Tryeza me ekspertët / PD dhe LSI kundër PS-së për ndryshimet kushtetuese  

0
101

Florenc Drizari

reforma kushtetueseXhafaj: Ne kemi vullnet për një reformë të tillë

 Bylykbashi: Prioritet sot është zbatimi i Kushtetutës

 Politikanë nga parti të ndryshme në Shqipëri, konstitucionalistë si dhe ekspertë të huaj zhvilluan dje një tryezë të përbashkët diskutimesh për ndryshimin e Kushtetutës, duke rihapur kështu debatet mbi ligjin themeltar të shtetit. Juristi Gent Ibrahimi, drejtor ekzekutiv, IPLS, si dhe një nga iniciatorët e kësaj nisme, ngriti pyetjen nëse “ka apo jo nevojë për një reformë kushtetuese”, ndërkohë që përgjigje të ndryshme dhanë përfaqësues të klasës politikë në vend. Deputetët të opozitës mbajtën qëndrimin se zbatimi i Kushtetutës është më i nevojshëm, ndërkohë që përfaqësues të së majtës u shprehën të gatshëm për ndërmarrjen e një reforme të tillë.

“Unë vetë besoj dhe qëndrimi që dua të ndaj këtu me ju, është që, në fakt, prioritet aktual sot në Shqipëri është zbatimi i Kushtetutës”, – tha deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, theksoi: “Nëse ka apo jo vullnet politik për një reformë të tillë, unë jam këtu për ta thënë shkurt fare: Po, ne kemi vullnet për një reformë të tillë”. Ndërkaq, një qëndrim paksa ndryshe mbajti përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, i cili e quajti të ezauruar ketë shqetësim, paçka se kujtoi ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, të cilat kjo forcë politike i ka quajtur të padrejta.

“Unë besoj që është ezauruar ky ushtrim. Në grupin politik ku bëj pjesë, sigurisht më dhemb kjo, sepse do të doja të kishim sigurisht disa ndryshime, të paktën të karakterit anti-2008”, – tha Ylli Manjani, zv.ministër i Transporteve.

Argumentet kryesore për reformën kushtetuese kanë qenë rishikimet që iu bënë Kushtetutës në 2008-ën, krizat e përsëritura në marrëdhënien e Parlamentit me prokurorin e Përgjithshëm, zgjedhjen e Avokatit të Popullit apo emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me këta të fundit ende ka një “përplasje” mes mazhorancës dhe kreut të shtetit. Shumë dekrete të Presidentit janë rrëzuar me forcën e votave të majta në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që nga ana tjetër nuk kanë qenë të pakta rastet kur Presidenti nuk ka dekretuar propozime për ambasadorë në disa vende të ekzekutivit apo duke kthyer projektligje për rishikim në Kuvend.

Lidhur me konferencën e djeshme për ndryshimet në Kushtetutën e vendit, konstitucionalistët theksuan nevojën e përcaktimit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ose problematika që lidhen me rotacionin e Gjykatës Kushtetuese, të themi të drejtën s’ka asnjë dispozitë deri më sot; Kushtetuta ia referon ligjit, ligji ia referon Kushtetutës”, – deklaroi Aurela Anastasi, profesore e Të Drejtës Kushtetuese. Gjithashtu, në këtë tryezë edhe ekspertë të tjerë mbështetën nevojën për ndryshime në ligjin themeltar të shtetit, por me kushtin që këto ndryshime t’u nënshtrohen konsultave të gjera dhe të ketë mbështetje politike nga subjektet kryesore në vend.

 

Gent Ibrahimi

“Në mënyrë që vendimi eventual për të ecur përpara në rrugën e reformës të mos shndërrohet në një tjetër ndasi politike këtu në Shqipëri, si shumë të tjera që kemi parë deri më tani, është e rëndësishme që t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, që unë shtrova pak më lart. Pra, objektivisht, ka apo nuk ka nevojë për reformë kushtetuese në Shqipëri?”

 

Alfred Moisiu

“Zgjedhja e Presidentit të Republikës është bërë një pazar politik. Ishte në Kushtetutë, për mendimin tim jo keq, por ne gjykojmë që Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, – theksoi ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

 

 Grupi i kontrollit/ Mazhoranca bën “paqe” me SHISH-in, deputetët të kënaqur me bashkëpunimin

 Vijon kontrolli në SHISH, inspektohen dokumentet

 Një grup deputetësh nga Partia Socialiste, njëherësh anëtarë të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, shkuan sërish në strukturat e SHISH-it për të kontrolluar veprimtarisë e shërbimeve të inteligjencës. Në grupin e kontrollit bëjnë pjesë deputetët Piro Lutaj, Xhemal Qefalia e Pjerin Ndreu, ndërkohë që deputetët e opozitës nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e këtij komisioni, madje ata e kanë cilësuar këtë nismë të mazhorancës si një sulm ndaj institucioneve. Takimi i djeshëm i deputetëve në strukturat e SHISH-it erdhi pas prezantimit të objektit të punës të bërë disa ditë më parë, ndërsa në këtë mbledhje ata kërkuan kontrollin e dokumenteve. Të kontaktuar nga gazeta, përfaqësuesit e mazhorancës shprehen të rezervuar për vetë objektin e hetimeve dhe institucionin në të cilin po ushtrojnë të drejtat e tyre si ligjvënës, por në vija të përgjithshme deputetët theksuan se bashkëpunimi me SHISH-in po ecën sipas parashikimeve dhe nuk kanë pasur pengesa.

Deputetët socialistë po inspektojnë këtë institucion mbi ligjshmërinë e një shkrese sekrete të dhjetorit 2013, dërguar drejtorëve të SHISH-it në prefektura, ku kërkohet informacion për drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Ngritja e një grupi hetimor për të ushtruar kontroll në Shërbimin Informativ për veprimtarinë e tij u miratua me votat e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë më 23 Prill. Deputetët e opozitës e braktisën mbledhjen dhe nuk pranuan të japin emrat që do të ishin pjesë e grupit hetimor. Në këtë mbledhje, kur u ngrit edhe grupi hetimor, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka kritikoi ashpër komisionin në fjalë si nga ana ligjore, ashtu edhe nga qëllimet politike ku sipas tij, kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, po vihet nën presion nga krerët e mazhorancës për shkak se ai u emërua në kohën e qeverisjes së djathtë.

Më herët në mbledhjen e javës së kaluar të grupit parlamentar socialist u mësua se ka qenë vetë Kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që të shmanget protagonizmi mediatik në lidhje me hetimet në shërbimet e inteligjencës. Në intervistën e fundit televizive të Kryeministrit është thënë gjithashtu se marrëdhëniet me kreun e këtij shërbimi janë normale dhe se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit nga qeveria, pritet të sjellë disa ndryshime pozitive në lidhje me trajtimin dhe koordinimin e informacioneve të klasifikuara nga disa shërbime të inteligjencës që operojnë në vend. Qëndrimet e kreut të qeverisë Edi Rama ndaj këtij shërbimi duket se nuk janë më aq të tensionuara publikisht sa disa javë më parë, kur ai ka thënë se puna e këtyre strukturave nuk i është përgjigjur zhvillimeve të kohës. Në këtë linjë kanë qenë edhe deklaratat e mëparshme të ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, i cili ka theksuar se nuk ka pasur asnjë informacion nga SHISH-i në muajt e parë të qeverisjes së majtë, lidhur me atentatet kriminale me tritol ndaj disa shtetasve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency