Berisha: Ja dosja e fshehte që këshilltari i Ramës i dha Nishanit. Kryeministri: Jeni pakicë e llastuar e bërë tapë

0
102

Florenc Drizari

berisha ramaBerisha: Protesta, greva, demonstrata në të katër anët e vendit

 “ILDKP”, Berisha: E morën, se u duhet të mbrojnë paratë e drogës dhe prostitucionit

 Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me 76 vota pro dhe 36 kundër kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjet e drogës. Çështja e trafikut të drogës dhe dekreti i Presidentit për ILDKP-në bëri që deputetët të debatonin në një seancë maratonë prej 11 orësh, duke shkëmbyer akuza të ashpra mes njëri tjetrit. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama për lidhje me trafiqet dhe kapjen e strukturave të shtetit nga narkotrafikantët. Duke replikuar disa herë me deputetët socialistë, Berisha aludoi për lidhje të Kryeministrit me trafikun e drogës dhe për këtë foli edhe për pilotin italian të kapur pas rrëzimit të avionit të vogël dy javë më parë në plazhin e Divjakës.

 

Berisha

“Akuzohet Edi Rama, sepse ai në të gjithë këtë moçal është politikani më i lidhur me krimin dhe çdonjëri që shtron pyetjen se pse akuzohet Edi Rama, i them se nëse ti je njeri me integritet, atëherë më thuaj se cila është lidhja e Edi Ramës me drogën, me bandat, me bandën e Rrugës së Kavajës, me Denis Ginën, me Dritan Dajtin, me Kadriofskin? Cila ka qenë lidhja e tij me të gjitha këto banda? Kush ia kaloi Edi Ramës Reformatorin e tij (pilotin Riformato) jashtë sistemit TIMS? Mos ia kaloi opozita? Çfarë e deshi Edi Rama sallonin VIP në Rinas? Salloni VIP, që kur është themeluar aeroporti e deri sot administrohet nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila nuk di të ketë standarde droge, por janë një grup punonjësish që punojnë e shërbejnë aty. Tani Edi Rama do ta merrte për ndrikullën Belinda. Kjo është e vërteta. Shkoni të Nasip Naço dhe merrni dosjen”, – deklaroi Berisha pasditen e djeshme gjatë kohës kur po diskutohej për kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e drogës. Ndërkaq, më herët Berisha akuzoi krerët e mazhorancës për qëndrimet e tyre për të rrëzuar dekretin e kreut të shtetit, i cili refuzoi miratimin e ligjit për ndryshimet në ILDKP dhe zgjedhjen e kryeinspektorit të këtij organi nga Kuvendi i Shqipërisë. Berisha foli për protesta, greva dhe demonstrata si e vetmja rrugë për t’u përballur me këtë shumicë parlamentare, e cila, sipas tij, po tenton kapjen e institucioneve të pavarura në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës.

“Sot po grevojnë për bukën e gojës punonjës dinjitozë të administratës. Janë 20 mijë shoferë furgonësh dhe i ftoj të gjithë ata të nisin rezistencën qytetare ndaj një bande që u heq licencat vetëm për t’ua shitur përsëri të tjerëve. A e patë çfarë ndodhi me “Shega-Trans”? 100 punëtorë pa kafshatën e gojës edhe aty. Po pse? Sepse ndrikulla e aeroportit gris kontratën sikur të ishte një letër higjienike dhe jo një dokument ligjor i një shteti. Ndaj dhe kjo që ndodh në Parlament është dëshmi e tërësisë së vendit. Ka zgjidhje, vetëm një. Protesta, greva, demonstrata në të katër anët e vendit”, – tha Berisha. Duke replikuar me deputeten socialiste Vasilika Hysi, e cila tha se Presidenti nuk është pushtet më vete, Berisha deklaroi se Presidenti është Kryetar i Shtetit dhe në qoftë se shteti ndërtohet nga pushtetet, Presidenti është Kryetar i Shtetit. “Por kjo kompetencë që ia vidhni sot, për të shndërruar ILDKP-në në institucionin e fshehjes së pasurive tuaja, për të shndërruar ILDKP në institucionin e terrorit ndaj grupeve dhe kundërshtarëve tuaj”, – deklaroi Berisha.

 

Berisha: Sekretari i Përgjithshëm i Ramës, mafioz. Ja çfarë i tha Presidentit

“A e dini ju kush është sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri? Jua them unë. Sekretar i Përgjithshëm është avokati i klaneve më kriminale shqiptare në Itali. A e dini se çfarë bëri ky një ditë? Jua them unë dhe jua them socialistëve të thjeshtë, atyre që i thonë nderit nder. Një ditë, ky zëdhënësi i mafies shqiptare në Itali shkon në zyrën e Presidentit të Republikës. I kishte kërkuar takim Presidentit dhe Presidenti, me njerëzi, e pret. Ulet mafiozi në zyrën e tij dhe i shtyn zarfin dhe i thotë: “Zoti President, kam ardhur nga Kryeministri dhe kam ardhur që të të them se Kryeministri është shumë i interesuar që të bashkëpunojmë dhe të merremi vesh e të zgjidhim çdo problem. Në këtë zarf është një çështje që e kemi zgjidhur ne”. “Çfarë çështjeje?”, – e pyet Presidenti. “Merre, – i thotë sekretari, – se e kemi zgjidhur problemin”. “Çfarë problemi keni zgjidhur?”, – i drejtohet Presidenti. “Po ja, ka qenë çështja e një prone, se një njeriu juaj ka bërë një mashtrim me këtë pronë”, – i thotë sekretari. “Zotëri, a e merr këtë zarf dhe e çon drejt e në Prokurori? Unë kam qenë ministër, jam President e jam përpjekur gjithë jetën për ligjin, por që të kursej unë një njeri timin që të ketë tentuar të thyejë ligjin, atë nuk e bëj kurrë. Ndaj merre mbrapsht dhe çoje në Prokurori”, – i kthehet Presidenti. Ai (sekretari), supermafiozi që na vjen si zëdhënës i grupeve mafioze italo-shqiptare, ngrihet dhe i thotë Presidentit se nuk po e merrte zarfin, pasi dispononte një kopje tjetër. Presidenti i Republikës ka pasur nderin dhe dinjitetin t’ia dorëzojë dosjen prokurorit të Përgjithshëm”, – deklaroi Berisha dje në Kuvend.

 

Dekreti, Subashi: Mos e ka shkruar djali që babin e ka në Gjykatën Kushtetuese

“Më vjen shumë keq për mënyrën se si është arsyetuar nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese. Jam i bindur se nuk e ka shkruar Presidenti, sepse s’ka se si ta shkruajë, për faktin se nuk është jurist, pavarësisht se nga pozicionet që ka pasur ka qenë edhe ministër Drejtësie, por sigurisht që ia kanë shkruar këshilltarët e tij. Po një gjë uroj sinqerisht, që të paktën të mos ia ketë shkruar ai këshilltari ligjor që ka, djali që babin e ka në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e uroj, sepse nëse e ka shkruar ai këtë arsyetim, kjo pastaj do të krijojë probleme dhe kam frikë se edhe një pjesë së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do ta fusë në qorrsokak se si mund t’ia prishi babi atje djalit që ka bërë gjithë këtë arsyetim për Presidentin”, – deklaroi Subashi dje në Kuvend.

 

Kuvend, replikon Kryeministri/ Rama, opozitës: Pakicë e llastuar që i bën dëm vetes dhe vendit

 Kryeministri: Bëni një gabim të madh që nuk merrni meritën që ju takon, edhe për pak kohë, për statusin e vendit kandidat

 Kryeministri Edi Rama replikoi ashpër me deputetët e opozitës dje në seancë plenare. Kreu i qeverisë përgënjeshtroi shifrat për trafikun e drogës të publikuara nga opozita, duke thënë se janë rritur të dhënat që tregojnë për kapjen e drogës nga operacionet e policisë. Qëndrimet e fundit të opozitës për protestat dhe çështjen e drogës Rama i quajti lëvizje të një pakice parlamentare që i bën keq vetes dhe vendit në prag të statusit të vendit kandidat. Edhe pse ai tha se nuk do ta akuzojë opozitën për bllokimin e statusit, Rama theksoi se në këto pak javë që kanë mbetur e djathta duhet të japë kontributin që edhe ajo të marrë meritat e saj. Në sallën e Kuvendit, Rama foli për opozitë të bërë tapë dhe të llastuar, ndërsa theksoi se çështja e drogës me avionë pritet ende të zbardhet, duke aluduar edhe për një trafik të mundshëm në kohën e qeverisjes së PD-së.

 

Rama

“Unë mendoj që ju nuk dini të bëni asgjë tjetër, përveç kësaj. Ju që ditën e parë që jeni në opozitë, po sidomos që nga dita e parë që jeni në opozitë, se ju jeni tapë. Jeni tapë në kuptimin e të dehurit se nuk ju ka dalë akoma pija e pushtetit të humbur, por edhe tapë në kuptimin e tapës së topit. Jeni kaq tapë topi, që sa më shumë flisni, në fakt t’ju them të drejtën aq më keq, mua personalisht, por edhe të tjerë, na bën të ndihemi me veten që për fajin tonë, jo për meritën tuaj, e qeverisët këtë vend tetë vjet rresht, pa qenë asnjë ditë të vetme shumicë reale në këtë vend. Ju jeni një pakicë aq shumë e llastuar nga fati në tetë vitet e fundit, saqë nuk arrini as ta mendoni dhe jo ta kuptoni se sa shumë dëm i bëni, përveçse këtij Kuvendi, përveçse kësaj politike që e keni marrë peng prej shumë vitesh, por edhe vetes suaj”, – tha Rama. Duke folur për shifrat ndaj narkotrafikut, Rama tha se në muajt e fundit janë kapur sasi më të mëdha droge sesa në qeverisjen e kaluar.

“Si është e mundur, në prill të vitit të kaluar është kapur 1.1 tonë marijuanë, në prill të këtij viti është kapur 5.1 tonë. Ju thoni na mbyti droga. Ju mbyti droga e kapur?! Çfarë keni ju me drogën e kapur?! Pse ju shqetëson droga e kapur?! Çfarë keni ju, me faktin që në prill të vitit të kaluar keni kapur 159 gramë heroinë, në prill tani janë kapur 2.6 kg?! Ju thoni na mbyti droga. Çfarë keni ju?! Si e keni ju hallin, që po kapet kaq shumë drogë?! Se kjo është gjëja, që edhe kur na pyesni, nuk dimë çfarë themi. Çfarë halli keni ju, që vetëm në prill të këtij viti, krahasuar me prillin e kaluar, janë arrestuar dhe janë proceduar 30% më shumë trafikantë. Ju thoni ndaloni qeverinë. Për çfarë ta ndalojmë qeverinë?! Që të kapë trafikantët apo që të kapë drogën”, – theksoi Kryeministri Rama. Sa për Lazaratin, Kryeministri iu drejtuar opozitës: “Mos e prekni atë kështjellë, se aty pastaj, ngatërrohet edhe më keq puna juaj”. Më pas ai pati disa replika me akuza dhe kundërakuza me deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Jozefina Topalli.

 

 Replika në Kuvend/ Noka, Ramës: Të iku mbushja e hundës. Kryeministri: Ti nuk je as flamur, as shkop

 Noka: Kishte humbur gjithë ditën, erdhi tha se ne kemi abuzuar. Ta kemi thënë gjithë ditën dhe po ta themi prapë, anijet dhe avionët nuk kalojnë dot vetëm si mushkat me drogë. Ti solle tritolin që ditën e parë që erdhe në qeveri. E kuptoj pse erdhe i dridhur, i zverdhur, duke u kruar se u kap drogë në Ekuador, i iku mbushja e hundëve, ndaj erdhi sot se nuk e kishte marrë dozën, ndaj belbëzonte, kruante kokën dhe hundët.

Rama: Parafolësit ia kam shpjeguar që është fatkeq është as flamur, as shkop, vetëm ti je se ka flamur me shkop dhe shkop pa flamur. Mos e ço deri tek unë atë punën e drogës, se do të dalë keq, kur të dalë. Unë mendoj që përderisa kjo gjë ndodh edhe në vende të BE-së, sigurisht kurrë nuk ka ndodhur siç e thatë ju çdo natë në orën 8, ngrihen avionë nga Divjaka, aty ngrihen mushkonjat.
Noka: Kërko Tare, vazhdo kërko. Nuk ia vlen të merrem gjatë me ty, kam vetëm një kërkesë. Zotëria merret me shkopin tim. Nuk i ka hije që të rrijë gjithë kohës në gojë me shkopin tim.

 

Debate në Kuvend

 Paloka: Ju pasi i latë pa bukë tani doni t’u merrni dhe shpirtin, nuk presim gjë prej jush. Janë aty për bukën e gojës, për të drejtat. Kryeministri ka detyrimin, kjo qeveri ka detyrimin, kjo mazhorancë ka detyrimin që të zbatojë ligjin, vendimet e Gjykatës dhe t’u japë atyre të drejtën që u takon.

Berisha: Nuk mund të veprohet me hile dhe dinakërira në këtë mënyrë. Nxirrni në çështje të parë çështjen e krijimit të komisionit për drogën. Filloni diskutimin me këtë çështje, sepse është bërë dhe bëhet emergjencë dhe është i domosdoshëm sinjali që japin sot për partnerët tanë.
Braçe: Vazhdon të shfaqet sëmundja e amnezisë. Në maj ishte greva në maj, po bëhet kjo grevë. Ja ku kam procesverbalin.
Berisha: Tmerr është kur ke amnezi nga droga, por kur të merr droga memorien je i pashpresë. Z. Bashkëkryetar, shqiptarët e kanë shumë të qartë se si bashkëkryetari nisi grevën për të mos marrë viza, por bëri fshehtas hapi kutitë të çlirojmë vizat ishte motoja publike e tij. Midis të gjithave Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat.
Topalli: Nuk ka ndodhur kurrë që kalendari të vendoset në rendin e ditës, nuk ka ndodhur që rendin e ditës ta bëjë Kryetari pa rënë në ujdi me grupet e tjera parlamentare. Na pëlqen apo s’na pëlqen, komisionet parlamentare janë e drejtë e opozitës. Ruani vizat, me atë që po ndodh me trafikun e drogës, rrezikohen vizat.
Meta: Nuk do jap përgjigje për një deklaratë që s’e kam bërë kurrë, se nuk do ngrihet komision hetimor. Kemi një renditje këtu dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos e respektojmë këtë renditje. Pyesim grupin e mazhorancës, zoti Ruçi çfarë qëndrimi keni ju?
Ruçi: U bë e disata seancë që gjejnë sebepe për ta penguar seancën. Nëse është bërë një praktikë që para rendit të ditës diskutohet programi apo kalendari, kjo nuk thuhet as në program. Zonja Topalli vetëm t’i s’mund të japësh leksione për praktikë parlamentare se e ke bërë lëmsh. Rendi i ditës që kemi sot në seancë, bën pjesë në kalendarin e miratuar nga ky Parlament javë më parë.
Meta: Mos e humbi durimin, të vazhdojmë punën normalisht, kërkesat tuaja janë të gjitha në rendin e ditës, ne do ta fillojmë me ligjet, se ligjet janë më të rëndësishme.
Berisha: Kjo tregon vështirësitë e tmerrshme që ju ndieni. Ti nuk mund të thyesh një traditë parlamentare për shkak të fobirave, zërave të brendshëm dhe faktorëve të tjerë. Kjo nuk mund të bëhet kështu me Parlamentin. Nuk ka diskutim që precedenti është i barabartë me ligjin në këtë rast. Si mund të keni frikë nga fjala, se do marrë opozita 3-minutëshin e diskutimit në kalendar?
Meta: Këtu nuk ka asgjë të turpshme, përkundrazi. Ne nuk kemi frikë nga fjala e lirë. Parlamenti ka dhe një praktikë të re të panjohur më parë, se ky është problemi juaj që nuk duroni dot, prandaj duhet t’i merrni gjërat me qetësi.
Berisha: Në Parlament ekziston një traditë, pa diskutim që pakicat përdorin fjalën edhe për bllokim. Ju nuk duhet të çuditeni se pse opozita përpiqet të gjejë çdo hapësirë, por Parlamenti nuk është bllokuar asnjë ditë, ligjet janë votuar. Kjo është një normë e parlamentarizmit.
Meta: Nuk duhet t’ju shkojë mendja që ne duam që ju të ikni nga Parlamenti, se ne na duket bosh Parlamenti kur ikni ju. Faleminderit që do të qëndroni, kështu e ndihmoni dhe demokracinë.
Paloka: Nëse nuk e pranoni kërkesën tonë, kërkojmë 5 minuta pushim si grup parlamentar për të vendosur për këtë çështje
Meta: Atëherë, 10 minuta pushim.

 

PS-LSI, ende pa konsensus për hartën territoriale, miratohen dy variantet me 39 dhe 47 bashki

 Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale, pas propozimit të pesë varianteve për ndarjen e re administrative-territoriale vendosi që të miratonte dy variantet 39 dhe 47 të hartës për ndarjen e re administrative-territoriale dhe pas konsultave në komuna dhe bashki të vendit, do të dilet me një variant të vetëm. Për zbatimin e këtij vendimi, u ngarkua ministri i Çështjeve Vendore për të ndjekur procesin e konsultimeve dhe marrjen e mendimeve nga pushteti vendor për të bërë ndarjen në përputhje me përcaktimet. Mbledhja e këtij Komisioni pritej të bëhej ditën e premte, por me kërkesë të LSI-së mbledhja u bë mesditën e së enjtes, ndërkohë që deputetët vijonin diskutimet në seancë plenare. I pyetur nga gazeta, kryetari i këtij Komisioni, Bashkim Fino, tha se mbledhja u bë një ditë më para afatit, për shkak të kuorumit që nuk mund të kishte ditën e premte, për shkak të angazhimeve të deputetëve të LSI-së, ndërsa theksoi se Komisioni do të përzgjedhë dy variantet dhe pas konsultave, do të dalë në variantin përfundimtar.

Deputeti Armando Subashi shprehu mbështetjen për variantin me 39 zona funksionale, por la të hapur mundësinë e marrjes së elementëve pozitivë edhe nga varianti me 47 njësi. “Unë jam për variantin e dytë, atë që është me 39 zona funksionale, sepse sigurisht që varianti i fundit me 65 zona funksionale mund të dukej sikur do të kënaqte interesa të momentit në terren, por sigurisht nuk do të na përmbushte të gjitha ato pritshmëri që ne kemi pas këtij momenti në raport me reformën që duam të bëjmë. Nevojat e reformës kane qenë të qarta”, – tha Subashi ndërsa deklaroi se do të krijohen dhe dy zona funksionale, duke respektuar minoritetin, i cili ndodhet brenda territorit shtetëror të Shqipërisë.

Deputeti Petrit Vasili u shpreh për variantin e dytë dhe të tretë, pra atë me 39 dhe 47 njësi funksionale. “Mund të them që është i pari hap kurajoz që hidhet në 20 vjet, i cili zhvishet nga kriteret e vogla lokale, qoftë klientelizmit të vogël lokal politik etj. Po projektohet më së fundi një zgjidhje që demonstron një tjetër vizion.

E përjashtoj variantin me 63. Qoftë varianti me 39, qoftë varianti me 47 mendoj se janë dy variante që duhen kërkuar mendim për të dyja në vendimmarrjen përfundimtare. Nuk teprohet nëse quhet vendim historik sepse i tillë është. Për këto arsye, unë jam i mendimit që variantet 39 dhe me 47 ndarje do të ishin një propozim i mirë i Komisionit të Reformës për marrjen e opinionit nga komunitetet”, – tha Vasili.

Në fund të diskutimeve, kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, Bashkim Fino, u shpreh se ka marrë mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, ndërsa përsëriti thirrjen ndaj opozitës për të marrë pjesë në diskutimet për ndarjen e re territoriale.

 

Rrëzohet dekreti për Malajn, Spartak Braho mbështet kandidaturën e Presidentit

Pas rreth 11 orësh debate për çështjen e drogës, dekretin e Presidentit për ILDKP-në dhe kandidaturën e Nishanit për emërimin e Alaudin Malajt anëtar të Gjykatës së Lartë, Kuvendi vendosi rrëzimin e kërkesës së opozitës dhe propozimit të kreut të shtetit. Kështu votuan kundër kandidaturës së Malajt 66 deputetë nga mazhoranca, 12 votuan pro dhe 5 abstenim. Ndërkohë, 55 deputetë nuk morën pjesë në votim. Pro dekretit votoi deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili ditët e fundit ka mbajtur qëndrime kundër propozimeve të kreut të shtetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency