Protestuesit pesë orë para parlamentit/ Basha: Plani i kartelit të drogës është të blejë zgjedhjet, pushtetin dhe demokracinë

0
152

Gëzim Saliu

basha ne proteste foto kryesoreDetajet e protestës së PD-së/ Qytetarët, 5 orë para Parlamentit, fiken dritat para fjalimit të Bashës

 “Shqipëria drejt Evropës, jo Kolumbisë”, deputetët e PD-së mes debatit në Kuvend dhe protestës

Opozita nisi dje aksionin popullor kundër Kryeministrit Rama me protestën e parë në vijimësi të tubimeve të tjera që pritet të zhvillohen çdo të enjte para Parlamentit, derisa të ndërmerret, sipas të djathtëve, akti i dorëheqjes së qeverisë në kuadër të përgjegjësive që ka ajo për situatën e trafikut të drogës në vend. Të mbledhur në sheshin përballë Kuvendit me moton “Shqipëria drejt Evropës, jo Kolumbisë”, qytetarët mbushën të dyja anët e rrugës, nga ajo e Elbasanit deri tek “Ushtari i Panjohur”. Të mbështetur herë pas here edhe nga deputetët e PD-së, të cilët të ndarë në grupe, vizitonin e mbanin fjalime në sheshin përballë Parlamentit thuajse çdo gjysmë protestuesit për 5 orë me radhë, kërkuan me ngulm largimin e kreut të qeverisë. Duke e cilësuar pranimin e kërkesës së opozitës për seancë të jashtëzakonshme si fitoren e parë të aksionit të tyre, protestuesit dhe deputetët demokratë bënë të ditur se nuk do të ndalen derisa qeveria dhe Kryeministri të marrin përgjegjësi për situatën e trafikut të drogës.

 

Protesta

Qytetarët e parë që u bashkuan me protestën e opozitës ishin mbledhur në sheshin përballë Kuvendit që në orën 09:50, të vendosur në të dyja krahët e ekranëve të mëdhenj që mundësonin lidhjen direkte me debatin,në seancën parlamentare. Ndërkaq, pjesa tjetër, e përbërë kryesisht nga të rinjtë e PD-së, ndodhej në selinë e forcës më të madhe opozitare, ku pritën me duartrokitje të gjithë deputetët demokratë që për 10 minuta zhvilluan mbledhjen e grupit me kryetarin Basha, në të cilën u vendosën detajet e fundit të protestës dhe debatit në Kuvend. Në protestë vihej re prania e efektivëve të policisë të 6 komisariateve të kryeqytetit në të katërt anët e sheshit, ku nuk mungonin edhe forca e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat ishin vendosur brenda rrethimit me llamarina të projektit të xhamisë së madhe që ndodhet ngjitur me Kuvendin. Ndërkohë, në hyrjen para ndërtesës së Parlamentit, si edhe në rastet e protestave të tjera, ishin vendosur police femra. Rreth orës 10:15 protesta nisi zyrtarisht me thirrjet e shumta të qytetarëve për largimin e Kryeministrit dhe qeverisë si përgjegjëse kryesore për situatën alarmante të trafikut të drogës. Protestuesit mbanin në duar pankarta me foton e Kryeministrit Rama, të rrethuar me mushkonja si dhe parulla të tilla, si: “Integrim”, “Jo drogës”, “Ik Ediskobar Rama” apo “Shqipëria drejt Europës, jo Kolumbisë”. Protestës antiqeveritare iu bashkuan dje edhe të shkarkuarit nga puna, sindikatat e pavarura dhe drejtuesit e furgonëve 8+1. Po ashtu pjesëmarrës në të ishte edhe kreu i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, i cili u bë edhe objekt debati mes palëve në Parlament. Ai theksoi: “Unë jam në strukturat drejtuese të PD-së dhe bindjet e mia janë djathtas. Lazaratasit prodhojnë drogë në mënyrë të paligjshme, jo për t’u pasuruar, por për të mbijetuar. Qeveria t’u krijojë hapësira punësimi”. Ndërkohë, në podiumin e ngritur në shesh u ngjitën njëri pas tjetrit të rinj të shumtë demokratë, ku në qendër të deklaratave të tyre qëndronte kërkesa për dorëheqjen e kreut të qeverisë. Vonesa për nisjen e seancës plenare ka irrituar disa nga deputetët e PD-së në Kuvend, ku një grup i tyre me përfaqësues deputetët Aldo Bumçi, Eduart Halimi e Majlinda Bregu u ngjit në podium duke akuzuar dyshen Rama-Meta se po e bëjnë qëllimisht, pasi kanë frikë nga qytetarët. Protesta arriti kulmin kur iu bashkua asaj kryeopozitari Basha në mesditë, i cili mes brohoritjeve të turmës, hodhi akuza për trafik droge me mbështetje qeveritare dhe kërkoi largimin e Kryeministrit Rama. Gjatë dy orëve të para të protestës si edhe pak para mbërritjes së Bashës në shesh u ndërpre edhe energjia elektrike, akt i cilësuar nga demokratët si i qëllimshëm. “Dritat i kanë hequr, por zërin e qytetarëve nuk e ndalin dot kurrë. Ky është rregulli i demokracisë”, – pohoi Basha. Pas fjalës që zgjati rreth 15 minuta, kreu i PD-së u largua nga protesta, por qytetarët qëndruan sërish aty edhe për tri orë të tjera deri në 15:15 minuta, kur edhe opozita u largua nga seanca parlamentare në përfundim të debatit për trafikun e drogës.

 

Detajet

-Në protestë vihej re prania e efektivëve të policisë të 6 komisariateve të kryeqytetit në të katërt anët e sheshit, ku nuk mungonin edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë me rreth 300 efektivë, të cilët ishin vendosur brenda rrethimit me llamarina të projektit të xhamisë së madhe që ndodhet ngjitur me hyrjen e ndërtesës së Parlamentit.

– Në hyrjen para ndërtesës së Parlamentit, si edhe në rastet e protestave të tjera, ishin vendosur police femra.

-Gjatë dy orëve të para të protestës, si edhe pak para mbërritjes së kreu të PD-së në shesh u ndërpre edhe energjia elektrike, akt i cilësuar nga demokratët si i qëllimshëm.

-Protestuesit gjatë tubimit hodhën në ajër qese të mbushura me miell, si simbol i drogës. Një prej tyre, në mënyrë jo të vullnetshme, përfundoi në kapelen e një prej policeve femra që ndodhej para hyrjes së Parlamentit.

-Protestës antiqeveritare iu bashkuan dje edhe të shkarkuarit nga puna, sindikatat e pavarura dhe drejtuesit e furgonëve 8+1.

-Protestuesit qëndruan në sheshin përballë Parlamentit për 5 orë.

 

Basha: Sot jemi shumica absolute e shqiptarëve. I themi Ramës: Dorëhiqu e ik!

“Ashtu si sot detyruam Parlamentin të diskutojë për drogën, ashtu do detyrojmë Ramën të ikë”

Qytetarë të lirë, mirë se keni ardhur në këtë tubim madhështor, i cili përball sot si asnjëherë tjetër më parë të drejtën themelore të pushtetit sovran që quhet populli sovran shqiptar, me oligarkinë e drogës, e cila po përpiqet t’i bëjë gjëmën çdo shqiptari dhe shqiptareje. I hoqën dritat, sepse kanë frikë nga zëri juaj. I hoqën dritat, sepse nuk duan të dëgjojnë zërin tuaj. I hoqën dritat, sepse tremben nga zëri juaj dhe nga ajo që shqiptarët kanë për të thënë. Sot nuk dua të ndalem gjatë në gjëmën e rëndë që ka pasuar pas disa zullumeve të tjera të Edi Ramës, gjëmën e rëndë të narkotrafikut, të drogës me avionë, të drogës që nuk zvarritet më, që nuk hipet më në mushkë, as në makinë apo në gomone, por ka kapur qiellin e Shqipërisë dhe për këtë iu desh vetëm 9 muaj të qeverisjes së tij. Shqiptarët e ndershëm, burrat dhe gratë, nënat dhe baballarët e këtij vendi, të rinjtë dhe të reja, ndihen të sfiduar, të tallur dhe të kërcënuar në përpjekjen e tyre të përditshme të sigurimit të bukës së gojës me djersën e ballit, të sigurimit të së ardhmes së fëmijëve të tyre me punën e ndershme. Nga tallja, kërcënimi dhe rreziku i atyre që duan ta shndërrojnë këtë tokë, këto qytete dhe fshatra, këto rrugë dhe këto sheshe në prona të drogës. Kërcënimi është akoma më i madh, sepse karteli i drogës, bosët dhe baronët e drogës janë ata që para zgjedhjeve të kaluara e bënë planin e tyre ogurzi dhe sot e kanë vënë në lëvizje dhe plani i kartelit të drogës është të blejë zgjedhje pas zgjedhjesh, të blejë pushtetin, të blejë ajrin, tokën, ujin, të blejë liritë e shqiptarëve, të blejë demokracinë e shqiptarëve, të blejë gjithçka të mirë që kemi në këtë vend. Plani i tyre ogurzi është që të rrënjosin dhe të konsolidojnë përmes përfshirjes, mashtrimit dhe shurdhërisë të atyre që janë brenda, oligarkinë e drogës në vend të lirisë dhe demokracisë për shqiptarët. Por nuk do të mundin, nuk do të mundin, sepse shqiptarët janë më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.

Një përgjegjës ka këtu. Populli e di që ky është Edi Rama, i cili ka dy muaj që gënjen dhe mashtron shqiptarët për të fshehur të vërtetën tronditëse të narkotrafikut dhe drogës me avionë. Populli nuk ka mundësitë dhe instrumentet për të kontrolluar trafikun e drogës. Qytetarët e kanë parë, qytetarët e kanë denoncuar, qytetarët kurajozë kanë folur edhe kur janë kërcënuar, gazetarët dhe mediat po kështu dhe shumë punonjës të ndershëm të shtetit që kanë bërë detyrën e tyre para shoqërisë dhe vendit. Por populli ka një tjetër mundësi, qytetarët shqiptarë kanë një tjetër mundësi, ka një tjetër instrument që njeriun përgjegjës për këtë situatë ta çojë në shtëpi dhe bashkë me të edhe kartelin e drogës. Që kur ky çast fatkeq në historinë e kësaj toke dhe këtyre njerëzve trokiti, që kur u dhanë indikacionet e para, denoncimet e para, akuzat e para për trafik droge përmes ajrit, Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër vetëm është munduar ta fshehë, ta justifikojë, të mashtrojë, të fshehë krimin që në doktrinën politike, kjo pra, fshehja e krimit, është më e rëndë se vetë krimi.

A nuk ishte ky që u tall dhe u përqesh me denoncimet e opozitës dhe ju tha keni parë mushkonja?! A nuk ishte ky që shpërndau ministrat e tij bashkëfajtorë për të bindur shqiptarët se kishin parë ëndrra dhe jo fakte?! A nuk ishte ky, që mbrëmë darkonte me dhjetëra gazetarë të Bashkimit Evropian në restorantin e Rognerit dhe nuk gjeti një fjalë të vetme për gazetarin shqiptar që u kërcënua me kokën e prerë të dhisë në pragun e derës?! A nuk ishte ky që i vuri kazmën Policisë së Shtetit duke shkarkuar përdhunshëm dhe paligjshmërisht dhjetëra e qindra oficerë policie, burra dhe gra, zonja dhe zotërinj që u përleshën me kurajo me krimin dhe që u dhanë shqiptarëve Shqipërinë në NATO dhe lëvizjen pa viza dhe me dinjitet?! A nuk ishte ky, me urdhrat e tij, që drejtorë të rëndësishëm të administratës i largoi dhe i zëvendësoi me persona të dënuar për trafik kokaine, heroine e drogash të tjera?!

Ky ishte dhe ky është. Çfarë do të bëjmë ne përpara kësaj? Jemi përballur me të për të mbrojtur Kushtetutën, jemi përballur me të për të mbrojtur ligjin, jemi përballur me të për mashtrimet dhe për dështimin e tij që në 8 muaj ia ka dalë të nxjerrë më shumë njerëz nga puna se ndonjëherë në 10 vitet e fundit të marra së bashku. Por në çdo përballje me të jemi përballur në respekt të plotë të vullnetit të shumicës politike. Sot jemi kthyer për t’u përballur edhe një herë, por tani ne nuk jemi vetëm opozita, ne jemi shumica absolute e shqiptarëve. Dhe kemi detyrën e shenjtë, misionin e madh, por edhe të drejtën t’i themi Edi Ramës: Dorëhiqu dhe ik!

Shqiptarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga një njeri i kapur fund e krye nga karteli i drogës. Shqiptarët nuk ia kanë borxh të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, njeriut që i ka borxh kartelit të drogës. Shqiptarët janë të vendosur për këtë përballje sado t’i mbyllin sytë, sado t’i mbyllin veshët, por zërin e shqiptarëve nuk e mbysin dot. A do ta pranojmë ne këtë qeveri e cila sot ka një hall, si t’i ikë përgjegjësisë, se si të fshehë të vërtetën apo do të përçojmë me zërin tonë shqetësimin mbarëpopullor për të mos lënë Shqipërinë në duart e drogës. Ndaj, sot, e nisim këtë betejë, për ta vazhduar nesër, pasnesër, javën tjetër, çdo ditë, javë dhe muaj derisa Edi Rama të mbajë përgjegjësinë e të largohet. I ka bërë llogaritë gabim, i ka bërë llogaritë jo vetëm pa opozitën, i ka bërë llogaritë jo vetëm pa demokratët, por ka bërë llogaritë pa shqiptarët.

E pra, llogaritë e tij po bien dhe do të bien përtokë. E vërteta po ngrihet dhe do të ngrihet çdo ditë. Sot, vëllezër dhe motra, në atë sallë janë munduar të bëjnë si rëndom atë që duan dhe dinë të bëjnë; të mbysin zërin e opozitës dhe të shmangin një seancë të jashtëzakonshme për përgjegjësitë e Edi Ramës për trafikun e drogës. Për dy orë e gjysmë me radhë, janë munduar t’ia mohojnë opozitës këtë të drejtë. Por sot, ndryshe nga herët e tjera, pas dy orë e gjysmë betejë në Parlament dhe dy orë e gjysmë qëndrese jashtë Parlamentit, janë dorëzuar. 5 minuta më parë, nën presionin e zërit të qytetarëve të lirë të këtij vendi Parlamenti nisi debatin e kërkuar nga opozita. Debati ynë në Parlament, debati ynë jashtë Parlamentit po zbulon dhe do të zbulojë të vërtetën tronditëse të trafikut të drogës me symbyllje dhe shkelje të Edi Ramës.

E vërteta nuk mund të mbulohet përgjithmonë. E drejta vonon, por nuk harron. Zoti ekziston, edhe pse jobesimtarët nuk e besojnë. Dhe ne të gjithë së bashku jemi të besëlidhur sot për të qenë deri në fund garantë të së vërtetës. Ashtu si sot ia dolëm të detyrojmë Parlamentin shqiptar të ulet dhe të diskutojë për trafikun e drogës dhe përgjegjësitë e Edi Ramës, ashtu edhe nesër, pasnesër, ditët dhe javët e ardhshme me të gjithë këta shqiptare dhe shqiptarë dhe me qindra e mijëra të tjerë do ta përballim Edi Ramën me të vërtetën, derisa të largohet. Ky është misioni ynë, sepse halli ynë, halli i çdo shqiptari është e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Halli i EskobaRamës është jo vetëm të fshihet, jo vetëm t’i ikë të vërtetës, por të vazhdojë avazin e vjetër.

 

Fjalimet e deputetëve në protestë

Aldo Bumçi

Edi Rama fshehu se kishte trafik, sepse mbështet narkotrafikun. Ka vetëm një fushë ku rilindja është e suksesshme, është narkotrafiku që është rritur në mënyrë të frikshme. Ne kërkojmë largimin e Edi Ramës, ne jemi opozita e vendit, ne nuk kemi asnjë legjitimitet nëse qëndron në ato karrige, në atë sallë pa ngritur këtë kërkesë, ne do ta bëjmë deri sa ta arrijmë.

 

Arben Ristani

Nuk e meriton Shqipëria të turpërohet kështu para Evropës. Po sulmojmë me lumenj droge kufijtë e Evropës, po akuzohemi se Otranton po e kthejmë në autostradë të drogës. Fqinjët tanë po nxjerrin ushtrinë për t’u ruajtur nga droga që po i sulmon ata. Vetëm duke mbushur sheshet, duke bërë flakë Parlamentin mund t’i largojmë dhe t’i mbajmë të shtrënguar që të mos e kthejnë Shqipërinë në vend të drogës.

 

Flamur Noka

Shqiptarët kanë kaluar histori të vështira, por gjithmonë kanë ditur t’ia dalin. Kjo qeveri nuk pranohet, kjo qeveri është e rrëzuar, kjo qeveri ra bashkë me avionin e drogës. Ata mund të rrinë në qeveri, por nuk janë më përfaqësia e shqiptarëve. Ata mund të rrinë të ngrohin ato karrige për të bërë përsëri drogë, trafik, për të fituar dhe vjedhur shqiptarët.

 

Jorida Tabaku

Ajo që ndodhi ditën e shtunë është marrja e shtetit, kapja e shtetit. Kjo betejë është e qytetarëve për të hedhur një pushtet të kapur nga droga. Ne nuk do ndalemi deri kur Rama të ikë. Nuk ka kuptim të qeverisin këta që dje ishin palë me krimin.

 

Mesila Doda

Fitoren e parë e arritëm, shtynë seancën. Kjo nuk është fitorja jonë, por juaja. E duam Shqipërinë si Evropa. Rama është fajtor, se zëvendësoi shtetin e ligjit me shtetin e krimit. Po ndërpret rrugën tonë drejt Evropës. Stop shtetit kriminal! Të gjithë të rezistojmë derisa kjo qeveri të na japë dorëheqjen.

 

Gent Strazimiri

Kemi dalë këtu, për t’ju treguar se ne atje jemi zëdhënësit tuaj. Jemi këtu për t’ju garantuar, për të ngritur zërin në emër tuaj. Nuk pranojmë të qeverisemi nga një qeveri narkotrafikantësh. Ky është vetëm fillimi, fitoren e parë e korrëm, ata nuk i shpëtojnë dot së vërtetës.

 

Itinerari i protestës

09:20- Policia rrethon të katër anët e Parlamentit. Policët formojnë një kordon përgjatë godinës

09:50- Pasi vendoset podiumi dhe dy ekranet, në shesh mbërrijnë protestuesit e parë

10:15- Nis zyrtarisht protesta me thirrje e protestuesve kundër Kryeministrit dhe qeverisë

10:45- Të rinjtë e PD-së i bashkohen protestës

11:00- Grupi i deputetëve i përbërë nga Aldo Bumçi, Eduart Halimi, Majlinda Bregu, Alban Zeneli e Gent Strazimiri largohen nga salla e Parlamentit dhe i bashkohen protestës

11:35- Ndërpritet energjia elektrike për pak minuta

11:40- Një autoambulancë mbërrin pranë protestuesve, pasi një prej tyre është ndier keq. Protestuesja pësoi gjendje të fikëti dhe ambulanca mbërriti duke i dhënë ndihmën mjekësore

11:45- Grupi i deputetëve i përbërë nga Flamur Noka, Gert Bogdani, Jorida Tabaku e Kastriot Islami i bashkohen protestës, duke mbajtur edhe fjalime të shkurtra

12:00- Ndërpritet energjia elektrike pak para ardhjes së kreut të demokratëve

12:05- Kreu i PD-së Lulzim Basha mban fjalim në protestën e opozitës

12:20- Basha mbyll fjalimin në protestë, protestuesit kërkojnë largimin e Kryeministrit

12:30 – 12: 50- Protestës i bashkohen deputetët Aldo Bumçi dhe Arben Ristani

13:00 – 14:45- Protesta vazhdon me fjalime të qytetarëve të ndryshëm, të cilët shprehin kundërshtitë ndaj kreut të qeverisë, Rama, për trafikun e drogës

14:45 -15:00- Pak nga pak, një pjesë e protestuesve largohen nga sheshi, por në qendër të tij qëndrojnë ende shumë qytetarë

15: 15 – Deputetët e opozitës dalin nga salla e Parlamentit dhe nisen të gjithë tek sheshi i protestuesve, ku kreu i grupit, Paloka, deklaron përfundimin e tubimit

15:20- Pas përfundimit të protestës, nis edhe shpërndarja e uniformave blu, ku dalin nga pas llamarinave të projektit, ku do të ndërtohet xhamia edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency