lekësh. Viktima punonte si faturino në linjën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas. Pranë zonës së Zogut të Zi, në furgon kanë hipur 4 pasagjerë të familjes Morina. Më pas ata kanë zbritur disa metra më poshtë, por faturinoja u ka kërkuar paratë, sepse automjeti ishte nisur drejt Durrësit posaçërisht për ata. Pasagjerët nuk kanë pranuar dhe si pasojë e kësaj, situata ka degjeneruar në përleshje fizike. Gjatë zënkës, njëri prej tyre e ka qëlluar me thikë, duke i marrë jetën 17-vjeçarit Julian Çuni. Autorët e dyshuar të krimit janë larguar me një automjet tjetër drejt qytetit të Durrësit. Vrasja është regjistruat nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e krimit. Ndërkaq, babai i viktimës, Bilal Çuni, gjatë gjithë kohës ka qenë mjaft i shqetësuar që Klodjan Morina ishte i lirë. Shpeshherë ai ka kërkuar arrestimin e 19-vjeçarit, i cili dyshohet se ka qëlluar me thikë në drejtim të Çunit. Ai ndihet disi i lehtësuar dhe falënderon pa pushim policinë, por është i pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila ka dënuar me 24.4 vite burg dy djemtë dhe kryefamiljarin e familjes Morina. Më 11 shkurt të këtij viti, trupi gjykues ka dënuar me 10 vite burg shtetasin Klodian Morina, 7 vite burg është dhënë për kryefamiljarin Sulejman Morina dhe 7.4 vite burg për djalin tjetër, Behar Morina.

 

Zvicër/ Kapen me 5.5 kg heroinë, pranga 2 vëllezërve

 Dy vëllezër shqiptarë, 21 dhe 27 vjeç, janë arrestuar në Zvicër, pasi u është gjetur një sasi heroine prej 5.5 kg heroinë e paketuar për shitje. Kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur nga policia e Gjenevës javën e kaluar. Mbrëmjen e 22 majit, inspektorët e policisë vunë re një person të dyshimtë në rrugën “Bois-de-la-Chapelle” në Onex. Ata vendosën ta ndjekin, por sapo ka pikasur forcat e policisë, i riu shqiptar ka nxituar të largohet. Por vetëm disa minuta më pas 21-vjeçari është kapur nga policia dhe në çantë i janë gjetur 365.5 gramë heroinë e paketuar për shitje. Një ditë më pas, forcat e policisë u rikthyen në vendngjarje për të zbuluar vendbanimin e të riut, por aty pikasën edhe shqiptarin tjetër, të cilit i është gjetur një çantë me drogë. 27-vjeçarit shqiptar iu gjetën 7 pake heroinë me peshë 4180 kg, 1 top hokeji, ku kishte 335 gramë heroinë, dhe disa paketime të vogla të mbushura me heroinë, të paketuara gati për shitje. Në total heroina e sekuestruar është në masën 5.5 kg, dhe kap vlerën e 400 mijë frangave, sipas deklaratës së policisë.

 

Tiranë/ Kapet pronari i një lokali me 3 kallëpe tritol, do t’i tregtonte

 Policia e Tiranës ka sekuestruar 3 kallëpe tritoli në një lokal në rrugën “Him Kolli”. Aksioni i Antiterrorit të policisë së kryeqytetit i zhvilluar në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, është mbështetur edhe nga shërbimet e Komisariatit Numër 3. Policia raportoi se ishte arrestuar pronari 35-vjeçar i lokalit, Saba Lami. Burimet policore thanë se hetimet janë fokusuar në objektin për të cilin do të përdoreshin 3 kallëpet e eksplozivit të mjaftueshme për të realizuar eliminime fizikë të personave në automjete, si edhe shpërthime me dëme dhe pasoja të rënda në banesa dhe lokale. Lajmi, mësohet se nuk ka dhënë shpjegime për oficerët e policisë rreth këtyre motiveve, duke e rënduar edhe pozitën e tij pas arrestit me akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

 

Berat/ Sekuestrohen 82 rrënjë kanabis dhe municione, pranga 2 poseduesve

Sekuestrimi i 82 rrënjë të bimës kanabis sativa, dy automatikëve tip Kallashnikov, një sasie të konsiderueshme fishekësh, si dhe prangosja e poseduesit. Ky ishte bilanci i një operacionit të policisë së Beratit të finalizuar me sukses mesditën e djeshme, ndërsa në pranga ka përfunduar 24-vjeçari Armand Velcani. Në oborrin e banesës tij u gjet sasia e bimëve narkotike, ndërsa “A1 Report” sjell pamje të materialeve të sekuestruara në banesën në fshatin Bistrovic. Aksioni është organizuar në kuadër të luftës kundër bimëve narkotike, armëve dhe municione të ngelura nga viti 1997. U sekuestruan 82 rrënjë kanabis sativa, të mbjella në një parcelë në oborrin e banesës dhe rezulton të kapin një peshë prej 360 gramë kanabis; 2 automatikë kallashnikovë, model 56; 229 copë fishekë 7.62 mm; 25 copë fishekë 9 mm; 3 copë fishekë arme gjahu 12 mm dhe 20 kapsolla.

 

Tiranë/ Makina e policisë plagos kalimtarin

 Një person ka mbetur i plagosur rëndë, pasi është përplasur nga një automjet në kryeqytet. Kalimtari ishte duke ecur tek vijat e bardha në afërsi të Gjykatës së Tiranës, në momentin kur është goditur nga makina. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30. Mësohet se makina që ka përplasur këmbësorin drejtohej nga një efektiv policie, i cili është shoqëruar në komisariat për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen. Kalimtari i plagosur është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency