Zakeroni dhe Hoxhson shpallin listën e Japonisë dhe Anglisë për Brazil 2014  

0
141

Tekniku italian dhe ai anglez kanë shpallur listën e skuadrave përkatëse që do të paraqiten në Kupën e Botës

 Te skuadra e Anglisë u vu re mungesa e dy prej lojtarëve të rëndësishëm, Ashli Kol dhe Xhon Terri

zakeroni Me Botërorin e Brazilit që është vetëm një muaj larg, skuadrat përfaqësuese që do të marrin pjesë në Kupën e Botës po publikojnë një e nga një listat prej 23-lojtarësh që do të marrin me vete në kompeticionin më të rëndësishëm në nivel kombëtaresh. Një prej skuadrave që ka shpallur listën, ka qenë edhe Anglia. Britanikët gjithmonë kanë qenë favoritë, por kanë shumë vite që nuk arrijnë të fitojnë asnjë kompeticion ndërkombëtar. Ndërsa kësaj radhe do të provojnë shanset me një skuadër që premton spektakël. Trajneri i saj, Roi Hoxhson, ka zbardhur sot listën prej 23 lojtarësh, të cilët do të jenë të grumbulluar për Brazil 2014. Vihet re se mes këtyre futbollistëve të përzgjedhur nuk figuron Ashli Kol, i cili ka vendosur të braktisë karrierën e tij në përfaqësuese, për t’u dhënë hapësirë lojtarëve më të rinj. Ndërsa e veçanta tjetër ka qenë edhe mungesa e Xhon Terri. Kapiteni i bluve u shpreh pak kohë më parë se nuk do të kthehej nën drejtimin e teknikut britanik. E kështu që Hoxhson nuk ka kursyer emrat e talenteve, si Luk Shau, Rahim Sterling e Ros Barkli, ndër futbollistët që kanë mahnitur më shumë gjatë këtij sezoni të kampionatit anglez. Kombëtarja e tre luanëve pritet që ndryshe nga vitet e tjera të ketë një skuadër shumë sulmuese, duke parë opsionet e shumta që ka në fazën sulmuese dhe në mesfushë ku do të dirigjohet nga dy veteran si Lampard dhe Xherard. Ndërkohë që mbrojtja do të ketë disa mungesa të rëndësishme duke parë që nuk do të jenë as Kol as Terri. Edhe ish-sulmuesi i Totenhemit, Xhermein Defo, i cili luan me Toronton tashmë, ka mbetur në listën rezervë. Kontigjent për t’u grumbulluar mbetet edhe Tom Kleverli, 23 vjeç, i cili ka luajtur 9 ndeshje me kombëtaren nën drejtimin e Hoxhson në fillimsezonin 2012-13, por që tani zor se bind për t’u grumbulluar. Ndërkohë që listën me prej 23 emrash e shpalli edhe Japonia. Ashtu siç pritej trajneri italian i bluve Alberto Zakeroni do të marrë me vete në Brazil emra të rëndësishëm si mbrojtësi i Interit, Juto Nagatomo, mesfushori i Milanit, Keisuke Honda dhe ai Mançester Junajtid, Shinji Kagava. Në listë është përfshirë edhe sulmuesi i Majncit 05, Shinji Okazaki që pati një rol të rëndësishëm në kualifikimin e skuadrës së Tushelit në Europa League, pasi në këtë sezon të Bundesligës ka shënuar në total 15 gola. Në listën e të grumbulluarve është përfshirë edhe sulmuesi i Cerezo, Osaka Joishiro Kakitani që gjatë sezonit të kaluar të kampionatit japonez shënoi 21 gola në 34 ndeshje. Në përzgjedhjet e Zakeronit nuk mungojnë as mbrojtësi i Shake 04, Atsuto Ushida dhe ai i Hanover 96, Hiroki Sakai. Bie gjithashtu në sy fakti se trajneri i njohur italian ka grumbulluar plotë 11 lojtarë që luajnë në kampionatin japonez të futbollit. Skuadra përfaqësuese e Japonisë është shortuar në grupin C së bashku me Kolumbinë, Bregun e Fildishtë dhe Greqinë dhe ndeshjen hapëse të Botërorit do ta luajë në datën 14 Qershor përballë Bregut të Fildishtë në stadiumin “Arena Pernambuco” të Recifes.

 

Skuadra e Anglisë

 Portierë

Joe Hart (Manchester City), Ben Foster (West Bromwich Albion), Fraser Forster (Selltik).

Mbrojtës

Leighton Baines (Everton), Gary Cahill (Chelsea), Phil Jagielka (Everton), Glen Johnson (Liverpul), Phil Jones (Manchester United), Luke Shaw (Southampton), Chris Smalling (Manchester United).

Mesfushorë

Ross Barkley (Everton), Steven Gerrard (Liverpul), Jordan Henderson (Liverpul), Adam Lallana (Southampton), Frank Lampard (Chelsea), James Milner (Manchester City), Alex Oxlade-Chamberlain (Arsenal), Raheem Sterling (Liverpool), Jack Wilshere (Arsenal).

Sulmues

Rickie Lambert (Southampton), Wayne Rooney (Manchester United), Daniel Sturridge (Liverpool), Daniel Welbeck (Manchester United).

 

 Rojsh mohon largimin nga Dortmundi

Marko Rojsh thotë se ai nuk ka qëllim që të largohet nga skuadra e tij aktuale përkundër spekulimeve të shumta. Mançester Junajtid është lidhur me transferimin e lojtarit gjatë verës, por mesfushori gjerman duket se është shumë i lidhur me klubin gjerman. “Unë mund të them se përfundimisht do të qëndroj te Dortmundi edhe për një sezon. Vërtet nuk duhet të përsëris se po ndihem mirë këtu. Unë gjithmonë kam pasur ëndërr të luaj për këtë klub në këtë stadium. Tani jam te Dortmundi dhe po ndihem mirë dhe kam kontratë deri në vitin 2017 të cilën do ta respektoj”, – ka deklaruar lojtari verdhezi.

 

Mata: Do të punoj të ngre Junajtidin

Spanjolli i “djajve”, Huan Mata, është zotuar që të japë maksimumin për të kthyer ekipin e tij në nivelet më të larta. Junajtid përfundoi në vendin e shtatë këtë sezon, duke mos arritur top-katërshen dhe kualifikimin në Ligën e Kampioneve dhe Mata përkundër kësaj mbetet shumë i përkushtuar. “Personalisht, jam mjaft i kënaqur, sepse kam luajtur shumë ndeshje, kam shënuar gjashtë gola dhe kam bërë pesë asistime, kështu që jam i kënaqur me punën që kam bërë. Por, natyrisht kam dashur që të fitojmë më shumë ndeshje. Ne i humbëm ndeshjet ku nuk kemi luajtur mirë. Unë do të vazhdoj të luftoj për tituj. Do të kërkoj që të performojmë më mirë sezonin e ardhshëm dhe të jemi edhe më të fuqishëm. Ne do të kthehemi për të luftuar për trofe”, – ka deklaruar Mata.

 

Iniesta: 200 për qind që e fitojmë titullin

Andres Iniesta është shprehur shumë i bindur se do të jetë skuadra e tij që do të triumfojë në përballjen e fundit dhe do të fitojë titullin e La Ligas. Blaugranët duhet ta mposhtin Atletiko Madridin të shtunën mbrëma në “Camp Nou” që të mbrojnë titullin, pasi barazimi do të thoshte se trofeu shkon në duart e kuqebardhëve. “Duhet të fitojmë dhe e dimë se Atletiko është një skuadër që vështirë mposhtet. Por, La Liga është në dispozicion dhe të gjithë do ta shfrytëzonin këtë mundësi po t’u jepej. Një fitore është e domosdoshme në ndeshjen e fundit sezonale, në shtëpi, kundër liderit aktual, Atletiko. Loja në shtëpi e largon presionin nga ne dhe nëse fitojmë, mendoj se do të jetë festa më e madhe që është bërë ndonjëherë”, – ka deklaruar katalanasi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency