Historia e klasikes Angli-Gjermani  

0
135

angliDisa sfida është pak t’i cilësosh si “klasike”. Njëra prej tyre është ajo midis Gjermanisë dhe Anglisë. Dy vende këto që për dekada radhë gjithmonë janë në kompeticion. Por në fushë, dueli i famshëm ka filluar në 1966-ën kur në botërorin që u mbajt pikërisht në Angli, vendasit mundën Gjermaninë Perëndimore me një gol “fantazmë” të Geof Hurst. Gjithsesi, kjo ndeshje nuk është e para që ka ndezur rivalitetin midis dy kombëtareve. Më 14 maj të 1938-ës, në Berlin, Gjermania e Hitlerit u përball me Anglinë në një ndeshje miqësore, në të cilën kur u kënduan himnet, britanikët përshëndetën “në mënyrën” naziste shikuesit. Pas pak muajsh midis dy vendeve shpërtheu dhe lufta që gjunjëzoi për së keqi tërë Evropën. Para se të fillonin ndeshjet paraeliminatore të Botërorit të 2002-shit (u mbajt në Japoni dhe Kore të Jugut) si Gjermania dhe Anglia kishin kaluar një periudhë mjaft të keqe, pasi evropianit që u zhvillua në Belgjikë dhe Holandë. Ata ishin në të njëjtin grup (A) së bashku me Portugalinë dhe Rumaninë. Me këtë të fundit Gjermania barazoi 1-1 (shënoi Sholl për gjermanët). Më pas pikërisht ndaj Anglisë ata u mundën 1-0. Por as Anglia nuk bëri figurë më të mirë. Ndërsa humbjen e dytë ia shkaktoi Portugalia që ishte e kualifikuar. Vetë Anglia ishte edhe më keq. Përveç fitores me Gjermaninë, ata u mundën nga Portugalia dhe Rumania. Luzitanët, edhe pse ishin poshtë me dy gola, arritën që t’u shënonin tre “tre luanëve”. Ndërsa me Rumaninë ishin sërish britanikët që hodhën tej fitoren, pasi ishin duke fituar 2-1, por një gol i minutave të fundit i shënuar nga rumunët baraspeshoi gjithçka. Ndërsa Ganea në fund të lojës arriti të shënonte dhe të tretin gol për ballkanasit që kaluan turin duke eliminuar Anglinë.

 

Turi paraeliminator

Si për ironi të fatit, edhe në eliminatoret e Botërorit 2002, Anglia dhe Gjermania ishin pjesë e të njëjtit grup. Edhe në këtë event të dy ekipet zhvilluan dy ndeshje epike. Më 1 shtator 2001, në “Olympiastadion” të Mynihut, Gjermania dhe Anglia mbërritën tek dueli i famshëm në pozita mjaft të ndryshme. Të zotët e shtëpisë kishin grumbulluar plot 16 pikë në 6 ndeshje. Të vetmin hap fals ata e kishin bërë në Finlandë, ku kishin barazuar. Ndërkohë që në “Wembley”, më 7 tetor 2000, pancerat kishin grumbulluar pikë të plota. Por natën e 1 shtatorit ndodhi krejt e kundërta. Anglia me Kevin Kiganin dhe Hauard Uilkinsonin si komisarë teknikë kishte grumbulluar 10 pikë në pesë ndeshje, ndërkohë që pasi erdhi Sven Goran Eriksoni gjërat ndryshuan shumë, pasi “tre luanët” kishin marrë 3 fitore në tri takime.

 

Sfida e fituar nga djemtë e Liverpulit

Atë natë Anglia fitoi falë “bllokut” të lojtarëve që kishte marrë nga Liverpuli. Në 2001-shin “redsat” kishin fituar pesë kupa (më të rëndësishmet ishin ato të kontinentit të vjetër: Kupa UEFA dhe Superkupën e Evropës). Në natën perfekte të Anglisë, starti ishte për gjermanët që kaluan të parët në avantazh me anë të Hamanit (edhe ky luante tek Liverpuli). Por më pas gjithçka ndryshoi pasi Ouen, Xherard dhe Heski menduan që t’i bënin një surprizë të keqe panterave duke u shkaktuar një nga humbjet më të mëdha në histori. Rrallëherë Gjermania ishte mundur 5-1 në fushën e vet.

 

Triumfi në grup

Pas asaj fitoreje Anglia ia doli që të fitonte grupin me 17 pikë të grumbulluara. Në fakt, po kaq kishte marrë edhe Gjermania që falë humbjes së thellë u detyrua që të shkonte në Kore të Jugut dhe Japoni nga Ukraina. Teutonikët u përballën në play-off me përfaqësuesen lindore. Aty ata fituan të drejtën për të marrë pjesë në botëror.

 

Botërori? Histori tjetër

Ndërsa në botëror u pa krejt tjetër histori. Anglia u eliminua në çerekfinale nga Brazili, ndërsa Gjermania shkoi si gjithmonë deri në fund. Teutonikët në fazën në grupe shkatërruan Arabinë Saudite, 8-0. Më pas në takimin e dytë barazuan 1-1 më Irlandën, ndërsa në takimin e tretë, Kameruni nuk mundi t’u bënte asgjë teutonikëve. Në atë sfidë triumfoi Gjermania 2-0. Atë vit skuadra e Fëlerit nuk ishte shumë spektakolare, por arriti që të ecte shumë, pasi kishte një mbrojtje solide. Në 16-she ata mundën Paraguain, 1-0. Me të njëjtin rezultat do të fitonin edhe ndaj SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Deri në finale ekipi gjerman nuk bëri asnjë gabim. Ndërsa në 90 minutat e fundit ishte Brazili që arriti të fitonte me anë të dy golave të Ronaldos.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency