Mazhoranca tërhiqet nga nisma për shkarkimin e Presidentit, ligj të ri për kufizimin e kompetencave  

0
89

Florenc Drizari

komisioni i ligjeve maj Bylykbashi: Mazhoranca e ka ndarë mendjen, të kapë institucionet e pavarura në vend

 Braho: Do të bëjmë shumë shpejt një ligj që të rregullojmë mirë veprimtarinë e Presidentit

 Mazhoranca duket se është tërhequr nga ndërmarrja e procedurave për shkarkimin e kreut të shtetit, ndërkohë që ka filluar punën për një projektligj të ri, i cili pritet të rregullojë veprimtarinë e Presidentit. Pak ditë më parë, ka qenë kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, i cili ka thënë se dekretet e propozuara nga Presidenti janë jashtë kritereve ligjore dhe mungesat e anëtarëve në Gjykatën e Lartë bëjnë atë përgjegjës, duke shtuar se shumica parlamentare duhet të nisë procedurat për shkarkimin e tij. Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputetët e mazhorancës rrëzuan dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit nr. 45.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar””. Deputetët e majtë diskutuan gjatë për arsyetimet e kreut të shtetit dhe shtuan se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese.

Po në këtë mbledhje, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, tha se edhe Presidenti zgjidhet dhe shkarkohet prej Kuvendit. Braho tha se së shpejti do të bëhet një ligj i ri për kompetencat e Presidentit, ndërsa tha se Presidenti ka futur në handikap Gjykatën e Lartë, duke mos plotësuar vakancën.

“Defekti qëndron që politika, ligjvënësi, ka harruar të miratojë një ligj të posaçëm për Presidentin. Ne do ta bëjmë shumë shpejt, që ta rregullojmë mirë edhe veprimtarinë e Presidentit edhe tërë atyre organeve që kanë nevojë”, – tha Braho. Deklaratat e deputetëve të mazhorancës vijnë në kohën kur mes institucionit të Presidentit dhe shumicës parlamentare ka një konflikt në distancë për sa u përket kompetencave të numrit një të shtetit lidhur me propozimet për anëtarët e gjykatave si dhe zgjedhjen e disa funksionarëve të lartë të shtetit.

Një ditë më parë relatorja e përzgjedhur për të shqyrtuar dekretin e Presidentit të Republikës, Vasilika Hysi, u shpreh se argumentet e Presidentit janë të pabazuara, ndërsa e cilësoi kthimin e projektligjit nga ana e Presidentit si të pavend. “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë. Presidenti, kur thotë që përzgjedhja e inspektorit të Përgjithshëm vetëm nga Kuvendi mund ta politizojë atë, çfarë duhet të themi ne për Presidentin e Republikës kur ai zgjidhet nga Kuvendi, madje zgjidhet me 71 vota, atëherë Presidenti vetë pranon që është i politizuar?!”, – u shpreh relatorja Hysi.

Në emër të opozitës, nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, u shpreh se mazhoranca synon të kapë institucionet. “Parlamenti ta marrë dhe ta shqyrtojë me seriozitet. Ky nxitim nuk përbën habi për askënd. E ka ndarë mazhoranca, do të pushtojë shtetin në çdo qelizë të vetëm dhe po e bën sot. Është një nga hapat e planifikuar me kohë. Sot është vetëm seanca e dytë e saj. Sot u bëmë dëshmitarë përpara një arsyetimi që vetëm me Kushtetutën nuk ka lidhje”, – tha Bylykbashi. Pas diskutimeve opozita u largua nga Komisioni, ndërsa deputetët e mazhorancës miratuan me shumicën e votave rrëzimin e dekretit Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar””.

 

Dekreti për ILDKP-në, Nishani: Konfliktet mes institucioneve zgjidhen sipas Kushtetutës

Pas rrëzimit të dekretit për ligjin e ILDKP-së në Komisionin e Ligjeve, Presidenti u shpreh se zgjidhja e konflikteve mes institucioneve do të zgjidhet ashtu siç e parashikon Kushtetuta.

“Ashtu siç edhe Presidenti i Republikës dhe Kuvendi dhe çdo institucion tjetër ka të drejtët të veprojë mbi bazën e tagrit kushtetues. Qëndrimi i Parlamentit është qëndrim sovran. Çdo konflikt institucionesh do zgjidhet siç e parashikon Kushtetuta”, – tha ai. Deklarata e kreut të shtetit u bë në një konferencë me homologun e tij austriak. Presidenti Fischer deklaroi se Austria e mbështet integrimin evropian të Shqipërisë. Ai theksoi se Austria e ka ndjekur prej kohësh zhvillimin dhe fatin e vendit tonë. Sipas tij Shqipëria është në rrugë të mbarë. “Dua të them qartë që Austria e ka ndjekur prej kohësh zhvillimin Shqipërisë dhe fatin e saj dhe këtë proces e shikon edhe në ditët e sotme. Dua të them që ne kemi pasur raporte të mira në këto 20-25 vitet e fundit. Marrëdhëniet në fushën e ekonomike dhe kulturore duhet të zhvillohen më tej. Kjo është shumë e rëndësishme për përmirësimin e klimës të investimeve luftën kundër korrupsionit për ngritjen në një masë sa më të madhe të andarteve evropiane. Ne mbështesim tërësisht dhe jemi të bindur që Austria do të mbështesë marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Nëse rikapitulojmë bisedimet që janë kryer në dhjetor të vitit 2013 jemi në rrugë të mbarë. Shqipëria luan një rol stabiliteti në rajon dhe përpiqet të luajë një rol të moderuar në rajon. Pjesës tjetër së delegacionit ekonomik i uroj qëndrim të suksesshëm dhe bisedime të frytshme”, – u shpreh Fischer.

 

Konferenca e Kryetarëve, opozita kërkon rishikimin e komisionit hetimor për drogën

 Përfaqësues të opozitës kërkuan në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që të rishihet edhe një herë vendimi për komisionin hetimor lidhur me trafikun e drogës. Kjo kërkesë u bë nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ndërsa propozimi i tij u rrëzua nga shumica në Kuvend.

Në përgjigje të kërkesës së kryetarit të grupit demokrat lidhur me këtë çështje, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, sqaroi se kjo është një çështje me të cilën po merren organet e drejtësisë.

Konferenca e Kryetarëve miratoi një ditë më parë draft kalendarin e punimeve të Kuvendit (26 maj – 13 qershor 2014), si dhe draft-programin e Punimeve të Kuvendit (26 maj – 4 korrik 2014). Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta njohu anëtarët e pranishëm me projektligjet e parashikuara si dhe me axhendën e punimeve të Kuvendit për ditët në vijim.

Meta sqaroi se në mbështetje të nenit 26 të rregullores në projekt/program janë përfshirë të gjitha çështjet që janë depozituar për shqyrtim dhe miratim, si dhe ato të mbartura nga programi aktual në projekt/kalendar edhe ato nisma që plotësojnë afatin dy javor të depozitimit në Kuvend të parashikuar në projekt/program.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency