Shkodër/ Ekzekuton shokun pas një konflikti, autori ishte i dehur

0
124

 Anxhela Tato

 Plagoset kushëriri i viktimës, tentoi t’i merrte armën 25-vjeçarit Meraldo Hado

Dëshmitarët: Autori i kërkoi Indrit Hyllit të dilte jashtë për tu sqaruar, u dëgjuan të shtëna dhe britma

policia ekzekutimVret me breshëri automatiku shokun e tij pas një konflikti të çastit. Ngjarja ë rëndë është shënuar mëngjesin e djeshëm në një lokal nate në fshatin Zus të Shkodrës. Nga të dhënat e policisë mësohet se i plagosur ka mbetur kushëriri i viktimës, i cili ndodhej në tavolinë me dy djemtë. I riu ka tentuar të ndërhyrë duke i marrë armën autorit, i cili e ka plagosur. Sipas informacioneve të policisë tre djemtë ishin në të njëjtën tavolinë kur kanë nisur debatet. Mësohet se autori i dyshuar i krimit, Meraldo Hado ka qenë nën efektin e alkoolit, kur ka hapur zjarr. Debati ka nisur për një shkak ordiner, duke degraduar deri në ofendime dhe konfrontim fizik mes Meraldo Hados dhe viktimës Indrit Hyllit. Sipas të dhënave paraprake të policisë autori dhe viktima janë shok me njëri-tjetrin dhe kishin dalë për tu argëtuar. Ata ishin ulur në një lokal natë të njohur në fshatin Zus, kur papritur kanë nisur të debatojnë. Në gjendje të dehur autori nuk ka mundur dot të kapërdijë ofendimet e viktimës dhe të dy janë rrahur. Ky ka qenë momenti kur 25-vjeçari ka dalë jashtë lokalit për të marrë armën e zjarrit që e kishte në bagazhin  makinës. Ai është futur sërish në lokal dhe i ka kërkuar viktimës, 22-vjeçarit Indrit Hylli që të dilte jashtë për tu sqaruar. Në momentin që viktima ka dalë nga ambientet e lokalit të natës, të dy djemtë janë konfrontuar fizikisht dhe autori ka qëlluar me breshëri në drejtim të 22-vjeçarit. Kushëriri i viktimës ka ndërhyrë për t’i hequr armën autorit, por nuk ia ka arritur. Në shenjë kundërshtimi 25-vjeçari ka qëlluar në stomak kushëririn e 22-vjeçarit Indrit Hylli. Të tmerruar klientë të lokalit kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga të dhënat e mbledhura është bërë e mundur identifikimi i 25-vjeçarit Meraldo Hado, i cili është shpallur në kërkim. Nga blutë janë shpërndarë postblloqe nëpër zonat përreth me dyshimin se ai nuk ka mundur dot të largohet shumë nga vendi i ngjarjes.

 

Hetimet

Sipas policisë shkaku i ngjarjes është një konflikt banal  mes dy djemve, të cilët ishin miq me njëri-tjetrin. Nga dëshmitarët është mësuar se dy djemtë ndodheshin bashkë në tavolinë kur kanë nisur të konfliktohen. Debati ka qenë nën efektin e alkoolit, çka ka bërë që të nxehen gjakrat dhe situata të degradojë në përdorimin e armëve të zjarrit. Sipas dëshmitarëve autori ka dalë jashtë për të marrë armën dhe i ka kërkuar viktimës ta shoqëronte. Janë dëgjuar vetëm të shtëna dhe ulërima. Banorë të zonës dh klientë të lokalit kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë viktimës, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Ndërsa trupi i tij është transportuar për në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Autopsia do të ndihmojë blutë për të zbuluar shkakun e vdekjes. Ndërsa pritet marrja në pyetje e familjarëve të viktimës dhe autorit, nëse dy djemtë kanë pasur probleme me njëri-tjetrin apo konflikte të vjetra. Në vendin e ngjarje janë mbledhur pesë gëzhoja, ndërsa është dërguar me urgjencë në spital kushëriri i viktimës, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Nga ana e bluve po vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të krimit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency