Serveri i Tatimeve/ Zgjaten hetimet për 3 muaj, kërkohen ekspertë të huaj  

0
140

Anxhela Tato

serveri i tatimeve Prokuroria e Tiranës, pas përgjigjes negative të Policisë Shkencore, bashkëpunim me ekspertë të FBI-së

 Ekspertiza, e paaftë të zbulonte periudhën kohore dhe formën se si ndodhi fshirja e të dhënave

Fshirja e serverit të Tatimeve shtyn hetimet e Prokurorisë së Tiranës për gati tre muaj. Mungesa e një përgjigjeje nga ana e Policisë Shkencore për periudhën kohore dhe autorësinë e ndërhyrësit tek këto të dhëna, ka bërë që organi i akuzës të kërkojë ndihmën e ekspertëve të huaj. Në këto rrethana, Prokuroria ka shtyrë fazën hetimore, duke kërkuar sërish bashkëpunimin e ekspertëve të FBI-së për të zbuluar se në cilat data janë bërë ndërhyrje dhe kush ka qenë personi që ka pasur akses në fshirjen e datave. Prokuroria ka kërkuar ndihmë nga ekspertët amerikanë për zbardhjen e ndërhyrjes kompjuterike. Kërkesa e organit të akuzës është paraqitur kohët e fundit, pasi Policia Shkencore ktheu përgjigjen zyrtare se nuk arriti të kuptojë shkakun e fshirjes së të dhënave nga sistemi i Tatimeve. Rreth katër javë më parë mësohet se sektori i Policisë Shkencore ka dorëzuar një raport ekspertimi, në të cilin përshkruhet një pjesë e veprimeve të kryera në server, por nuk përcaktohet shkaku i fshirjes së të dhënave, mënyra si është kryer ky veprim dhe autori i zhdukjes së dosjeve. Për shkak të hetimit ende të hapur dhe mungesës së një prove që përcakton përgjegjësin e fshirjes së të dhënave, prokuroria mësohet se i është drejtuar palës amerikane për asistencë në hetimin e rastit. Një përfaqësues si Ambasadës Amerikane dhe një zyrtar i FBI-së u takuan me prokurorin e çështjes dhe kreun e Njësisë Task-Forcë në Prokurori.

 

Pamjet

Nëpërmjet një video të marrë nga kamerat e sigurisë së Drejtorisë së Tatimeve, të publikuar më 24 janar të këtij viti në një prej televizioneve në vend, zbardhen detaje të reja që tregojnë se çfarë ka ndodhur në këtë institucion disa ditë para se të konstatohej problemi në serverë. Pamjet filmike tregojnë të gjitha lëvizjet që janë bërë në zyrën e serverëve të tatimeve në datat 15-17 nëntor të vitit 2013. Në të shihet i dërguari i Ministrisë së Financave, Ermal Beqiri, në zyrën e drejtores së Tatimeve, Briseida Shehaj, deputeti Spartak Braho, si dhe grupi i auditit. Duke iu referuar videos, ky i fundit duket se ka qëndruar 2 herë nga 12 orë në zyrën e serverëve. Problemi me të dhënat u konstatua më datë 21 nëntor të vitit 2013, ditë në të cilën drejtoresha e Tatimeve kallëzoi drejtorin e IT, Renald Rista për ndërhyrje në të dhëna, i cili në mbrëmje të po asaj dite u arrestua nga Policia e Tiranës bashkë me tre persona të tjerë, por pak ditë më pas u la i lirë nga gjykata. Më 12 nëntor, Ministria e Financave dërgoi në Drejtorinë e Tatimeve një grup auditi për sistemin e IT, i cili kishte për qëllim kontrollin e funksionalitetit të infrastrukturës së sistemit të IT, të drejtën për akses dhe mirëmbajtjes së sistemit. Por, sipas dëshmive të Ristës, dhënë në Prokurorinë e Tiranës, grupi ka hyrë në ambientet e serverëve të IT, nga ku lind edhe debati mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes së grupit të auditit në serverë.

 

 Dosja “Frroku”/ Dëshmia e kamerierit: Dritan Lamaj po vinte drejt lokalit kur u qëllua, nuk kam parë asgjë

 Në seancën e radhës gjyqësore në ngarkim të Arben Frrokut, i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ka dëshmuar kamerieri dhe një nga klientët e lokalit para të cilit u qëllua Lamaj. Në dëshminë e tij Arlind Aliaj ka pohuar se ishte duke punuar kur ka dëgjuar krisma armësh, por nuk kishte parë gjë. “E mbaj mend vrasjen e Lamajt, isha në lokal. Kur ndodhi ngjarja ishte ora rreth 18:30”, – ka rrëfyer në seancën e gjyqit dëshmitari Arlind Aliaj. Sipas dëshmisë së tij, Dritani po vinte drejt lokalit në momentin kur u qëllua, ku shumë persona dolën nga lokali dhe i dhanë ndihmën. Sipas dëshmitarit, në lokal gjatë momentit që ka ndodhur atentati kanë qenë rreth 20 persona. “Lokali ka kamera, nuk e di nëse i ka marrë policia. Dritan Lamaj u vra te cepi i lulishtes së lokalit”, – rrëfehu më tej Arlind Aliaj. Ndërkohë, dëshmitari Armando Myftari, klient në lokal ka rrëfyer se ka qenë duke pirë kafe kur dëgjoi të shtënat. “ Pashë një makinë gri dhe xhamat që u thyen, pas të shtënave, pashë të shtrirë Dritanin. E morëm dhe e dërguam në spital”, – tha më tej Lamaj. Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua me 12 plumba pranë shtëpisë së tij në zonën e “Vasil Shantos”, pak metra larg nga apartamenti ku banonte. Biznesmeni Frroku u arrestua në Selanik të Greqisë 24 orë pas ngjarjes së rëndë dhe vetëm pak muaj më parë u ekstradua drejt Shqipërisë.

 

Avioni me drogë/ Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në dorëzim dosjen, nisin verifikimet

Prokuroria e Përgjithshme i delegon Prokurorisë së Krimeve të Rënda verifikimet për trafikun e drogës me avion. Lajmi bëhet me dije nga burime pranë organit të akuzës, të cilat pohojnë se më datë 9 maj është dërguar shkresa për nisjen e hetimeve. Materiali është marrë nën dorëzim nga Krimet e Rënda, e cila ka nisur fazën e verifikimeve nëse vepra penale e konsumuar nga dy “korrierët” është në kompetencën lëndore të këtij institucioni. Ndërsa bëhet me dije se fillimisht hetimet nisen kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë që është kërkuar ekspertiza e celularit dhe iPad të Riformatos, është vërtetuar nga sistemi TIMS se Saimir Bajrami është futur tre herë në territorin shqiptar në muajin prill dhe maj. Paralelisht është kërkuar informacion nga shteti italian nëse Bajrami ka qenë i dënuar më parë apo i proceduar për trafik narkotikësh.

 

 Ekuador/ Sekuestrohen 89 kg kokainë, destinacion Shqipëria

 Sekuestrohen 89 kg kokainë në Ekuador, që kishte destinacion portin e Durrësit në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme e shtetit të Amerikës Latine, sipas së cilës, droga është gjetur gjatë operacionit të koduar “Arcano” në një kontejner që ishte i mbushur me ushqim për qentë dhe që kishte destinacionin Durrësin. Operacioni është bërë ditën e djeshme nga efektivët e sektorit kundër Narkotikëve në qytetin e Guajas. Shefi i Narkotikëve, Omar Baez Paredes, ka bërë të ditur se agjentët e njësisë së tij me anë të qenve nuhatës të drogës gjatë një kontrolli në kontejnerët, një njërin prej tyre është gjetur dhe lënda kokainë. Ajo ishte fshehur në një fund të dyfishtë në kontejnerin TRIU me numër 8498675. Kokaina ishte e ndarë në 80 pako. Policia ka arrestuar disa persona ndërsa bëhet e ditur se është shkatërruar një rrjet i trafikut të lëndëve narkotike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency