Rrëfimi i “korrierit”/ “Mora përsipër sigurimin e kanabisit, ndërmjetësimi me pilotin Giusepe”  

0
91

Anxhela Tato

Saimir Bajrami: Sapo mbërrita në Divjakë, njoftova me sms pilotin, më tha se nisej për pak çaste

 Prokuroria sekuestron pamjet filmike të lokalit dhe të hotelit ku ka qëndruar piloti italian Riformato

avioni paraSaimir Bajrami “zbërthehet” për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke rrëfyer me detaje njohjen e tij me pilotin italian, bisedat e tyre për trafikun drogës, gjetjen e hotelit në kryeqytet, takimet e herëpashershme si dhe këqyrjen e plazhit të Divjakës duke piketuar pozicionin e uljes së avionit dhe mënyrën se si do të transportohej lënda narkotike. Ndërkohë, krahas dëshmisë, janë siguruar edhe pamjet filmike të hotelit dhe të lokalit ku ka qëndruar piloti italian. Dëshminë e tij Saimir Bajrami e nis me sqarimin e rrethanave të njohjes me një shtetas italian, i cili u bë ndërmjetës në prezantimin me pilotin italian Riformato. “Unë në Itali kam punuar në fushën e ndërtimit, ku kam pasur një firmë ndërtimi, ku aktualisht e kam mbyllur aktivitetin e saj për shkak të krizës financiare që na ka zënë. Gjatë qëndrimit në Itali, për shkak të krizës, në biseda që kam bërë me shtetasin Giusepe, mbiemrin e të cilit nuk e kujtoj, kemi biseduar të dy që të merreshim me trafikim të lëndës narkotike nga Shqipëria për në Itali, ku aty Giusepe mori përsipër që të siguronte shitjen e saj. Ndërsa unë mora përsipër që të bëja sigurimin e lëndës narkotike, kanabis sativa, transportin e së cilës do ta bëja nëpërmjet një piloti, me të cilin do të më ndërmjetësonte Giusepe”.

 

Dëshmia

I akuzuari për trafik droge të mbetur në tentativë thotë se shtetasin italian me emrin Giusepe e ka takuar më datë 21 prill, pra rreth tri javë më parë, dhe ka qenë pikërisht italiani ai që ka marrë përsipër gjetjen e një piloti, i cili sipas tij, quhej Eli dhe ishte nga Milanoja. Krutani, pa asnjë precedent penal më parë, si në Shqipëri dhe në Itali, tregon se gati dy javë pas bisedës dhe kushteve për trafikun, ku përfshihej çmimi prej 400 eurosh për kilogram që do t’i paguhej për transport pilotit, ai është takuar në Tiranë me personin e quajtur Eli, që në fakt rezultoi më pas se ka emrin Giorgio Riformato. Nga ky takim, më datë 8 maj, të dy kanë nisur të flasin për vendin e takimit, duke u nisur nga sa kishin dëgjuar dhe parë në media. Më pas, të dy ata kanë vendosur që të shkonin të shikonin zonën ku do të ulej avioni për të marrë ngarkesën. “Në datën 9.5.2014, rreth orës 11:00 kam shkuar përsëri tek hoteli ku ndodhej piloti dhe aty së bashku me të kemi biseduar se ku do të gjenim vendin e përshtatshëm për ngarkesë. Sipas televizorit, dëgjova se vend i përshtatshëm për këto punë ishte Divjaka. Prej tij mësova se nga GPS-ja kishte mësuar se në fushën e Gjadrit ai nuk mund të ulej, sepse në pistë ishin vendosur betona dhe më tregoi se e vetmja mundësi ishte që të ulej në zonën e Divjakës. Gjithashtu, për në zonën e Gjadrit unë kisha parë se atje nuk mund të bëhej ngarkesa, sepse ishin vendosur betona, si dhe për faktin që po ziheshin politikanët ndërmjet tyre në Parlament. Më kërkoi që të dy të shkonim dhe të shikonim vendin konkretisht. Jemi nisur të dy nga Tirana, me makinën fuoristradë që më është kapur, makinë të cilën unë ia mora kushëririt”, – ka thënë Bajrami.

 

Takimi me italianin/ “Pas inspektimit të zonës Riformato kërkoi të largohej nga Rinasi më 10 maj”

Sipas dokumentacioneve të sekuestruara tek Aviacioni Civil, rezulton se me datë 5 maj piloti italian ka ateruar në Korfuz, nga andej ka kërkuar leje për të ardhur në Rinas, leje e cila është miratuar dhe më datë 8 në mëngjes ka ateruar në aeroportin e Rinasit, duke përcaktuar edhe korridorin e kthimit për në Peskara. Mesditën e datës 8 maj, sipas Bajramit, piloti italian me shërbimin taksi të aeroportit ka ardhur në Tiranë, ku janë takuar me krutanin, i cili e ka sistemuar në një hotel. Pasi kanë ngrënë drekë, e filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së lokalit që tashmë janë sekuestruar, ata janë larguar së bashku. Mëngjesin e datës 9 maj, Bajrami me makinën tashmë të bllokuar e ka marrë në hotel italianin dhe kanë zbarkuar në plazhin e Divjakës për të parë terrenin ku do të zbrisnin për të ngarkuar drogën. Pas inspektimit të zonës, italiani Riformato është kthyer në hotel dhe me datë 10 maj, ora 13:26 minuta, italiani ka kërkuar të largohet nga Rinasi, ku edhe i është krijuar korridori ajror nga do të kalonte. Në fluturim e sipër, sipas dosjes së sekuestruar nga Aviacioni Civil, rezulton se piloti Riformato ka kërkuar disa minuta kohë për të soditur bregdetin shqiptar ku për disa çaste ka humbur nga radarët.

 

Bllokimi i makinës/ “M’u prish freksioni në pyll, kërkova karrotrec dhe shpërndava drogën në rërë”

Bajrami thotë se rreth orës 14:30 minuta ishte në pritje të avionit, ku pas uljes në ecje e sipër për të ndaluar është këputur rrota e parë e avionit. Në atë moment, ai pretendon se ka tentuar të largohet, por ka ngecur në rërë duke çarë sadokartin. Në nxitim e sipër, Bajrami thotë se është prishur edhe freksioni. “Në atë moment, – thotë ai,- kam kërkuar ndihmë për karrotrec dhe kam filluar të fsheh drogën”. Sipas hetuesve, dyshohet se kanë qenë dy makina dhe sasia e parë që është gjetur e shpërndarë nëpër pyll ka qenë në pritje për ngarkim dhe ishte shkarkuar nga makina e cila është larguar me shpejtësi. Ndërsa për hetuesit makina që drejtonte Saimir Bajrami ka ngecur. Në këtë moment, piloti italian, sipas akuzës, ka hedhur telefonin së bashku me kartën në pyll dhe më pas ka pritur ardhjen e policisë, ndërsa Bajrami ka ngarkuar në karrotrec makinën. Pasi është nisur për të dalë nga rruga e plazhit të Divjakës, është ndaluar nga policia për kontroll ku janë gjetur sasia prej 100 kg hashash dhe shuma prej 27 mijë eurosh. Ndërsa pjesa tjetër prej rreth 200 kg hashash është gjetur e shpërndarë në disa vende, që në total, sipas akuzës, gjithsej janë sekuestruar rreth 300 kg hashash. Dyshohet se makinat që janë larguar, kishin mbanin sasi të tjera të drogës, që i kanë shpëtuar edhe policisë. Ky rrëfim tashmë është pjesë e dosjes dhe pritet që në ditët në vazhdim të zbardhet versioni i tij.

 

“Avioni ra me hundë, piloti doli në këmbë dhe kuptova që nuk ishte dëmtuar”

I akuzuari Bajrami rrëfehet se e bleu drogën me çmimin 300 euro kilogrami nga një person tjetër në Krujë, në sasinë 207 kilogramë, duke paguar në këtë mënyrë në dorë rreth 56 mijë euro. “Kur mbërrita në Divjakë,- thotë i pandehuri, – i çova sms nga karta italiane pilotit që jam tek vendi dhe ai më tha se për pak nisem. Kur kam mbërritur në Divjakë, pashë se në të njëjtin pozicion që kishim lënë me pilotin, pranë meje ndodhej edhe një makinë tjetër e tipit “Volkswagen Passat” me ngjyrë gri, në të cilën ndodheshin dy persona. Menjëherë kuptova se edhe ata kishin bërë marrëveshje me pilotin sikurse edhe unë dhe ishin në pritje të ardhjes së avionit”, – ka treguar Bajrami. Ai thotë se pa avionin duke ardhur dhe pasi ai preku tokën për rreth 40 metra, një nga rrotat takoi në një vend të ngritur dhe u thye. Pasi pa që avioni kishte përfunduar me hundë në rërë, ai thotë se ishte larguar, sepse avioni nuk mund të ngarkohej dhe të ngrihej sërish në fluturim. “Kur pashë se ai doli nga kabina e avionit dhe u ngrit në këmbë, mësova se ai nuk kishte pësuar gjë fizikisht, gjë për të cilën unë u largova me shpejtësi me makinën time, sepse kisha frikë se mos aty vinin persona të tjerë. Dua të sqaroj se unë u largova me makinë, sepse avioni nuk mund të ngarkohej, sepse ishte prishur. Gjatë largimit tim pashë se të njëjtën gjë bëri edhe makina tjetër “Volkswagen Passat” me dy personat e tjerë”, – ka thënë i arrestuari.

 

Prokuroria/ Kërkesë Aviacionit Civil për dorëzimin e hyrje-daljeve të Riformatos

Nga ana tjetër, sipas hetuesve, piloti italian nuk është regjistruar në sistemin TIMS dhe nuk është kontrolluar nga policia shqiptare kur ka hyrë brenda territorit shqiptar. Prokuroria tha se nuk është arritur të verifikohet për shkak të problemeve të sistemit TIMS nëse ky shtetas ka hyrë në Shqipëri. Kjo ka bërë që të hidhen dyshime se Riformato ose avionët e kompanisë së tij kanë hyrë e dalë edhe herëtë tjera nga Shqipëria. Hetuesit e Prokurorisë kanë kërkuar nga Aviacioni Civil t’u vihet në dispozicion dosja e të gjitha hyrje-daljeve të avionëve sportivë të regjistruar në emër të kompanisë së pilotit italian Riformato. Sipas hetimeve, pritet në ditët në vazhdim të ekzaminohet gjendja teknike e avionit dhe më pas të transferohet pranë Aeroportit të Rinasit me cilësinë e provës materiale.

Gjykatë/ Sot masa e sigurisë për pilotin italian dhe shqiptarin

 Sot dy të arrestuarit do të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të njihen me masën e sigurisë dhe provat e mbledhura nga ana e organit të akuzës. Për herë të parë në bankën e të pandehurve dy “korrierët” do të dëgjojnë faktet që rëndojnë në ngarkim të tyre nga ana e prokurores së çështjes. Ndërsa është caktuar ora 10 e paradites për zhvillimin e seancës gjyqësore së masës së sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Arrestimi i tyre u bë pasditen e ditës së shtunës, pas rënies së avionit, i cili zbuloi edhe rrjetin e trafikut të drogës. Ndërsa vetë piloti italian ka mohuar të jetë i përfshirë në këtë linjë, nga ana e shtetasit shqiptar është rrëfyer me hollësi çdo informacion.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency