Tritan Shehu: Analiza e humbjes, jo për dënime e sulme. Strategjia për anëtarësinë

0
96

Intervistoi: Gëzim Saliu

Koordinatori i PD-së për Tiranën

Shehu: Beteja e opozitës për çështjen e trafikut të drogës më e rëndësishmja

“Forma e re e lidhjes së kryetarit me bazën e PD-së”

 

28a2a_Tritan-ShehuKoordinatori për degën e PD-së së Tiranës, ish-deputeti demokrat Tritan Shehu, komenton situatën brenda forcës më të madhe opozitare në kuadër të anëtarësimeve të reja dhe analizës së humbjes të zgjedhjeve të 23 qershorit. Në një intervistë për “Standard”, Shehu shpreh vlerësimin e tij për ecurinë e këtij procesi, ku nga ana tjetër tregohet i hapur ndaj ndryshimeve që lidhen me statusin si edhe me organizimin e brendshëm të Partisë. Sa i përket çështjes së trafikut të drogës, Shehu thekson se opozita ndodhet në betejën më të rëndësishme të saj përballë kriminalitet të mbështetur nga strukturat e ndryshme.

 

Z. Shehu, ju ishit pjesëmarrës në takimin e kryetarit Basha me strukturat e Partisë Demokratike. Cila ishte tema kryesore e diskutimit?

U diskutua çështja e trafikut të drogës, rritja galopante e tij, e cila është një dëshmi e rritjes së krimit të organizuar, e përfshirjes së strukturave të ndryshme. Është një proces mjaft negativ për vendin, ndaj të cilit opozita nuk mund të qëndrojë indiferent, por duhet të përgatitet për ta përballuar dhe të bërë të mundur që Shqipëria të rikthehet në normalitet. Ishte një takim me drejtuesit e PD-së së Tiranës, me drejtuesit e pushtetit lokal, pikërisht për të mobilizuar strukturat e PD-së, jo vetëm thjesht për protestën e të premtes, po për përballjen me këtë veprimtari kriminale që bie ndesh me të ardhmen e Shqipërisë, me zhvillimin e saj dhe do të thosha se bie ndesh edhe me principet e demokracisë të një vendi që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Ka nisur edhe angazhimi edhe në rrethe për këtë protestë?

Po, pa dyshim, pasi kjo është një ndër veprimtaritë më rrezatuese të Partisë Demokratike, sepse kërkon të përballohet me një rrezik për vendin, për njeriun dhe për të ardhmen e shoqërisë, që është droga dhe krimi i organizuar, i cili organizon drogën dhe fiton pushtete nga këto trafiqe që vijnë nga veprimtari kriminale. Është një veprimtari e cila shtrihet në të gjithë Shqipërinë, e cila kërkon të mobilizojë PD-në si forcën kryesore progresive e Shqipërisë, si një forcë e cila e shikon drogën si një rrezik për shoqërinë, pikërisht për të goditur dhe bllokuar këto proces galopant, që këto muajt e fundit ka marrë përmasa të frikshme në vendin tonë.

Prej thuajse dy javësh ka nisur në Tiranë edhe procesi për analizën e humbjes së zgjedhjeve si edhe ai për anëtarësimet e reja? Cila ka qenë ecuria e tij?

Aktualisht jemi në fazën e zgjerimit të Partisë Demokratike, jemi në fazën e ftuarjes së njerëzve për t’u anëtarësuar në PD dhe të zgjerimit të hapësirave të partisë. Është një moment i rëndësishëm, madje shumë i rëndësishëm, sepse kërkon pikërisht që PD të shtrihet në të gjitha hapësirat e mundshme të saj. Është një proces, i cili kërkon dhe ka kërkuar mobilizimin e plotë të aktivistë tanë, të burimeve tona njerëzore, për të afruar njerëzit dhe për të bërë të mundshëm një anëtarësim sa më të madh në PD. Më tej, ky proces do të shoqërohet me një proces analize seksion për seksion, grupseksion për grupseksion, degë për degë, të shkaqeve të humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, të konkluzioneve të dala pas një analize të thellë, për të arritur pastaj në konkluzionet e plota në degët dhe në kongresin e PD-së. Unë do ta konsideroja këtë një proces demokratik dhe të hapur, i cili ka për qëllim në fund të fundit për të nxjerrë konkluzionet e dobishme për të ardhmen dhe jo për të dënuar e sulmuar njerëz apo individë, të cilët edhe mund të kenë gabuar në periudhat e kaluara. E rëndësishme që dimë të ndërtojmë një strategji, duke analizuar edhe gabimet, edhe ato që nuk janë bërë për mirë, edhe gjërat e reja që duhet të bëjmë në përputhje me realitetin e ri sot për të menduar që në një kohë sa më të shkurtër të sigurojmë rrotacionin politik që i duhet realisht Shqipërisë sot.

Në lidhje me anëtarësimet e reja, në kuadër të udhëzimit të kreut të PD-së, orientim të madh ka edhe për votuesit potencialë të forcës më të madhe opozitare…

Jemi në një moment që kërkohet një komunikim. Një komunikim direkt i kryetarit të partisë me njerëzit me anëtarët e thjeshtë të PD-së, një komunikim i kreut të PD-së me ata të cilët aspirojnë të bëhen pjesë e PD-së. Kjo pa dyshim kërkon një strukturë organizative, një komunikim me njerëzit, kërkon edhe një komunikim të mundshëm të krijuar mes kryetarit të PD-së direkt me anëtarët e thjeshtë dhe me anëtarët potencialë të PD-së. Për këtë ne po punojmë përmes formave të ndryshme, siç është ajo përmes formës narrative apo letrave që direkt kreu i PD-së i dërgon anëtarëve të saj dhe atyre që aspirojnë të bëhen anëtarë të së ardhmes. Pra, është një mënyrë e re e lidhjes së kryetarit të PD-së me bazën e partisë, për të cilën unë mendoj dhe besoj që vlen për zgjerimin, forcimin dhe demokratizimin e mëtejshëm të PD-së.

Duke mbetur tek situata brenda PD-së, ju keni hedhur idenë e disa ndryshimeve lidhur me organizimin e forcës më të madhe opozitare, siç është supozimi për të shkrirë kryesinë. Besoni se janë të domosdoshme disa ndryshime në organizimin dhe statutin e PD-së?

Pa dyshim që po, vetë zhvillimi, kohët e reja dhe momenti i ri në opozitë, vetë përshtypja që ne nxjerrim nga niveli i humbjes së thellë në qershor kërkon ndryshime organizative, ndryshime statutore apo edhe ndryshime konceptuale në PD. Partia Demokratike është një forcë e cila realisht ka ditur në të gjithë këto vite të adaptohet me situatat e reja dhe qëllimet e reja në kuadër të aftësisë për t’u rinovuar në të gjitha konceptet e saj. Jo rrallë janë bërë ndryshime statutore në këtë drejtim. Padyshim këto nuk përjashtohen edhe në të ardhmen, qoftë në krijimin e një koncepti të ri të një kryetari më të fortë, i cili aktualisht sot ka dalë nga zgjedhjet përmes parimit një anëtar një votë, të një koncepti të ri që ne kemi futur prej disa vitesh në PD dhe që u rikonfirmua nga Berisha, dhënien e dorëheqjes së kryetarit pas humbjes në zgjedhje. Pikërisht në këtë drejtim mendoj se kërkohen edhe ndryshime statuore që ne duhet t’i realizojmë në një fazë të dytë, afër kongresit të PD-së. Unë mendoj se ne nuk duhet të kemi tërheqje nga këto gjëra, ky është një zhvillim dhe është një model që duhet ta aplikojmë në Shqipëri në bazë të modelit të Partive Popullore Evropiane.

Po sa i përket idesë së shtimit të kryetarëve të degës së PD-së në Tiranë, a besoni se është një propozim që zgjidh organizimin në degën më të madhe të vendit?

Unë nuk mund ta them tani këtë gjë, pasi është një problem që duhet diskutuar. Pa dyshim Tirana është një degë shumë e madhe, pasi kryeqyteti përbën afërsisht 1/3 e potencialit të PD-së siç përbën edhe 1/3 e potencialit të Shqipërisë. Unë personalisht jam duke e menduar këtë çështje, nuk është se mund të them një opinion specifik. Edhe mund të ndahet, pasi edhe më parë ne e kemi ndarë Tiranën në qytet edhe fshat, në dy nivele të veçanta. Gjetje që sot nuk shkon shumë, pasi sot fshati dhe qyteti janë shumë afër e në këtë kontekst duhen gjetur forma të tjera të ndarjes. Por absolutisht që mund të ndahet. Janë të gjitha forma që ne do t’i shikojmë gjatë procesit të zhvillimeve dhe ndryshimeve në PD. Por sot për sot unë mendoj që të gjithë ne bashkë duhet të impenjohemi forcisht dhe gjerësisht në shtimin e anëtarësimeve në PD, në afrimin e njerëzve në PD si edhe në forcimin e strukturave të partisë. Dhe pastaj me afrimin e Kongresit do të duhet të mendojmë edhe për ndryshime statutore të PD-së, të përshtatshme për zhvillimet reale në kohët e sotme.

Cili është opinioni juaj lidhur me drejtimin e forcës më të madhe opozitare nga kryetari Basha në këta 9 muaj? A ka pasur, sipas jush, z. Basha angazhimin e duhur në aksionet e ndërmarra nga PD-ja dhe opozita?

E para, unë jam i bindur dhe e them qartësisht se z. Basha ka qenë zgjidhja më e mirë në krye të Partisë Demokratike. Së dyti, unë mendoj se z. Basha, ai dhe PD janë implementuar me sukses në disa drejtime. Së pari, kanë bërë një opozitë të qartë dhe shumë të fortë ndaj deformimeve që mazhoranca ka kërkuar të bëjë në demokracinë shqiptare dhe shkeljeve të rënda dhe absurditeti që ajo ka kërkuar të bëjë ndaj zhvillimeve të vendit. Ndërkaq, unë mendoj se Basha dhe PD kanë ditur të zhvillojnë një opozitë në përputhje me interesat e vendit, në përputhje me demokracinë dhe principet e saj. PD në këtë periudhë ka bërë një opozitë të qartë, të fortë, por gjithmonë duke qenë e gatshme për të kontribuar në zhvillimet e mëdha të vendit, një nga të cilat padyshim dhe më i rëndësishmi ngel integrimi evropian i Shqipërisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency