Epo, ti s’je me kohën, kjo është e gjitha!

0
135

Doris Lessing

salvadorHarieta dhe Davidi u njohën në një festë zyrtare, ku, as njëri dhe as tjetri nuk kishin pasur ndonjë dëshirë të madhe për të vajtur, por që të dy e kuptuan menjëherë, se kjo kishte qenë pikërisht çfarë kishin pritur prej kohësh. Konservatorë, demode, të druajtur, njerëz që s’gjejnë qetësi. Kështu i quanin të tjerët. Megjithëse lista e epiteteve që u ngjisnin, s’kishte të sosur. Kishin një pikëpamje të vetë,n që e mbronin me kokëfortësi, sipas së cilës ata qenë thjesht njerëz të zakonshëm dhe si të tillë nuk duheshin kritikuar, nëse ishin tepër kërkues apo se ishin të pandjeshëm, thjesht se këto cilësi na qenkëshin jashtë kohe. Në këtë festë të famshme zyrtare, u mblodhën rreth dyqind vetë, që u ngjeshën në një sallë të gjatë, të zbukuruar e solemne, që për treqind e tridhjetë e katër ditë të vitit shërbente si sallë mbledhjesh.

Tri shoqëri tregtare, të cilat, që të treja merreshin me ndërtime, po organizonin festën e fundvitit.

Ishte e zhurmshme. Ritmi i fortë i një bande të vogël, tundte mure e dysheme. Të shumtët kërcenin ngjitur pas njëri-tjetrit për shkak të hapësirës së vogël, çiftet uleshin e ngriheshin në ndonjë cep, si të ishin duke qëndruar në ca pista rrotulluese të padukshme.

Gratë ishin veshur me rrobat më të mira, më të çuditshme dhe ngjyra-ngjyra, që dukeshin

sikur thoshin: Më shihni mua! Më shihni mua! Kishte edhe burra, që donin të dukeshin po aq sa gratë. Mbështetur pas mureve qëndronin ca prej atyre, që nuk kërcenin dhe ndër ta ishte edhe Harieta dhe Davidi, secili në punën e vet, duke mbajtur nga një gotë në dorë e duke vëzhguar të tjerët. Që të dy mendonin, se fytyrat e atyre kërcimtarëve, të grave më shumë se të burrave, por jo më pak edhe të burrave, mund të shpërfytyroheshin nga çasti në çast, duke u shformuar nga të bërtiturat dhe dhimbjet e kënaqësisë. Se ç’kishte një rrëmujë të sforcuar kjo skenë… por këto mendime, ashtu sikurse edhe shumë të tjera, nuk kishin menduar t’i ndanin me ndokënd.

Po ta shihje nga përtej dhomës, mes kaq shumë syve kërkues, Harieta dukej si një pastel i turbullt, si ndonjë pikturë impresioniste apo një truk foto grafik.

Dukej si një vajzë e bërë njësh me atë çka e rrethonte. Qëndronte në këmbë afër një vazoje të madhe me bar e gjethe të thata dhe kishte veshur një fustan me lajle-lule. Një sy i vëmendshëm mund të shquante ca flokë të zinj kaçurrelë, që nuk ishin në modë… dy sy blu, të ngrohtë, por të mendueshëm… buzët pak a shumë të mbledhura. Në të vërtetë, të gjithë tiparet i spikasnin dhe trupin e kishte të lidhur mirë. E re dhe e shëndetshme, por mos ngjante më shumë me një vajzë të prerë për të ndenjur brenda mureve të shtëpisë?

Davidi kishte një orë, që nuk lëvizte nga vendi, pinte e mendonte. Sytë seriozë gri në blu e shtynin kohën duke parë herë njërin e herë tjetrin, herë një çift dhe herë mënyrën se si njerëzit bashkoheshin e ndaheshin, duke u përplasur me njëri-tjetrin.

Harietës nuk i la përshtypjen e një njeriu që i kishte këmbët të ngulura mirë në tokë, madje i dukej sikur nga çasti në çast do të humbte ekuilibrin e do të rrëzohej përdhe. Djalë i ri, në fakt dukej edhe më i ri se ç’ishte, kishte fytyrë të rrumbullakët e të çiltër, ca flokë të butë të kaftë, që vajzat vdisnin t’i përkëdhelnin, por pastaj ai shikimi i tij këmbëngulës sikur i shponte, e kështu ato hiqnin dorë. I turbullonte. Por jo Harietën. Ajo e dinte se vështrimi i tij i ngulur, ishte pasqyrë e vetes. Mendoi se ai po përpiqej të dukej njeri me humor. Edhe ai po mendonte të njëjtën gjë. U duk qartë, se asaj nuk i pëlqenin raste të tilla, por po aq nuk i pëlqenin edhe atij vetë. Që të dy mësuan se kush ishin. Harieta punonte në departamentin e shitjeve të një firme, që dizenjonte dhe prodhonte materiale ndërtimi. Davidi ishte arkitekt.

Po ç’ishte kjo gjë që i bënte që të dy të dukeshin si tuhafë dhe të krisur në sy të të tjerëve? Ishte qëndrimi i tyre ndaj seksit. Ishin vitet gjashtëdhjetë. Davidi kishte pasur një marrëdhënie të gjatë dhe të vështirë me një vajzë, që zor se e kishte dashuruar.

Ajo ishte pikërisht çka nuk kishte dashur te një vajzë. Ata shpotitnin rreth tërheqjes së të

kundërtave. Vajza tallej me Davidin, që mendonte se mund ta ndryshonte. “Mendoj se ty të gënjen mendja se mund ta kthesh orën prapa, duke filluar me mua.” Qëkur ishin ndarë, gjërat kishin shkuar si mos më keq, mendonte Davidi. Ajo nuk kishte lënë njeri në Sissons Blend & Co pa futur në shtrat. Edhe femrat, por kjo nuk e çudiste Davidin. Ja ku ishte sonte, e veshur me një fustan në ngjyrë të kuqe të ndezur me një dantellë të zezë, një imitim i shëmtuar i një fustani flamengoje. Nga kjo përzierje e çuditshme, ajo nxori pak kokën si e habitur.

Ishte rreth nëntëmbëdhjetë ose njëzet vjeçe. Flokët e zinj i binin mbi supe. Kishte vendosur dy karfica të zeza me shkëlqim, kurse balluket i kishte lënë t’i binin mbi ballë. I dërgonte Davidit si e marrë përshëndetje dhe puthje që nga ana tjetër e dhomës, ku rrotullohej me partnerin e saj dhe ai i buzëqeshte miqësisht, si për t’i thënë: “Jemi ndarë, por s’mbajmë mëri.” Sa për Harietën, ajo ishte e virgjër. “Virgjëreshë?”, do të shpërthenin shoqet e saj, “mos je çmendur gjë?” Ajo nuk e mendonte veten si virgjëreshë, sikur kjo të ishte një gjendje psikologjike që duhej mbrojtur, por më shumë si një dhuratë e mbështjellë me disa shtresa letrash të bukura, që do t’i jepej me kujdes njeriut të duhur. Motrat e saj qeshnin me të. Shoqet e zyrës e shihnin me shpoti dhe si me tallje kur ajo këmbëngulte: “Më falni, por mua nuk më pëlqen të fle andej-këndej me lloj-lloj njerëzish, s’është punë për mua!” Ajo e dinte, se përflitej gjithmonë si temë interesante dhe zakonisht jo me ndonjë dashamirësi të madhe. Me të njëjtën përbuzje të ftohtë që mund ta kishin përdorur një herë e një kohë gratë e brezit të gjyshes së saj, kur thoshin: “Filania? Imorale e madhe!”, apo “E nga do të dilte më e mirë ajo?”, apo “Femër pa moral”. Pastaj ato të moshës së të ëmës: “Ajo vdes pas burrave”, apo “Nimfomaniake, e tillë është”. Kështu diskutonin me siguri edhe ato vajzat e sotme e të arsimuara, duke i thënë njëra-tjetrës: “Kushedi ç’i ka ndodhur në fëmijëri që është bërë kështu. E shkreta!”

Ajo vërtet ndonjëherë qe ndier e pafat, apo si t’i kishte munguar diçka, sepse të gjithë meshkujt me të cilët kishte dalë për ndonjë darkë apo kishte shkuar në kinema, ia merrnin mospranimin më shumë si problem patologjik, sesa mungesë bujarie. Kishte pasur për ca kohë një shoqe më të re se veten, por dhe ajo ishte “bërë si të gjitha të tjerat”, siç e etiketonte Harieta me dëshpërim, duke e përkufizuar veten si një njeri, që s’kishte për t’u përshtatur kurrë. Shumë mbrëmje i kalonte vetëm e fundjavave shkonte tek e ëma. Ajo i thoshte: “Epo, ti s’je me kohën, kjo është e gjitha. Shumë vajza ku ta gjenin të ishin si ty, po s’e kanë atë fat”.

Këta dy eksentrikë, Harieta dhe Davidi, u nisën secili nga këndi i vet drejt njëri-tjetrit në të njëjtin çast. Dhe kjo ishte e rëndësishme, përderisa kjo festë e famshme pune u bë pjesë e historisë së tyre. “Po, saktësisht në të njëjtën kohë…”, iu desh të shtynin njerëzit e ngjeshur pas mureve. Gotat i mbanin lart mbi kokë, që të mos pengonin ata që kërcenin.

Kështu, më në fund, u takuan duke buzëqeshur, por ndoshta edhe duke u ndier pak në vështirësi. Ai e kapi për dore, dolën me mundim nga ajo dhomë dhe hynë në një tjetër, ku ishin shtruar ushqimet dhe që ishte po aq plot me njerëz të zhurmshëm sa edhe salla e madhe. Nga ajo dhomë dolën në një korridor, ku ca çifte aty-këtu putheshin e përqafoheshin, pastaj u futën në një dhomë, me një dorezë dere shumë tërheqëse. Ishte një zyrë me një tryezë, ca karrige të forta dhe një divan. Heshtje… domethënë, pothuajse heshtje. Psherëtinë. Lanë gotat. U ulën përballë njëri-tjetrit, në mënyrë që të shiheshin mirë dhe pastaj nisën të flisnin. Folën e folën, sikur të folurit të ishte pikërisht ajo çka u ishte mohuar të dyve, sikur po vdisnin për të folur, ashtu siç vdes njeriu nga uria. Dhe vazhduan të qëndronin ashtu, ulur, afër njëri-tjetrit, duke folur, derisa zhurma në dhomat e anës tjetër të korridorit filloi të zbehej dhe ata dolën qetësisht e shkuan drejt e tek apartamenti i tij, që ndodhej aty pranë. U ulën në shtratin e tij, duke shtrënguar dorën e njëri-tjetrit, duke folur dhe, hera-herës, duke u puthur. Pastaj fjetën. Pothuajse fill pas kësaj, ajo u transferua në apartamentin e tij, pasi atje ku jetonte, kishte vetëm një dhomë të marrë me qira në një nga ato ndërtesat e Bashkisë. Kishin vendosur tashmë të martoheshin në pranverë. E pse të prisnin? Ata ishin bërë për njëri-tjetrin.

Harieta ishte më e madhja e tri motrave. Iu desh të bëhej tetëmbëdhjetë vjeç, që të kuptonte se sa shumë i detyrohej fëmijërisë së saj, pasi shumë nga shokët dhe shoqet i kishin prindërit të divorcuar, bënin jetë aventureske dhe të rrezikshme dhe ishin të prirur për të qenë, si i thonë, të çekuilibruar.

Harieta s’ishte e çekuilibruar. Ajo gjithmonë e kishte ditur mirë se ç’donte. Në shkollë kishte dalë mirë, kishte shkuar në një kolegj arti, ku u bë dizenjuese grafike, një mënyrë jo e keqe për të kaluar kohën derisa të martohej. Pyetja, nëse duhej apo nuk duhej të bëhej grua karriere, nuk e kishte shqetësuar ndonjëherë, megjithëse ishte e përgatitur për ta diskutuar: nuk i pëlqente të hiqej si më shumë eksentrike se ç’i duhej të ishte. E ëma qe një grua e kënaqur, së cilës nuk i kishte munguar asgjë nga ato çka dëshiron një grua normale, ose të paktën kështu i dukej asaj vetë dhe të bijave. Prindërit e Harietës ishin të mendimit, se që të jesh i lumtur, duhet së pari të bësh jetë familjare. Origjina e Davidit ishte krejt tjetër. Prindërit iu divorcuan kur ai ishte shtatë vjeç. Shpesh thoshte me shaka, se kishte dy palë prindër. Davidi kishte qenë njëri prej atyre fëmijëve që e kanë dhomën e vet në dy shtëpi dhe që rrethohen nga njerëz, që i njohin mirë problemet psikologjike. Për fëmijët, kjo ndarje sigurisht që nuk kishte qenë dhe aq e lehtë, por të paktën të rriturit ishin ndarë mirë, pa mërira dhe inate. Burri i dytë i së ëmës, babai tjetër i Davidit, ishte akademik, historian dhe kishte një shtëpi të madhe e të vjetër në Oksford.

Davidit i pëlqente ky burrë i quajtur Frederik Bërk, i cili ishte i dashur sikurse e ëma, e cila, ishte e dashur, por jo edhe aq e afrueshme. Dhoma që kishte në këtë shtëpi, kishte qenë shtëpia e tij, apo siç e shihte ai me sytë e imagjinatës, shtëpia e tij e vërtetë, megjithëse tashmë do të krijonte së shpejti me Harietën një tjetër, një zgjerim apo përforcim të saj. Kjo strehë e tij, ishte një dhomë e madhe gjumi në pjesën e pasme të shtëpisë, nga e cila dukej një kopsht i lënë pas dore. Një dhomë e vjetër, e mbushur me djalërinë e tij, por paksa e ftohtë për të qenë një dhomë gjumi angleze. Babai i tij i vërtetë u martua me një vajzë të sërës së vet.

Ajo ishte e potershme, e dashur, e zonja dhe me një humor cinik, që karakterizon zakonisht njerëzit e pasur. Xheims Lovat ishte ndërtues barkash, kështu që kur Davidi shkonte ta vizitonte, ai e vinte ose në ndonjë shtrat marinari të ndonjë jahti ose në ndonjë prej dhomave (“Kjo është dhoma jote, David”.) të një vile në jug të Francës ose në Indet Perëndimore. Por atij i pëlqente më shumë dhoma e vjetër në Oksford. Ishte rritur, duke i ushqyer vetes një qëllim për të ardhmen: për fëmijët e tij gjithçka do të qe ndryshe. E dinte ç’kërkonte dhe se çfarë gruaje do t’i duhej. Nëse Harieta e shihte të ardhmen e vet si dikur, pra që një burrë do t’i jepte çelësat e mbretërisë së saj dhe se ajo do të gjente atje gjithçka që ia kërkonte natyra dhe nëse e shihte këtë si një të drejtë nga lindja, në fakt ashtu siç e kishte parë vërtet – në fillim ashtu pa vetëdije, por më vonë, me vendosmëri – nëse kjo ishte ajo që kishte kërkuar, duke hedhur poshtë çdo lloj paqartësie apo drame, atëherë ai e shihte të ardhmen e tij si diçka, për të cilën duhet të luftonte dhe ta mbronte. Në këtë pikë, gruaja e tij duhet të jetë si ai: ta dijë se ku ndodhet lumturia dhe ta ruajë atë. Qe tridhjetë vjeç kur u njoh me Harietën dhe deri atëherë kishte punuar me disiplinën dhe këmbënguljen e një njeriu ambicioz: dhe të gjithë këtë e bënte për të pasur një shtëpi të vetën.

Në Londër nuk qe e mundur të gjenin shtëpinë që u duhej për jetën që donin të bënin. Megjithatë, ata nuk ishin shumë të sigurt, nëse Londra ishte pikërisht ajo që u duhej. Në të vërtetë, nuk ishte, jo. Do t’u pëlqente më shumë ndonjë qytezë e vogël me atë atmosferën e vet. Fundjavat po kalonin në kërkim të një shtëpie në qytetet e vogla rreth e rrotull Londrës, nga ku mund të shkoje e të vije në punë përditë. Nuk kaloi shumë kohë dhe gjetën një shtëpi të stilit viktorian, me një kopsht të mbushur me bar që prej kohësh kishte nevojë të kositej.

E përsosur! Por, për një çift të ri, gjithë ajo shtëpi trekatëshe, me papafingo, me aq dhoma, korridore, sheshpushime shkallësh… ishte ca absurde. Por, mjaft e bollshme për fëmijët!

Dhe ata kishin ndër mend të bënin shumë fëmijë. Për shkak të atyre kërkesave madhore që kishin për të ardhmen, që të dy deklaruan në mënyrë sfiduese se shumë fëmijë “nuk do të ishte keq”. “Madje, edhe katër ose pesë…”. “Qoftë edhe gjashtë”, – kishte shtuar Davidi. “Qoftë edhe gjashtë”, – kishte thënë edhe Harieta, duke qeshur me gjithë shpirt sa i kishin dalë edhe lot nga sytë. Kishin qeshur dhe ishin rrokullisur në shtrat, ishin puthur dhe ishin lumturuar, ngaqë ky vendi që atyre të dyve u ishte dukur se do t’i trembte, apo do t’i detyronte të bënin ndonjë kompromis, nuk përbënte më ndonjë rrezik.

Por, ndërkohë që Harieta mund t’i thoshte Davidit dhe Davidi Harietës “të paktën gjashtë”, të tjerëve nuk mund t’ua thoshin. Edhe me rrogën e mirë të Davidit dhe ato çka merrte Harieta, kredia e shtëpisë kishte për të qenë prapëseprapë tepër e lartë. Por, do të bënin si do të bënin. Ajo do të punonte edhe dy vjet, do të shkonte e vinte nga Londra me Davidin, dhe pastaj…Atë pasdite shtëpia u bë e tyrja.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency