Leku fiton terren në tregun e valutave

0
130

Ervin Kaduku

 Dobësia e euros në këto muaj të vitit, kur tradicionalisht monedha e përbashkët ka qenë e fortë, lidhet kryesisht me rënien e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja ndërkombëtare

 

para-lekeMonedha vendase është këmbyer gjatë javës që po mbaron me 139.82 lekë ndaj euros, duke arritur sërish nivelin më të ulët të vitit. Një raport i tillë këmbimi ishte arritur dhe në fillim të muajit prill. Leku ka fituar vazhdimisht pikë gjatë kësaj jave, teksa të hënën ai kuotohej me 139.97 lekë. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, monedha vendase kuotohet në pozita mjaft të favorshme. Në 23 maj të një viti më parë, një euro këmbehej me 141.1 lekë, një nga nivelet më të larta të vitit të kaluar.

Dobësia e euros në këto muaj të vitit, kur tradicionalisht monedha e përbashkët ka qenë e fortë, lidhet kryesisht me rënien e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja ndërkombëtare, një dukuri që është pranuar dhe nga Banka e Shqipërisë. Një tjetër element që ka “ndihmuar” lekun gjatë kësaj jave ka qenë dhe rënia e euros në tregjet ndërkombëtare.

Situata

Teksa prej dy vitesh bankat pothuajse e kanë ndërprerë kreditimin e ekonomisë, dy alternativat kryesore të investimit të parave të lira kanë qenë blerja e letrave me vlerë të qeverisë dhe vendosjet e parave jashtë vendit.

Tremujori i parë i vitit ka rikthyer dukurinë e vendosjes së parave jashtë vendit nga bankat më të mëdha në vend, ndërkohë që pjesëmarrja në ankandet e qeverisë rezulton më e ulët. 13 bankat që kanë raportuar të dhënat, i kanë rritur në total investimet në letrat me vlerë me 2.9 miliardë lekë, në tremujorin e parë, në raport me fundin 2013-s, ndërsa vendosjet në banka jashtë vendit janë rritur me 11.5 miliardë lekë.

Pavarësisht rënies së interesit të bankave për të blerë bono thesari apo obligacione në tre muajt e parë të këtij viti, Financat duket se nuk kanë ndier presion, me interesin e bonove të thesarit që kanë vijuar rënien, duke zbritur në nivele rekord minimale, nën 3% për bonot tremujore. Deri në fund të vitit 2013, kur janë të disponueshme dhënat nga Ministria e Financave, pesha e institucioneve jobanka u rrit në rreth 12%, nga 6.2% në fund të vitit 2012. Në të kundërt për të njëjtën periudhë, pesha e pesha e bankave në totalin e borxhit u ul në rreth 62%, nga 64% në fund të 6-mujorit, kryesisht si rrjedhojë e mungesës së agresivitetit të bankave.

Të premten e kësaj jave, euro u pozicionua për rënien trijavore përpara se të dhënat të tregojnë se besimi gjerman ra, duke intensifikuar shenjat e dobësisë rajonale të cilat ka gjasa të nxisin BQE të përforcojë stimujt duke filluar që nga muaji i ardhshëm.

Euro ka rënë 0.3 për qind që nga 16 maji, duke zgjeruar rënien prej 1.3 per qind në dy javët e kaluara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency