Opsioni i parë/ Formula që ka zgjedhur qeveria për skemën e re të pensioneve, rriten vitet e kontributeve  

0
133

Ndryshimet rrënjësore që do të prekin pensionet, nga ndryshimi i pagesës së kontributeve për të vetëpunësuarit deri te rritja e moshës vit pas viti

1234 Skema e re që do të hyjë në fuqi në 1 janar 2015, do të bazohet mbi opsionin e parë të dokumentit mbi politikat e pensioneve. Ky dokument i sugjeronte qeverisë 2 mundësi për reformën në pensione dhe konkretisht ekspertët e Ministrisë së Mirëqenies Sociale kanë propozuar që skema e re të bazohet mbi opsionin e parë. Ky opsion parashikon se të gjithë individët që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni do të përfitojnë një pension social, i cili mund të përfitohet vetëm nga individët mbi 70 vjeç që kanë qenë rezidentë në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive. Ky pension do të jepet duke pasur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit. Në skemën e reformuar pensioni bazë do të zëvendësohet me pensionin social. Veç kësaj, do të hiqet kufizimi i pensionit maksimal deri në dyfishin e pensionit minimal si edhe do të hiqet llogaritja me 75% e pagës neto. Gjithashtu, reforma synon të zhdukë diferencën mes pensioneve rurale e urbane dhe nuk ofron më privilegje të veçanta për fermerët, por i përfshin ata në skemën e vetme të vendit.

 

Çfarë ndryshon

Do të vendosen rregulla të sakta e të rrepta për indeksimin e masës së pensionit, duke parashikuar vetëm indeksim me inflacionin. Do të hiqet tavani i pensionit maksimal. Do të bëhet njësimi i pagës minimale kontributive me pagën minimale zyrtare dhe indeksimi i pagës maksimale kontributive me rritjen e pagës mesatare. Po kështu, do të rriten vitet e kontributeve për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025. Do të bëhet rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056. Do të hiqen privilegjet për njohjen e periudhave të sigurimit pa paguar kontribute për gratë, siç është njohja e viteve të studimit si vite të siguruara. “Përmirësimi i mënyrës së llogaritjes së pensioneve për nënat me shumë fëmijë dhe pensionet familjare, duke përcaktuar si moshë për përfitimin e pensionit nga bashkëshortët, moshën e daljes në pension. Rritja e normës së kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017. Përmirësimi i formulës së pensioneve të zonave rurale. Sot, një fermer që ka mbi 17 vjet e gjashtë muaj sigurime në shtet ose si i vetëpunësuar, përfshi edhe sigurimet në kooperative, përfiton pension shteti. Kjo periudhë sigurimi do të rritet gradualisht (1 vit në vit) deri në shuarjen tërësore të njohjes së periudhës si ish kooperativist”, – parashikon propozimi i parë i dokumentit të politikave të pensioneve. Po kështu do të vendosen element dekurajuese për dalje në pension të parakohshëm dhe inkurajimi i daljes vonë në pension. Pensionistët aktualë do të vazhdojnë të përfitojnë pensionin ashtu si në të shkuarën dhe masa e pensionit do të rritet çdo vit ashtu siç e parashikon ligji, në përputhje me inflacionin.

 

Profesionet e vështira

Skemat profesionalepër profesionet e vështira do të kthehen në detyrim ligjor dhe do të përfshijnë disa kategori si punonjësit e industrisë minerare, punonjësit e industrive të tjera si nafta dhe metalurgjia, punonjësit e artit dhe kulturës etj. Këto skema do të kenë si synim garantimin e të ardhurave për individët që dalin në pension më herët sesa mosha zyrtare e daljes në pension. Ato do të jenë kontributive, ku masa e kontributit do të ndahet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të krijohen mbi bazën e marrëveshjeve kolektive. Mbikëqyrja e këtyre skemave do të bëhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

 

Mundësia e dështimit

Për të parë nëse ky opsion do të ishte i qëndrueshëm, pavarësisht nga rrethanat, është e nevojshme që të testohet edhe në një variant pesimist, ku të gjithë variablat mbeten të pandryshuar përveç njërit, që është numri i kontribuuesve. Nëse në versionin e mësipërm është bërë një rritje të numrit të kontribuuesve për shkak të bërjes së skemës më tërheqëse dhe forcimit të kapaciteteve për të mbledhur kontributet, në variantin e mëposhtëm, të cilin do ta quajmë pesimist, numri i kontribuuesve mbetet i pandryshuar gjatë gjithë periudhës së parashikimit. Kështu, nëse në skemën aktuale deficiti rritet nga 2% e PBB në vitin 2015 në 2.4% të PBB në vitin 2029, në versionin pesimist deficiti bie menjëherë nga 2% i PBB në vitin 2015 në afërsisht 1.5% të PPB nga viti 2024. Që nga ky vit deri më 2054 deficiti vazhdon të reduktohet në mënyrë drastike duke rënë në 1% të PBB në vitin 2044.

 

 

Formula që pritet të miratojë qeveria

P = PS + Sh

 

P është masa e pensionit mujor

PS është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë se sa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive

Sh është shtesa vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin aktual me kontributet mesatare të viteve të mëparshme

 

Kush do të përfitojë pension social sipas opsionit 1

– Individët e kthyer nga emigracioni që nuk kanë një historik të mjaftueshëm pune për të përfituar një pension nga skema e detyrueshme

– Individë me burime të pakta të të ardhurave, kryesisht banorë të zonave rurale që kanë qenë të vetëpunësuar në bujqësi, por që zotërojnë sipërfaqe të kufizuar toke e nuk mund ta shfrytëzojnë në moshën e pleqërisë

– Individë të cilët për shkak të gjendjes së mirë ekonomike nuk kanë punuar kur kanë qenë në moshë pune duke mos plotësuar kushtet për përfitimin e një pensioni nga skema e detyrueshme dhe që në pleqëri për arsye të ndryshme kanë pësuar një përkeqësim të gjendjes ekonomike

– Të papunët afatgjatë ose personat e dekurajuar që s’kanë punuar fare gjatë gjithë jetës së tyre ose që nuk kanë mjaftueshëm vite të siguruara për të përfituar një pension nga skema e detyrueshme

– Individë të tjerë, kryesisht gra të angazhuara në veprimtari familjare

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency