Dhuna në familje/ E rreh me levë dhe e hedh gruan në lumë, pranga 30-vjeçarit  

0
112

dhuna--Policia e Vlorës ka arrestuar një 30-vjeçar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, pasi ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij. Kështu, në pranga të policisë ka rënë shtetasi Ervis Hysi, banues në lagjen “24 Maji” në Vlorë, pasi të dielën e 11 majit, ka marrë bashkëshorten e tij, A. H., 24 vjeçe, dhe fëmijën e tyre nga banesa e prindërve të saj, e ka çuar në periferi të fshatit Kotë, ku ka ushtruar dhunë ndaj saj. Sipas policisë, 30-vjeçari e ka goditur me levë bashkëshorten e tij dhe më pas e ka braktisur atë në afërsi lumit të fshatit Kotë. Familjarët e gruas kanë njoftuar policinë, e cila është vënë në kërkim të saj dhe brenda një kohe të shkurtër ka mundur ta gjejë atë si dhe të kryejë arrestimin në flagrancë të Ervis Hysit. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për ngjarjen është xhelozia, ndërsa po punohet për zbardhjen e saj. Ndërkohë, tashmë bashkëshortit i duhet të përballet me veprat penale të “Dhunës në familje” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”. Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim një 35-vjeçare, pasi bashkëshorti i saj kur është kthyer në shtëpi nuk ka gjetur gruan dhe fëmijët. Sipas policisë shtetasi me iniciale H.A, 35 vjeç, kur është kthyer në shtëpi, nuk ka gjetur gruan e tij Alma Aliaj së bashku me fëmijët, të cilët ishin larguar nga shtëpia pa e vënë në dijeni, duke marrë të gjitha pajisjet elektro-shtëpiake. Bashkëshorti ka njoftuar policinë e cila ka filluar procedimin penal ndaj 35-vjeçares, si dhe është vënë në kërkim për gjetjen e saj, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes.

 

 Tiranë/ Rrëzohet në Lanë, plagoset rëndë 50-vjeçarja

 Një 50-vjeçare është rrëzuar në lumin e Lanës dje pasdite në kryeqytet. Shkak dyshohet të ketë qenë një luhatje e tensionit të 50-vjeçares, e cila është dërguar në gjendje të rëndë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 pranë katedrales ortodokse. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat e policisë dhe po punohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të rrëzimit të 50-vjeçares në lumin e Lanës.

 

Lezhë/ E dhunoi mbesën në lokal, procedim penal xhaxhait

 Ditën e djeshme një 25-vjeçare ka denoncuar në policinë e Lezhës xhaxhain e saj. Ajo është qytetarja me inicialet S. M., e cila ka treguar në polici se ka qenë e ulur në një lokal në këtë qytet, në momentin që xhaxhai ka ushtruar mbi të dhunë fizike dhe verbale. Nga burimet e policisë bëhet e ditur se 25-vjeçarja ka qenë më parë e martuar dhe është ndarë nga bashkëshorti. Ajo ka pasur konflikte me të atin dhe mendohet që kjo të jetë një nga arsyet e agresionit të xhaxhait, i cili nuk ka mundur ta durojë dot këtë gjendje të krijuar në familje. Ndërkaq, është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “Dhunës në familje”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency