Të premten para Kryeministrisë /  Protesta e opozitës, Basha: Bashkë, të majtë e të djathtë kundër kartelit të drogës

0
127

Gëzim Saliu

Kreu i PD-së: Opsioni i zgjidhjes, largimi i Edi Ramës dhe kupolës së tij nga qeverisja e vendit

 

Lulzim-Basha-PD-okKreu i PD-së dhe opozitës, Lulzim Basha, ka mbledhur dje strukturat e partisë për të dhënë direktivat lidhur me protestën e radhës që opozita do të zhvillojë në kryeqytet, me qëllim largimin e Kryeministrit Rama. Në mbledhjen e djeshme, ku merrnin pjesë deputetë të PD-së, koordinatorë e të zgjedhur vendorë, u vendos që protesta të zhvillohej ditën e premte para Kryeministrisë, me synim kryesor largimin e kreut të qeverisë Rama si përgjegjës për çështjen e trafikut të drogës. “Partia Demokratike me përgjegjësi të plotë ka parashtruar para shqiptarëve opsionin e zgjidhjes, që është largimi i Edi Ramës dhe kupolës së tij nga qeverisja e vendit. Largimi i tij si njeriu përgjegjës për situatën e krijuar është imperativ për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nga ankthi dhe kërcënimi i kartelit të vdekjes për lirinë dhe demokracinë, i kartelit të drogës. Prandaj Partia Demokratike ka thirrur një protestë të madhe popullore të premten e ardhshme në orën 11 para Kryeministrisë dhe unë u bëj ftesë të gjithë qytetarëve shqiptarë, të majtë e të djathtë, pa dallim bindje politike, të bashkuar në këtë hall të madh që ka zënë Shqipërinë dhe shqiptarët, hallin e kartelit të drogës dhe narkotrafikut me lejen dhe symbylljen qeveritare, të bashkojmë zërin tonë për t’i thënë jo narkotrafikut dhe për të vënë para përgjegjësisë Edi Ramën dhe kupolën e tij”, – theksoi Basha pas përfundimit të mbledhjes.

Kreu i PD-së

Duke marrë shkas edhe nga lajmi i sekuestrimit të sasisë rekord prej 5.6 tonë marijuanë në Gjermani, kreu i demokratëve tha se situata është alarmante dhe kërkon zgjidhje. “Shqipëria po kthehet në një Kolumbi evropiane për sa u përket sasive të jashtëzakonshme të drogës që po dalin nga vendi ynë dhe po mbërrijnë në destinacione të ndryshme të Evropës. Droga prej 5.6 tonësh e kapur në Gjermani është një këmbanë tjetër alarmi që bie pas avionit të drogës, që mbeti në rërë si tregues i shkallës më sipërore të trafikut të lëndëve narkotike, të asaj me krahë dhe me helikë. Partnerët tanë evropianë, Gjermania, Italia, Greqia e shumë të tjerë janë shumë të shqetësuar për këtë situatë të rënduar të intensifikimit të trafikut të drogës nga Shqipëria”, – deklaroi Basha. Sipas kryeopozitarit, qytetarët shqiptarë janë të tronditur thellë për precipitimin e situatës së narkotrafikut si asnjëherë më parë, e cila pohoi ai, kërcënon jetën, sigurinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre. “Opozita është në këmbë prej 8 muajsh duke denoncuar zhbërjen e rendit përmes goditjeve të strukturuara të Edi Ramës dhe kupolës së tij kundër Policisë së Shtetit, kundër ligjit dhe ligjzbatimit, duke denoncuar emërimet në poste kyçe jo vetëm në Policinë e Shtetit por të infrastrukturës shtetërore, të trafikantëve të dënuar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie për trafik droge. Të vetmit që nuk ndajnë këtë shqetësim, janë Edi Rama dhe kupola e tij. Edi Rama dhe kupola e tij ka një shqetësim tjetër. Kanë shqetësim se si ti ikin përgjegjësisë direkte që ai dhe kupola e tij ka për shpërthimin e këtij skandali në përmasa të jashtëzakonshme të trafikut të drogës”, – nënvizoi Basha. Më tej, kreu i PD-së nënvizoi se faktet dhe provat e trafikut të drogës me “symbyllje” qeveritare bëjnë Kryeministrin Rama përgjegjësin e vetëm për gjendjen e krijuar në vend. “E di se edhe deputetë socialistë e ndajnë këtë shqetësim. E di se edhe votues socialistë janë të skandalizuar nga përmasat e këtij skandali. Partia Demokratike, unë si kryetari i saj, opozita nuk u zgjua një ditë dhe vendosëm të kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës se kështu na u tek. Dorëheqja e Edi Ramës është zgjidhja imperative e këtij problemi dhe halli të madh që ka kapluar shqiptarët dhe Shqipërinë dhe që po thellohet nga dita në ditë”, – përfundoi kryetari i opozitës Lulzim Basha.

 

 

 

Berisha: Oficeri pa tre avionë të uleshin në Bedat

Ish-kryeministri Sali Berisha bën të ditur se ka detaje të reja që lidhin qeverinë me trafikun e drogës. Sipas tij, policia është urdhëruar të mos merret me avionët dhe piloti italian nuk kaloi në TIMS për të ruajtur sekretin. “Të dhëna të reja mbi lidhjet e qeverisë me drogën dhe narkotrafikun ajror! Të dashur miq, çdo ditë dalin në drite fakte dhe prova të reja mbi lidhjet e Ediskobarit dhe qeverisë së drogës me narkotrafikun. Oficeri O. N. i Drejtorisë së Policisë së Fierit, pohon se para datës 10 maj vetë policia ka parë tri herë avionë të ulur në rrugën e fshatit Bedat, por pasi ka raportuar, është urdhëruar nga lart të mos merret me ta”, – theksoi ai në një koment në rrjetin social “Facebook”. Më tej, ish-kreu i qeverisë theksoi se një detaj tjetër implikues është edhe fakti se piloti italian nuk kaloi në aeroport nga sistemi TIMS. “Ky sistem funksiononte shumë mirë,por vizita në Shqipëri e rilindasit ajror të Ramës duhej të mbetej top sekret shtetëror. Ata që ende pyesin nëse është apo jo qeveria e përfshirë, i ftoj të provojnë nëse do mund të anashkalojnë sistemin TIMS pa një mik të foooortë”, – shkruante Berisha. Më tej ai theksoi se Saimir Bega ishte siguruar më parë nga politikanë të lartë për suksesin e operacionit. “Thuhet se pas deponimeve të tij në Tiranë, familja e tij në Itali ka marrë mesazhin që vijon: Bilbili juaj po këndon si tepër. Prejani sqepin se për ndryshe do të ju presim kokën. ( Kjo e bën të domosdoshme hetimin e çështjes së bashku me prokurorinë italiane). Politikanë qendrore kanë ndërhyre për lirimin, të nesërmen e ndalimit, të bashkëpunëtorit lokal Sh. N. në trafikun e datës 10 maj. Nga tetori deri tani janë licencuar nga autoritetet e Rinasit 5 avionë të lehtë dhe helikopterë për njerëz të afërt të pushtetarëve e qeveritarëve aktual. Flota e Mushkonjave është vepra e parë madhore e Ediskobarit. Rama ik!!”, – mbylli postimi e tij Berisha. Ndërkohë, në reagimin e saj, Ministria së Brendshme pohoi se në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit nuk ka asnjë oficer policie me inicialet O. N. “MPB deklaron me përgjegjësi të plotë se nuk ka asnjë oficer policie dhe asnjë punonjës policie me iniciale O. N. pranë Drejtorisë së Qarkut Fier”.

 

 

Reagimi

Bylykbashi: Kushtetuesja i jep të drejtë opozitës, qeveria rrëzon kërkesën për hetimin e drogës

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, akuzon mazhorancën qeverisëse për rrëzimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për trafikun e drogës. Duke marrë shkas edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi Kuvendin dhe i dha të drejtë opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për skandalin e serverave, Bylykbashi tha se mazhoranca tregon se ka frikë nga transparenca e çështjes së trafikut të drogës. “Mazhoranca rrëzoi dje kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor që synon të bëjë transparencë mbi rritjen e trafikut të drogës dhe përgjegjësit për këtë fenomen. Mazhoranca ngul këmbë që me komisionin marionetë të ngritur prej saj të hetojë denoncuesit e trafiqeve dhe jo përgjegjësit e tyre. Po dje, për fatin e keq të mazhorancës, Gjykata Kushtetuese botoi vendimin e saj me të cilin shpalli antikushtetues vendimin e Kuvendit që rrezoi kërkesën e opozitës për komision hetimor që do të bënte transparencë mbi skandalin e vjedhjes së serverit të tatimeve nga njerëzit e Kryeministrit”, – theksoi deputeti demokrat. Në këtë kontekst, Bylykbashi theksoi se Rama dhe Meta kanë frikë nga transparenca mbi trafikun e drogës që po përmbyt sipas tij rrugët, detin dhe ajrin e po alarmon Italinë dhe Greqinë fqinje. “Ky refuzim kokëfortë është një tjetër provë për përfshirjen e mazhorancës në narkotrafik. Rama dhe Meta nuk mund të fshehin më avionin dhe fuoristradën e drogës që ngecën në rërën e Divjakës duke i transformuar në mushkonja dhe buburrecë. Ata nuk mund tu mbyllin gojën dhjetëra dëshmitarëve që denoncuan nga Gjadri, Bedati, Divjaka apo Kardhiqi. Ata nuk mund ta fitojnë betejën me median e lirë duke i kërcënuar me kokë të prerë dhie”, – theksoi deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency