PSG nuk ndalet, pas Luizit kërkon dhe Hazardin

0

Jurges Veizaj

Loading...

Klubi francez arriti që të blinte qendërmbrojtësin e londinezëve, ndërsa tani po vihet në kërkim të yllit tjetër të Çelsit

 

Eden-Hazard_2799615Merkatoja ende nuk ka nisur dhe duket se kanë ardhur goditjet e mëdha. Hapin e parë e shënoi PSG, që arriti të merrte nga Çelsi David Luizin. Qendrori brazilian ka tri vite te anglezët dhe ka treguar që është një ndër më të mirët në llojin e tij. David Luiz foli për herë të parë për transferimin e tij nga Çelsi te Paris Sent Zhermeni, ku rezervoi fjalët të më mira për londinezët. 27-vjeçari, i cili do të jetë pjesë e Brazilit në Kupën e Botës, tha se në Paris e presin sfida të reja, të cilat dëshiron t’i shijojë. “Dua të falënderoj Çelsin për bashkëpunimin e shkëlqyer për 3 vite e gjysmë. Në Londër kam shumë miq, atje kam fituar shumë trofe dhe ato kujtime do të mbesin përgjithmonë në kujtesën time. Dua të falënderoj shokët e mi të skuadrës, të gjithë stafin dhe tifozët e Çelsit”. Për futbollistin brazilian, emocionet e transferimit në “Parc des Prince” janë të përziera, pasi nga njëra anë është i mërzitur për largimin nga “Stamford Bridge”, por nga ana tjetër ndihet i lumtur për atë që pret në kryeqytetin francez. “Po largohem shumë i mërzitur, por në të njëjtën kohë i gëzuar për sfidat e reja që më presin në një klub të madh dhe në një qytet që gjithmonë më ka mrekulluar. Për mua nis një etapë e re, një sfidë e re”. Presidenti i PSG-së, Naser Al-Khelaifi, shpenzoi 50 milionë euro për shërbimet e David Luizit, i cili shndërrohet automatikisht mbrojtësi më i shtrenjtë në botë. Mirëpo kjo nuk duket se ishte goditja e fundit. Kjo pasi mediat angleze raportojnë se PSG është vënë në kërkim të edhe një lojtari tjetër të Çelsit. Bëhet fjalë për belgun Eden Hazardin i preferuari i trajnerit Lorant Blank dhe për të marrë shërbimet e tij parisienët janë të gatshëm të bëjnë një tjetër çmenduri. Çelsi i pagoi Lilës 40 milionë euro për të transferuar në Londër Hazardin në verën e vitit 2012. Mirëpo marrëdhëniet jo të mira të 23-vjeçarit me trajnerin Hoze Murinjo kanë bërë që kohët e fundit të flitet shumë për një largim të tij nga “Stamford Bridge”. Paris Sent Zhermeni për të blerë David Luizin i ka paguar Çelsit 50 milionë euro, megjithatë për të marrë shërbimet e Hazardit presidenti i klubit francez Naser Al Khelaifi duhet të nxjerrë nga xhepi një shumë më të lartë duke ditur cilësitë e padiskutueshme që zotëron belgu 23-vjeçar. Lojtari ka luajtur edhe në kampionatin francez më parë çka e bën edhe më lehtë për të që të ambientohet. Një plus i madh që mund ti shërbejë teknikut francez për sezonin e ardhshëm. Kështu pritet që të shikojmë një merkato me emra të mëdhenj për parisienët e sezonit 2014-2015.

 

 

Murinjo ka gati planin Pogba

Shitja e David Luizit te Paris Sent Zhermeni u jep mundësinë londinezëve që tashmë janë hedhur fuqishëm në merkato me objektiv të parë Pol Pogbanë, më pas vijnë Koke i Atletikos dhe Paulinjo i Totenhemit. Pra trajneri luzitan kërkon me ngulm një mesfushor, që të ushqejë me topa në vijën e parë sulmuese Diego Kostën. Një largim jo i favorshëm për Juventusin që nuk do të humbasë shërbimet e mesfushorit francez të paktën edhe për një vit. Menaxheri i 21-vjeçarit, Mino Rajola, është shprehur i gëzuar dhe i lumtur për qëndrimin e francezit në Torino, por për shërbimet e mesfushorit bardhezi ka interes serioz nga skuadra të tjera të mëdha, si PSG, Junajtid, Real Madrid dhe Barcelona. Për momentin Pogba është i përqendruar te Brazil 2014, më pas do të zbulohet e vërteta e të ardhmes së tij.

 

Rosberg niset nga pole position

Dominim i Mercedesit edhe në Monako. Gjermanët nuk u lënë shpresa kundërshtarëve as në garën e Principatës ku sigurojnë radhën e parë të nisjes në Çmimin e Madh që zhvillohet sot. I pari në nisje do të jetë piloti gjerman Niko Rosberg, i cili arriti të mbarojë xhiron në kohën e kronometrit në 1 minutë e 15,989 sekonda, edhe pse gaboi në xhiron e fundit, duke iu lënë mundësi rivalëve të përmirësoheshin pas valëvitjes së flamurit të verdhë. Por kjo nuk mjaftoi për Hamilton që nuk mundi ta tejkalonte, pasi distanca e tij me Rosberg ishte 59 të mijtat e sekondës. Nga radha e dytë do të nisen dy makinat Red Bull, respektivisht me Riçardo në vendin e 3 dhe Vetel në vendin e 4. Ndërsa në pozicionin e 5-të dhe 6-të do të nisen dy “kokëkuqet” e Ferrarit me Alonso dhe Raikonen.

 

 

 

Barcelona në hapat e Rojshit

Barcelona dhe Andoni Zubizareta kërkojnë goditjen tjetër të madhe në merkato. Me emërimin e Luis Enrikes në stol dhe sigurimin e shërbimeve të portierit Ter Stegen drejtori i spanjollëve po vazhdon punën intensive për rifreskimin e grupit aktual. i pari dhe më i rëndësishmi në listën e Zubizaretës është 24-vjeçari i Borusia Dortmundit, Marko Rojsh. i aftë për të luajtur në të gjitha pozicionet e sulmit dhe një golashënues i lindur, mesfushori siguron garanci për repartin e avancuar të Barcelonës. Problemi më i madh mbetet konkurrenca e lartë për lojtarin pasi në gjurmët e tij janë edhe Mançester Junajtid, Real Madrid dhe Bajern Mynih. Fillimisht klauzola e shitjes së Rojsh ishte 35 milionë euro, por tashmë verdhezinjtë kanë një klauzolë të re për sa i përket largimit të lojtarit. Kjo do të thotë që Rojsh mund të largohet por vetëm sipas kushteve dhe shifrës që vendos klubi. Një prej avantazheve të Barcelonës në këtë çështje është fakti se Rojsh dhe Ter Stegen janë miq të vjetër dhe portieri mund ta bindë shokun e tij të transferohet nën urdhrat e Luis Enrikes.

Loading...