Standard.al

Indeksimi i pensioneve/ Rritja e kontributeve, çfarë propozon drafti i ri  

Është parashikuar që numri i kontribuuesve ruralë në vitin e fundit të parashikimit të jetë sa 40% e numrit të kontribuuesve në fillim të periudhës

ekonomi pensione Grupi i punës që ka hartuar draftin për skemën e re të pensioneve jep sugjerime lidhur me rritjen e moshës dhe rritjen e pagesës së kontributeve. Sipas grupit të punës, “për pensionet e skemës urbane apo rurale për vitet 2012 e 2013 janë vendosur shifrat reale të rritjes së masës së pensioneve sipas VKM “Për rritjen e pensioneve” për vitet përkatëse”. Për vitet në vijim pensionet janë indeksuar sipas inflacionit. Mosha ligjore e daljes në pension është 65 për meshkujt dhe 60 për femrat dhe mbetet e pandryshuar gjatë gjithë periudhës së parashikimit në lidhje me projeksionet për skenarin bazë. Mosha ligjore e daljes në pension për femrat në skemën rurale është e ndikuar fuqimisht nga numri i nënave më shumë fëmijë të cilat dalin në moshën 50 vjeç. Për skemën e fshatit mosha e femrave është marrë 57.6 sa në vitin bazë. Për sa u përket projeksioneve të opsioneve për reformë, mosha e daljes në pension për femrat në këtë skemë do të rritet gradualisht duke u barazuar me atë të femrave në skemën rurale në vitin 2032.

 

Supozime për përqindjen e kontributit për pensione

Në skemën urbane përqindja e kontributit për pensione është 21.6 dhe mbetet e pandryshuar deri në vitin e fundit të parashikimit. Në skemën rurale të vetëpunësuarit në bujqësi derdhin kontribut në masa të përcaktuara me VKM çdo vit (e ndryshme për zonat fushore e malore), masa të cilat janë shumë më të vogla se kontributi që derdh një i vetëpunësuar në qytet. Pjesa tjetër e këtij kontributi deri tek kontributi minimal, derdhet nga Buxheti i Shtetit.  Sipas strategjisë së barazimit të kontributit minimal të skemës rurale me atë urbane, në model është supozuar që përqindja e kontributit që derdhin të vetëpunësuarit në bujqësi të rritet gradualisht (me të njëjtën masë reduktohet kontributi që Buxheti i Shtetit derdh për llogari të të vetëpunësuarve në bujqësi) derisa në vitin 2025 masa e kontributit që paguan një i vetëpunësuar në bujqësi të barazohet me kontributin minimal. Në këtë vit, përqindja e kontributit për pensione që derdh i vetëpunësuari në bujqësi do të jetë 21.6% dhe kjo përqindje do të mbetet konstante deri në vitin e fundit të periudhës së parashikimit. Nën Opsionet 1 dhe 2 është supozuar se kontributet e fshatit me ato të qytetit do të barazohen në vitin 2017.

 

Supozimet për numrin e kontribuuesve

Ulja e shkallës së papunësisë dhe si pasojë rritja e numrit të të punësuarve sjell gjithashtu rritjen e numrit të kontribuuesve. Përqindja e numrit të kontribuuesve urbanë ndaj popullsisë në moshë pune është supozuar të rritet gradualisht gjatë gjithë periudhës së parashikimit. Raporti i numrit të kontribuuesve urbanë me popullsinë në moshë pune rritet gradualisht nga 24.5% të totalit të popullsisë në moshë pune në vitin bazë në 33.1% në vitin 2080. Numri i kontribuuesve në skemën rurale është supozuar në ulje deri në vitin e fundit të parashikimit. Është parashikuar që numri i kontribuuesve ruralë në vitin e fundit të parashikimit të jetë sa 40% e numrit të kontribuuesve në fillim të periudhës. Arsyet e uljes së numrit të kontribuuesve në skemën rurale janë: skema nuk është inkurajuese, lëvizja e popullsisë rurale drejt zonave urbane, niveli i ulët i produktivitetit në fshat dhe kultura e dobët në drejtim të derdhjes së kontributeve për sigurimin e pleqërisë. Në opsionet 1 dhe 2, për numrin e kontribuuesve të skemës urbane janë bërë dy lloj supozimesh. Supozimi optimist, i cili e rrit numrin e kontribuuesve nga 27% të popullsisë në moshë pune në vitin 2015 (viti i parë i reformës) në 40% në vitin 2030 dhe në 54.5% në vitin e fundit të parashikimit. Supozimi pesimist, i cili është bërë njëlloj si në skenarin bazë. Supozimet për numrin e kontribuuesve në skemën rurale mbeten të pandryshuara për të gjitha opsionet.

 

 Fushata/ Vaksina kundër tërbimit

Shqipëria ka çelur fushatën kombëtare për vaksinimin ndaj sëmundjes së tërbimit, e cila transmetohet nga kafshët tek njeriu. Shkollat do të jenë hapi i parë nga do të nisë kjo fushatë, ku arsimtarët do të përcjellin tek nxënësit jo vetëm rëndësinë që ka vaksinimi ndaj kësaj sëmundjeje, por edhe se si të sillemi përballë shenjave klinike kur personi është i prekur nga virusi i tërbimit. Janë përzgjedhur fillimisht vetëm disa shkolla në 10 qarqet e vendit, të cilat do të startojnë këtë fushatë, e cila më pas do të vazhdojë me vaksinimin nga ajri të kafshëve që janë në territorin e vendit tonë. ”Bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe roli i prezencës dhe i suportit që do të japin institucionet e arsimit parauniversitar dhe i atij universitar. Do të ketë disa procese në mënyrën sesi do të bëhet vaksinimi kundër tërbimit të kafshëve të cilat mbartin këtë sëmundje dhe shfaqin rrezik për popullatën dhe njëkohësisht një ndërgjegjësim për të ruajtur dhe për të parë cilat janë fazat e rrezikut që do të ndodhi”, – tha Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit. Sipas të dhënave nga institucionet shëndetësore, sëmundja e tërbimit ka si agjent transmetues dhelprën e kuqe. Për të parandaluar përhapjen e rasteve në Shqipëri është parashikuar që dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë, për të paktën 5 vjet të vaksinohet e gjithë popullata e dhelprave në vendin tonë, ndërkohë që ky projekt që do të mbështesë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por edhe atë të Bujqësisë, do të jetë nën asistencën financiare të Bashkimit Evropian.

 

Testi/ Sot provimi i parë i maturës, rezultatet pas 15 ditësh

Maturantët do të testohen ditën e sotme në provimin e parë të Maturës Shtetërore. Rreth 45 mijë maturantë do të japin provimin e detyruar të gjuhës së huaj. Maturanti duhet të paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Maturanti do ta plotëson testin me stilolaps me ngjyrë (të zezë ose blu). Testi për secilin për provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Shpallja e rezultateve behet jo më vonë se 15 ditë, pas çdo provimi të maturës. Rezultatet publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit www.arsimi.gov.al dhe në faqen zyrtare te Agjencisë Kombëtare të Provimeve www.akp.gov.al e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Maturantët grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Kur maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ka të drejtë të informojë administratorin e provimit, përgjegjësin e administrativit të provimit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit pas përfundimit të së gjithave provimeve, me një kërkesë drejtuar Komitetit Shtetëror të Maturës Shtetërore. Afatet e kërkesës përcaktohen me udhëzim të veçantë të ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.

 

Comments are closed.