ALEATËT BOJKOTOJNË RAMËN/ Publikohen 5 variantet e hartave për reformën territoriale

0
137

Florenc Drizari

komisioni i reformes territoriale edi rama dhe ilir metaVarianti i parë përcakton ndarjen e hartës në 30 njësi qeverisjeje vendore; varianti i dytë propozon ndarje në 39 njësi; varianti i tretë në 47 njësi, ndërsa i katërti në 75 njësi vendore, ndërsa varianti i fundit propozon ndarjen në 63 njësi

 Qeveria publikoi dje pesë variantet e reja të hartës territoriale të vendit. Ashtu siç pritej, kësaj tryeze i mungoi opozita, për faktin se përfaqësuesit e së djathtës e kanë bojkotuar edhe më parë këtë reformë, për shkak të mungesës së konsensusit politik me mazhorancën. Ajo që ra në sy gjatë tryezës së djeshme, ishte edhe mungesa e aleatëve të majtë, si Milo, Gjinishi, Koçi etj., ndërkohë që pak ditë më parë kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale, Bashkim Fino, ftoi krerët e partive politike, parlamentare dhe joparlamentare që të ishin pjesë e kësaj mbledhjeje. Ndërkaq, gjatë tryezës së djeshme morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule si edhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Nga pesë variantet e hartave të reja që u prezantuan dje, varianti i parë përcakton ndarjen e hartës në 30 njësi qeverisjeje vendore; varianti i dytë propozon ndarje në 39 njësi; varianti i tretë në 47 njësi, i katërti në 75 njësi vendore, ndërsa varianti i fundit propozon ndarjen në 63 njësi. Prezantimi i varianteve përfundimtare u bë nga ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i cili shpalosi në mënyrë kronologjike hapat e ndjekur nga qeveria për ndarjen e re administrative, në mënyrë që procesi të ishte sa më transparent. Ministri shpjegoi se në bazë të projektit u përcaktuan dhe koordinatorët rajonalë, të cilët do të ndiqnin pjesën teknike në çdo qark. Çuçi bëri të ditura dhe disa nga kriteret mbi të cilat do të bëhet ndarja e re territoriale në vend. “Ne kemi shkuar drejt pesë varianteve në përmbushje të kritereve, ku më kryesori është krijimi i zonave funksionale ose njësia e ardhshme. Kjo njësi duhet të jetë e aftë të gjenerojë të ardhura, të ketë hapësirë zhvillimi dhe një ndërveprim të dendur ekonomik, institucional, social dhe kulturor. Zona funksionale është përcaktuar të jetë e përqendruar rreth një qendre urbane”, – shpjegoi ministri Çuçi. Sipas ministrit, kriteret e tjera kanë të bëjnë me distancën e territorit nga periferia në qendër, si dhe me një numër të konsiderueshëm banorësh. “Nga kriteret e përgjithshme bëjnë përjashtim komunat që kanë një përkatësi të pastër të minoritetit etnik”, – nënvizoi ministri.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Bashkim Fino, tha se variantet e prezantuara janë të mbështetura në kriteret që Komisioni ka miratuar. Në fjalën e tij, Fino i bëri sërish thirrje opozitës që të bëhet pjesë e tij, ndërsa bëri të ditur se brenda javës së ardhshme do të përzgjidhet edhe varianti fitues për hartën e re administrative.

“Unë si kryetar Komisioni, duke marrë edhe mirëkuptimin e anëtarëve të Komisionit, shkoj edhe më tej, që edhe nëse ka mendime të tjera opozita është e mirëpritur që të na i paraqesë përsëri pas këtyre pesë varianteve që u paraqitën nga ministri Çuçi. Përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje edhe një herë opozitës, duke e gjykuar si një moment shumë të rëndësishëm, që të japë edhe ajo pëlqimin për variantin që mendon se është më i miri për vendin dhe që do krijojë një premisë për zhvillim vendor të qëndrueshëm për të paktën në vizionin tim për 50 vitet e ardhshme”, – theksoi z. Fino.

 

Rama për reformën territoriale

“5 variante mbi themelet e një pune absolutisht të shkëlqyer me standarde të larta bashkëkohore”. Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama me anë të një mesazhi në rrjetin social “Twitter” në lidhje me prezantimin e modeleve të ndarjes së re administrative. Më tej Rama ka përgëzuar Komisionin Parlamentar të Reformës Territoriale, me në krye Bashkim Finon dhe ministrin Bledi Çuçi.

 

Ftesat e Finos për krerët e partive

Rama si kryetar i PS-së

Meta si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Basha kryetar i PD-së

Mediu kryetar i grupit parlamentar republikan

Idrizi si parti parlamentare

Dule në emër të PBDNJ

 

Ftesa edhe për:

Gjinushin

Milon

Topin

Koçin

Ndokën

Shehun

Ngjelën

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency