Masakron me çifte gruan, 51-vjeçari më pas vetëvritet

0
143

Anxhela Tato

vrasja fier Krimi në familje/ Biseda me babain: Vrara gruan dhe do të vetëvritem

 Qëlloi 3 herë me çifte bashkëshorten, e shtyu me dorë gjatë një debati të dhunshëm

 Fqinjët njoftuan policinë: I njihnim si njerëz të qetë, nuk kishte as konflikte, as probleme, jemi të tronditur

Masakron me çifte bashkëshorten e tij, pasi i ktheu dorën gjatë një konflikti për motive banale. I revoltuar nga gjesti i bashkëshortes, e cila e ka shtyrë me dorë në debat e sipër, 51-vjeçari ka marrë armën duke e qëlluar tri herë. Urrejtja dhe egoja për veprimin e gruas kanë bërë që Jashar Yzeiraj të humbte logjikën dhe t’i merrte jetën gruas së tij, Arsino Yzeiraj. I penduar për vrasjen, 51-vjeçari ka gjetur si zgjidhje vetëflijimin. Me çiften e pozicionuar poshtë mjekrës ai i ka dhënë fund jetës. Çifti njihej në tërë zonën si njerëz të qetë dhe pa problem. Kanë qenë fqinjët, të cilët kanë gjetur dy trupat e pajetë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Për blutë kjo ka qenë një ndër skenat e krimit më të rënda, ku kufoma e gruas ishte e shkatërruar dhe e deformuar nga të shtënat me çifte. Ndërsa ende nuk është i qartë motivi i konfliktit, dyshohet se sherri ka qenë për motive xhelozie. Por situata është rënduar në momentin që Arsino Yzeiraj ka shtyrë bashkëshortin e saj. Ky gjest ka bërë 51-vjeçarin të tranohej dhe të vriste gruan. Dëshmitarët kanë rrëfyer për blutë se janë trembur nga të shtënat dhe ulërimat. Me vrap janë drejtuar në banesën dhe aty kanë gjetur dy kufomat. Trupat janë dërguar në morgun e spitalit, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Tri goditje me saçme kanë dëmtuar organet jetike të gruas, duke i shkaktuar të çara në mushkëri dhe plasje të zemrës.

 

Krimi

Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në një banesë në fshatin Dukë të Patosit. Ishte ora 11:00 kur nga banesa e çiftit Yzeiraj janë dëgjuar klitha dhe të shtëna të forta. Të trembur fqinjët kanë vajtur në banesë. Ata kanë thirrur disa herë në emër të Jashar Yzeirajt dhe në mungesë të përgjigjes janë futur në banesë. Të tronditur nga skena e rëndë në ambientin e ngrënies, fqinjët kanë telefonuar policinë. Ata kanë raportuar se në banesë është trupi i gruas dhe i burrit, të cilit janë të vdekur dhe të mbuluar në gjak. Menjëherë forca të policisë së Fierit janë paraqitur në vendin e ngjarjes. Nga mbledhja e provave dhe nga këqyrja e kufomave është arritur në përfundimin se 51-vjeçari ka vrarë gruan dhe më pas veten. Sipas policisë krimi ka ndodhur pas një konflikti, kur 51-vjeçari ka qëlluar tre herë në kraharor bashkëshorten. Më pas ai është vetëvrarë me armën nën mjekër. Sipas ekspertizës mjekoigjore vetëm pak minuta pas vrasjes së gruas 51-vjeçari është vetëflijuar. Saçmja, që është karakteristike për armët e gjahut dhe forca e saj goditëse ka shpërfytyruar dy kufomat. Nga hetimet e policisë çifti ka nisur të konfliktohet dhe debati ka kaluar në konfrontim fizik, ku gruaja për tu mbrojtur ka shtyrë me dorë burrin e saj. Për blutë ky gjest nuk është kapërdirë nga 51-vjeçari, i cili në shenjë revoltë ka qëlluar tre herë Arsino Yzeiraj. Çifti ka dy fëmijë, ku vajza rezulton e martuar në Vlorë, ndërsa djali emigrant në Greqi.

 

Dëshmitë

Nga vendi i ngjarjes për policinë kanë folur banorët. Ata kanë treguar se bashkëshortët ishin shumë të qetë dhe kurrë nuk kanë pasur sherre apo konflikte me njëri-tjetrin. Ata njiheshin në zonë si njerëz të urtë dhe si familje jo problematike. Për fqinjët është ende e habitshme sesi kjo familje e rregullt dhe normale mund të përfundonte në krim. “Jashari ishte një njeri i mirë, i qetë dhe i butë. Të dy ishin njerëz të mirë dhe nuk kishin probleme. Nuk di çfarë të them, nuk e prisnim”, – është shprehur një nga banorët. Ndërsa babai i 51-vjeçarit është marrë në pyetje nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore. Ai ka treguar se djali dhe nusja nuk kanë pasur sherre apo konflikte dhe kjo ngjarje është shumë e rëndë për familjen. Ndërsa ka shtuar se djali e ka telefonuar duke i thënë se kishte vrarë gruan dhe do të vetëvritej. Këto kanë qenë të vetmet fjalë të 51-vjeçarit për ngjarjen e rëndë, duke mos i dhënë asnjë përgjigje babait. I moshuari ka vrapuar për në banesë tek djali, por ka qenë vonë, pasi të dy ishin të vdekur. Ky është rasti i dytë i krimit në familje të ndodhur brenda këtyre javëve në vendin tonë. Ngjarja e fundit u shënua në një fshat të Mirditës, ku bashkëshorti pasi masakroi me thikë gruan, u vetëvar në një pemë.

 

 Tiranë/ Vrasja e biznesmenit në Fier me 13 plumba, pranga autorit

 Vrasja e biznesmenit të Fierit ka tashmë pas hekurave një nga autorët e dyshuar. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Ildi Hoxha, shok i Eno Veshit. Arrestimi i tij ndodhi në Aeroportin e Rinasit, teksa po tentonte të kalonte kufirin për në Itali. Ildi Hoxha ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Fierit, pasi ishte shok i ngushtë me Eno Veshin, babanë e të cilit dyshohet se e kanë vrarë djemtë e Agron Imerajt. Hoxha pritet që të transportohet në Fier dhe të merret në pyetje për vrasjen. Agron Imeraj ishte pronar i një linje dyqanesh hidrosanitare në Fier dhe u u ekzekutua gjatë një atentati mafioz më 16 maj. Dyshimet kanë qenë ndaj Eno Veshit, si një krim në shenjë hakmarrje për vrasjen e babait të tij nga djali i viktimës. Sipas bluve autorët i kanë zënë pritë dhe në kohën që 53-vjeçari është futur në makinë është qëlluar mbi të nga jashtë me breshëri plumbash. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 13 gëzhoja. Sipas policisë së Fierit, autori dyshohet se është Eni Veshi i shpallur në kërkim, me të cilin familja Ymeraj ka pasur konflikte të hershme. Edhe kësaj here disa vendime të gjyqësorit, duke mos vendosur drejtësinë në vend, kanë sjellë vijimin e përplasjeve mes dy familjeve. Në datë 10.8.2010 shtetasi Eni Veshi dhe shtetasi Lorenc Buzi kanë tentuar të vrasin shtetasin Juljan Ymeraj (djali i viktimës Agron Ymeraj). Për këtë tentativë vrasje, ata janë dënuar me kusht. Në datë 31.8.2011 shtetasi Juljan Ymeraj dhe vëllai i tij dyshohen se kanë vrarë shtetasin Koli Veshi dhe kanë tentuar të vrasin djalin e tij, shtetasin Eni Veshi. Për këtë ngjarje janë arrestuar si autorë të dyshuar Juliani dhe i vëllai, por me vendim nr. 304 datë 30.9.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, janë deklaruar të pafajshëm dhe janë liruar, ndërsa Prokuroria ka kërkuar për secilin prej të dyshuarve nga 25 vjet burg.

 

Tepelenë /I shpallur në kërkim në kryeqytet për grabitje, arrestohet 22-vjeçari

Policia e Tepelenës ka kapur në afërsi të banesës në fshatin Iliras, Zeman Mahmutin. 22-vjeçari Mahmuti ishte shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 4 vite e 4 muaj burg për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim. 22-vjeçari është dënuar nga gjykata, pasi në muajin mars 2013 në bashkëpunim me një person tjetër kanë vjedhur me dhunë në rrugën Thanas Ziko në Tiranë një minimarket. Policia e Tepelenës bën me dije se është njoftuar policia e Tiranës për veprimet e mëtejshme.

 

 Durrës/ Tentoi të korruptonte policët, pranga Petrit Çakrajt

 Policia e Durrësit ka arrestuar një 44-vjeçar nga Tropoja, pasi ka tentuar të korruptojë efektivët. Petrit Çakraj fillimisht është ndaluar, pasi ishte pa dëshmi drejtimi dhe pa asnjë dokument mjeti. Sipas policisë së Durrësit, gjatë një kontrolli që ai po i nënshtrohej nga Policia e Rendit dhe Qarkullimit Rrugor tentoi të korruptonte punonjësit. Tashmë ndaj 44-vjeçarit rëndon edhe akuza e korrupsionit aktiv. Gjatë shoqërimit të tij iu bllokuan dy dokumente, njëri në gjuhët shqip-anglisht dhe tjetri në gjuhën serbe, të cilët dyshohen se janë të falsifikuara me mbishkrimet “Antimafia”, “Antiterror”. Në momentin e ndalimit u konstatua se ai ishte pa dëshmi drejtimi dhe pa asnjë dokument mjeti. Petrit Çakraj është një emër i njohur nga ana e Policisë së Shtetit, pasi ka qenë një nga dëshmitarët kryesorë në vrasjen e Azem Hajdarit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency