Vëthët e rënë të administratës  

0
178

Haris Vongli

haris vongli Sartri ka thënë se liria është ajo çka ti bën me atë që të është bërë ty. Sakaq, jashtë Kryeministrisë ka nisur tashmë, prej dy netësh e tri ditësh, greva e urisë e një numri në rritje të punonjësve të administratës publike të shkarkuar nga puna. Dhuratë e Rilindjes kjo! Ata janë në mbrojtje të një kauze dinjitoze. Veç faktit se janë shkarkuar nga puna në mënyrë të padrejtë, ata kërkojnë rikthimin në vendet e punës. Gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes së majtë, qeverisje kjo me ngarkesë skandalesh, shkelje të ligjit, arrogancë të pashoq e mungesë përgjegjësie të tejskajshme, rezultojnë mbi 7000 punonjës të pushuar nga puna. Qindra prej tyre janë në proces gjyqësor e po ashtu një numër i madh ka fituar edhe të drejtën për t’u rikthyer në vendin e punës. Por qeveria Rama – Meta hesht! Ende asnjë hap i domosdoshëm nga ana e qeverisë, ende asnjë qëndrim i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë. Statusi i nëpunësit civil jo vetëm është nënvlerësuar dhe injoruar, por duke iu referuar atij, veç shkeljeve flagrante, janë bërë shkarkime masive me motivacione të pavërteta, vetëm me qëllim emërimin e militantëve të së majtës, të cilëve s’do mend që iu premtua një vend pune. Vend pune jo i hapur i ri, por i stisur, duke hequr kështu një palë për të vënë në po atë vend një palë tjetër. Patupërsi. Dhunim i çdo kompetence, dhunim i shtetit ligjor, dhunim i dinjitetit të qytetarëve. Por kush jam unë për të gjykuar këtë? Shumë miq të mitë janë pushuar nga puna dhe ndjesia ime instiktive e menjëhershme ka qenë, për çdo rast, sikur në vend të tyre të jem flakur në rrugë unë. Në radhët e shkarkimeve nga administrata shtetërore kanë qenë individë profesionistë, me vite të tëra eksperiencë, të shkolluar këtu dhe jashtë vendit, të mirinvestuar, specialistë të fushave të caktuara, njohës të mirë të punës dhe qytetar të barabartë me të tjerët. Por, me ngjitjen në pushtet të qeverisë së majtë, u ka ardhur ndonjë letër me motivacion aspak të nderë, aspak në përputhje të drejtë me shkakun real të shkarkimit nga puna. Aspak në përputhje me atë çka përfaqësojnë këta ish-punonjës zyrtarë, jo partinë por dinjitetin e tyre, shkollimin, kulturën, dëshirën për punë dhe çka është më e rëndësishme konkurset e bëra dhe të fituara për t’u futur në vendin e punës që me ligj, si nëpunës civilë, u takon. Në asnjë nga 7000 letrat e firmosura nga eprorët e sapoemëruar nuk është thënë: “Jeni të detyruar të largoheni nga puna për arsye politike pasi në vendin tuaj do të vijë një tjetër, një i ri, yni”. Dhe sot me të drejtën legjitime, këta grevistë protestojnë të lodhur, të zhgënjyer e të poshtëruar, në çadrën e tyre të bardhë dhe të madhe, për një kauzë të madhe.

Gjatë fushatës bujëplotë të 2013-ës, kreu i socialistëve, Edi Rama, premtoi 300.000 vende të reja pune. Këto vende pune të hapura nuk janë të reja, por janë të liruara si pasojë e shkarkimit të mijëra punonjësve të pafaj. Para pak muajsh u ndodha pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, për një çështje timen personale, e si për dreq po atë ditë ishin urdhëruar të largoheshin nga puna, si dhe të uleshin në detyrë, dhjetëra punonjës të vjetër të Ministrisë. Ndër ata disa mbajnë tituj shkencorë, disa janë profesorë e pa diskutim ekspertë të fushave të caktuara. Ishte fare e qartë se ajo qe dita e tyre e fundit e punës. Ndërkaq, ende në krye të detyrës dhe me dëshirë të jashtëzakonshme për të bërë punën e tyre, ata sqaruan shtruar mua dhe mikeshën time shqetësimin që kishin. Kur po zbrisja shkallët e Ministrisë, u ndesha me një grua të përlotur, trishtimi i së cilës lexohej fare qartë në sytë e saj. Në duar mbante një kuti me sendet e saj personale, ndër to dhe fotografi të fëmijëve. Tek e pyeta e prekur, sikur të isha unë në vendin aspak komod të saj, ajo më tha: “Pas njëzet vitesh punë në këtë Ministri, sot më erdhi në dorë urdhri për t’u larguar nga puna”. Njëzet vite punë në të njëjtën zyrë. Aty ku filloi punën një nënë e re, një vajzë e shkolluar, një grua me ideale dhe ambicie. Aty nisi dhe rrugëtimi i saj për t’u shndërruar më pas në një profesioniste që e njihte punën që bënte në majë të gishtave. Vendin e saj do ta zinte një militant i partisë në pushtet, që ndoshta pati ndihmuar gjatë fushatës duke mbajtur flamurë apo shpërndarë broshura. Po qoftë dhe diçka më shumë, ç’rëndësi ka. Ajo grua qe shkelur shumë thellë, në dinjitet dhe profesionalizëm. Lidhur me qëndrimet e votuesve të së majtës zhurmë shumë e punë pak, le të ndalemi pak tek shprehitë e tyre standarde. Për çdo bisedë, kur lind diskutimi për ecurinë e qeverisë në pushtet gjatë këtyre tetë muajve dhe hapave apo vendimeve të ndërmarra nga ajo, përgjigjet e palës përgjegjëse i ngjajnë një demagogjie të pastër. “Po pse ju ç’keni bërë gjatë tetë viteve tuaja në pushtet?” Kjo nuk është të mbash përgjegjësi për gabimet e përditshme, kjo është ta mbulosh përgjegjësinë me justifikime, duke u marrë me të shkuarën dhe aspak në të tashmen që na cenon çdo ditë e çdo sekondë. Por edhe nëse është vepruar padrejtësisht në të shkuarën, kjo s’do të thotë që duhet të vazhdohet në po të njëjtat hapa. Qeveria e Edi Ramës premtoi për më mirë, as për njësoj, e aq më pak për më keq. Por meqenëse pyetja që fillon me “Po kur ishit ju…” është bërë tanimë himni i së majtës, mund të them se gjatë tetë viteve të qeverisjes demokratike, nga Ministria e Arsimit janë hequr shtatë persona, ndërkohë që vetëm në tetë muaj qeveria aktuale ka shkarkuar nga Ministria e Arsimit plot tridhjetë e katër persona. Për të qenë më specifike, për të prekur dhe ndier rastet aktuale të personave të larguar nga puna, dua të ndalem në rastin e znj. Flutura Nuredini, e cila ka qenë punonjëse e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Znj. Nuredini është diagnostikuar me tumor dhe i është nënshtruar operacionit, ndërkohë që aktualisht kurohet me kimioterapi. Kjo zonjë e nderuar është pushuar nga puna në muajin nëntor, kohë gjatë së cilës ishte me raport mjekësor 6-mujor dhe për rreth 25 ditë do të dilte në kemp. Kodi i Punës e kërkon që në një rast të tillë punonjësi duhet pritur për rreth një vit. Por jo, zonja Flutura u pushua nga puna. Në Ministrinë e Mbrojtjes janë shkarkuar nga puna znj. Eda Grimci dhe znj. Stela Shabani, të dyja këto me leje lindjeje. Pra, gjendemi përballë jo vetëm një qeverie të papërgjegjshme, por edhe arrogante, që tejkalon çdo kufi morali dhe nuk reflekton aspak integritet apo filozofi të mirë, pozitive e shpresëdhënëse. Nuk mund të rri pa përmendur rastin e znj. Silvana Bastri, ish-punonjëse e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, e vetmja rome e specializuar dhe kualifikuar me master në shkenca sociale. Kjo zonjë u shkarkua nga puna me motivacionin e ristrukturimit të organigramës së Ministrisë, ndërkohë që pozicioni i saj i punës ekziston ende sot por ka ndryshuar vetëm emri i drejtorisë përkatëse. Një ndër rastet më të dhimbshme në një shoqëri si e jona është dhe ai i z. Shkëlqim Abazi, shef Personeli në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat. Personi në fjalë ka qenë i persekutuar dhe i dënuar politik në burgun e Burrelit për njëzet vite. Sot ai është jo vetëm flakur në rrugë, por zëvendësuar pikërisht nga operativi i burgut të Burrelit, ku z. Abazi vuante dënimin. Ja pra, kjo është Rilindja. Rilindja e shumëpritur, Rilindja e shpresave të shqiptarëve. E gjithë kjo vorbull shkarkimesh dhe reformash na paska një emër. Rilindje! E përse jo?! Një rilindje destruktive, zhbërëse, antiligjore dhe antidemokratike. Kjo është Rilindja e panairit të punësimit, inauguruar një muaj më parë. Show dhe fishekzjarrë. Falsitet dhe mediokritet. Një aktualitet që s’ka vend për duartrokitje, por veçse ndërgjegjësim. Prandaj dhe unë jam me grevistët e sakrifikuar. Unë jam me ta, me mendje dhe shpirt. Do të shkoj pranë tyre. Do t’i duartrokas. Dhe kjo duhet të vlejë për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Për sa kohë njerëzit janë të lirë, ata duhet të jenë të lirë të ngrejnë zërin, të protestojnë, të veprojnë, të flasin, të duan të sjellin ndryshimin, të duan të jetojnë në një vend të lirë dhe demokratik. Të jenë një tullë në murin e madh të së drejtës, të vënë para përgjegjësisë, përse jo, qeverinë e fjalëve dhe jo të veprave. Liria dhe drejtësia është asgjë për qeverinë aktuale, por liria dhe drejtësia është gjithçka për qytetarët dhe opozitën që përkrah liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptar. Liria dhe drejtësia është gjithçka për dhjetë grevistët e shkarkuar nga puna, për mijëra të tjerë të pushuar nga puna po ashtu e për qindra të planifikuar, pa më të voglin dyshim, të kenë të njëjtin fat si këta. Për lirinë ama, ia vlen të luftosh, me çdo çmim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency