Ronaldo, pritje mbretërore në Brazil  

0
130

ronaldo brzilSiguri absolute, qetësi dhe komoditet. Për t’i bërë të mundur Kristiano Ronaldos që të paraqitet në mënyrën më të mirë në botëror. Federata Portugeze e Futbollit po kujdeset për çdo detaj, e vendosur ta blindojë yllin e saj në një lloj kulle të xhamtë super luksoze. Përveçse ka garantuar 6 truproja për sigurinë e Ronaldos, të cilët do t’i shtohen shërbimit të vënë në dispozicion për gjithë delegacionin në tokën braziliane, Federata Portugeze ka menduar që ta bëjë transfertën e gjatë sa më të këndshme që të jetë e mundur, pa harruar as detaje të tillë si jastëkët e aromatizuar që do të jenë në dispozicion në sasi të pakufizuar siç premtojnë dhe drejtuesit e resortit. Vendgrumbullimi luksoz i Kampinas ku do të akomodohet Portugalia gjatë botërorit, ofron shumë më tepër se jastëkët e aromatizuar. Delegacioni portugez, që ka prenotuar të 116 dhomat e resortit për të jetuar në qetësinë maksimale, do të qëndrojë në suita luksoze ku anëtarët e stafit dhe lojtarët do të shijojnë komoditete të personalizuara. Për Ronaldon për shembull do të ketë dhe një pasqyrë me ngrohje që nuk vishet me avull, në mënyrë që ylli luziatan të mund të rregullojë flokët në çdo moment dhe pa humbje të panevojshme kohe. “Jemi vërtet të nderuar që presim lojtarin më të mirë të botës”, – deklaroi Armindo Dias, presidenti i shoqërisë që ka në pronësi resportin, i cili më pas shtoi ndoshta me pak sarkazëm: “Kemi ndjesinë se është një njeri i thjeshtë, pa shumë pretendime”.

 

Starrixh, pushime me të dashurën ne Majami

Pasi nuk mundi të fitonte Premier League-n megjithëse kreu një sezon për t’u mos harruar dhe pasi e pa veten në listën e Roi Hoxhsonit për Botërorin Brazil 2014, Daniel Starrixh vendosi të kalonte disa ditë pushimi në plazhet e Majamit, në Florida. Sulmuesi i Liverpool dhe Anglisë është fotografuar së bashku me të dashurën e tij teksa shijonte rërën dhe oqeanin në Miami dhe në një formë shumë të mirë fizike. 24-vjeçari pritet të jetë një ndër pikat kyçe të “tre luanëve” në “Brazil 2014”.

 

Eto: Murinjo është idiot

Divorc te Çelsi. Me shumë mundësi Samuel Eto nuk do të jetë më pjesë e bluve të paktën për sa kohë në krye të pankinës së “bluve” do të jetë Hoze Murinjo. Sulmuesi kamerunas nuk e ka përmbajtur veten gjatë një interviste për “africanfoot.com” ku ka lëshuar deklarata të forta ndaj “Special One”. Raporti i Eto me Murinjon, që të dy pjesë e tripletës së Interit, janë prishur pas deklaratës së portugezit mbi moshën e kamerunasit “është 32, ndoshta 35, kush e di. Sot jam 33 vjeç dhe ju nuk duhet të besoni një idiot që më ka bërë më të vjetër. Por mund edhe të thoshte që “plaku” ka bërë më mirë se të rinjtë”, – është shprehur Samuel Eto. Të presim përgjigjen e Jose Murinjos, e cila pritet që të jetë therëse për egon e lojtarit.

 

Balos i vjedhin telefonin

Mario Baloteli sërish protagonist. Sulmuesi i Milanit dhe i kombëtares italiane, siç raporton “Diva e Donna”, ka qenë pjesë e një ngjarjeje të pakëndshme të ndodhur në qendër të Milanos. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen që sapo doli nga diskoteka “Hollywood”, futbollistit të Milanit iu vodh celulari teksa po hipte në makinë. Vëllai i Balotelit, Enoch, nuk qëndroi duarkryq duke e ndjekur hajdutin përgjatë rrugës “Como”. Ngjarja tërhoqi vëmendjen edhe të kalimtarëve të tjerë, mbi të gjitha kur pjesë e sherrit u bë edhe Mario Baloteli. Sipas dëshmitarëve okularë, të cilët u munduan të ndalnin sulmuesin e Milanit, në vendngjarje erdhi edhe një ambulancë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency