Zgjedhjet dhe analiza/ Basha: Në PD do të vendosë vota e demokratëve, s’ka të preferuar të kryetarit  

0
120

Gëzim Saliu

Analiza në Durrës, kreu i PD-së: Diskutojmë me frymë kritike dhe autokritike, realiste dhe konstruktive. Të korrigjojmë të metat e gabimet për të shikuar përpara. Gara në PD, e hapur

 basha analizaKrahas zgjedhjeve të drejtuesve të rinj në të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, po zhvillohet edhe analiza për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte i pranishëm dje në analizën e zhvilluar në seksionin nr. 1501 në Durrës të grupseskionit 1, ku theksoi se vota është i vetmi pushtet që do të funksionojë në PD për të zgjedhur drejtuesit e rinj të kësaj partie. “Nuk ka dhe nuk mund të ketë të preferuar të kryetarit apo të dikujt tjetër në këtë proces. Pushteti është i votës së anëtarëve të PD-së, ndaj edhe synimi ynë është të zgjedhim me votë më të mirët, më të aftët, më të përkushtuarit, më të ndershmit. PD nuk është parti e dikujt, nuk është parti e disave, është partia e të gjithë demokratëve. Çdo demokrat është pjesë e kësaj partie, ka aksionet e veta në këtë parti; çdo demokrat ka një votë në këtë proces, pavarësisht se çfarë pozicioni ka apo do të ketë në strukturat e PD-së”, – deklaroi Basha.

 

Analiza

Sipas kreut PD-së, pas fushatës së suksesshme për regjistrimin dhe riregjistrimin e anëtarësisë, analiza e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit është hapi tjetër vendimtar për motivimin, rinovimin dhe modernizimin e partisë. “Në mbarë Shqipërinë, demokratët po diskutojnë me frymë kritike dhe autokritike, me frymë realiste dhe konstruktive, për të korrigjuar të metat e gabimet dhe për të shikuar përpara. Vota është i vetmi pushtet që do të funksionojë në PD për të zgjedhur drejtuesit e rinj të kësaj partie”, – theksoi ai. Më tej, Basha nënvizoi se nuk do të ketë në asnjë nivel të zgjedhjeve në parti seleksionim të kandidatëve, ku kryetarët, sekretarët, anëtarët e kryesive, delegatët do të dalin të gjitha nga vota e lirë e anëtarëve. Ndërkaq, kryetari i demokratëve pohoi se gara në zgjedhjet në forcën më të madhe opozitare do të jetë e hapur, “ashtu siç është dhe Partia Demokratike për këdo që dëshiron t’i bashkohet, për të kontribuar për një opozitë të fortë sot dhe një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane nesër”. Pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve nëpër rrethe dhe vijimit me zgjedhjet në seksione, grupseksione dhe degë, i njëjti proces vijoi pak ditë më parë edhe në kryeqytet, ku përveç 11 njësive bashkiake do të krijohet baza e re e të dhënave për rrethinat e kryeqytetit.  Në mbledhjen më parë, nga kreu i PD-së, Basha, me koordinatorët e njësive bashkiake të Tiranës dhe rrethinat për të, u shpërnda udhëzimi i cili vendos si afat të fundit datën 2 qershor për rifreskimin e të dhënave të anëtarësisë në grupseksionet e PD-së e më pas verifikimin e të dhënave në formularë. Pas përfundimit të zgjedhjeve në të gjitha degët, përfshi Tiranën, në muajin maj dhe në qershor do të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Ky kuvend do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statusin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

 70 mijë anëtarësime pa kryeqytetin/ Shtohen koordinatorët për Tiranën, rrethet propozojnë emrat e kandidatëve për kryetarë

Në kohën kur procesi i zgjedhjeve në degën e Partisë Demokratike të Tiranës ka nisur prej më shumë se një jave, nga analizat paraprake në selinë blu rezulton se numri i koordinatorëve i përcaktuar nuk është i mjaftueshëm. Duke marrë parasysh faktin se Tirana është kryeqyteti i vendit e rrjedhimisht dega më e madhe, pritet që numri i koordinatorëve të shtohet, kryesisht për komunat. Numri i madh i banorëve në komunat përreth Tiranës bën të pamjaftueshëm praninë e vetëm një koordinatori e në këtë kontekst është vendosur që më shumë persona të angazhohen me koordinimin e zgjedhjeve në degën e demokratëve në kryeqytet. Ndërkaq, javën e ardhshme pritet zgjedhja e kryetarëve të parë të Partisë Demokratike në disa rrethe të vendit, ku ka nisur propozimi i kandidatëve nga grupseksionet. Pritet që ditët e fundjavës emrat e propozuar nga disa rrethe të vijnë në selinë qendrore të PD-së në Tiranë, ku më pas do të vazhdohet me procedurat e mëtejshme. Ndërkohë, mësohet se ka përfunduar lista e anëtarësimeve të reja në rrethe, e cila shkon deri në 70 mijë veta pa përfshirë degën e Tiranës.

 

 Letër Barrosos për 9 Majin/ Basha: BE, udhërrëfyesi frymëzues për aspiratën e shqiptarëve

Në kuadër të Ditës së Evropës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i dërgoi dje një letër Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ku shprehu përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo demokrati shqiptar. “Bashkimi Evropian ia doli t’i jepte jetë vizionit të etërve themelues për një Evropë në paqe, në të cilin popujt dhe kombet e kontinentit të lashtë jetojnë në harmoni, bashkëpunim e solidaritet demokratik, duke konsoliduar përditë lirinë, sigurinë, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre. Me vlerat dhe arritjet e tij të jashtëzakonshme, Bashkimi Evropian ia doli të jetë sot udhërrëfyesi frymëzues për aspiratën dhe projektin më madhor kombëtar të shqiptarëve dhe mbarë rajonit të Evropës Juglindore”, – shkruante Basha. Në këtë kontekst, kreu i PD-së shtoi se së bashku me urimet më të përzemërta për Ditën e Evropës: “Gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe solidaritetin e Komisionit Evropian ndaj të ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency