Provimet e maturës / Qarkore për mësuesit, kush nuk zbaton rregullat, largohet nga puna

0
130

Driçim Çaka

 “Në respekt të standardeve është marrja e vendimit “Largim nga puna” të dy mësuesve administratorë të provimit, si dhe “Mosnjohje të rezultatit të provimit” për dy nxënës maturantë, të cilët u gjetën me celularë gjatë provimit”

 

maturantetÇdo administrator apo mësues që nuk respekton rregullat e Maturës Shtetërore 2014 do të largohet nga puna. Ky ishte paralajmërimi që ka dhënë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, për administratorët e provimeve. Nëpërmjet një qarkoreje të zbuluar dje nga gazeta, e firmosur në 23 maj 2014 ministrja e Arsimit përgëzon njerëzit që u morën me zhvillimin e provimit të gjuhës së huaj në datën 16 maj duke vlerësuar shkollat si “administrator të provimit”. “Provimi i gjuhës së huaj, i zhvilluar nga nxënësit maturantë më datë 16.5.2014, shënoi fillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2014. Cilësia në organizimin dhe administrimi i këtij provimi u evidentua në të gjitha qendrat e provimit, në çdo drejtori arsimore. Ky sukses i përbashkët nuk mund të arrihej pa ndihmën, seriozitetin dhe angazhimin e çdo mësuesi dhe drejtuesi që u përfshi në procesin administrues të provimit. Provimi i gjuhës së huaj, që realizuam në këtë Maturë, pati të veçantë se, pas shumë vitesh, për herë të parë, një provim i tillë u organizua dhe u administrua nga vetë shkolla, nga mësuesit dhe drejtuesit e saj. Kjo përben një arritje më shumë ne angazhimin tonë për t’i kthyer shkollës përgjegjësinë, integritetin dhe besueshmërinë për cilësinë e shërbimit arsimor që ofron, e cila i ka munguar dhe është dëmtuar aq shumë gjatë viteve që po lëmë pas”, – thuhet në qarkoren “Për zhvillimin e provimit të gjuhës së huaj të Maturës Shtetërore 2014”.

Provimet e tjera

Më tej Nikolla u kujton administratorëve rëndësinë që kanë dy provimet e tjera të detyruara dhe provimet me zgjedhje, duke u kujtuar se është në fuqi masa ndëshkimore “largim nga puna”. “Në ditët në vijim do të kemi provimet e tjera të Maturës Shtetërore, ndaj unë dëshiroj të inkurajoj çdonjërin prej jush dhe t’ju siguroj për vendosmërinë për t’i realizuar të gjitha provimet e Maturës Shtetërore sipas standardeve dhe kërkesave të Rregullores. Në respekt të këtyre standardeve është marrja e vendimit “Largim nga puna” të dy mësuesve administratorë të provimit, si dhe “Mosnjohje të rezultatit të provimit” për dy nxënës maturantë, të cilët nuk zbatuan të drejtat dhe detyrat që përcaktohen në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2014 për mosmbajtjen e celularëve në vendin e provimit. Angazhimi, serioziteti dhe përgjegjshmëria që dëshmuan mësuesit dhe drejtuesit në administrimin e provimit të gjuhës së huaj, përfaqësojn garancitë e nevojshme për të besuar që ne do t’i kthejmë Maturës Shtetërore atë çka u kemi premtuar prindërve dhe nxënësve tanë maturantë: Dinjitetin e provimeve të Maturës Shtetërore”, – përfundon qarkorja e Ministres së Arsimit.

 

 

2000 persona

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, të verbrit 5 vjet pa marrë paratë

Më shumë se 2000 mijë persona të verbër kërkojnë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që i përkasin periudhës 2005-2010, si rezultat i indeksimit të gabuar që ka çuar në mosrritjen e pagesave të këtyre personave gjatë kësaj periudhe. Këtë pretendim, personat e verbër e kanë fituar edhe në proceset gjyqësore që kanë zhvilluar, shprehet kryetari i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar Sinan Tafaj. ”Ne kemi fituar me dhjetëra gjyqe, janë mbi 2000 të verbër të cilët kanë fituar këto të drejta, por Ministria e Mirëqenies nuk ka marrë në konsideratë kërkesat e bashkive dhe komunave për të kthyer financimin e këtyre detyrimeve. Këto të drejta nuk iu takojnë vetëm të verbërve por u takojnë edhe personave të tjerë me aftësi të kufizuar, paraplegjikëve, njerëzve me handikap mendor dhe e treta duhet t’u jepet të gjithëve, këto para që iu janë mohuar shtetit, duhet t’ju kthehen”, – përmendi Tafaj. Por personat e verbër dhe ata tetra e paraplegjikë i kanë bërë thirrje strukturave të qeverisë, që të mbajnë premtimet për përmirësimin e statusit të këtyre personave dhe shërbimeve që duhet të përfitojnë. ”Pagesën e energjisë elektrike, pagesën e telefonisë fikse, të transportit urban, sot po vjen viti dhe premtimet që janë bërë qeveria nuk i kanë marrë personat me aftësi të kufizuar”, – tha Mybere Prizreni, kryetare e Shoqatës së Tetraplegjikëve. Të gjitha pretendimet e kësaj shtrese i janë dërguar qeverisë dhe çdo institucioni përgjegjës, por ende nuk kanë marrë një përgjigje.

 

 

Tërmetet

Lëkundje 3.5 ballë në Tiranë dhe Durrës

Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme është ndier lëkundja e radhës nga një tërmet me magnitudë 3.5 ballë. Epiqendra e tërmetit ka qenë në fshatin Hamallaj të Durrësit. Sipas raportimit të parë tërmeti ka qenë me magnitudë 3.5 shkalla riter. Lëkundjet janë ndjerë në Tiranë, Durrës, Shijak dhe Fushë-Krujë, ndërsa epiqendra e tërmetit ka qenë 28 km nga kryeqyteti dhe 11 km nga Shijaku, me një thellësi prej 5 km. Lëkundjet nuk kanë sjellë dëme në zonat e Durrësit dhe Tiranës. Pak ditë më parë Shqipëria u godit nga një tërmet 5.1 ballë. Epiqendra e tërmetit ishte qyteti i Cërrikut dhe solli plasjen e mureve dhe pallateve në dhjetëra shtëpi. Pas goditjes së parë janë ndjerë dhe 6 lëkundje të tjera, fatmirësisht në magnitudë jo shumë të lartë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency