Zero kohë më parë

0
159

Elis Buba

 Edukatë ose jo… Etyd mbi një tumor

edukataNë një periudhë kur ushqimi dhe vera e mirë nuk mungojnë, është e lehtë të gjesh të njohur të vjetër në ndonjë gjellëtore dinjitoze. Ndonjë ushtar të vrarë e të ringjallur. Të burgosur nën urdhrat që i kapërdijnë dhjetëravjeçarët, nga njëra dorë në tjetrën, nga njëra penë në tjetrën. Kam fituar njëfarë përvoje gati fluide në të ndjerë, por shumë precize dhe djallëzore si gijotinë, në përcaktimin e batakçinjve të paorientuar, në këtë labirint brimash, siç po katandisen fasadat e ngrehinave në qytetin tonë, që herë-herë më duket si i porsa dalë nga një marrëveshje armëpushimi.

Përvoja ime (po e quaj kështu) ekzekuton instinktivisht grumbuj eshtrash fjalësh e informacioni. Dërgon dhe merr skica mesazhesh të koduara në shtrëngime duarsh, buzëqeshje, ide fikse, lajkatime, lëvizje manovruese, pengime dhe shpengime, sipërfaqe bisedash dhe dëshirash të përturpshme… e të tjera pafund. E gjithë shija që lënë ditët në mendjen time, është kaq energjiheqëse dhe ezauruese, sa shpeshherë fyti i bën barrikadë frymëmarrjes, pikërisht atëherë kur unë jam gati të pështyj flakë.

E gjithë shija që lënë arkivat kompromentuese të secilit prej individëve që përcjell përditë me sy e gojë, me gjysmë shejtanllëk e gjysmë budallallëk, i jep kokës time trajtat e një balone me gaz. Të paktën unë kështu e përjetoj. Tejet e mbingarkuar, megjithatë nuk i dorëzohet plasjes.

Krahët i kishte të kryqëzuara sipër redengotës prej princi, disi i zhubravitur në fytyrë, pranë tij një tip me fytyrë dhe qethje prej ushtari dhe një tjetër me tiparet sit ë joshura nga breçkat e vogla, të përshkruara nga sa e sa “plumba qorrë”, po gjithsesi të mbajtura mirë. Të pudrosura pak e të buzëkuqura shumë, nga një si mizantropi stinore. Ky i fundit, një zotëri në moshë, përmes radhëve të trupave dhe shikimeve që hidhte, m’u prezantua më gjatë e mi stivoi të gjithë titujt, që i rendiste para emrit. Çdo kryqëzim shalësh femërore që i kalonte pranë, e shndërronte gojën e tij në një gropë të zezë kufomash llafollogjike. Përpiqesha të përshkruaja idetë që ngjiteshin e shkisnin nga koka në grykën e tij, por në fyt, frymës sime iu bë një tjetër barrikadë.

Çuditërisht, tipa të këtillë, nuhatës të mirëfilltë të parasë, me një si jorgan pedantizmi rreth vetes, i admirojnë si heronj, sepse çdo shqisë e tyre sikur komunikon një slogan dhe vetëm një: “Tashmë e lamë mënjanë varfërinë, ndaj dhe qeshin e bëjmë mrekulli me tuajën”. Dy pëllëmbë bark mbi dy pëllëmbë fytyrë pa shpatulla, në piedestalin e shtatëdhjetë centimetra kërcinj, në një teatër me pije dhe aromë pijanecësh, bëhen fort të dëshirueshëm për sytë e shumë zonjushave, që të bukurën e kanë të shkruar vetëm në fytyrë.

Entuziazmin e vërtetë, atë që pushton të gjithë, e ndjeva kur thashethemet si me prejardhje nga një disiplinë burgu mendor, mbërthyen kapitullin politik. Më konkretisht nëntitullin “…plagët që garantojnë çrregullim të përhershëm në shoqërinë shqiptare”.

Përse logjika alogjike, banditeske, mobilizon shumë herë më shpejt gojët e papërgatitura e kur mbërrijnë në thelb të bisedës, tashmë të përparuar, ide nga njerëz fisnikë e pa kurrfarë prapavije gagaçërore, epidemia pragmatiste e mendjeve të vogla i vë menjëherë kapak bisedës. Më pas në duel me heshtjen edhe më i duruari përballet me humbjen.

Miq, ju kur shpërtheni në revoltë kundrejt njëri-tjetrit, bëheni si cirk budallenjsh, që trembni me dënim kapital çdo trajektore logjike që mund të marrë ideja.

Përveç trishtimit që më shkakton kjo mizerje kokëkrisurish, prekem personalisht nga një shpenzim e përgojim shembullor i temës “…çfarë mund ta bëjë të lumtur shoqërinë shqiptare?”

Duhet të teproj me pijen, për të mos pasur më nevojë për të dëgjuar. Këto bimë të egra provinciale dëbuan vëmendjen time, gjithsesi varfanjake deri në ato momente.

Ndiheni të ngrefosur, nuk hasni në kurrfarë rezistence në llafosjen tuaj. Mendimi ndryshe është gjithnjë i gabuar. Kjo ju bën ju politikanë qofterish dhe pajdhaqerish, të lumtur sa s’ka më. Kur nuk ju bëjnë opozitë, sepse e dinë që jeni shurdh nga ai vesh, gjeni nirvanën e përshpirtshme. T’ju dëgjojnë deri në vetëmasakrim të daulles së veshit e më pas ende t’ju kushtojnë vëmendje. Sepse, ju pëshpëritjet e psikopatisë nën lafshën e skalpit, i shndërroni në fjalë, që nuk duhen ndalur për asnjë arsye! Dëgjoj teksa më prishet gjaku, çfarë mund ta bëjë të lumtur një shqiptar. Të ndenjurit kotë në një kohë boshe nuk do ishte keq! Nën një qiell krejt të kthjellët nga ku vërshojnë para të thata pa masë, ndërsa veron i lumtur në të gjitha ditët e kalendarit! Nuk ka gjë më të gëzueshme për ne sesa pasja e gjithçkaje dhe e kujtdo gati e në dispozicion, në një përulje e thuajse përgjërim. Njerëzit më të lumtur të viteve të fundit janë ata që gëzojnë pronësinë e një trualli në kryeqytet, qëllimi i vetëm i të cilit është që mbi të të ndërtohet një pallat. Personat e kësaj sëre sikur gëzojnë status të veçantë. A thua të kenë një meritë të hyjnishme që vërteton genin e tyre prej të përzgjedhuri.

Më shkulen zorrët e barkut sinqerisht, kur mendoj se sa tryeza, karrige, firma, shtretër, dehje, klientelizëm, mallkime, banakë, zyra, pronarë, drejtorë etj. kapërcejnë sytë e miletit për një punë që do t’i bënte të lumtur. Dihet se puna që do ta bënte cilindo me flatra, do të qe një punë pa shumë lodhje, por me shumë përgjegjësi. Mosbërja e hiçgjëje mundësisht, por duke pasur përfitime të mëdha. A nuk do ta lakmonim të gjithë?!

Më shumë sesa të ngrënët, shijon përtypja e ndonjë cope të madhe nga bubullima e bisedës, që ul në mbrëmje, pranë e pranë shtazët me njerëzit. Të puthitur aq ngushtë nga llaçra të formuar në stomak, mes salcërash e mishrash që të dehur flenë, të tejngopur nga qindra gllënjka verë.

E ja, kategoritë vijnë vetë, si të rreshtuara pas murit. Gati për një pushkatim qesharak, grotesk, të lig në gjithë vërtetësinë e tij të turpshme. Sinqerisht nuk pendohem kurrë nga netët e ferrit, të shpenzuara nga qejfet për t’u përzier me njerëz të ndryshëm, sepse mësova të njihja fytyrat më të vyera të shoqërisë. Ata që disa i quajnë hajdutë e disa i lavdërojnë për të ndershëm. Ata mbretërojnë! Ata që më vlejnë edhe sot e kësaj dite, për t’u familjarizuar me gjithçka e me këdo, në një apo më shumë mjedise krejt të ndryshme apo të kundërta. Tani në to notoj mes plehrash, fare i pashqetësuar, sepse di të shmang gjithfarë kundërmimesh, që do t’i hapnin barkun edhe një peshku të kalbur.

Dikush në ato minuta limontie, sikur hodhi një monedhë bakshishi, teksa ngriti në këmbë përveç vetes edhe një pyetje për 2 milionë shpirtra të revoltuar deri në paparashikueshmeri. Çfarë ju bën të lumtur? – Ju lutem mik i mirë, shkruani diçka mbi atë çka e bën të lumtur këtë vend, këta njerëz – më tha. – Ju lutem, shikojeni me prioritet ç’do gjë që do t’ju kujtohet na kjo tryezë. – Ndërsa shiu i mahnitshëm i rimbushi gotat e likerit me origjinën e makiavelizmit klasik, e ndoqa me vëmendje këtë këshillë tronditëse e ogurzezë, që sikur u detyrua të mërgonte nga buzët e një fytyre të panjohur. Mësova të njihja në fytyrë ata që më vyejnë ngahera. Modele keqbërësish të ndershëm, mashtrues, palaço, vrasës, shenjtorë, mendjendritur, artistë në veprën e tyre.

Ku janë aspiratat e një turme injorantësh? Tregomëni si do të jetë demokracia nesër! Në krye njeriu i kohëve tona, që e ka kuptuar si futet në thes një popull, i cili veprën më të madhe të tij e kreu 23 vjet më parë, kur tërbimin e shfryu, teksa i priste kokën e bronztë një kufome 7-metroshe në sheshin qendror të Tiranës.

Hutohet nga gëzimi një i vogël kur detyron të përgjunjet i madhi. Lumturi!

A është e hijshme të përcaktosh origjinën e buzëqeshjes së lumtur të një femre të ushqyer me telenovela? Të blerë për pak para e pak dukje, që në moshë fare të herët, nga prindër që sot nuk i lumturon asgjë, përveçse t’i japin vajzat e tyre burrave me para dhe pushtet. Ja m’u kujtua ky pazar jevgjish, shpirtrash, ndjenjash e përditshmërie llafosjesh. Çfarë e bën më të lumtur një femër sesa mundësia për ta pasur të mbuluar çdo shpenzim, çdo tekë, çdo qokë?!

Të flasim pak për epopenë e ndezur si nga halucinacionet e krimeve të njëpasnjëshme, të përfitimeve të atyre që paskan gjetur çelësin e dhomës sekrete, për shfrytëzimin amoral të kësaj adoleshenteje 24-vjeçare. Nuk ka gjë më të lumtur për një kriminel se sa t’i njihet “merita” në specialitetin e tij.

E qartë është, miopia jonë, pjellë e mendësisë së prapambetur, na kufizon në analizën e fakteve të faktuara e sidomos të atyre që duhet ende t’i faktojmë. Gabimet e atentatorëve të së kaluarës nuk falen kurrë. Nderet që dora e tyre mund t’i bënin botës, nuk thuhen me fjalë. Drobitjet e skëterrshme të shpirtit nuk janë bërë për të rrëmbyer herë pas here këta cmingo të vegjël e këto marioneta të mëdha. Sa lumturon një i kamur, kur e respektojnë si të mençur. Fluturon një i pushtetshëm, kur i njohin emrin ende pa i njohur fytyrën. Sa gëzon dikush, kur ia kanë frikën e ligështohet kur kundrejt atyre që i trembeshin më parë, i del krejtësisht boja. Ç’lumturi është për një pijanec, kur pas një sasie të paarsyeshme alkooli, fillojnë ta epitetojnë poet dhe filozof. Ç’lumturi për një epror, kur gëzon privilegje të epërsisë së tij profesionale edhe jashtë suazës së punës. Përzierje shpirtgufimi dhe ekzaltimi, që janë efikase për të lumturuar një punonjës rendi, duke e thirrur gjithnjë shef edhe kur është një hiç, pa kompetenca, për hir të moskopetencës së tij.

Jam i lodhur e disi i përbuzur, nga hekuri i nxehtë që kanos me damkosje, në liturgji antiserioze. Kanos kjo dorë me betonime e asfaltime, që turbullojnë rrënjë pyjesh e qetësi detesh.

Shumëkush e gjen lumturinë e tij, në pasjen e një sheshndërtimi pas tjetrit. Tjetërkush e gjen gazin e tij në bërjen lëmsh të qarkullimit rrugor, me padurimin e tij, me mosnjohjen e mosrespektimin e tij të rregullores së qarkullimit. Aspak moralizëm. Kjo ju bën të lumtur, ky është fakt. Është qejf! Është shumë mashkullore të ecësh shpejt, të çjerrësh gomat dhe veshët dhe hundët e të tjerëve, më zhurmën mekanike dhe erën kundërmuese.

Rrugët shqepen nën këtë protestë të zhurmshme automjetesh, të ngjashme me ushtarë mekanikë. Të cilët nga protestë, për hir të dikujt tashmë të kthyer me bythë përpjetë, për arsye se askush nuk ka ditur kurrë t’i ndreqë samarin, kalojnë në revoltë e nga revolt, në një minirevolucion. Kundër shefave me të verdhë fosforeshente, ngrihen avokatë që ngasin me ngut, të vonuar për në punë. Gati humbasin lumturinë që i jep ryshfeti i ndarë me gjykatësin, i cili nga anë e tij ndihet shpeshherë i lumtur, po për të njëjtën arsye. Por kundër “shefave” të qarkullimit, ngrihen edhe studentët e vonuar për në auditor. Këta asgjë nuk i bën më të lumtur sesa hyrja në sallën e provimit me kufjet e kopjeve në vesh, për të mbushur plot e përplot fletët boshe, që tek e fundit nuk i lexon njeri, sepse ajo që e bën të lumtur pedagogun, nuk është nxënia e studentit të tij, por punësimi në dy-tri universitete njëherësh. Përfitimet normalisht ndihmojnë në ndërtimin e vilës në bregdet, nën emrin e së shoqes. Kjo gjë gjithsesi lumturon më shumë të shoqen se atë vetë, pasi asgjë më shumë sesa shantazhimi i një studenteje të bukur nuk ia ngre qimet përpjetë një profesori.

Jeta jonë është një mishmash i përllumbur fytyrash, tavolinash, fjalësh, zanatesh, prirjesh e ndikimesh. Kjo është kronika, ky është reportazhi. Nuk mund të shkëputësh shqiptarët nga vepra shqiptare.

Jemi në fund të qytetërimit. Në këtë shoqëri të armatosur me hollësi krejt të panevojshme. Të dokumentuar e certifikuar me letra e kartonë që kanë boshatisur koshat e mbeturinave e shumë shpejt do t’i rimbushin prapë. Duket sikur gjithsecili përpiqet të mësojë e të nxërë sa më shumë për të organizuar jetët e tyre, shëmbëlltyra telefilmash, telenovelash, marketing e fodullëku që atashon antikulturë mes popujsh pa autostimë.

Nëpërmjet kësaj mjegullnaje avujsh duhani, alkooli e gjellërash, kapërthehen epshe, ulërima, satirë zvetënimi, që mban gjallë një shoqëri të strukur e të droguar nga përhumbja e asaj që s’po e gjen prej kohësh. Vlera. Krejtësisht të lumturuar brenda thonjëzave te babëzisë së tyre, më në fund të realizuar. Dashamirësia avullon, për t’u rishfaqur para lypësve si lëmoshë. Atëherë kur i druhemi Hyut, duket sikur bekimi që na sjell 20-lekëshi i falur në dorën e dridhur, do të ndryshojë jetën.

Lakuriq, me një maskë në fytyrë, për të fshehur identitetin gjithsesi të humbur, zbresim altarësh të ndershëm, përgjatë rrëmujës epshore. Kjo është lumturia shqiptare, lumturia jonë. Prej dhjetëra vjetësh çiftohemi me njëri-tjetrin pa dallim seksi dhe moshe.

Askush nuk mërmërit më fjalë të pakuptueshme, lodhëse, poshtëruese, si: …më falni, ju lutem, a mundet, faleminderit. Askush, me sa duket, nuk denjon t’i japë vlerë dhe prezencë vetes, përjashto ndoshta prezencën që mund të të japë ndonjë shfletim dhe fluturim parash në ajër, diku në ndonjë aheng me dhe pa sebep! Askush, me sa duket, nuk denjon t’i japë vlerë dhe prezencë vetes e ta lartësojë qoftë edhe një shkallë më lart se bagëtitë që rrojnë për t’u shumuar. Është e pakuptueshme lumturia që ndiejnë provincialët, kur shtojnë familjen me fëmijë, edhe pse s’kanë bukë të hanë.

Për çfarë të falet më parë ky popull?! Teksa kanë fekonduar ato barqe të ndyrë, janë burrëruar me pendim. Më pas thjesht kanë pranuar jetën si t’u vijë, e krupët si realiteti, si kafshatë prej guri. Mbarështim!

Duke e risjellë ndërmend arsyen e gati histerisë në këtë shkrim, po i shkoj tejetej disa pikëpyetje të holla e fine, mbi të gjitha integritetit, dinjitetit dhe identitetit.

Dikush ka thënë se identiteti kombëtar është pasuria e fundit e të shpronësuarve. I shteruar nga një urrejtje përvëluese ndaj këtij vetëshpronësimi, mendoj se integriteti dhe dinjiteti individual është viktima e parë e shpronësimit të vetes nga edukata.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency