Sogjja e rreshter Fardit

0
155

 Angjelos Terzakis

music-sketch-1907.henri matisse Ngadalë, vetmitar – e megjithatë lehtë – dëgjohen hapat e rreshterit. Është në katin e dytë, lart, pikërisht mbi kokat e rojeve. Këtu, kabina është shumë e nxehtë, shumë më komode, me një mangall të madh të mbushur me qymyr të ndezur. Mërzia gogësit mureve, zvargur. Ushtarëve u rëndojnë qepallat. Nata…

Dhe jashtë veriu, pemët e mëdha të kopshtit, të cilat lëkunden duke krijuar gjeste të mëdha rrëqethëse mes asaj nate të errët. Përfundimisht asnjë pikë shi në dritare.

Shërbim.

Adjutanti, një kapiten shtatlartë artilerie, që e mbante mirë veten, me duar delikate, megjithëse nevrike, me manikyr, dy sy të mëdhenj dinakë – i dhënë shumë pas femrave – e pati ftuar rreshterin për drekë.

– Pasdite, – tha, – është shërbimi. Tek ti Fardi i kam varur shpresat. Dhe kuptohet, po ta them me mirëbesim… Sidoqoftë s’ke për të dalë jashtë gjer nesër. Ndalohet, – pastaj, me duart e tij të veçanta, bëri një gjest fare të pa sjellë: pastroi thoin e gishtit tregues të dorës së mëngjër dhe shtoi, çlirshëm: – … Fishekë do të marrësh në dollap. Kuptohet që do t’i shpërndahen rojeve në kohë. E kupton vetë, besoj. Po… Dhe e di. Po qe se bën ndonjë gjë vaki natën… Kuptohet…

Këtu qëndroi dhe ngriti kokën. Pa nga Fardi. Ai bënte të ndrojturin dhe puliste butë qepallat.

– Si urdhëron.

– Kuptohet, – përfundoi sërish adjutanti.

E thoshte orë e çast këtë “kuptohet”. U ngrit, dhe pas një reflektimi çastor, hapi sirtarin e vet. Në zyrë ishin vetëm ata të dy.

– Merre dhe këtë, – tha dhe i shtriu një pistoletë.

Pastaj e kyçi dhe doli. Shumë elegant, gjithmonë. Kishte dhe një grua të bukur; e çuditshme, ia dridhte me një ushtar aristokrat që rrinte në zyrë. Ai e dinte, “kuptohet”…

Çapet e tij, çizme të zeza që shkëlqenin, me pafta metalike, dëgjoheshin teksa largohej në korridor.

– Natën e mirë.

Ngadalë, vetmueshëm – e megjithatë lehtë – dëgjohen hapat e rreshterit. Është në katin e dytë, lart, pikërisht mbi kokat e rojeve; në një dhomë shumë të madhe, shumë të zhveshur, shumë të ftohtë. Dritare të mëdha me xhama të hapura që shkëlqejnë në natën e madhe. Herë-herë nëpërmjet tyre rrëshkasin e futen brenda dhe erërat e veriut, të thëllimta, me një vërshëllimë të lehtë. Lëvizin përreth tij si vjedhacakë, duhma të fshehura, të panjohura e të ftohta ere. Diçka e madhe që veç shtillet jashtë, fryn, shfryn, bën përpjekje të dëshpëruara, kërkon të gjejë një të çarë që të futet brenda. Xhamat e zinj, shumë të mëdhenj, shkëlqejnë në natën e madhe.

Në kopsht ka pemë që ulërijnë…

I kujtohej kur, student atëherë, Fardi sapo pati ardhur në fshat. Një fshat i largët i Maqedonisë*… Erdhi kryelartë, tepër krenar për notat e para që kishte pas marrë në shkollën e fshatit e më pas në gjimnazin e provincës. Ishte një natyrë e hajthshme, e rreptë, me flokë ngjyrë të çelur, si kashtë, sy të gështenjtë, buzë të holla pa ngjyrë. Erdhi tepër krenar, me kokën e tij të fortë plot me plane madhështore megjithëse jo fort të qarta se si do të gjenin zbatim në jetë. Donte që të dallohej dhe e mbante veten për njeri të rëndësishëm, natyrisht. Rezultatet e mira që arriti në shkollë e bënë që të mburrej e të ndjehej si shkollari i katundit. Të gjithë e admironin asokohe. Dhe atij i qe mbushur mendja se po kështu do të imponohej gjithëkund, në qytet kryesisht, sepse kishte nxjerrë e kishte thënë se padyshim e ardhmja i takonte njerëzve të pastër e me mendje të përkorë të fshatit.

Por menjëherë u pendua dhe gjëja e parë që bëri pas kësaj kësaj ishte të regjistrohej tek filologjiku. I zemëruar zbuloi se në këtë e pati shtyrë bestynia e tij prej fshatari, se mësuesi gjendet në rangun më të lartë moral të popullit. Një kohë miqësie që pati me bashkëstudentët e bëri të vuante. Iu fut punës që ta fshinte theksin me të cilin fliste. Nuk ia tha kurrëkujt ndonjëherë se i ati ishte prift dhe u orvat që të futej në një shkollë tjetër, të studionte për drejtësi, ku kishte dhe plot studentë të tjerë aristokratë. Por nuk e mori kurrë ndonjëherë me mend se sa rëndësi i kishte pas dhënë këtij ndryshimi. E kuptoi kur dështoi. Por ishte vonë…

Atëherë e pushtoi një dëshpërim i madh.

I la studimet që të shkonte ushtar. Nuk priti që ta përjashtonin, sikurse dhe duhej, por shkoi vetë. Në repart e ndëshkoi rëndë veten e tij. Që kurse mori galonin vrazhdësia e atij njeriu u bë shembull për të gjithë. Porse nuk mundi të ngjitej deri aty ku donte. Vështrimi i tij i gështenjtë atëherë u mvesh nga një cipë e akullsi vdekjeje. Dhe nuk i mbeti më gjë tjetër veçse një dobësi e fshehur, një kënaqësi: të shihte vazhdimisht, kur ishte vetëm, pëllëmbën e tij të mëngjër të cilën ende vazhdonte ta ndante në dy pjesë e prera e bardhë e një thike. E kishte prej një rasti në kohën e fëmijërisë, para shumë vjetësh. Duke dashur t’ia merrte me forcë biçakun një nxënësi tjetër, qe plagosur keq. E kujtonte me shumë kënaqësi tani atë guxim të atëhershëm të tijin. Dhe e sillte dhe e risillte ndërmend me ngulm, sepse kishte frikë se mos ndoshta tani nuk do të ishte më në gjendje për diçka të tillë…

Po. Shumë e joshte Fardin dhe mjaft ia ngushëllonte ambiciet inatçore kjo prekë e vjetër.

Sot në mëngjes, sërish, sapo mbërriti lajmi i besueshëm për lëvizjen që po përgatitej të bëhej. Fardin e thërriti adjutanti dhe e dërgoi me ngut në shtëpinë e komandantit. Dhe aty nga mesdita i tha: “Je skuadërkomandant i rojeve të natës”. Por këtë çast Fardi nuk e ka mendjen fare tek kjo gjë. Këtë çast që po shkon e vjen ngadalë, rreptë, vetmitar, në dhomën e zbrazët, si mes ushtarëve të tij. Nuk mendon kryekëput asgjë. E di se që nga poshtë rojet dëgjojnë hapat e tij. Dhe çapitet.

Nuk pranoi të rrinte në të njëjtën dhomë me rojet. U ngjit dhe u mbyll këtu, vetmitar. Nxori pistoletën dhe e la mbi tryezë. Shkalla e jashtme komunikonte drejt e me kopshtin dhe kështu që do ta ruante vetë: Kështu deshi. Qe vendi më i ekspozuar. Po qe se do të vinin, prej këtu do të hynin.

Mbi tryezën ushtarake të zbrazur e të pluhurosur, la orën, një orë e rëndë xhepi, e trashë, horrash. Pastaj hoqi dhe kapelën dhe e fshiu ballin me shaminë me riga. E shtrydhi me një gjest mjaft të vrazhdë e të përllogaritur. Kambalet e rënda, të cilat i rrinin pak të mëdha e që ushtonin aq shumë në dysheme! Gjithë ajo me çka po merrej tani ishte ritmizimi sa më i rregullt i këtyre kumbimeve. I hutuar çapitej duke ushtruar tribunën e tij ushtarake.

Por duhet të kishte kaluar shumë kohë kështu, ndoshta orë, sepse zuri të lodhej. Qëndroi dhe gogësiti duke rrudhur vetullat. Xhamat trandeshin herë pas here prej erës. Shfryrjet çanin mbyturazi natën. Në mes të heshtjes që krijohej për shkak të kumbimeve të çrregullta dëgjohej zhurma që vinte që prej poshtë. Një ushtar këndonte mbyturazi nën zë një këngë lindore. Dhe sërish era.

Fardi shkoi dhe u ul mbi tryezë, para orës, e mbështeti kokën në pëllëmbë. Akrepat tregonin njëmbëdhjetë. Gjunjët ia mpinte një lodhje e çuditshme. U harrua ashtu, duke parë orën e duke dëgjuar…

Befas kërceu përpjetë.

Ç’kishte ngjarë? Nuk i kujtohej. Por kishte ndjesinë e papërcaktuar e të trazuar se befas iu kujtua diçka e viteve të kaluara; diçka e pakapshme dhe e lëngshme, ndërkohë, pati rrëshkitur e rrjedhur. Shikimi i tij, i cili qe ngulur tek ora, zuri të gjallërohej sërish. Befas u ngrit.. Akrepat kishin bërë një kapërcim të mbinatyrshëm, të beftë. Ato tregonin një e njëzet.

Pa dashje u rrëqeth.

Jo, këtë çast ajo që e rrëmbeu dhe e shtrëngoi fort shpirtin e rreshter Fardit, nuk ishte habia për dobësinë e trupit të tij, i cili i ishte dorëzuar gjumit; nuk ishte ndjenja se pati shkelur detyrën e tij ushtarake. Dhe le të kujtonte ashtu… Ishte diçka tjetër, e panjohur dhe vuve, shumë më e thellë… Deshi që të ngrihej, të shkonte deri tek dritarja, por nuk mundi. Diçka e rëndë, e hekurt, e gozhdoi në karrige. Vështroi përreth me një çudi të tmerruar. Çdo gjë ishte siç e kishte pas lënë, por jo të pandryshuara. Llampa elektrike vazhdonte të ndriçonte, prore e verdhë dhe e ndyrë prej mizave. Era merrte frymë thellë dhe fillonte sërish, ndoshta pak më dobët se më parë. Por diçka, diçka tjetër pati ndodhur… Dhe kjo tjetër, që nuk arrinte ta konceptonte dot truri njerëzor i Fardit, i kishte kapur dhe po ia shtrëngonte shpirtin.

U rrëqeth sërish.

Dhe ndoshta kishte që fëmijë që nuk qe rrëqethur kështu ndonjëherë…

Kënga, kënga lindore, ajo që e kishte dëgjuar mbyturazi, ç’qe bërë? Gogësiu. Heshtje e thellë. Edhe era gogësinte. Heshtje… Nuk e dinte pse, këtë çast shpirti i tij qe kapur në mënyrë të pashpjegueshme pas këtij kujtimi të parëndësishëm, si një dërrasë shpëtimi, si një shenjë e kuqe në detin e tij të trazuar. Gogësiu…

Kënga lindore, ajo e mbytura ç’qe bërë?

Atëherë vuri re dorën e tij që u ngrit. E “pa”, pa e ngritur ai. E pa që u ngrit nga nofulla dhe pëllëmba e shtrirë i qëndroi para fytyrës. I ngriu gjaku. Gishtat: gishta të huaj; e preknin, ngadalë, ftohtë, me një çudi të përllogaritur. Dhe nën këtë kontakt ndjeu që tiparet e tij kishin ndryshuar. Nuk njihej më!

Fardi qeshi. Por tani e qeshura nuk e tmerronte fare. E dëgjoi që ushtoi në dhomë, si një i huaj, sigurisht… Por që tani e në vijim e kishte të qartë idenë se dikush tjetër gjendej aty, brenda tij, ndanë tij. Dhe ky tjetri, i cili i ngjasonte shumë, përputhej plotësisht me veten e tij, veçse bënte disa gjëra që i vërteti kurrë nuk do t’i kishte pas bërë.

T j e t r i: Nxirre pasqyrën. Ke një pasqyrë të vogël në xhep.

V e t j a e t i j: Po. (E nxjerr).

T j e t r i: Shih në të.

V e t j a e t i j: (Përkulet dhe sheh. Por në pasqyrëzën e vogël duket një fytyrë tjetër, një turi i shëmtuar dhe i verdhë me sytë të kuq e buzë të pangjyra).

“Mirë e paskam kuptuar”, – mendoi Fardi dhe vuri re me kujdes e me çudi turirin e tij të ri. Pastaj mori frymë me zor dhe e futi kokën mes shpatullave, si shtazët. Ndjeu t’ia zinte dhe t’ia njomte gishtat një forcë e re e panjohur. Ia shtrëngonte fort dhe i dukeshin si hekur.

Pasqyra i ra dhe u thye në tri pjesë, dhe bashkë me të, i gjallë, i shpërtheu gjaku prej kyçit të gishtit tregues. Dilte me një mërmërimë të ngadaltë, dallgë-dallgë. E vështroi me sy të hapura fort, sy të panginjur, sy të uritur. Pastaj buzët u tërhoqën dhe dolën dhëmbët. U përkul mbi burimin e ngrohtë dhe i ngjiti buzët mbi të. Filloi ta thithte. Qafa e tij u drodh e kënaqur. Qëndroi një copë herë ashtu, pa e ndier veten.

…Kur i ngriti sërish sytë, era kishte pushuar.

U ngrit ngadalë dhe mori pistoletën. Çapet e tij të rënda iu afruan derës. Para vetes kishte shkallën e errët. Qëndroi në vend dhe gogësiu. Asgjë. E shtrëngoi fort rripin e mesit dhe u mbajt pas kanatit të derës duke u mbështetur pas saj. I mbajti sytë mbi pistoletën dhe zuri të luante lehtë me këmbëzën e saj. E drejtë. Pastaj i kryqëzoi duart dhe qëndroi në pritje.

Qëndroi në pritje…

Tani po numëronte frymëmarrjen e tij. Gjoksi i qe zgjeruar dhe mushkëritë i ishin mveshur me një forcë të përbindshme. Fort, ngadalë, dilte fryma e tij, dhe në gjithë trupin, në kyçe e në nerva, tendosej fort një ormisje e verbër. E ndjente inatin e tërbuar të saj duke u rritur e duke u shtuar. Trupi i tij rritej përbindshëm dhe një tërbim i helmët i dilte prej dhëmbëve të tij të bardhë. Duke pas tërhequr buzët, i dukeshin dhëmbët. Dhe qafa kërrusej me një dëshirë të egër, si diçka që po mbytej, qafa e tij e cila i ngjante e butë…

Por tani nuk mundej më, uf! që t’ia dilte me këtë gjigant!… U egërsua dhe u shkund. Nuk po arrinte që ta nxinte më veten e tij. Rruzujt e syve u rrotulluan ngadalë brenda zgavrave dhe pyetën të panginjura terrin e shkallës. A do të vinte? Kur, më?… Kur do të vinte, pra?…

Terri ishte i shurdhët.

Atëherë frymëmarrja e tij u bë më e shpejtë dhe pa u ndier flokët u revoltuan. U ngritën dy tufa dhe erdhën e i ngjitën sërish në ballin e ftohtë. I mbylli sytë dhe iu lut një perëndie të panjohur të tmerrshëm, një perëndie me sy të përgjakur dhe qafë të leshtë. Të vijnë, të vijnë… Dhe dhëmbët e tij kërcisnin, pa durim.

Por befas, që prej larg, u dëgjua kënga e gjelit. Hapi sytë dhe pa në dritare që po agonte…

Çdo gjë kishte mbaruar.

Mori frymë thellë. Koka e tij, e rëndë, u përkul mbi gjoks. Kraharori iu fry si kacek dhe duart u varën të pajeta. Ngadalë, duke zvarritur kambalet, shkoi tek një karrige para dritares dhe u ul. Qëndroi ashtu, pa lëvizur, për shumë kohë. Drita e mëngjesit shkëlqeu në flokët e tij të djersitura.

Poshtë po zgjoheshin zhurmat. Edhe përreth do të fillonin. I mbështeti bërrylat në ijë dhe vështroi pëllëmbën e mëngjër. Preka e vjetër e thellë… Sidoqoftë përbrenda gjaku ende ziente, e grinte. Oh, shumë e hante, dhe ishte e papërballueshme! I hutuar zuri të argëtohej me pistoletën, duke e sjellë tytën nëpër pëllëmbën e majtë. Formonte rrathë, dhe rrathët sa vinin e zvogëloheshin, e zvogëloheshin. Lëkura i gudulisej dhe kjo i ishte e padurueshme. Kur erdhi pikërisht në qendrën e prekës, tyta u ndal. Dhe shtiu.

Një drithërimë e ftohtë ia përshkoi të gjithë trupin, por nuk luajti vendit. Veç dora e tij e majtë zuri të dridhej!…

Pastaj plasi poterja. U dëgjua që po vinin njerëz, çape, zëra. E kapën nga supet, e shkundën, dikush e kapi nga mjekra, i ngriti kokën, dhe e pa në sy me një vështrim tallës. U bë një rrëmujë e madhe, shumë rrëmujë e madhe.

Zëri i adjutantit, i tmerruar por femëror, u dëgjua në holl:

– Sa kot që është! Sa kot fare! I shkrepi pistoleta në dorë pa dashje…

Atëherë Fardi bëri një grimasë me fytyrën e tij të zverdhur, një grimasë shumë të fortë e të pashpjegueshme.

…Ndoshta dhe deshi të vinte buzën në gaz…

 

________

*Pjesa veriore e Greqisë. (shën. i përkth.)

Përktheu nga origjinali: Lavdimir Marku

Marrë nga “Fjala review”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency