Reforma në arsimin e lartë/ Dy fazat e financimit të universiteteve, si i mbështet skema privatët

0
124

Kriter se kush do të përfitojë financim nga shteti nuk është cilësia, por ambientet e universitetit

filoPublikimi i raportit të Komisionit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimit Shkencor, përveç ndryshimeve që propozon për sistemin arsimor, parashikon qe skema e financimit të jetë e ndarë në dy faza. Por ajo që bie në sy në propozimet e Komisionit ka të bëjë me faktin se universitetet private do të jenë dukshëm më të favorizuara për të marrë fondet e shtetit. Kjo, për faktin e thjeshtë se privatët kanë ambientet më të mira se universitetet publike kanë laboratorë dhe kushte më të mira për çdo student. Të gjitha këto janë faktorë se kush do të përfitojë më shumë në financimin që do të japë shteti. Por kjo metodë ngre dyshime nëse ambientet janë kriteri kryesor ku duhet të mbështetet shteti për financimin apo cilësia e diplomës!

 

Faza e parë e financimit

Në këtë fazë shteti është financuesi kryesor dhe përpiqet të financojë prioritetet e tij, por edhe të “shëndoshë” sistemin për t’u përgatitur për fazën e dytë – zhvillimin afatgjatë të arsimit të lartë. Në këtë fazë kërkohet një ndryshim i rëndësishëm strukturor në mënyrën e organizimit dhe financimit të arsimit të lartë, që duhet të synojë realizimin e disa qëllimeve dhe objektivave thelbësore: Arsimi i lartë duhet të konceptohet si “shërbim publik” dhe “e mirë publike”, sektor ku shteti/qeveria garanton me politika specifike cilësi dhe standarde të larta të ofrimit të tij. Autonomia/pavarësia e universiteteve duhet të zgjerohet në maksimum edhe në çështjet financiare e menaxheriale universitetet duhet të përcaktojnë lirisht çmimin e realizimit të studimeve që ato ofrojnë, numrin e pedagogëve, pagat, laboratorët, investimet thelbësore për një shërbim cilësor etj. dhe të bëhen pjesë e tregut të lirë e konkurrues arsimor. Po në këtë fazë në mënyrë graduale dhe të studiuar duhet të afrohen pagesat e studentëve me koston e tregut. Shteti me vendim legjislativ duhet të vendos çmimin tavan për këto pagesa universitare.

 

Financimi në fazën e dytë (afatgjatë)

“Kur diskutohet për mënyrat dhe format e financimit, sot në botë po fillon të humbasë kuptimi i ndarjes tradicionale në universitete shtetërore dhe universitete private, duke konverguar drejt nocionit të “universiteteve publike” – parashikon drafti për reformën në arsim. Në këtë fazë, fondet për mësimdhënie nga buxheti shtetit do të jepen vetëm për universitet me status të njëjtë. Këtu i referohemi gjykimit që në këtë fazë është parë e arsyeshme krijimi i një status të ri – universitetit publik, të tipit fondacion, ku mund të futen universitetet publike, por ai le të hapur rrugën që dhe universitete jo publike t’i bashkëngjiten këtij grupimi. Kjo do t’u mundësonte këtyre universiteteve hapësira për të kërkuar financim nga buxheti shtetit për bllokun e mësimdhënies. Këtu duhet nënvizuar që universitetet të cilat i bashkëngjiten këtij grupimi (statusi) duhet të zbatojnë të njëjtat rregulla në funksionimin e tyre, si në organizim ashtu edhe për mirëqeverisje. Në rastet kur universiteti privat kërkon të marrë statusin e ri të një universiteti të tipit të Fondacionit, pronari/et heqin dorë nga pronësia dhe marrin meritën dhe statusin e themeluesit, njësoj sikurse shteti merr në rastin e transformimit të universitetit publik nga statusi i sotëm në atë të ri. Gjithashtu, rregullat që zbatohen nga universitet me statusin e ri janë të njëjta, pavarësisht se cili ka qenë themeluesi tyre, shteti ose privat. Mbetet për t’u shënuar se ky konvertim mbase i dëshiruar dhe i testuar si rezultat i nevojave të tregut nuk u imponohet universiteteve private. Në të kundërt në qoftë se ata janë “te shëndetshëm” dhe me standarde të larta të kërkuara, mund të mbeten në statusin që kanë. Në këtë fazë koncepti bazë apo platformë kryesore për reformën synohet të jetë kalimi në një sistem të arsimit të lartë të ndarë në dy pjesë : Sistem shtetëror të financuar pothuajse totalisht nga shteti dhe një pjesë të vogël modeste nga pagesat e studentëve në kuadrin e atyre që cilësohen si të ardhura dytësore, që zë gati 80% të numrit total të studentëve shqiptarë; dhe, dhe sistemi privat të financuar 100% nga pagesat e studentëve drejt një sistemi ku arsimi i lartë konsiderohet si “sektor dhe shërbim publik” dhe financohet në mënyrë të përbashkët nga shteti/buxheti, studentët, pushteti lokal, biznesi, donacione të ndryshme, të ardhura të tjera nga shërbimet e universiteteve, projekte kombëtare e ndërkombëtare etj

 

Studentët që do të mbështeten

Shteti do të financojë një pjesë të studentëve, duke nënkuptuar ata me të ardhura të pakta (bursat sociale), studentët e talentuar (bursat e ekselencës), për degët dhe programet e studimit që klasifikohen me rëndësi kombëtare nga qeveria duhet parashikuar që mbështetja për to mund të jetë më e madhe, me fonde specifike nga buxheti. Në lidhje me ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare, shteti mund të mbështesë me bursa e financime të plota/pjesshme një pjesë të masterave profesionalë, dhe një pjesë specifike të doktoratave, kryesisht në ato degë e drejtime që korrespondojnë me prioritetet, objektivat strategjikë dhe politikat themelore të zhvillimit të vendit. Skema do të parashikojë përfshirjen e skemës së kredive për studentin. Kreditet studentore duhet të jenë të hapura për të gjithë ata të cilët janë regjistruar ne sistemin “Bachelor”, pavarësisht se në cilin universitet shkojnë, publik apo privat. Shteti duhet të shërbejë si garantor në banka në mënyrë që kreditë të jenë me interes zero dhe të paguhen kur studenti fillon punë. Për të aplikuar parimin universal “mundësi të njëjta për të gjithë” dhe atë të “meritueshmërisë” kuptohet nëse plotësojnë kriteret akademike, vëmendje e veçantë u duhet kushtuar studentëve që vinë nga situata të vështira ekonomike në mënyrë që t’u jepet mundësia për të vazhduar arsimin e lartë.

 

 Komisioni i Edukimit/ Tërhiqet mazhoranca, shefat e shërbimeve, me konkurs

Shefat e shërbimeve dhe të departamenteve për Universitetin e Mjekësisë do të zgjidhen me konkurs, ashtu si ka ndodhur në vitet e mëparshme. Pas debateve të shumta, nenet që ndryshonin mënyrën e përzgjedhjes së tyre, nëpërmjet emërimeve nga qeveria janë shfuqizuar. Këtë të hënë, në Komisionin Parlamentar të edukimit janë miratuar ndryshimet e reja për arsimin e lartë për universitetin e mjekësisë. Risia e vetme do të jetë rikthimi i departamenteve, të cilat u hoqën në 2010. “Kemi rënë dakord me propozimet në komision, që të mos ketë ndryshime në bordin menaxhues të QSUT-së. Përgjegjësi i shërbimit të mos jetë shef departamenti, sepse departamenti ka peshën arsimore dhe shkencore, ndërsa shërbimi ka peshën e pacientit. Është mirë që këto të jenë të ndara”, – deklaroi relatorja Mimoza Hafizi në Komisionin e Edukimit. Rikthimi i shefave të departamenteve është mirëpritur edhe nga opozita, me përjashtim vetëm se duhet të fuqizohet statusi i shefave të shërbimeve dhe këta të fundit, mos të jenë njëkohësisht edhe në krye të departamenteve. ”Mendojmë se këtij universiteti dhe sistemit të shëndetësisë në Shqipëri i duhet një njësi shërbimi shumë e fort e cila merr dhe rolin e liderit për shërbimet e njëjta homologe për shërbimet në spitalet rajonale. Në këtë mënyrë kjo është një njësi e madhe shërbimi”, – tha Myqerem Tafaj. Ndërkaq, në Komisionin e Edukimit është kërkuar që Ministria e Arsimit dhe Sportit të nisë auditimin për diplomat e doktoraturave në Universitetin e Mjekësisë, pasi dyshohet se një numër i konsiderueshëm i tyre, sipas deputetëve të mazhorancës, janë të falsifikuara.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency