Ndryshojnë rregullat për transferimin e numrit celular  

0
142

Ervin Kaduku

TELEFONE-CELULARE Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar së fundmi disa shtesa dhe ndryshimeve në rregulloren nr. 13, datë 16.4.2010 “Për portabilitetin e numrit”. Shërbimi i portabilitetit të numrit (transferimit) u mundëson përdoruesve të telefonisë celulare të ndryshojnë operatorin, duke mbajtur të njëjtin numër.

Sipas këtyre ndryshimeve, duke filluar nga 25 prilli nuk do portohet asnjë debitor dhe koha minimale e qëndrimit tek një operator do të jetë tre muaj. Më konkretisht, në rast se pajtimtari është debitor ndaj operatorit celular e atij fiks, nuk do të lejohet të portohet (mbartet) nga një operator tek tjetri, pa bërë më përpara likuidimin e detyrimit financiar. Nga ana tjetër, çdo pajtimtar që portohet në një operator tjetër nuk do të mund ta ndryshojë atë para një periudhe tremujore.

Sipas AKEP, këto ndryshime u bënë pas problemeve të evidentuara si kërkesat për bartje nga pajtimtarë me detyrime të pashlyera kundrejt operatorit dhënës; vendosja e një kohë minimale te detyrueshme për kërkuesin e bartjes që të qëndrojë në operatorin në të cilin është bartur, përpara se të vendosë një kërkesë tjetër për bartje; refuzimi i kërkesave për bartje duke shfrytëzuar dhe keqinterpretuar përmbajtjen e nenit 15 etj.

Fillimi i shërbimit të portabilitetit rreth dy vjet më parë, i vuri kompanitë në garë për t’i marrë sa më shumë klientë njëra-tjetrës.

Sipas të dhënave të kartave SIM aktive rezulton që çdo shqiptar të ketë 1.8 celularë. Sipas të dhënave nga AKEP, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare në fund të vitit 2013 arriti në 3.7 milionë, krahasuar me 3.5 milionë në fund të vitit 2012. Kjo përbën një rritje vjetore me 4% për të katër operatorët, ndërkohë që numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme, sipas kartave SIM aktive, pati reduktim me 6%, duke arritur në 5.3 milionë krahasuar me 5.6 milionë në fund të vitit 2012. Norma e penetrimit (përdorues për 100 banorë) në vitin 2013 ishte 130% sipas përdoruesve aktivë dhe 187% sipas kartave SIM. Numri i pajtimtarëve celularë që përdorin shërbimet 3G të aksesit broadband në vitin 2013 arriti rreth 1.2 milionë, duke u rritur me 90%: numri pajtimtarëve me akses broadband 3G me karta USB/modem u rrit me 101%, ndërsa numri i pajtimtarëve me akses broadband 3G nga aparatet celulare u rrit me 88%.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency